Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | “ALGAT E SHPIRTIT” -Margaritare,rubaira te poezise te vellimit poetik te RUDINA PAPAJANI

“ALGAT E SHPIRTIT” -Margaritare,rubaira te poezise te vellimit poetik te RUDINA PAPAJANI

Font size: Decrease font Enlarge font
image Luan Kalana.

Luan Kalana.

Sa here qe lexoja dhe rilexoja ,poezite e poetes Rudina Papajani ,pervec befasise letrare e kisha veshtire te shkruaja komentin,prandaj i bija shkurt- "poezi brilante"ose "No koment!".
Po kesaj here m'u desh te ulesha ne studion "ATELIE  E SHPIRTIT" te librit tim,rastesi binjakezi tituj,te zhytesha ne thellesine e algave te oqeanit si pellumbar(se e njoh mire kete stil noti kam qene marinar,pervec profesor  letersie),te nxirja margaritaret nga molusqet,-"metaforat"-celesi i poezive ,"te princeshes Rudine",prandaj po i lustroj me  pak fjale, me poshte:
  "-Poetja Rudina Papajani duket se ka marrë një titull: “Poetesha e Vlorës”. Një titull që shpesh e më shpesh e has në faqet e facebook-ut nga lexuesit e shumtë, teksa lexon vargje të vjershërimit të saj pasional, të çlirët, të drejtëpërdrejtë prej femre. Pikërisht prej FEMRE. Sepse Rudina, para se të jetë poete, është një femër. Prandaj dhe e para gjë që dua të them në këtë fjalë timen është prania e “femrës” në vargjet e saj; më ngushtë akoma, prania e dashurisë, ai mallëngjim dhe ai eros i bukur, tejet i dëlirë, që ngjan me gjithë dashuritë dhe vuajtjet e ëmbla të saj; ai pikëllim kosmik i femrës, herë të lumtur e në ekstaze dashurie e herë të dëshpëruar, të zhgënjyer e në trishtimin e thellë, ku plaga e hapur shpon e dhemb. Dhemb fort. Dhe nga kjo pikëpamja, poezia e Rudinës është universale, e të gjithëve dhe për të gjithë. Ajo e kthen dashurinë në kredo. Një kredo poetike dhëmbshurisht fisnike, e dalë prej dhimbjes së një femre, prej psherëtimës… “Mbuloje me të puthura poetin,/ në pikëllimin e ëmbël të librit të tij./ E ashtu si relikte,/ endu në vargjet e atij magjistari,/ që stuhinë e mëndafshtë,/ e derdhi në supet e saj,/ varur mbi një varg,/ mbi një gjethe blu,/ njësoj si sytë e tu…”
Puthje, pikëllim, magji, stuhi e mëndafshtë, gjethe blu, sy të mbushur me mall. Ja, në pak vargje buron krejt gurra poetike e Rudina Papajanit, ngjizet aty krejt ashti i librit të saj të dytë prej 100 vjershash. Prandaj Rudina i përfalet lexuesit duke i kërkuar mirëkuptimin dhe dhembshurinë, se “kështu jam unë… si ai zogu që përplas krahët/ kur penda dridhet,/ nga ajri i pangopur…” dhe ku “ca trëndafila guxuan të këndojnë,/ në akull, llohë e shi./ Dhe më panë në sy!… (E pra, kështu jam unë!…) Ajo e di se realiteti ku jeton ende nuk është çliruar nga hijet, ende copëra muzgjesh lëvizin në vetëdijen sociale lidhur me vlerësimin e pamerituar që i bëhet femrës poete e të emancipuar, ende “hijena” njerëzish rreken të shqyejnë kurmin e ngrohtë të figurës së saj të dëlirë, ku verbimi i dritës së njeriut të zi “u lëpi si vemja në një filiz të ri.” Poetja Papajani e vuan këtë brengë: “Një jetë të tërë prita,/ që kafazi i portës të hapej,/ në lirinë ngashnjyese të ajrit,/ ëndrra ime mbi një fije bari të kapej…/ Dhe doja të fluturoja,/ mbi dehjen e tokës,/ mbi puthjen e qiellit,/ dhe SYRIN e BOTËS…” (Një jetë të tërë prita – shoqeve të mia poete).
Por poetja, ndërkohë, e di se jeta nuk është një përrallë me Hirushen që pret Princin e kaltër dhe këpucën e qelqtë. Nuk është një ekran televizori që vezullon e spërndritet nga ngjyrat e rrejshme ku e pamoralshmja të vret. Në një realitet shpesh të ndotë e vulgar, njeriu ndjehet ngushtë. Poetes i mungojnë horizontet e purpurt, ku vrapojnë të dashuruarit mbi dete shpirtrash. I mungon ai zjarr i beftë, gjuhët e flakës së tërbuar, që verbohen nga pëshpërimat e ëmbla. I mungon ajo puthja e gjatë në stolat e rënduar nga malli, nga sytë e lotuar, nga sumbullat e ngrohta që rrjedhin fytyrës së skuqur prej brengës, që zemrën ia shpon dhe ia copëton. Ajo e di, gjithashtu, se “kështu është jeta,/ avull e gëzim,/ puthje në teshat e mallit,/ flutura drejt llambës në agoni…” Pra gëzim dhe brengë, pasion dhe mundim, shpresë dhe zhgënjim. Dhe një flutur që vrapon e çmendur drejt llambës, drejt vdekjes, pa e ditur pse. Këtu figura është tragjike, madje tunduese. Fatale. Krahët e djegur të fluturës si krahët e përzhitur të dashurive të shkelura.
Ah!…

Vargjet e Rudinës janë zhbirilime në botën e femrës, frymë e dashurisë dhe e ekstazës së saj, me esklamacione të tilla pasionale: Do dashuroj!/ Aty ku e bukura s’njeh kufi./ E ndoshta të marrë,/ do të më quajnë,/ të plagosur në zemër,/ tek eci kryelartë,/ tek shaj djall e shenjtor të rremë,/ që luten e bëjnë kryqe,/ mbi shtretër epshor,/ të praruar, të argjendtë… (Do dashuroj…) Më tutje toni i saj bie, bëhet si një erë e ngrohtë deti, si një maestral mbrëmjeje, diç e butë. Ju ftoj të qëndroni pak në këto vargje: “Ti je e bukur dashuria ime,/ e ndrojtur./ Kur dita nis të erret,/ fryma ime resht./ Nga dritarja,/ në cep,/ shihe!/ Hëna po hesht./ Syrin lart ka lojtur./ Atëherë frymën tënde unë ndjej./ Dhe hëna ikën,/ lind një diell.” (Ti je e bukur dashuria ime) Por dashuria shpesh shajnohet nga “syri i lig”, nga demonët, balta, shpifja, jargët e llafazanëve nëpër gota rakie, dhe atëbotë e pastra bëhet pis, e bukura shëmtohet nga “breshëri që ra mbi supet e mi”, dhe heroi poetik, pra femra e bukur dhe e qytetëruar shihet shtrembër, ndotet, goditet, përgojohet, anatemohet nga sy që nuk e shquajnë spërndritjen e saj, por humbullojnë nëpër xhelozi e mosbesim duke e plagosur zemrën e ndjeshme dhe shpirtin e brishtë: Ti je xheloz,/ se unë aty në breg,/ vizatoj shpirtin tim,/ që lirinë e kthen në flatra pulëbardhash,/ në rrezëllim!… (Je xheloz i dashur). Ajo preket kur ndokush e quan “romantike”, “sentimentale”, pa e kuptuar delikatesën e femrës së sinqertë, pa e respektuar dhe përkëdhelur atë, njësoj “si lulja kur shkelet,/ e shahet nga njerëz pa zemër,/ të vrazhdë”.
Vargu i Rudinës, përveçse ndjesi të drejtëpërdrejta me një sensualitet të dukshëm, kanë edhe imazh. Kanë aventurën e Uliksit mbi kurmin e ngrohtë të femrës, kanë lundrimin mbi një papirus të gjelbër mbushur plot mall. Sakaq, ajo luan bukur me metaforën, kudo ndjehet mënyra e veçantë e të menduarit poetik që bashkon gjësende në dukje të pabashkueshme, por që ashtu së toku, edhe me paradoksin, krijojnë metafora të befasishme. Andaj teksa ajo thotë se që kur e ndjeu të dashurin “u bë erë, pupël e lehtë në ajër, shi dhe breshër që që spërkat lastarët në këmishën e tokës”, vjershërimi vetë merr një tjetër ngjyrë. “Dhe teksa kurmin e tij e prek, fiket si një yll, (vini re sa i papritur dhe i bukur është ky varg!) që bie “në kopsën e një këmishe…”. Ose shkohet dhe më tej në mendimin metaforik, kur “këpurdhat do mbijnë mbi dritën e hënës./ E di./ Bletët thumbojnë drejt e në zemër./ E di./ Dhe qumësht dallandysheje për mua ti gjen,/ Në një përrua, në një gemb. (Unë mendoj për ty..)

Krahas dashurisë, poetja herë-herë i drejtohet edhe problemeve të mprehta sociale, i drejtohet Njeriut, apelon nevojën për katarsis shpirtëror, përtëritje, pastrim. “Po, fajin e ka e bukura,/ kjo verë e vjetër,/ që s’më ngopi kurrë deri në agim./ Ndaj mbrëmjeve dal me gotën te dora,/ shuhem, ndizem,/ pastroj fajin tim.” (Po, fajin e ka e bukura) Ose kur i drejtohet njeriut: “O njeri, pse jetën e ha nën lëkurë?/ Pse mbi sipërfaqe rri,/ bardhë e zi?/ Pse qeshjen e ëmbël,/ nuk ia fal shpirtit të bukur,/ por dëm e çon,/ në llagëm,/ në hon?”
Gruaja-poete, e njëmendësuar te vetë Rudina, nuk është njeriu i përkëdhelur nga fati. Përkundrazi, është njeriu i fshikulluar prej ti, por që me pikën e djersës së ndershme nuk i ka borxh kujt. Heroina e saj shfaqet me trikon e punës kaq vite në sup, që vrapon jetës pa e ndotur atë trup… “S’do mend, – thotë ajo më tutje, – s’kam syze të errëta të bredh/ udhë e përmbi udhë,/ si një kukudh./ Kam dritë në shpirt,/ mbi rroba, në sy.. Por ti s’mundesh, s’e di./ Ti thua, jam jashtë mode./ Koha shi mbi shpinën time ka hedhë,/ andaj vuajtjen mbledh…” Vargje prekëse, por me dinjitetin e gruas që i del zot fatit të vet. Të duash një njeri, sipas saj, është kripë e sheqer bashkë, cekje ëndrrash e drite, “lot e gaz/ mbi të dashurisë dallgë…
Paçka se shumë gjëra rreth poetes janë vrer e terr, paçka se besimi te Njeriu shpesh lëkundet, ajo ka një ëngjëll mbrojtës, ka një dritë prej arsyes së kthjellët, një zë që i jep kurajë: NËNA. “Ki besim! – tha nëna,/ ndërsa mbi ty/ do sulen orët me akull e vapë të pështirë./ Ti prapë kij besim/ Bijë!…/ Se pas çdo dite,/ a vite të zbrazur,/ jam unë,/ që kurrë s’ta shtoj dhimbjen,/ nga loti i reve të tua./ Që kurrë s’të urrej,/ kur dimrit të ftohtë,/ erën derdhe,/ në krahët që dikur të mbajtën ty.” (Ki besim! – tha nëna) Prekëse vargjet e fundit, dashuria pa kthim e nënës, e çdo nëne… Stoike në fatin e vet, poetja e djeg kishën e keqardhjes! Altarin e fjalës e derdh portikëve të shtëpisë, ku luhen drama, ëndrra, dashuri. Ku buis një syth i ri… Dhe figura e nënës rimerret, por tanimë në raportin e saj jo thjesht me të bijën (e nënkuptuar), por më së shumti me mashkullin mizor dhe të bjerrur: “Më besoni e kapa dhe çastin,/ kur diellin tim ma verbuan,/ kur zemrën ma copëtuan me krijesën e trup-shpirtit tim,/ kur djalli luante poker./ Kam njohur dikur çiltërsinë,/ që gurgullonte ujë të pastër,/ ndërsa sot…/ poshtë një gjirizi.” Dhe kjo i shkakton vuajtje e torturë poetes. Jeta është shpesh një iluzion, një zhgjëndërr, ku e bukura dhe e vërteta nuk dallohen nga sytë e hipnotizuar të njerëzve prej gënjeshtrës. “Vallë jemi Edipët e qorruar,/ në mëkatin zhgërryer, pa mend?/ Vallë, të verbuar, e shohim të vërtetën pa sy?!/ Si Ai?…”

Njeriu që sjell poetja në përfytyrimin e saj zakonisht është djali, burri, mashkulli i dashuruar, që kokën vë mbi gjoksin e femrës, por edhe tjetri: I vrazhdët, i pabesë, xheloz, i dhunshëm, autoritar. Megjithatë ka në përfytyrimin e saj dhe të tjerë, kur luhet me dritë-hijen, ku fytyra e vrazhdët befasisht bëhet flu, ku larg dritares dishepujt vështrojnë. S’do mend, ai nuk është një shenjtor, nuk bëhet fli. Veçse, ama, ca flutura të largëta dergjen dhe pinë mallin në gjoksin e tij. Janë fluturat e nostalgjisë. Ndoshta ky njeri ka vrarë shpirtrat delikatë të femrave të pafajshme. Ndoshta ka qenë një Don Zhuan, një Kazanova. Ndoshta. Afërmendsh se ai është pjesë e jetës, teksa natën pritjen e shuan mbi krevate epshi. E megjithatë poetja e di se dhe ky njeri vuan diku. “Sepse edhe ti goditesh,/ kur jetën e merr si erë,/ ca flutura befasisht u fshehën,/ dhe zemra u bë gjethe,/ u bë dre,/ s’di pse?!…” (Do të them se…) Pra edhe ky njeri paska një çast të bukur malli e nostalgjie, ka një pendesë, kur fluturat shfaqen befasisht e zemra bëhet gjethe. Një gjethe që dridhet në erë…
Njeriu i poetes Papajani është ai që qëndron në kufi të botës, që as bishat me fytyrë prej Janusi të mos lindin kurrë më demonë, të mos ulen kurrë më në pije e gosti, atje ku të pashpresët ngazëllejnë nga vera e flasin për dashuri… Por ky njeri rëndom është vetë e liga, që hyn në prehrin e një buzëqeshje, në tempullin e një kohe; ai që del nga nata për t’u rishfaqur te korniza e heshtur e mëngjesit, teksa edhe ajrin e bën blozë… (Pas një tabloje, je ti!) Dhe kështu në dritë dhe errësirë, në ankth dhe ngazëllim, Njeriu i vargjeve të poetes synon të mirën, të dëlirën, synon t’i ikë të keqes, e përbuz atë, synon të ngre një kullë xhami ku gjithçka brenda ndjeshmërive të saj të duket, të jetë transparente. E gjitha kjo lidhet me bukurinë. Lidhet me shpirtin delikat. Me një shpirt që mëkon dhe jep dashuri. Me FEMRËN.
Ja kështu, Rudina Papajani shfaq në vargje të ndjera heroin e saj poetik: Njeriun e dashuruar, Njeriun e zhgënjyer, Njeriun e zemëruar. Dhe përmes tyre, ju shihni një shpirt të bukur femre, një trandafil dhe një shelg lotues njëherazi, det në dallgë dhe dallgë të fashitur. Furtunë e puhi. Nuk është e vështirë të identifikosh aty vetë poeten, përjetimet e saj, një imazh bukurie që lëviz atij deti, që mbin asaj toke. Ne, lexuesit, duam të jemi pranë vargjeve të saj, të ndjejmë po njësoj si ajo, të kridhemi në drithërimat e një zemre që pulson sa dhembje, emocion të ngrohtë, aq dhe etje për jetë, shpresë, dashuri. Të shohim përbri tyre edhe Trandafilin e bukur me aromat dehëse, edhe Shelgun lotues…
Po. Mes tyre ne e dimë, rreh një zemër poetike:-RUDINA PAPAJANI…..(marre nga parathenia e velllimit poetik "Algat e Shpirtit "-faqja 3-8)
P.s.-Per vlerat artistike dhe letrare te poezise qe hodha ne keto rreshta modeste ne parathenijen e librit poetik,qe bejne njeren ane te medaljes 
-dhe per kurreshtjen e lexuesve te librit,mbase njehere tjeter ose me mire le t'ia leme  kritikeve letrare,te zbulojne  ne "Algat e Shpirtit"poetik,humanizmin e larte shpirteror ,te poezive te te Rudina Papajanit ,si burim jetesor ,nga puna dhe pervoja e profesionit te apasionuar te saj ,
si Ifermijere e nderuar ne Spitalin psikiatrik te Vlores ,si bije e denje e meshiruar nga Nena shenjtore shqiptare, Mother Teresa  
Le ti urojme poetes burim te parreshtur ne krijimtarine letrare dhe suksese ne botimin e vellimeve te reja poetike,drejt "margaritarve"rubaira te molusqeve te oqeanit .
Mirenjohje dhe respkte letrare pa mbarim.
 Shkronjesi Modest
Florida ,SHBA.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1