Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | LEONIDHA NAQEDHRAMI POETIZOI, NUK TRUMBETOI

LEONIDHA NAQEDHRAMI POETIZOI, NUK TRUMBETOI

Font size: Decrease font Enlarge font
image LEONIDHA NAQEDHRAMI

GURRA E SHPIRTIT SHKARKUAR NË VARGJE

LEONIDHA NAQEDHRAMI POETIZOI, NUK TRUMBETOI

 

Duke lexuar katër vëllimet me poezi dhe poema të Leonidha Naqedhramit,

I përveçmi

 Nder i madh

 Si vendi njerëzit

 Joniadet

gjendesh në udhëtim të gjatë shumëvjeçar dhe shumëkombësh.

I frymëzuar nga kujtimet:

Shtëpia në brerinë, nëna, babai, motrat, vëllezërit, bariu, bagëtia dhe shtrunga, qumështi dhe kulloshtra, zilet dhe këmborët, këngëtari popullor i gëzimeve dhe elegjive, i krenarisë dhe i humbjeve,, instrumetisti me fyell e dyjare.

Qeparoi, Himara me fshatrat rreth saj, deti Jon, valët e dallgët, mali dhe livadhet, bari, trëndelina, tërfili, rrapi, përralli, qiparisat, ullinjtë, portokajtë, mandarinat dhe limonat fshati, rrugët e kalldrëmta, varrezat ku prehen gjyshet, gjushërit, kapedanët.

Bija, bijtë, dhëndrri, nipat, nxënësit, shokët, miqtë, burrat e shquar të fshatit, të krahinës, të Shqipërisë.

Të pafundme kujtimet e fëmijërisë, rinisë, burrërisë. Të gjitha mbartur larg; në Greqi, nëpër udhëtime përtej deteve, në Angli.

Të gjitha të strehuara në zemër, në guvat e shpirtit të krijuesit.

Aq i madh “oqeani” i kujtimeve sa shqyen “brigjet”, kapërcen distancat mijëra kilometrike, zgjon  dëshirimet, dashuritë, nostalgjitë, mallin, dhimbjen. Vuajtjen (patjetër dhe kudo vuajtjen) dhe derdhet në vargje.

 

 Në tërë poezitë e Naqedhramit gjendesh i rrethuar nga tisi i vendlindjes, udhëton nëpër fushat buzë lumit e detit, nëpër livadhet malore, nëpër shkrepat, përrenjtë, ullishtet, plantacionet me agrume. 

Vishesh me tërfil e trëndelinë. Kundërmon erë limoni e portokalli.

Përleshesh me valët dhe dallgët e Jonit, humbet midis tyre, i çan me krahët e rinisë dhe dëshirën e moshës së tretë, mposht sirenat, dhe, mbi gjithçka, mbytesh me kaltërsi.

Prandaj, këndon autori: 

Këtu është eliksiri / Dhe këtu ngjizet jeta / Vendi, dielli e Joni / Janë thesaret e shenjta.

 

Kush kërkon shëndet e jetë, / Në Qeparo të jetojë, / T’i gjajë me të vërtetë / Dhe të rrojë sa të dojë.

 

Perënditë hyjnë e dalin në vargjet e tij si në mbretëritë e tyre, sepse Leonidha i ndjen, i mirëkupton, i pranon, i beson, i lartëson. Poseidoni-perëndi 

Në postaf të hëntë barka ime ra, / Brinjëthyer dhe velagrisur. / Për ku më shtyn, Poseidon, më thuaj, / Nga vij dhe për ku jam nisur?

dhe heronjtë njerëzor (tetëdhjetë kapedanë) që maten me perandoritë dhe me fuqinë mbinatyrore të perëndive i gjen në vargjet e këtyre vëllimeve sepse bëhet fjalë për Shqipërinë, për Labërinë, për Himarën, për Qeparoin.

Dashuria për truallin e ngjizjes dhe lindjes është njësuar me besën për ta ruajtur në zemër, për t’i kënduar me shpirt dhe për ta mbrojtur me jetën që jepet vetëm një herë.

****

Ku e kam unë shtëpinë?! / -Te një kreshtë mbi brerimë. / Poshtë saj bëjnë foletë, / Shqiponjat nëpër greminë. / Majave u pret rrufetë / Dhe deti i pret stuhinë. / Ulem mbi ballkonim tim. / Bashkë me Diell, me Hënë. / Shqiponjat në fluturim,

Vijn’ e mbi krahë më ngrenë.”                                          (Ku e kam unë shtëpinë?)

 

 Sepse, në ato troje, heroizmi është esencë njerëzore, është bashkëudhëtar i të posalindurit deri në frymën e fundit. Banorët kockëfortë, tul-braktisur e duan vendlindjen e tyre sepse e duan dhe jo sepse e kanë burim pasurie, sepse e kanë krenare si shkëmb dhe jo se e kanë të florinjtë. U mjafton bari, tërfili, sfajka, ulliri, agrumet, bagëtitë që thurin melodi me zilet dhe këmborët. U mjafton hijeshia e maleve dhe pafundësia e detit.

                         Krojet rrjedhin ëmbëlsirë, / Millosfaka pikon mjaltë, / bari-qumësht, / vaj- ulliri, / balta bukë, / guri djathë (Si vendi njerëzit) 

I mjafton Qeparoi për t’u ndjerë i gjallë dhe krenar:

Shqiptarët me thonë grek, / grekët me thon’ allvano, / Mua emrin ma ka dhënë,  / i përveçmi Qeparo.’’

 

Ngjitja në mal apo zbritja në bregdet vlerësohen si hyrje në portat e parajsës, ndonëse, as lart dhe as thellë nuk gjendet begati e mjaftueshme për të majmur lakminë njerëzore.

Lakmia është e paktë, shumë e paktë, zero. 

Në këngë dhe në vargje, e kisha fjalën. Sepse, fatalisht, lakmia u bë mal e det, u bë tokë e qiell. I rrëmbeu djemtë e atyre vendeve “perëndie” dhe i vërviti nëpër botë, atje ku kamja është më e mirë kurse shpirti më i vuajtur.

“As lulet më të bukura të botës, /  As qeparizët ceremonial, As buzëqeshjet e shtatoreve, / Mbledhur atje, /   Atë vulë vend, / Dot s’e zbukuronin, /  Se plagë të bukur nuk ka.”

Prandaj:

Kam ikur, vendi im, / Kam ikur, Ngarkuar rëndë, / Nga plagët, / Dhimbjet brengat, / Kujtimet. (Kam ikur)

 

Por loti i mallit për vandlindjen dhe për Shqipërinë në tërësi, rrjedh pa e pyetur të larguarin, të ikurin pa datë kthimi.

Pikat e shiut në xham të dritares, / si lot në xhamat e syzeve të mia. / larg, pas xhamit, pas qiellit me shi, / nga mjegulla më del dillore Shqipëria (Diellore)

****

Malli e dhimbja për të ikurit; nënë, baba, vëlla, motër, miq e shokë frymëzon poezi thelësisht prekëse:

 “Në dhe’ ra e u tret / Një fjollëz’ e bardhë bore. / Nëpër qiell s’di nga humbi, / Një rez’ e bardhë  puplore.

Fjollë bore e vërtetë, / E bardha nënë, mos je? / Mos pikël e bardhë bryme, / A pikëz vese mbi dhe? / Bëj të prek e s’të prek dot. / Nëpër ëndërr më humbet. / Brenda qënies më ke hyrë, / Dhe bën,bën pa më troket.” (E BARDHA NËNË)

Joniadet (emrit të nënës këtë poemë ia kushtoj)

Himariotet kanë qenë / Shqiponja majë greminës, / E ndezën pishën e tyre / Në shkëndi të vetëtimës.

Retorikë me gruan himariote:

Ç’zemër ishte ajo vallë, / Qysh nxënte një botë brenda, / Jetën, njerëzit, gjënë’ e gjallë, / Fushën dhe malet e rënda.

 

Babait, burrë kuvendesh dhe gjykatës popullor i pranuar në krahinë. Në këto vite turbullire, u ndje mungesa e këtyre burrave, prandaj Leonidha e thërret:

Klima si gjarpërinjt’ i ngjalli, / Mëritë dhe hasmëritë. / Po ngrehu, o Naqe Dhrami, / Fillo prapë pleqësitë. (Gjykatësi popullor)

 

Elegji u bën dhëndrrit (Edmondit) që e mori vdekja padrejtësisht në moshën më të bukur dhe krushkut (Jorgos që shkoi më parë të priste atje të birin). Ishin dritë për gjithë të dashurit e tyre dhe lanë virtytet i lanë mbi tokë.


Ju që dritën me vete mbarnit, / dhe natën njerëzve ua bënit pasqyrë, / si ndodhi që drita të dyve ju fik,

Dhe vetë ratë në humbëtirë?!

...

ç’qe kështu kjo katastrofë, / S’ka zemër që helmin brenda e nxë, / për tre muaj si me magji, / as babë, as bir, as borzilok s’ka më .. (Motive të përzishme-Borziloku).

...

U tret qiriu në flakë, / Dyzet dit’e net së koti, / Sa mbeti një pikë dylli / Mbi mermer, si pikë loti. (Motive të përzishme-Qiriu)

 

***

Mall për vendlindjen

 

Hingëllin era pas xhamit, / Posi kalë hergjele. / Do të dal ta kap prej jelesh, / kalit të erës t’i vë fre.

Të galopoj majëmale,/ Kreshta e duna me rërë, / kur të mbërrij te kodra ime, / t’i zgjidh frerin, të më lërë.

 

...

Qeparo, ç’i bëre yjtë, / po të shuhen një nga një...

***

Shqiptar do të thotë dhimbje, / Shqipëri , do të thotë plagë, / në s’pati dhimbje në trup, / do të ketë në shpirt vragë ... (Jeta s’mbaron me vdekjen)

 

 

Dhimbje prindërore

Sivjet fëmijët nuk stolisën pemën, / prisnin babain ta stolisnin bashkë. / pritën e pritën / ai s’erdhi, / shkuan tek priste ai. / i vunë lule / për vitin e ri. (Pema e Vitit të Ri)

Lirikë

Errësira brenda, / në lëmsh të mbështolli, / por kënga si drita, / që nga brenda doli .... këngën në buzë, cigaren në dorë, / gërshetin e këngës e thurje kurorë ... qysh të dridhej zëri, / si tel violine, mbi shkëmb të avllisë, / sipër një gremine  (Aed Çeno)

 

Krenari 

Qeparotasit bujarë / Burra, gra, të rinj dhe pleq, /Të presin krahëhapur, / Duarplotë e zemër qelq.

 

Shpresë

Xixëllonjat e ëndrrave, / qiellit bredhërijnë, .. / duroni, luftoni, do t’i kapni / se s’janë vite drite larg(Diellorja dritë, kushtuar nipërve)

 

Nostalgji 

Një dallgë nga deti Jon / dhe një cop’ e kaltërsisë, për sonte më kanë shtruar, / djepit tim të foshnjërisë.

Jon e qiell përqafuar, / shtrirë në dykaltërsi, / bëj të flë e s’më gjumi / si flija në fëmini. (Në djepin e foshnjërisë).

 

BABA JON

Të falem Baba Jon, / bijtë e tu ne jemi, / se në gjakun tonë, / kripën tënde kemi.

***

Njeriu duke humbur shpresën, prindin, emrin humbet vetveten dhe është njësoj si të humbë vetë jetën.   

  ‘’Do iki. /  Si nga një e keqe ëndërr zgjuar, /   Leonidhën ta gjej, /  Ta shoh e të më shohë. /  Mbi kokë dimrat borën më kan’ shtuar, /  Por un’ e di. /  Ai do më njohë, /    Do më njohë.’’

 

Brenga dhe trishtime

Spjegim I vonuar i një emri

(Botuar më 2012)

 

E bënë fole tiranët, / Ndaj emri Tiranë i  mbeti, / Tirana tiranët i ndoqi, / Shqipëria prapë i gjeti.

….

Tiranët ikën e vane / Dhe nga vetë Anadolli, / Ç’qe ky Anadoll Tirane, / Këta tiranë ngai i polli.

 

Shpërnguljet

Kush s’më tha: / -Mirëserdhe! / Dhe unë askujt / Mirë se të gjeta!

Kush s’më tha / Udha e mbarë / Askujt s’i thashë, / Mirëupafshim, / Apo lamtumirë / Ky vend-pyll me njerëz, / Ky vend-shkretëtirë.

 

Personazhet që ka ftuar në sofërën e vetë poetike:


Qeparoi deti, valet, dallgët, kaltërsia, misteri, agrumet, ulliri, gurët, greminat, sokakët, bagëtia, udhët e jetës, vetmia, heshtja, malli, 

Nëna (vjen në disa poezi), babai, gjyshërit, fëmijët, nipërit, vëllezërit, motrat, bashkëfshatarët (bujku Aristidh, bariu, këngëtari,  ), shokët, miqtë (Paskali, Fotina, Faruku, …. nxënësit, etj) 

 

Në poezinë e Leonidha Naqedhramit gjejmë larmi vergjesh; tetërrokësh, njëmbëdhjetërrokësh, varg të thyer dhe të lirë. 

 6-rrokshi  realizohet në perfeksion, ngjitet në lartësinë e modeleve më të arrira të shqipes, madje edhe të përkthimeve në shqip që kanë kaluar në bibliotekën time.

 

Elegji për bariun

Gunën në një sup, / Shkopin në një dorë, / Dhe kur bënte vapë, /     Dhe kur binte bore.

Me mall për fëmijët, / Për dit’ e për orë, / Erdh e t’u bë malli / Si ortek dëbore.

…..

Shok ishe me Diellin, / Me Hënën, me yjet, / Shok me errësirën, / Me krojet, me pyjet.   

Këngën në buzë, / Cigaren në dorë, / Gërshetin e këngës, / E thurje kurorë.

Ike Aed Çeno, / Këngën pas e le, /  Te rrapi në Qafë, / Si zog në fole. (Aed Çeno)

 

Trëndelina buzë Ujit Vjerë.

Për Klementinën (legjendë)

Me fustan të bardhë, / Shamin’ia mirr’ era, / Një flutur e bukur, / Bëri nga humnera. / ………

Kur u hodh nga shkëmbi, / Dëgjuat një zë? / Poshtë nuk paska rënë, / Shqiponjë u bë

…..

Sa thashë për 6-rrokshin, nuk zbehin realizimet e mrekullueshme me 8-rrokësh, si tek poezia Neço Muka dhe gjetkë në dhjetëra poezi të tjera.

Himariot, bir’I thëllëzës, / flaka e vatrës së këngës / vetë Orfeu kur të pa, / fronin e këngës e la.

***

Figuracionin ta gjejë lexuesi i këtyre shënimeve modeste nëpër vargjet e cituara; krahasime, metafora, alegori, aliteracione, hyperbole etj

Prandaj, po e kursej përzgjedhjen.

Nga Jetëri Leka 

 

Comments (2 posted):

faruk myrtaj on 04/12/2018 22:42:53
avatar
Diku, ne nje koment gazete per nje shkrim tjeter, kam lexuar kete sentence te thelle e te dhimbshme, pikerisht nga Jeteri Leka:

"Kam mllef qe ne, komentuesit e njeriut real, jemi te gjithe pa emer"!

Ne rastin kur behet fjale per Mesuesit, edhe kur mbetemi pa emer ne rrjedhen e papushimte te viteve, ndjehemi mirenjohes...
on 06/12/2018 17:16:43
avatar
bukur

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1