Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | LAJME | FADIL HASA DO TË MBETET NJË NGA YJET MË TË NDRITSHËM TË HUMORIT SHQIPTAR

FADIL HASA DO TË MBETET NJË NGA YJET MË TË NDRITSHËM TË HUMORIT SHQIPTAR

Font size: Decrease font Enlarge font
image FADIL HASA

 

 

 

 

Të nderuar të pranishëm në këtë çast ndarjeje me mikun tonë të paharruar, artistin e merituar, Fadil Hasa!

Kur ndjeva detyrimin moral që të shpreh pikëllimin tim në këtë ceremoni funebre mbushur me lot e pikëllim, nuk e di pse m`u kujtua Remarku që thosh se “Është e vështirë të gjesh fjalë kur ke për të thënë diçka”. Dhe për këtë njeri dhe aktor të shquar që në panteonin e humorit shqiptar, mund ta rendisim pa asnjë mëdyshje, krahas korifejve si Tano Banushi, Nikolin Xhoja, Skënder Sallaku, Albert Verria, i cili me një mjeshtëri e talent të rrallë e ktheu skenën në jetë dhe jetën në skenë, gjithkush prej nesh ka se ç`të kujtojë dhe ka se ç`të tregojë. Ashtu sikurse e parathotë profecia e emrit të tij, pra: i zgjedhur e i përkryer, ai mbeti i tillë, pra koherent deri në fund në angazhimin e tij si qytetar dhe si artist. E donte botën të bukur, ndaj dhe e qortonte atë, pasi e njihte qysh kur qe student atje në San Peterburgun e Dostojevskit, përcaktimin e tij se “në këtë bukuri, Zoti dhe djalli luftojnë njëri - tjetrin dhe fushëbeteja është zemra e njeriut”. Ndaj dhe ai, jo vetëm e kishte zemrën e tij të mbushur me dashuri të pakufi për ta, por edhe arriti si pakkush të fitojë zemrat e tyre. Po kaq fisnik e besnik qe ai dhe në nderimin e kujtimit të gruas së tij të ndjerë apo në rritjen dhe edukimin e dy vajzave të mrekullueshme dhe plot dinjitet, duke u bërë për këdo shembulli më elokuent i bashkëshortit, prindit dhe gjyshit të përkushtuar. Nën drejtimin e regjisorëve nga më të shquarit dhe me frymë të sinqertë mirëkuptimi, përkrahje e ndihme reciproke për kolegët e koleget, Fadil Hasës, me rolet e tij aq të spikatura e mbresëlënëse, i takon një vend i veçantë nderi, si në lartësimin e prestigjit të estradës tonë, ashtu dhe në krijimin e shkollës durrsake të humorit. Si i tillë, vlerat e veprës së tij e identifikuan atë me këtë qytet të kulturës së lashtë dhe e shndërruan në simbol të tij. Me shfaqjet e tij anë e kënd vendit tonë, mes vështirësive të panumërta, me lojën e tij origjinale dhe plot individualitet, pra me karakteret e personazheve që krijoi, ai arriti të fitojë admirimin e kujtdo që e pa, dhe diti të mbajë ndezur flakën e humorit të vërtetë, kur njerëzit kishin më shumë nevojë për të. Humori i Fadilit qe i shëndetshëm, i pastër dhe me mesazhe kuptimplota; ai ngjallte te të gjithë gëzim, shpresë dhe optimizëm. Dhe ashtu si skeçet ku ai luajti, dhe batutat e mençura e të përditshme të tij, do të mbeten të paharruara, edhe filmat ku luajti, deri te personazhi kryesor i Mao Ce Dunit, do ruhen gjatë në kujtesën e spektatorëve dhe teleshikuesve të shumtë. Se ai ishte ashtu siç e përcakton Enciklopedia jonë, një artist i humorit të zgjuar popullor. Konseguent i bindjeve të tija dhe tolerant ndaj mendimeve të të tjerëve, Fadili asnjëherë nuk bënte dallime mes shokëve dhe miqve. Tavolina ku ai pinte çdo ditë kafenë, aty te Gjashtëkëndëshi, u bë modeli proverbial i harmonisë dhe i domosdoshmërisë të të kuptuarit dhe të zbatuarit të shprehjes demokratike “opozitarë por vëllezër”. Vajzat, të afërmit, miqtë, qyteti ynë dhe mbarë Shqipëria do ta vajtojnë gjatë humbjen e një artisti kurajoz dhe me integritet si Fadil Hasa. Por jeta kështu qenka; dhe pikërisht për këtë, nuk kemi se ç`t`i shtojmë tjetër vargut të Lamartinit se “Koha s`ka fare breg, ajo rrjedh e ne kalojmë”. Gjithsesi, në këtë përhumbje, sikur na zgjon gjenia e Stefan Cvajgut kur thotë se “Arti ka vetëm fillim”. Dhe është pikërisht ky art që nuk do ta lerë të vdesë Fadil Hasën, njeriun për të cilin është e vështirë të gjesh fjalë, edhe pse për të kemi për të thënë aq shumë. Ja pse edhe ne, ashtu si romakët e vjetër, sa herë do ta kujtojmë,  do të themi vetëm: jetoi!

18.07.2018

 

Comments (2 posted):

Guri Naimit D. on 18/07/2018 13:56:27
avatar
I perjetshem kujtimi dhe vepra e ketij artisti te lindur,si Fadil Hasa.
Faleminderit Juve i nderuar Shpend Topallaj,shprehur per te NDERUARIN;si artist i ralle i humorit shqiptar.
Guri Naimit D.
k on 18/07/2018 17:17:48
avatar
Bukur! Një homazh, që e meriton ikona e humorit durrsak. Ai shkoi, por emri dhe batutat e tij të kripura do na shoqërojnë gjatë.
urime Shpendi! Më bukur nu do ta stoliste askush. Kështu ndodh kur ndjen pikëllim për humbjen e mikut dhe shokut.
Miqësisht!
Kadriu

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1