Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | KOMENTE | AKTORI KOMIK VLONJAT GAQI VISHI

AKTORI KOMIK VLONJAT GAQI VISHI

image AKTORI KOMIK VLONJAT GAQI VISHI (1910-1987)

 

Nga Luan Çipi 

Të shkruash për aktorin komik të Estradës së Vlorës, Gaqi Vishi, nuk i benë nder vetëm atij dhe qytetit të Vlorës që e lindi, e  rriti dhe e krijoi si artist të madh, po të gjithë Shqipërisë. Gaqi Vishi, mandej, ishte aktor komik me përmasa evropiane dhe në popull shpesh identifikohej me artistin botëror Çarli Çaplin, që imitohej me sukses nga Gaq Vishi ynë Sharlot, siç edhe shpesh emërtohej  nga populli, aktori ynë simpatik, për talent e ngjashmëri.

 

 

Roli i parë në teatër i Gaqi Vishit, që them se ngelet historik për qytetin e Vlorës, e ka  zanafillën afro një shekull më parë, në vitin 1927, kur ai djalosh në moshën 17 vjeçare, debutoi së bashku me vlonjatë të tjerë bashkëmoshatar, si Nuri Arapi, Shefqet Resuli, Ilia Peço, Pelivan Haxhiu, Panajot Papingji, Mustafa Belshi, Fani Dema, Ahmet Butja, Nazim Batalli, Toli Mato, Miti Rumbullaku, Stavri Rrapushi, Musa Gorishti, në Grupin Teatral veteran, me emrin “VLORA”.

Pas Çlirimit, me krijimin e Estradës Profesioniste, Gaq Vishi u përfshi në një veprimtari të gjerë artistike rekord,  për 50 vjet pa ndërprerje, duke dhënë spektakle në qytet e në fshat, shumë herë edhe  dy shfaqje në ditë, në bashkëpunim me aktorë të tjerë të talentuar, si Myqerem Ferra, Leka Kruta, Evgjeni Shtrepi, Pirro e Qirjako Sava, Vangjel Panozaqi, Minella Mita, Meliha Ferra, etj., regjisori Nazmi Bonjaku, instrumentistët Dola Sorreto, Taq Diamanti,Thoma Çaçi, Kol Ceca, etj. 

Nuk ka  banorë të qytetit të Vlorës dhe nga mbarë vendi, që nuk e ka njohur dhe nuk e ka duartrokitur të entuziazmuar, aktorin e spikatur  komik të skenës shqiptare, “Artistin e Merituar” Gaqi Vishi. Ai lindi në qytetin e Vlorës, më 18 Qershor 1910.

Figurat e tij komike janë të gjalla e të paharruara, pse ato mbartin të vërtetën e madhe të jetës dhe ishin gjithë “humor e kripë”.

Janë të shumta mbresat dhe kujtimet plot dashuri e respekt të bashkëkohësve të shquar të Gaq Vishit, që kanë ndarë me të gjatë njohjes së afërt e bashkëveprimit, halle dhe vështirësi të shumta nga amatorizmi e diletantizmi, deri në profesionalizëm e art:

-Shefqet Resuli, berber në profesionin e parë, bashkaktor i hershëm, vërsnikë në moshë me Gaqin, pat thënë: ”Me Gaqi Vishin, në vazhdim të traditës më të hershme vlonjate, duke pasur si regjisor profesorin e Shkollës Tregtare të Vlorës, Skënder Luarasin, qysh në vitin 1930 kemi vënë në skenë dhe kemi shfaqur me shumë sukses dramën e Foqion Postolit  “Për mbrojtjen e Atdheut”.

-Një tjetër bashkëkohës i Gaqit, Mustafa Belshi, edhe ai ish berber dhe po amator e bashkaktor me Gaqin, ka shkruar: “Gaqi Vishi, padyshim është një nga pionierët e Teatrit Shqiptar. Një jetë të tërë ai lozi në skenë, duke lënë mbresa të thella tek mijëra spektatorë. Kur dilte ai në skenë, për shkak të dhuntive të lindura, duket se lozte në tërheqje magjike,  shpirti i tij komik”.

-Shkrimtari vlonjat Ferhat Çakëri, padyshim për kohën autori më i spikatur për letërsinë për fëmijë, ka shkruar: ”Karnavalet e qytetit nuk kishin kuptim pa Gaqi Vishin, kripën e humorit vlonjat”.

-Liza Laska, aktore veterane e teatrit dhe kinemasë shqiptare dhe Artiste e Popullit, që e ka njohur nga afër dhe ka interpretuar disa role bashkë me të,  thotë: “Individualiteti i tij i prirur drejt humorit të hollë, gjithashtu dhe drejt pantonimës, afirmoi në skenë cilësi origjinale të personalitetit të tij artistik”

-Myqerem Ferra, aktor dhe regjisor i estradës së Vlorës për shumë vite, pat thënë për Gaqi Vishin: ”Ai ishte një shembull i gjallë artisti punëtor, që çdo ditë mblidhte material, shkruante, qëmtonte nga thesari popullor, i përpunonte ato dhe gdhendte karakteret e personazheve, sidomos në skeçe, parodi, kuplete, duke qenë kështu, një aktor shumëplanësh.

-Nazmi Bunjaku, shumë vjet regjisor me emër të madh i Estradës Profesioniste të Vlorës, ka thënë se: ”Ai ishte  njeri me një temperament të çuditshëm, këmbëngulës, deri sa të bindej për figurën, karakterizimin e rolit, lëvizjet skenike, të cilat i shoqëronte me një varg pyetjesh dhe u jepte  gjithnjë zgjidhje optimale”.

-Leka Kruta, aktor komik shumë i shquar dhe bashkëkohor me Gaq Vishin, Artist i Merituar,  shpesh herë në role partnere bashkëvepruese pas tij,  kujton me dashuri aspekte nga puna e përbashkët me Gaqi Vishin. Ai, midis të tjerave ka thënë se: ”Vitet kalojnë, po unë e kujtoj përherë me dashuri të madhe portretin njerëzor dhe aktoresk të Gaqi Vishit, i cili ishte në themelet e artit skenik vlonjat, duke u bërë i dashur për të gjithë. Humori i tij është ende i gjallë në buzëqeshjet dhe zemrat e vlonjatëve”.

-Qirjako Sava, një tjetër aktor i hershëm dhe regjisor për disa vjet i estradës, një ndër përkujtuesit aktiv të kolegut të nderuar, duke folur për kujtimet e tij me Gaqin thoshte se ”Ai është ndër  mësuesit e mi  të rrallë të humorit. Unë mësova prej tij përkushtimin për krijimin e figurës artistike, për gdhendjen e personazheve, për të lënë shpirtin e madh të tij në botën e bukur të artit”

Aktori i talentuar i Estradës Profesioniste të Vlorës, Gaqi Vishi, u kujtua me solemnitet nga koleget dhe përfaqësuesit shtetëror e bashkiak dhe në 100 vjetorin e lindjes së tij. U kujtua me nderim e respekt, si rrallë kush, për 1550 role të luajtur në skenat e estradës, në lojërat e karnavaleve të qytetit, në imitimet e suksesshme të Sharlotit. Atje u tha gjithashtu se Ai, ka luajtur mbi 40 role në Teatrin e Qytetit të Vlorës dhe në Kinema.

Gaqi Vishi u shqua gjatë aktrimit të tij shumë vjeçar në skenat e teatrit të Vlorës dhe të të gjithë vendit, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Fier, Elbasan etj. (ku shkonin shpesh në turne),dhe si kupletist e parodist, i pajisur me një zë melodioz, me dëgjim të mprehtë dhe të intonuar, të fortë dhe shumë  të këndshëm për spektatorët. Ai i interpretonte me lehtësi e origjinalitet, gjithashtu rolet në operetat, vodëvilët, kupletet e paroditë e shumta, që edhe deri sot kanë ngelur të pa vdekshme në kujtimin e bashkëkohësve kolegë dhe dëgjues të vëmendshëm. Ai, dallohej për timbrin e ëmbël interesant, të veçantë komik e gazmor dhe që kalonte lehtazi në oktavat superiore. Ai dallohej gjithashtu për grimin dhe për  veshjen e kujdesshme, (të cilën si rrobaqepës në profesionin e hershëm) e përgatiste vetë. Po kështu ai ishte origjinal edhe për  përshtatje të rolit, shpesh herë të improvizuar personalisht e të pranuar në interpretim nga regjisori,  por gjithnjë sipas variantit vetjak, duke i imponuar zgjidhjen optimale, si variant të pranueshëm e të pakundërshtueshëm dhe regjisorit më të mirë.

Nga viti 1987 nuk e kemi më midis nesh “sharlotin vlonjat” fizikisht, po ai jeton në zemrat dhe mendjen tonë dhe me humorin e tij të thekur, ia bënë jetën më gazmore çdo vlonjati!

Gaqi Vishi ishte jo vetëm aktor ndër më të mirët, në periudha të gjata kohe, por gjithnjë edhe shoku më i mirë, më dashamirës dhe më modest. Këto cilësi, që u benë në trupën e estradës, hodhën themelet, për një shoqëri harmonike  e rezultateve, i kanë pohuar shpesh, jo vetëm Leka Kruta, Myqerem Ferra e Qirjako Sava, po dhe grupi i katërshes së parodistëve të rinj vlonjat,  Agron Hamo, Afrim Agalliu, Mane Lumani dhe Muhamet Lika, që morën prej tyre  bujarisht stafetën dhe e finalizuan  atë me lavdi, duke e përcjellë me sukses deri në ditët tona.

Tiranë, më  15.02.2018


Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1