Navigate archive
first first August, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | KOMENTE | Zylyftar Hoxha, publicisti elitar

Zylyftar Hoxha, publicisti elitar

image Zylyftar Hoxha

 

Zylyftar Hoxha, publicisti elitar

 

Është interesant ky autor, në përzgjedhjen e tematikave, mënyrën e të shkruarit, ngrohtësinë e fjalës, në gjykimin e fenomeneve pa harruar të këshillohet me mëncurinë e popullit, filozofinë e tij. E gjithmonë gjen kohën e falenderimit për ata, “që më kanë dhënë kënaqësi me bisedat dhe bukën e tyre të ëmbël, por edhe m’i kanë lehtësuar punët”. Sa njerëzor!  Si një prestar i stërvitur seicilit i pret kostumin pas trupit, pastaj i qëndis me dritën e fjalëve, aq sa e meritojnë. Gjithmonë pyetet; dashuria për vendlindjen e pengon krijuesin për të qënë objektiv në ato që shkruan? Edhe ndodh, por artisti përfundon në shthurje morale kur ngatërron misionin e vet me konceptin e detyrës në përgjithësi. Është një shtysë e brendshme që e shpie njeriun drejt gabimit, pikërisht ndjenja e dashurisë. Sa fjalë falenderimi u kemi borxh prindërve, miqëve dhe shokëve të vërtetë, madje edhe sharje shqip atyre që e meritojnë, pa folë pastaj për borxhet që na kanë të tjerët. Pikërisht në këto kushte mund të gabojmë. Po Zylyftari ka rendur pa zhurmë e bujë, si burimi që gjen rrugën për të zbritur në det. Para pak vitesh është botuar një libër me shënime kritike për publicistikën e Zylyftar Hoxhës; “Drithërimat e fjalës”. Shkëputa disa rreshta prej tij dhe i vendosa në hyrje të këtij shkrimi, vetëm kaq, për të mos përsëritur vetëveten. Është autor i disa librave e së fundmi edhe i veprës (më pëlqen ta quaj kështu) dinjitoze “Udhëtime nëpër Shqipëri”, fryt i një pune vetmohuese më shumë se dyzet vjecare. Le të flasim më konkretisht për brendinë e këtij botimi. Jemi në trojet e Ilirisë, në atë pjesë të mbetur, që tashmë quhet Shqipëri. Mrekulli natyrore, histori të panjohura, religjion dhe turizëm kulturor. Çfarë fati, për lexuesit! Një dorë prej magjistari u ysht për ta ndjekur pas. Butësia e Krishtit dhe fuqia e mendimit ushqejnë kureshtjen tuaj fjalë pas fjale, u shpien atje ku mbërrin vetëm imagjinata. Ëndrra, zhgënjimi dhe realiteti i lënë vendin njeri-tjetrit, kohë pas kohe. Urrejtja, kjo epidemi vrastare, gjithmonë ka ardhur nga larg, përtej sinoreve tona. Dhe ka lënë gjurmë. Kujtesën e të vdekurve e trashëgojnë të gjallët, bashkëbiseduesit e autorit. Dijen dhe urtësinë e tyre e ka qëmtuar me kujdes, për ta sjellë tek ne, lexuesit kureshtarë.Ka trokitur në thellësi të shekujve, për të zgjuar zërat e baladave, atje ku flenë të vdekurit e gjallë. Dhe këto i përcjell me fjalët e kadifenjta, si qëndisma me fije të ndritshme ibërshimi, me shumë dashuri. “Dashuria shpalos dhe zbulon. Për dashuri ne jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Zoti dhe Zoti është dashuria”. Janë fjalët e Ajnshtajnit të madh, të cilat, autori i këtij libri i ka mishëruar brenda qenies së tij, si parime të larta morale.
Shqipëria, mrekullia ballkanike e lënë në harresë, gdhendur e vendosur nga dora e natyrës buzë deteve ngarkuar shtrëngata, me male që puthin kaltërsinë e qiellit, me fusha të begata, lugina përrallore, pyje të pafundme, një nëntokë të florinjtë dhe njerëz krenarë, që e ndajnë shtëpinë me mikun. Edhe bukën e kursyer. Provojeni bujarinë shqiptare! Vizitojeni Sazanin, ishullin e thesareve, Llogaranë dhe bregdetin jonian, çlodhni gjymtyrët dhe mbushni shpirtin me aromën e kësaj parajse tokësore, prekeni Semanin dhe Darëzezën, Shirokën, bukurinë e çdo stine, Dardhën e Korçës, Poliçanin e Skraparit, tashmë nën ndryshk, Mirditën-virgjëreshën malore, Kelmendin, Thethin dhe Valbonën, Sarandën, Ksamilin dhe Syrin e Kaltër-“bukuria nën qerpikët e pyllit”, Linin buzë liqenit të Pogradecit, ndaloni në Frashër të Përmetit, në “Mekën e kulturës shqiptare”, ngjituni në lartësitë e Kurveleshit kryengritës, në vendin e jataganëve dhe besëlidhjeve të mëdha, zbrisni pastaj në luginën e Lumit të Vlorës, rrëmoni në kujtesën e qytetit hijerëndë të Durrësit dhe shijoni bukurinë e këtyre brigjeve, aq shumë të lakmuara historikisht...
Shqipërinë e kanë kafshuar pa mëshirë, e kanë veshur me rroba të zeza, të arnuara, e kanë përgjakur e gjymtuar, e kanë plakur, por s’është e tillë. Këtë dëshmon edhe autori i këtij libri. Shqipëria është nuse e re. Dhe shumë e bukur. Me gjakun e saj vital ka ushqyer mbretëri të tëra, princër dhe perandorë. Andaj s’mund të zhbëhet, të tretet e të humbas. Universin e ka krijuar një dorë e vetme arkitekti. E që të bindeni për këtë, vizitojeni, qoftë edhe një herë të vetme në jetën tuaj, Tomorrin hyjnor, djepin e perëndive!...

 

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1