Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | LAJME | Për më shumë dije, kompletim e letërsi

Për më shumë dije, kompletim e letërsi

Font size: Decrease font Enlarge font
image Revista Akademia

 

Një Yll i Ri në Qiellin Shqiptar të Kulturës dhe Letërsisë

 

 

Revista Akademia

Në duart e lexuesit cilësor

Për më shumë dije, kompletim e letërsi

Nga Ermal Hysi

 

 

"Akademia jonë është një revistë për kulturë, shkencë, gjuhë, art,

arsim, media e të tjera. Derë e hapur për mendje të hapura, për

njerëz të ditur e për krijues me vokacion."

 

Këto lexuam në Parathënien e Revistës Akademia, që hapi këtë "derë " për herë të parë, me numrin e saj të parë në dhjetorin që sapo kaloi, në Kosovë dhe padyshim ishte kjo një ftesë që nuk mund të mos na grishte për më shumë njohje e hulumuntim në faqet e saj. Që në pamjen fillestare të krijon bindjen e një proçesi njohjeje të kompletuar e bashkohorë mbi realitetin social, artin e letërsinë shqiptare e të huaj. Kemi të bëjmë me një botim të N. Sh. ARMAGEDONI në Prishtinë dhe Kryeredaktor Z. BERAT ARMAGEDONI.

Që në numrin e parë, me më shumë se 560 faqe letërsi, politikë e sociologji, opinione, kritika, ese, përkthime, krijime në poezi e prozë, kjo revistë pretendon me të drejtë të zërë një vend nderi në panteonin e botimeve shqipe të këtij lloji. Ajo është një shoqëri e mirëfilltë elokuente dhe plot dritë për artdashësit si dhe një burim informacioni për ata që merren më seriozisht me këtë ndërthurje shkencash e arti që i paraprin kulturës së një populli. Prandaj dhe 10 vjetori i Pavarsisë së Kosovës nuk mund të mendohet të festohet më mirë përveç se me zhvillimin e vënien në dukje të potencialit intelektual e kulturor, që ngre premisa të reja dhe nivele më të larta, siç është kjo nismë dinjitoze.

 

Gjejmë kështu brenda kësaj reviste një panoramë të gjerë opinionesh dhe pse jo, zanafillë debatimesh të frytshme. BAJRAM KOSUMI vjen me një shtjellim të hulumuntuar dhe shprehur thukët si një bisedim që lë mbresa për ardhjen deri më sot të shtetit, KULTURA SHTETFORMUESE SHQIPTARE NË DEKADËN E DYTË TË SHEKULLIT XXI, ndërkohë që çdo njëri nga problemet që shtrohen kanë baza shumëdimensionale për t'u përpunuar në vëmendjen tonë qytetare.

 

Revista hapet me një ese të Nobelistit MARIO VARGAS LLOSA (Laurant i Nobel 2010) e cila në një kuptim të përgjithshëm ka në rrethinat e veta një terren sa të vizituar dendshëm, aq edhe reliev-thyer aspak uniform e përherë në shembje-ngritje si dukuri e faktorit kohë, me gjithë ç'sjell në shoqëri, shije dhe dije, pra një temë nga ku është thënë mjaft, por aspak mjaftueshëm kur bëhet fjalë për një trohallitje të tillë të mendimit dhe konceptimit. Të njëjtin pothuajse përkufizim do nënvizoja edhe për esenë e pëlqyer të ARDIAN KYÇYKUT, "NJERIU SI PENG" që gjithashtu duhet lexuar veçanërisht nga njerëzit e letrave (ashtu siç duhet bërë përgjithësisht me penat e zotërinjëve Kyçyku).

 

Por duhet cilësuar se LLOSA s'është i vetmi Nobelist i Letërsisë që vjen tek AKADEMIA. Në rubrikën e prozës kemi SINCLAIR LEWIS, Çmimi Nobel 1930, (Përkthyer nga anglishtja nga Besim J. Kokollari), - krahas emrave të tjerë të njohur si: CHARLES BUKOWSKI (Përkthyer nga anglishtja nga Leonora Buçinca); ETGAR KERET (Përkthyer nga anglishtja nga Alfred Beka); SLLAVKO PREGL (Përkthyer nga sllovenishtja nga Nikollë Berishaj); ÇEZARE PAVEZE që gjithashtu është sjellë në këtë numër të parë të Akdemia edhe si poet (Përkthyer nga italishtja nga Renato Kalemi); JEAN YVES CARLEN (Përkthyer nga frëngjishtja nga Tahir Dalipi) si dhe shkrimtari i veçantë ALEXANDRU MONCIU-SUDINSKI (Përkthyer nga rumanishtja nga Ardian Kristian Kyçyku); por dhe prozë në shqip RAGIP SYLAJ; ERIS RUSI; ARLIND FARIZI.

Dhe në rubrikën Poezi: ODISEAS ELITIS, Çmimi Nobel 1979 (Përkthyer nga greqishtja nga poetja Armela Hysi) dhe JORGO SEFERIS, Çmimi Nobel 1963 (Përkthyer nga greqishtja nga Brikena Qama), krahas emrave të tjerë me pozitë në letërsinë botërore, poetëve të njohur si KOSTANDIN P. KAVAFIS (Përkthyer nga greqishtja nga Llambro Ruci); IZET SARAJLIQ (Përkthyer nga boshnjakishtja nga Salajdin Salihu); PIER PAOLO PASOLINI (Përkthyer nga italishtja nga Renato Kalemi); JEVGENI JEVTUSHENKO, SERGEI ESENIN si dhe ANA AHMATOVA (Përkthyer të gjitha nga rusishtja nga poetja Drita Lazri); CÉSAR VALLEJO (Përkthyer nga Azem Qazimi); NIELS HAV (Përkthyer nga danishtja nga Kujtim Morina)

Si dhe poetë shqiptarë si intersantja dhe me stil që të tërheq vëmendjen ERENESTINA GJERGJI-HALGASHI; ADEM GASHI; SALI BASHOTA; ARIF MOLLIQI; ISUF SHERIFI; MEHRIJE DACI; LULËZIM ETEMAJ; SADIK KRASNIQI; SHEFQET DIBRANI; BUJAR MEHOLLI; BRIKENA QAMA; ALBANA KOZELI.

Interes të zgjon penelata historike e kësaj reviste me shkrimin e SALAJDIN SALIHUT " SORGOT, ARISTOKRACIA SHQIPTARE E DUBROVNIKUT" por dhe me diskutimin e hapur në shumë plane dhe njëkohësisht brenda dhe jashtë vendit tonë - përderisa në gjithë botën moderrne zhurmon debati për çlirimin e historisë nga qasjet subjektive - nga IBRAHIM GASHI me titullin

" TË RIMENDUARIT DHE TË RISHKRUARIT E HISTORISË SONË KOMBËTARE".

Dhe ndërsa Filozofia si pjesë e pandarë e një ndërmjetësie konkluzive midis shkencës dhe artit, paraqitet e kualifikuar e cilësore me emrat e HAJDIN ABAZIT, me shkrimin "POST E VËRTETA: Ç’MUND TË MËSOJË FILOZOFIA NGA ARTI" dhe ALI PAJAZITIT

me "DEKADENCA: TRAJTIM NGA KËNDI I CALINESCUT".

Po të tillë artikuj gjejmë dhe në sektorin letrar STUDIME nga ZYMER UJKAN NEZIRI me titull MËRGIMI NË EPOSIN HEROIK LEGJENDAR SHQIPTAR: MARTESA E

KRESHNIKUT ME VAJZËN E BUKUR TË KRALIT;

nga IRENA GJONI me KONTRAVERSI I KULTIT TË DETIT NË BREGDETIN E JONIT;

nga ALBANË MEHMETAJ me KOKALARI QINDVJEÇARE; nga ROVENA VATA

me ROLI I ËNDRRËS SI ELEMENT PSIKOLOGJIK NË RRËFENJAT E MITRUSH KUTELIT.

Pjesa e fundit e revistës, duke përligjur jo vetëm emrin Akademia por dhe pretendimet e këtij botimi gjigant, si për nga volumi ashtu edhe për nga vlerat, e pashoqe në këto momente në botimet shqiptare, i është dedikuar ARTEVE DRAMATIKE ku kemi një shkrim nga z. JOSIF PAPAGJONI

SHOQËRIA, MORALI, DOKTRINA, NJERIU; nga EMIN Z. EMINI një studim me titull TEATRI EPIK I BREHTIT; dhe DRAMATIZIMI NË LETËRSINË SHQIPE, PROÇES ESTETIK APO

PRAGMATIK: RASTI KADARE, nga DONARD HASANI.

BERAT ARMAGEDONI paraqitet me analizën e tij PËR DRAMËN ‘SFINGA E GJALLË’ TË REXHEP QOSJES, dhe ARIAN KRASNIQI me studimin për shfaqjen e Heroit tonë Kombëtar, në teatrin shqiptar, nga një ndër dramaturgët e parë shqiptar, Andon Zako Çajupi, me titullin TRANSFIGURIMI I SKËNDERBEUT NË PERSONAZHIN ME EMRIN SELIM.

Në rubrikën GJUHË, MENTOR HAJRIZI bën një raport hulumuntimi dhe këshillimi: PËRDORIMI I FJALËVE TË HUAJA NË RAPORTIMET E MEDIAVE TË

SHKRUARA dhe nga ARSIM JONUZI një ndalesë interesante EMËRTIME SHQIPE TË PESË KOHËVE TË FALJES ISLAME. Kurse në seksionin MEDIA SIOBHAN MCGRATH

flet për TEKNOLOGJITË E REJA TË MEDIAS NË FAMILJE; MUHAMET MAVRAJ prezanton

DIÇKA PËR TEORINË E NDARJES SË PUSHTETIT DHE PRAKTIKËN E PUSHTETIT TË KATËRT; ndërsa nga GANIMET KLAIQI shkrimin NJOFTUESHMËRIA NË TITUJT GAZETAVE NË KOSOVË. Që me përpikmëri profesionale është një seminar i qartë, me shembuj konkret e didaktik, për letrarët e gazetarët dhe rëndësinë e formulimit të titujve në shtyp e më gjerë.

Do ndalesha në mënyrë të veçantë në rubrikën KRITIKË që po e lë për të fundit në këtë shkrim, për ta prezantuar sepse përveç shkrimeve të ndryshme nga SHEFKIJE ISLAMAJ me POEZIA E AGIM VINCËS, KUPTIM DHE BUKURZANIM; BEDRI ZYBERAJ me ANATOMIA E NJË TRINIE; DIJE DEMIRI-FRANGU me ANATOMIA E GRUAS NË VARGJE; ALMA LAMÇJA me SEMIOLOGJIA DHE MESAZHET E PASOLINIT PËR SHOQËRINË TONË; KLODIAN BRIÇI me POEMAT E SHKURTRA TË MILTONIT dhe JORIDA SOTIRI me "NUSJA E MREKULLUESHME" kemi edhe një shkrim kritikë - DIJETARI LARGPAMËS, nga i madhi REXHEP QOSJA. Akademiku më me emër i Kosovës, shkruan për vendimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që botoi dhe përuroi sivjet kompletin prej katër veprave të gjuhëtarit shqiptar Androkli Kostallarit dhe të një vepre kushtuar jetës dhe krijimtarisë së tij, ku shprehet, mes të tjerash se shpreson që Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në një të ardhme jo të largët të bëhen Një.

E pra, e gjithë kjo përbërje plot peshë e rëndësi, me interes për lexuesin dhe njëkohësisht letrarët, artistët dhe studiuesit, Akademia, është një shoqëri e mrekullueshme, ngopëse, që mbush një mision madhor, ndaj s'na mbetet veç t'i urojmë jetë të gjatë e të ndritur. Sa më shumë lexues, sa më shumë autorë, bashkëpuntorë e arritje!

 

Ermal Hysi

Mars 2018.

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1