Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | LAJME | Në kuadrin e një përvjetori jubilar

Në kuadrin e një përvjetori jubilar

Font size: Decrease font Enlarge font
image Reshat Kripa

Njëzetepesë vjet më parë  

 

 

Në këtë përvjetor jubilar të rivarrimit të eshtrave të 22 martirëve të masakrës së pashembullt që rregjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin  pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve. 

            I vendosën të pesë familjet në një depo qymyri. Mendonin t’i linin aty vetëm për pak ditë, pastaj t’i dërgonin në Tepelenë. Një urdhër i dytë anulloi të parin. Midis tyre edhe një plakë e moshuar, nëna e Tefik Shehut, apo siç e thërrisnin “Nana kosovare“. Nënës së ngratë nuk i kishin treguar për birin e pushkatuar. Nusja e djalit, Sevdija, për t’i hequr vëmendjen këndonte me të këngën “I kam hyp vaporit“. Por zemra e nënës e kishte ndjellë mandatën që e kishte pllakosur. I mbylli sytë shumë shpejt. Ishin plotësisht të izoluar nga bota. Vetëm disa kurajozë, njerëz të shtresës së tyre, vinin fshehurazi natën dhe u sillnin sende me të cilat ato mbijetonin. 

            Kush ishte ajo forcë që u dha mundësi këtyre heroinave për të mbijetuar në ato kushte ferri? Padashur më kujtohet thënia e filozofit të shquar gjerman Friedrich Nietzsche, që një shekull më parë shkruante:

 

            Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku….

 

            Po, ishte gjaku dhe origjina fisnike që i mbajti aq lart këto gra, vajza dhe djem. Fisnikërinë e tyre nuk mundi ta thyente as terrori dhe as metodat e tjera djallëzore të përdorura nga rregjimi.

Në takimin e organizuar për pesëdhjetëvjetorin e kësaj ngjarje, në shkurt të vitit 2001,  së bashku me mikun tim, Cane Agaj, takuam Ida Temalin, që tashmë ishte plakur. Përqafohemi  me  mall dhe  nga  sytë  e saj shohim të rrjedhin lotë. Me një zë të dridhur na thotë

            - Kam nostalgji për Vlorën. Mendonim se atje do të gjenim vetëm bisha të etura për gjak, por gjetëm njerëz të thjeshtë e të ndershëm, që na ndihmuan në ato çaste të vështira. 

            Sot ajo dhe motrat e saja kanë mbyllur sytë.

            Takoj shpesh herë Hysenin. Bisedojmë për tema të ndryshme. Një ditë e pyeta për Xhonin krenare, me të cilën kam punuar në ndërmarrjen bujqësore. Kishte dëshirë të vinte për të punuar në brigatën e ndërtimit, ku isha edhe unë, pasi aty kishte shumë persona nga shtresa e jonë, por nuk e lejuan. Ishte e dënuar të punonte në bujqësi. Hyseni heshti për një çast, pastaj foli me një zë të dridhur:

            - Xhoni  e ka mbyllur jetën e saj!

            Takohem me Lulin. Ai më tregon se Tefta, Violeta dhe Rexhepi nuk jetojnë më. Po ashtu 

edhe Adhurimi i Jegenëve i kishte mbyllur sytë. 

            Homazh për këto figura të paharruara!

            Fola vetëm për këto pesë familje, pasi këto erdhën në qytetin tim dhe e kemi ndarë vuajtjen së bashku, por nuk mund të rri pa përmendur edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera të shpërndara nëpër Shqipëri, fati i të cilave ishte i njëjtë me këtë të këtyre që përmenda më sipër.

            Para syve më del rezoluta e miratuar para disa vitesh nga Këshilli i Europës. Në njërën nga pikat e saj shkruhet:

 

Asamblea  beson që  viktimat  e atyre  krimeve  që  u realizuan nga rregjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara.          

 

            Lidhur me këtë rezolutë edhe parlamenti shqiptar ka miratuar një të tillë, ku solidarizohet me atë të Këshillit të Europës. Por çfarë është bërë deri tani? Si në asnjë nga vendet e tjera ish-totalitare, në Shqipëri nuk ka asnjë burg apo kamp të punës së detyruar që të jetë kthyer në muze. Nuk ka asnjë lagje, rrugë apo shesh, institucion kulturor apo shëndetësor që të ketë marrë emrin e ndonjërit prej viktimave të shumta të genocidit komunist. Në memorialin e  varrezave të dëshmorëve vazhdon të jetë ende ylli i komunizmit dhe mua më duket sikur ai yll po i bren ende eshtrat e 22 martirëve tanë që prehen aty pranë. Si në asnjë vend tjetër në Shqipëri nuk ka një varrezë për viktimat e komunizmit, nuk ka një përmendore apo pllakë përkujtimore për mijrat e të rënëve që akoma nuk u dihen as varret. Shteti komunist i mblodhi eshtrat e të rënëve dhe u dha një varr ashtu si e meritonin. Po shteti demokratik si nuk kujtohet t’u jap një varr eshtrave të të rënëve nga plumbat e rregjimit totalitar? Në organet qeveritare mbretëron heshtja për genocidin komunist. Kush harron të kaluarën nuk mund të ndërtojë të ardhshmen

            Në Ëashington është ngritur madhështor memoriali në kujtim të viktimave të komunizmit. E pra Amerika nuk e provoi diktaturën komuniste. Megjithatë memorialin e ngriti, pasi e konsideronte si një obligim të saj. Po te ne kur do të ngrihet ky memorial? Ka disa vite që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e tij por qeveritë vijnë dhe shkojnë dhe asnjera nuk është kujtuar për ngritjen e këtij memoriali. Përse? Ne mendojmë se ai duhet të ngrihet pikërisht në vendin ku dikur qëndronte monumenti i diktatorit. Ky do  të  ishte hapi i parë në luftën për çrrënjosjen e ideologjisë komuniste.

            Edhe dy fjalë për ditën e kujtesës. Me nismën e ish-Ministrit të Kuturës, të nderuarit Bujar Leskaj, u caktua 21 maji, dita e protestës së famshme të Spaçit ku u ngrit flamuri kuq e zi pa yllin e  komunizmit më 1973. Pa kaluar shumë kohë ajo u ndërrua dhe u caktua 20 shkurti, dita e rrëzimit të monumentit të diktatorit. Por edhe kjo datë kaloi në heshtje si ajo e para. Duhej vizita e ambasadorëve amerikanë dhe gjermanë në Spaç që dy presidentët e fundit, zotërinjtë Nishani dhe Meta, ta përkujtonin datën e ngritjes së flamurit. Kohët e fundit po qarkullon mendimi i caktimit të datës 26 shkurt. Unë jam i mendimit se kjo është data që simbolizon më së miri genocidin komunist kundër shqiptarve sepse pikërisht në këtë datë janë arrestuar, hetuar, gjykuar dhe ekzekutuar 22 persona, të gjithë intelektualë të shquar përfunduar studimet në vendet më të zhvilluara të botës perëndimore, brenda një peridhe prej një jave, madje vendimi i gjyqit të jetë shpallur pas ekzekutimit te tyre? A keni dëgjuar të ndodhë një ngjarje e tillë në ish-vendet e tjera socialiste? Një gjë e tillë mund të ndodhte vetëm në Shqipërinë tonë. 26 shkurti është data që përfaqëson më së miri genocidin komunist në Shqipëri, ndaj jam i mendimit që përfundimisht të caktohet kjo datë  për kujtimin e viktimave të terrorit komunist por, vini veshin çfarë është më e  rëndësishmja, të mos lihet në harresë si datat e tjera të  sipërpërmends

            Në këto çaste më dalin parasysh vargjet e një poezie të një poeti anonim:

                        

                        Në këtë kaos, këtë vend të nxirë,

                        Nga këta “bandillë”, këta “xhevahirë”,

                        Zërat tonë të fortë, zërat tonë të mirë,

                        Zërat tonë të lirë, zë në shkretëtirë.

 

            E pra, ne nuk duam të jemi “zë në shkretëtirë”.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1