Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | “THESARE ETNOGRAFIKE” I VIKTOR GASHIT, PASAPORTË VLERASH NË SHEKUJ

“THESARE ETNOGRAFIKE” I VIKTOR GASHIT, PASAPORTË VLERASH NË SHEKUJ

Font size: Decrease font Enlarge font
image Viktor Gashi

 

 


     Kur ke marrë në dorë e shfleton albumin e koleksionistit nga Peja e Kosovës, Viktor Gashi, “Thesare Entografike” dhe njihesh me këtë pasuri të madhe etnografike, kulturore, historike e artistike, të duket vetja sikur je para stendave të një muzeumi madhështor. Albumi sjell gjurmë të arta nga lashtësia e popullit tonë dhe hedh dritë në një pasuri tradicionale me vlera enciklopedike, të cilën vetëm një popull si yni mund ta ketë. Mendon për një çast sikur të kishim edhe të tjerë si Viktor Gashi, që të kishin bërë më shumë, në një punë të tillë, po aq sa ai, në një drejtim tjetër të trashëgimisë sonë, dinjiteti i rracës shqiptare do të ishte në lartësi të reja.
   Albumi është një pasuri e madhe trashëgimore, me foto të objekteve të rralla artistike, dhe një punë shkencore që ka bërë një pasionant dhe patriot si Viktor Gashi. Gjithë këtë trashëgimi thesaresh, që rrezaton kulturë e mjeshtëri artistike, kur e shikon dhe e vlerëson, të frymëzon e të bën krenar. 
Shfleton faqet e mbushura me lloje të ndryshme stolish argjendi si vëth, unaza, pafte, qostekë, byzylyqe, qafore, gjerdanë, kopsa, stoli koke, ballore, fokza, etj, e prej brenda shpirtit të del vetiu thirrja: Ç’bukuri!.
    Njihesh me armë të vjetra, sikur t’i ketë bërë një dorë magjike, e agimeve të luftrave legjendare, si pushkë të gjata me çark, jataganë me këllefe, pisqollat dhe koburet për brez, të bëhet sikur dëgjon krismat e betejave, që gjëmuan në mbrojtje të nderit dhe lirisë së shqiptarit, apo thika të mprehta, brisqe e biçakë të ndryshëm, dhe thua me zë të lartë: Ç’histori!.
   Të mbetet vështrimi në veshjet e bukura popullore të qendisura me ar e me ornamente popullore: jelekët, mintanët, përparset, çorapet, shokat, dallamat, dantellat, thekët, shirita e sidomos fustanet e këmishat e qendisura me ar, që të duket se ndodhesh në një dasëm shqiptare, ku martohen çifte e përtërijnë jetën, dhe nuk mund të rrish pa klithur: Ç’mrekulli!.
   Interesante objektet e vyera shtëpiake, si enë bakri, enë argjendi, kandila, arka të ndryshme, mangalla, kanaçe. I prek me mëndje enët prej argjendi dhe bronxi dhe bindesh për bujarinë e shqiptarit tek shtron sofrën, e pret e përcjell me dashuri mikun dhe shpërthen: Breh ç’trashëgimi!.
   Vetiu të magjepsin objektet e kultit si kryqe me përmasa të ndryshme, ikona mahnitëse, qiraka, shandanë, dhe thua se populli ynë patriot e fetar, e do zotin ashtu siç do fëmijën e truallin e tij. Sodit pipat prej argjendi e fildishi, hajmalitë e veshjet fetare dhe thua: Zoti ka qenë me ne!.
    Viktor Gashi nuk ishte vetëm një koleksionist i apasionuar, por edhe një njeri me kulturë, një burrë me dinjitet dhe i vullnetshëm në punën e tij. Rrallë njerëz gjen që të bëjnë një punë të tillë, të kënë vlerësim për trashëgiminë kulturore e artistike, të gërmojnë në çdo grimcë të së kaluarës për të nxjerrë thesare kombi. Aq më tepër në mënyrë vullnetare, në këtë kohë që e sundon tregëtia botërore. Por Viktor Gash i kapërceu të gjitha këto. Ai duke lënë mënjanë rehatinë dhe lodhjen, tregëtinë, por edhe mikroborgjezitë e vogla, dhe me një vullnet rinor u dhuroi të gjithëve një album me vlera kolosale, një dëshmi të gjallë trashëgimie historike. Pasioni i Viktor Gashit është një vlerësim dhe respekt për botën e pasur shpirtërore dhe larminë e madhe krijuese të një populli punëtor, që ka ditur të bëjë dasmën e t’i falet zotit, ta mbajë kokën lart për historinë e tij, e të presë me dinjitet vdekjen.Viktor Gashi ishte pinjoll i denjë i një familjeje bujare, e kulturuar, aristokrate dhe krenare për traditat e me emër të mirë në trevën e Pejës. Gjyshi i tij zotëronte 5 gjuhë të huaja, dhe kjo kulturë u përcoll me pasion e dashuri, duke çelur sythë tek Viktori në veçanti, i cili e ka ushtruar këtë zeje të trashëguar, dhe ruajtur me fanatizëm një pasuri të tillë thesaresh.
    Në vitin 2000 Viktor Gashi i fali Muzeut Etnologjik në Pejë mbi 300 objekte me vlera të pallogaritshme, që rrallë mund ta bëjnë një veprim të tillë. Ai nuk pranoi të lidhë kontratë me Muzeun e Jugosllavisë së atëhershme, për t’i shitur nga arkiva personale një pjesë të koleksionit të tij kundrejt një shpërblimi të majmë, por i dhuroi një kohe të më vonë Muzeut të Kosovës. Dhe kjo është ndërgjegje kombëtare siç e thoshte edhe vetë: “Duke qenë i vetëdijshëm se sikur ky koleksion të kishte shkuar në Beograd, ato punë nuk do të paraqiteshin më si punime shqiptare, por do t’i mveteshin kulturës serbë, ndaj një kontratë të tillë nuk e pranova”. Kjo tregon edhe një herë për ndjenjën e madhe atdhetare që karakterizonte këtë njeri, dhe një shuplakë ndaj propogandës serbe për autoktoninë e trojeve shqiptare, duke dëshmuar me argument se sllavët janë të ardhur vonë në këto troje, dhe se kultura e tyre nuk është autoktone, siç pretendojnë.
   Albumi etnografik ka vlera të veçanta, edhe sepse sintetizon gërmime që shtrihen në hapësirë kohore që përpara shekullit të III, para erës sonë, dhe nga të gjitha trojet shqiptare sidomos të Shqipërisë së Veriut, e të Kosovës. Kjo shtrirje në kohë dhe hapsirë, si dhe vlerat e veçanta që ruan çdo objekt, jo vetëm janë pasaportë vlerash e kombit tonë në shekuj, por tregojnë edhe për faktin se trungu i familjes Gashi ka pjesën e tij me trashëgiminë kulturore me dinjitet në historinë shqiptare.
    Të vlerësosh se ç’është arti, trashëgiminë dhe historinë, që mbajnë dhe ushqejnë rrënjët e një kombi, është meritë. Dhe për këtë fakt Viktor Gashi do të meritojë për jetë, jo vetëm mirënjohjen e brezit të sotëm, por edhe të tjerëve që do të vijnë.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1