| Su | Mo | Tu | We | Th | Fr | Sa |
| 1 | 2 | 3 | 4 | |||
| 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 |
| 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 |
| 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 |
| 26 | 27 | 28 | 29 | 30 | 31 |
PORTRETI I NJË POETI
Çdo kritik hyn në një dialog të caktuar me veprën letrare që analizon. Që nga ky dialog të burojnë përgjigje të qarta, kritiku duhet ta kuptojë gjuhën e autorit.
Studiuesi bashkëkohor Silvio d’Arko Avale pohon: “kritika e vendos një vepër në një kontekst-kod që s’është as gjuha e përbashkët, as gjuha letrare e një periudhe, po konteksti i përgjithshëm i gjuhës së një autori të caktuar dhe mbi këtë sfond kritiku analizon sjelljet verbale dhe përfundimet organike individuale të veprës së veçantë”.
Në fakt, metoda strukturaliste, ithtar i së cilës është kritiku në fjalë, e sheh veprën si sistem të një sistemi ku gjenden disa nivele; fonetik, leksikor, gramatikor, simboliko-alegorik dhe vë re se në secilin nga këto nivele ekziston një organizëm që luan rolin e kodit.
Po metoda strukturaliste është vetëm një nga çelësat për të depërtuar te një vepër. Për të depërtuar te poezia e Faslli Halitit, përveç fjalëve çelësa që na ofrojnë metodat strukturaliste dhe formaliste mund të na ndihmojnë teoria e receptimit që lidhet me horizontin e pritjes, madje edhe kritika sociologjike që sot shihet me dyshim.
Se poezia e F.Halitit, si ajo e gjithë poetëve të mirëfilltë, jo vetëm ka një formë artistike të ndërlikuar, një poetikë të vetën, po rrok dy periudha historike, prandaj për ta vlerësuar s’duhen lënë pas dore struktura historike dhe struktura ideore e kësaj poezie. Është një poezi që ka evoluar, po nuk ka pësuar thyerje.
Ajo lindi në periudhën e një diktature veçanërisht shtypëse, në kohën e mbizotërimit të një drejtimi letrar të ngurtë që nga realizmi i pretenduar i një niveli më të lartë kishte kaluar në një lloj neoklasicizmi: realizmi socialist.
Po lindi njëkohësisht në kohën kur një avangardë poetësh përdorte armën e një “disidence” estetike duke futur elemente të realizmit tradicional dhe madje të ndonjë drejtimi modernist në ndërtesën me tulla të njëtrajtshme të drejtimit letrar zyrtar.
Poeti i ri, atëherë, dijti t’i shpëtonte orbitës së treshes avangardiste të kohës Kadare – Agolli – Arapi dhe të mos bëhej satelit i tyre, po një yll ende i vogël, po me dritën e vet. Ai sillte në poezi figura të veçanta si sinestezia dhe paradoksi, një thjeshtësi shprehjeje nën të cilën frymonte thellësia, një freski dhe lirizëm që bashkëjetonte me mendimin.
Që në vëllimin e parë “Sot” F.Haliti kishte fizionominë e vet dhe një lloj plotësie. Të befasonte me detajet konkrete që buronin nga jeta, me sinestezitë që rroknin disa fusha shqisore (si e çarë e shalqinit/ vetëtima vetëtin), me prirjen drejt vjershës së shkurtër, herë-herë me subjekt, ku jepej në mënyrë të koncentruar një domethënie e thellë.
Ka poetë që të befasojnë me vëllimin e parë, po më vonë e humbasin dalëngadalë freskinë e fillimit dhe nisin të përsërisin vetveten apo të zëvendësojnë frymëzimin me zanatin, ka të tjerë që e gjejnë vetveten nëpërmjet një evolucioni të ngadalshëm. F. Haliti nuk i përket as njerës, as tjetrës kategori.
Ai ishte vetvetja që në vëllimin e parë dhe ka ditur ta përtërijë individualitetin e vet krijues që nga një vëllim në tjetrin.
Ka qenë që në fillimet e veta një poet social, në përputhje me traditën e letërsisë shqiptare që ka qenë qysh në fillimet e veta një letërsi qëllimore. Po i është shmangur atij “angazhimi të detyruar, drejt të cilit e shtynte diktatura dhe ka gërmuar më thellë me penën e vet. Në dukje përqafon “realizmin socialist” dhe shprehet nëpërmjet konvencioneve të kohës, ndofta ka pasur edhe iluzione për “idealin socialist” si ideal abstrakt dhe jo si mishërim real i vajtueshëm. Po në kërkimet e veta poetike ka kaluar “vijat e bardha” dhe ka evidencuar disa nga problemet reale të popullit siç ka qenë problemi i strehimit (“Dielli dhe rrëketë”).
Tepër mbresëlënëse është metafora e çatisë që “qan me lot të mëdhenj”, qan në vend të njerëzve që durojnë stoikisht në këtë poemë. Dhe kjo mjafton që poeti të damkoset si “nxirës i realitetit”. Në të vërtetë Haliti në atë kohë i është rikthyer një realizmi kritik të thellë nëpërmjet një vepre që e maskon patosin tragjik me patosin satirik.
Ajo thyerje e “horizontit të pritjes” që ishte shfaqur që në vëllimin e parë të poetit tani nga “disidencë estetike” po shkonte rrezikshëm drejt “disidencës ideologjike”.
Poeti heshti i detyruar vjet me radhë, po e vazhdoi rrugën e vet krijuese.
Është e çuditshme që në atë periudhë historike, në atë atmosferë letrare mbytëse, ky poet mjaft i qartë të quhej “i errët”, hermetik. Haliti nuk ka qenë hermetik as atëherë, as tani që hermetizmi përbën një nga prirjet e poezisë bashkëkohore. Veçse poeti, modern në thelb, prirej nga poezia e mendimit.
Haliti s’ishte hermetik si Arapi, as i lidhur thellë me traditën popullore si Agolli, as i prirur ndaj një figuracioni vigan si Kadareja. Ishte vetvetja: poezia e tij kishte aromën e atij realiteti që ai e njihte, kishte figuracionin e vet të freskët. Që atëherë Haliti po formohej si poet i paradoksit si do të shfaqej në periudhën e dytë të krijimtarisë së tij, ajo në të cilën ai e njohu lulëzimin e plotë, kur vazhdoi të thellohej në problematikën sociale, pa iu shmangur asaj sipas një prirjeje të përhapur në poezinë bashkëkohore, duke shprehur hapur qëndrimin e vet jo konformist prej poeti rebel, po duke u kujdesur ta shndërrojë në identitet ekuacionin e rrezikshëm ideologjike-estetike. Veçse poeti i drejtohet tani hapur problematikës ekzistenciale në qendër të së cilës qëndron binomi Dashuri-Vdekje, Eros-Tanatos.
Poezia e F.Halitit është një poezi e paradokseve dhe aforizmave, një poezi mendimi, po që fsheh ndjenjën në thellësi të vet (mund të thuhet se ndjenja në këtë poezi i ngjan barit që mbin në mes të gurëve), një poezi e qartë, po jo e thjeshtëzuar, një poezi e figuracionit befasues ku shfaqen sinestezia dhe oksimori, një poezi e paradoksit, një poezi e pikëzuar nga gjetjet që do të befasojnë, por larg së qëni një qëllim në vetvete, përçojnë një mesazh të përcaktuar.
Dashurinë poeti e koncepton si një forcë jetësore, si një mishërim të bukurisë së jetës; edhe kur flet për dashuri të humbura është i përmbajtur, nuk kalon në dramatizëm, aq më pak në tragjizëm, poezia e tij merr thjesht ngjyrat e një malli njerëzor. Ndaj vdekjes poeti mban një qëndrim ambivalent, madje polivalent. Vdekja për të është, herë kundërshtarja e përjetshme, herë poli i kundërt i jetës, herë liman prehjeje.
Ironia është gjithnjë e pranishme në poezinë e Halitit. Poeti kalon nga patosi humoristik në patosin satirik.
Një temë e parapëlqyer e poetit është ajo e dyfaqësisë, hipokrizisë, temë sa sociale aq edhe etike (vjershat “Piramida”, “Cicero, “Ikja”). F.Haliti godet me kamxhikun e poezisë mikun e pabesë, njeriun që ka dy masa morali, kameleonët politikë. Në vjershën “Piramida” tema e hipokrizisë është trajtuar me një konçizitet të skajshëm përmes metaforës së mikut që shndërrohet në piramidë dhe arrin kulmin në vargun shpërthyes:
Gjej mik tani ndonjë faraon !
Te “Ikja” tema e dyfytyrësisë shtjellohet me një frymë polemike dhe me detaje që i afrohen natyralizmit.
Në titujt e vëllimeve të periudhës së dytë të krijimtarisë së Halitit mund të zbulohen disa fjalë çelësa të poezisë së tij. Oksimori “Diellftohti” që titullon një vëllim mund të përkufizonte poezinë e tij, “e ftohtë” në dukje, po që fsheh një zjarr të brendshëm; mund të shprehë paradoksin e një pleqërie kur poeti digjet ende nga pasione rinore.
Metafora e “ikjes” përsëritet në mënyrë obsesive (“Iku”, “Para ikjes”) dhe mund të kuptohet se “ikje” e shpresave, e rinisë, ikje nga jeta, megjithatë nuk shpreh pesimizëm. Poeti është ende tepër vital dhe e tillë është poezia e tij. Përveç temës së dashurisë erotike poeti i këndon dashurisë në plan më të gjerë: dashuri për shokët, për njerëzit e familjes dhe veçanërisht brezit më të ri. Vitet dhe një sëmundje e rëndë e kanë afruar poetin me armiken e padukshme, vdekjen. Ai e sheh në sy me kthjelltësi, nuk shfren në mallkime kundër saj, as e himnizon si dekadent, guxon ta sfidojë te “Serumi i shokëve”, me pohimin se dashuria dhe solidariteti e mposhtin vdekjen “zonjën e përjetshme” dhe përdor një metaforë të guximshme që i ka rrënjët në poezinë popullore (Do martohem... me zonjën e pavdekshme Vdekje). Kurse të “Më prit” ndeshemi me një ide të re, idenë e vdekjes si kthim në gjirin e njerëzve të dashur (veçse nuk del i qartë konceptimi filozofik i këtij kthimi (si shkrirje në gjithësi? Si një bashkim në përmasë tjetër?): Nënë/ çdo ditë/ Po bie erë dhe / Më prit në Had, moj nënë/ Më prit së shpejti atje/ Vdekja/ Qenka një mrekulli! Qenka vajtje te nëna/ Qenka vajtje te babai përsëri!”
Vargu i Halitit është karakteristik, s’është varg i rregullt tradicional, as varg i lirë, as varg popullor. Poeti parapëlqen një varg të thyer, të cilit nuk i mungon ritmi, madje as rima që shpesh luan rolin e nënvizimit të ndonjë fjale çelës, një varg plot hove, vrulle, zigzage, ngjitje-rënie, një varg që ecën, ngjitet, zbret bashkë me mendimin.
Kufizimet e poezisë së Halitit janë të lidhura me vlerat e saj; ai pasion për paradoksin dhe “gjetjen” e bën të veçantë këtë poezi edhe pse në ndonjë rast i kalon masat. Megjithatë Haliti mbetet një poet i mirëfilltë, i veçantë, i pajisur me guxim krijues, besnik ndaj thelbit të vet, që di të rinovohet duke u thelluar si një poet që potencialisht “para ikjes” do të mund të thotë ende shumë.
Tiranë, 2012







del.icio.us
Digg
Comments (0 posted):
Post your comment