Navigate archive
first first May, 2013 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | KRITIKA | NJË TJETËR I DASHURUAR ME “BUKURINË E SHPIRTIT SUEDEZ”

NJË TJETËR I DASHURUAR ME “BUKURINË E SHPIRTIT SUEDEZ”

E çuditëshme kjo bota suedeze. Kushdo nga ne, që shkel këtë tokë të bekuar, dashurohet me të dhe me njerëzit e saj, pavarësisht se është mjaft larg Shqipërisë dhe me klimë tepër të ashpër. Mund të ketë edhe të tjerë shkrimtarë shqiptarë, që e kanë prekur e ndjerë magjinë e këtij vendi. Me sa di unë, ishte Konica i pari e më pas Vedat Kokona, që këtu e 80 ose 90 vjet të shkuar, që mbetën peng të adhurimit për këtë vend e këtë popull, dhe shkruan. Nuk habitem që historia përsëritet edhe në ditët tona, pasi para dy vjetësh ishte atje shkrimtari Viron Kona, i cili vetëm tri dit qëndroi në Suedi dhe shkroi librin “Bukuri Suedeze”, duke na e sjellë të gjallë mjedisin suedez. Dhe ja, tani edhe profesor Murat Gecaj, një tjetër publicist e studiues shqiptar, që bie në prehërin e “dashurisë suedeze”. Pak, shumë pak qendroi edhe ai, gjithashtu vetëm katër ditë dhe tani po boton librin “Me zemër në vendlindje…” (Shënime e mbresa, nga Suedia), me dëshirën për  të përcjellë te ne ndjesitë e rralla, të përjetuara në këtë vend të bukur, duke mos harruar për asnjë çast vendin e tij, Tiranën e Shqipërinë, por dhe Prishtinën e Kosovën.  

Sa herë që ndodhem në Tiranë dhe më jepët rasti të takohem me profesorin, vete nga vete fjala, e biseda vërtitet te ndodhitë në Suedi, duke na sjellë në kujtesë edhe grimca të bukura, që na e lezetojnë kafen dhe muhabetin. Në fakt, pothuajse të gjitha janë thënë, pasi autori ka qënë i pakursyer në shkrime, të cilat kanë nisur qëkurse morri ftesën dhe preu biletën e udhëtimit, bashkë me kolegët e tjerë. Por nuk i shqiten nga mendja mikpritja dhe takimet e shumta me suedezët, si nikoqirët e shtëpisë, njëkohësisht edhe me shqiptarët mërgimtarë, që jetojnë e punojnë prej vitesh në Suedi. Është një meritë e çmuar e këtij kolegu e miku, që mban shënime të hollësishme gjatë udhëtimeve, ose i ruan ato në “arkivin e kujtesës”, një sekret dhe zakon i gazetarit në terren, që s’duhet t’i shpëtojë asgjë. Është një model pune për t’u pëlqyer e ndjekur, për të pasqyruar pastaj me vërtetësi gjithëçka. Pothuajse të gjitha shkrimet janë publikuar, si në shtypin tonë e atë suedez, shumica në gazetën “Republika”, në revistën “Dituria”, që botohet në Suedi, por edhe në internet, si te “Fjala e lirë”, “Prishtina Press”, “Trubuna Shqiptare” e tjerë.

Ajo, që bie në sy, janë fjalët e ngrohta në shkrimet kushtuar takimeve me miqtë e shquar suedezë, me albanologun suedez UImar Kvik dhe mikun e shqiptarëve, Anders Vesaman, pa harruar shkrimtarët e publicistët shqiptarë, duke venë në dukje punët e mira, që ata po kryejnë në dobi të mbajtjes gjallë të shqiptarizmës. Një vend të veçantë zenë shkrimet kushtuar takimit në shkollën e Fjardingskolan të qytetit Boras, duke përmendur me respekt të veçantë emrin e drejtorit të saj, Per Kittsen, por dhe Sokol Demakun, mësuesin, gazetarin, shkrimtarin, poetin dhe drejtuesin e revistës “Dituria” dhe të radios lokale në gjuhën shqipe në qytetin Boras.

Në çdo shkrim të këtij libri, secili nga ne, gjen gjëra vërtet të dobishme, që na venë në mendime dhe në “siklet”, pasi në mjedisin tonë ndjejmë boshllëk në mentalitet e ca më shumë në veprim. Mesazhet përcillen thjesht, pa sforcim, pa fjalë të mëdha, në mënyrë të qetë e të urtë, sepse edhe stili i të shkruarit është në formën e një tregimi të një vëzhguesi të mençur, që qëmton me kujdes. Në vend të përsëritjes, që kurdoherë bëhet e bezdisëshme, po bëj pyetje, që vetiu mund e duhet të bëjë secili nga ne: Ç’ ndjejmë ne shqiptarët, po të shikojmë në bibliotekën e qytetit prindër me gjithë fëmijën e vogël në karrocë, siç ndodh në Suedi ? Kështu mund të vazhdojmë më tej: “A mundet, vallë, të përfitojmë nga një shembull kaq i bukur !? Deshira jonë: pse jo, ç’na mungon!?

Mësimi nuk është për të tjerët, siç jemi mësuar t’u japim mend të tjerëve, po për ne, përfshirë të gjitha moshat, duke u ndalur sidomos te të rinjtë, pa përjashtuar gjyshen apo gjyshin. Këtu edhe ne mund të mburremi se kemi shembuj të bukur, siç bën gjysh Murati me mbesën e tij Dorelën, pasqyruar aq me vërtetësi tek libri “Dorela”. Sa mirë do të ishte të vepronin të gjithë gjyshrit kështu!!

Mbase, shkakton të qeshura ndodhia me çelësin e hotelit në Boras, siç qeshëm edhe ne, kur e dëgjuam për herë të parë në bisedë duke pirë kafe. Në fillim, mund të qeshim, por duke e shtyrë më tej mendimin, dallojmë atë hop të zhvillimit të shpejtë të Suedisë, që është për t’u patur zili. Do donim ta kishim edhe ne, që të bëhemi si ata. Mund ta kemi, po gjërat e mira s’vijnë vetiu. Meqë m’u kujtua kafeja, cilido nga ne s’do të habitej, e më shumë do t’i prishej qejfi, se nuk e piu atë të uruar kafe, pasi kishte kaluar ora tetë e mbrëmjes dhe lokali u mbyll. Si mendoni, se ne do ta kalojmë në heshtje dhe nuk do të protestojmë me zë të lartë, duke sharë me rrënjë e degë!!?

Kur dëgjojmë e lexojmë të tilla ndodhi e grimca jete nga modeli suedez, mrekullohemi nga “fanatizmi” i atij populli, i cili zbaton rregullin dhe ligjin. Kështu, duke lexuar librin, të shtyrë nga dëshira për të ndrequr diçka, përsëri mund t’i bëjmë pyetje vetes: Po ne, a mund t’i zbatojmë? A kemi dhe ndjejmë përgjegjësi qytetarie? Përgjigjen mos e kërkojmë tek të tjerët, atë e gjejmë përsëri brenda vetes: “Mund ta ëndërojmë, po vështirë ta besojmë, kur ndeshemi për dit me realitetin tonë”!.

Në këtë libër dhe nëpërmjet pjesëve të tij, megjithëse me kohën e paktë të qendrimit atje, prof.Gecaj përpiqet të na sjellë në mënyrë kronologjike një pjesë fare të vogël të jetës suedeze, përfshirë këtu edhe të atyre mijëra shqiptarëve, emigrantë në Suedi. Pikërisht për këto, mund ta vlerësojmë edhe si një libër historik, një vlerë më shumë, pasi ka data, vende dhe shumë emra, ku autori është i pakursyer. Po ç’mund të bëjë ndryshe? Si mund të mos përmenden suedezët miqtë e Shqipërisë, poetët, shkrimtarët, gazetarët, artistë, mësuesit, e më pastaj edhe organizatorët dhe veprimtarët e shumtë. Si mund të lerë ata shqiptarë që, krahas punës për të mbijetuar, duke gjetur edhe dashamirësinë dhe  mbështetjen e mikptitësve, mundohen të bëhen pjesë e jetës dhe kulturës së vendit, duke luftuar për të ruajtur e zhvilluar gjuhën, kulturën dhe traditat e vendlindjes. Modeli i veprimit i inteligjencës shqipatre në Suedi është për t’u përgëzuar e përkrahur. Këto gjëra në vetvete përbëjnë vlerë e që duhen thënë, sepse nuk është e lehtë për “gurin e shkulur nga vendi i vet”, që sytë dhe zemrën e ka në vendlindje.

Pas leximit të këtij libri, vetiu lind mendimi se, nuk është pak të fiksosh kohën dhe ndjesitë e mallit, në shkrim e foto dhe t’ua përcjellësh brezave të shqiptarëve kudo që jetojnë e sidomos mërgimtarëve. Ky është synimi dhe përkushtimi i autorit si qytetar e atdhetar, të cilin e gjejmë në të gjitha fletët. Për këtë gjë, z. Gecaj meriton fjalët më të mira, falënderim, përshëndetje dhe një mirënjohje të madhe, aq më shumë për mesazhet njerëzore, të cilat i qendis aq natyrshëm.

Më vjen mirë, që një libri i ri i shtohet “bukurisë së shpirtit suedez”, krahas dy librave të kolegut e mikut tonë të përbashkët, Viron Kona, duke na e sjellë atë aq afër, sa mund ta ëndërojmë dhe ta prekim.

 

Durrës, dhjetor 2012

 

Comments (1 posted):

on 10/03/2013 22:46:04
avatar
Pershkrim shume i holle xhaxhi Kadri. Me ben te dua ta lexoj librin "Me zemer ne vendlindje".Urime Z. Gecaj!

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1