Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | MIMOZA LEKA, DIBRANIA MËSUESE E SHQIPES NË GJERMANI

MIMOZA LEKA, DIBRANIA MËSUESE E SHQIPES NË GJERMANI

Font size: Decrease font Enlarge font
image MIMOZA LEKA, DIBRANIA MËSUESE E SHQIPES NË GJERMANI

MIMOZA LEKA, DIBRANIA MËSUESE E SHQIPES NË GJERMANI

Mimoza Leka: Kryesisht nxënësit e mi shqiptarë vijnë nga Kosova, më pak nxënës kam nga Maqedonia dhe shumë pak nxënës nga Shqipëria. Fëmijët nga Shqipëria, më saktë prindërit e tyre, nuk tregojnë aspak interes për mësimin e gjuhës amtare dhe ruajtjen e identitetit të tyre.

I kam ndjekur që në vitin 2007 seminaret për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë organizuar nga ministritë e arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, ashtu siç kam ndjekur në kohë dhe hapësirë mësimin e gjuhës shqipe në Greqi dokumentuar në katër libra, një film dokumentar dhe në qindra shkrime e biseda me mësuesit dhe nxënësit.
Jam i befasuar nga shpirti i tyre atdhedashës, nga dashuria pa kufi për gjuhën shqipe, veçanërisht tek mësuesit/et në Greqi ku spikat një vullnetarizëm rilindës të një kohe të re të gjuhës shqipe, një punë pa asnjë stimul moral e material nga shteti shqiptar, çka, kur e ve në shinat e zhvillimit të sotëm të shoqërisë ku paraja është gjithçka, befasohesh dhe ndjen me respekt në shkallën sipërore për këta mësuese e mësues çudi...
Në seminarin e këtij viti, zhvilluar në Tiranë, bisedova me një mësuese nga Dibra që jep mësim në Gjermani, përvoja e së cilës dhe hapësira që shteti gjerman (dhe shtete të tjerë të Bashkimit Evropian) ka krijuar për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve, vlen për tu zbatuar edhe në Greqi, Itali e vende të tjera, që megjithëse janë pjesë e Bashkimit Evropian, gjuhën shqipe dhe mësuesit e saj vullnetar i kanë lënë në harresë. Shtojmë këtu si të parë edhe shtetin shqiptar që ende nuk ka një ligj (si Kosova) për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe marrëveshje me Greqinë etj. që gjuha shqipe të jetë pjesë e edukimit shkollor të fëmijëve të emigrantëve shqiptarë. 

*                                  *                                  * 

Ashiku:Si quheni dhe nga vini?

Leka:Emri im është Mimoza Leka dhe vij nga Dibra. U largova nga Dibra në moshën 13 vjeç ku unë fitova konkursin e liceut artistik te shkolla artistike „Onufri“ në Elbasan dhe aty fillova shkollën e mesme të muzikës për degën „Kanto“.
Më pas po në Elbasan fillova studimet te Instituti “Aleksandër  Xhuvani” për degën “Cikli i ulët”.
Në vitet 1996-97 filluan trazirat në Shqipëri dhe unë vendosa së bashku me familjen time të largohem nga Shqipëria dhe ashtu dhe bëmë.  Në momentin e largimit kisha dy fëmijë, dy vajza në moshën 7 vjeç dhe 2 vjeç.

Ashiku:Cila është rruga juaj në Gjermani?

Leka: Si fillim me vendimin e Ministrisë së Migracionit (Bundesamt), unë vendosem në një qytet që quhej Gelsenkirchen. Këtu filloi jeta jonë si refugjatë. Pra unë me familjen time kemi bërë në shtator të vitit 1998 kërkesë për azil në Gjermani. Siç e dimë, në atë kohë edhe pse Shqipëria kishte probleme civile, megjithatë ne shqiptarët e Shqipërisë nuk kishim arsye politike për të fituar azil politik. Në këtë pikëpamje rruga ime për të fituar lejen e qëndrimit në Gjermani ka qenë shumë e gjatë dhe shumë e vështirë dhe më ka kushtuar 9 vjet e gjysmë. Në vitin 2007 kam fituar për herë të parë lejen e qëndrimit dhe kam vizituar për herë të parë Shqipërinë pas 9 vjet e gjysmë. 

Ashiku:Me çfarë jeni  marre gjatë kësaj kohe që s`kishit lejë qëndrimi në Gjermani?

Leka:Unë përfitova nga koha si e papunë që isha në fillim dhe mësova në mënyre intensive gjuhën gjermane. Domosdoshmëria e mësimit të gjuhës bëhet akoma më e madhe, kur ke dhe fëmijë në shkollë si puna ime atëherë me vajzën e madhe. 
Pasi dhashë provimet dhe u pajisa me certifikatën e një niveli shumë të lartë të gjuhës gjermane (C2), punësohem për herë të parë në qytetin që unë jetoja në një organizatë grash, ku unë fillova të jap mësim gjermanisht për gratë që shkonin të kërkonin ndihmë në këtë organizatë. Këtu është zanafilla e profesionit tim në Gjermani. Pas shumë orësh praktike dhe kualifikimesh, pajisem në vitin 2008 me një diplomë nga ministria e Migracionit si Docente për të dhënë mësim gjermanisht në  shkolla të ndryshme, ku bëhen  kurse integrimi për të huaj që vijnë nga vende të ndryshme, ndër to kam pasur dhe refugjatë shqiptarë si nxënës.
Vazhdova të jap mësim gjermanisht për vite me radhë  derisa në vitin 2011 konkurova në Bergisch Gladbach, një qytet në afërsi të Këlnit për tu punësuar si mësuese e mësimit plotësues shqip në këtë qytet dhe në rrethinë. Këtë konkurs të këtij vendi pune unë e fitova dhe kështu në gusht të vitit 2011 fillova punën si mësuese e gjuhës shqipe këtu në diasporë. Tek unë vijnë fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e dhjetë, ose deri në klasën e nëntë gjimnaz. Mësimi vizitohet nga çdo nxënës një herë në javë dhe ky mësim është i inkuadruar në shkollat e mësimit të rregullt, vetëm që ne e bëjmë mësimin kryesisht pasdite, pasi nxënësit kanë mbaruar mësimin e rregullt në shkollat gjermane. 
Paralel me këtë punë unë bëj dhe punën si mësuese e gjuhës gjermane. Pra për momentin unë i ushtroj të dy punët e mija. 

Ashiku:Nga çfarë vendesh vijnë nxënësit që juve ju jepni mësim shqip?

 Leka:Kryesisht nxënësit e mi shqiptarë vijnë nga Kosova, më pak nxënës kam nga Maqedonia dhe shumë pak nxënës nga Shqipëria. Fëmijët nga Shqipëria , më saktë prindërit e tyre, nuk tregojnë aspak interes për mësimin e gjuhës amtare dhe ruajtjen e identitetit të tyre.

Ashiku:Ne njihemi që në takimin e seminarit të Prishtinës para 7 viteve, pastaj jemi takuar po në seminar ne Korçë para 3 viteve dhe tani këtu në Tiranë. Çfarë ka ndryshuar te ju gjatë këtyre viteve?

Leka:Që në takimin tonë të parë në Prishtinë, të dytin në Korçë dhe i treti tani në Tiranë, që është një kohë 7-vjeçare, takime këto që i përkasin seminarit mbarëkombëtar të mësuesve të diasporës për mësimin plotësues në gjuhën shqipe e deri tani unë kam fituar një pjekuri më të madhe në profesionin tim si mësuese e mësimit plotësues në diasporë. Mësimdhënia e gjuhës shqipe në diasporë ndryshon shumë nga  ajo këtu në vendlindje. Një nxënës vjen në mësim te unë vetëm një herë në javë me 3 orë mësimi, në një kohë që në vendlindje atij i duhet ta vizitojë atë përditë. Plus asaj klasat i kemi shumë kolektive, nga klasa e parë deri në të katërtën, e pesta deri në të shtatën dhe nga e teta deri në të dhjetën. 
Ne mësueset në Gjermani, pas punësimit kemi një kualifikim 6- mujor të detyruar, në të cilin mësojmë më konkretisht metodat e mësimdhënies në diasporë. Ne jemi të punësuar nga organet gjermane dhe paguhemi po nga to.
Përveç kësaj dhe seminaret që organizohen nga zoti Nuhi Gashi, (Ministria e Arsimit e Kosovës) në vende të ndryshme të vendlindjes janë për tu lavdëruar dhe na shërbejnë goxha në punën tonë. Shkëmbimi i përvojave me mësues të shteteve të tjera janë një vlerë shumë e madhe për ne.

Ashiku:Ju përmendet mbiemrin tuaj Leka. Kush janë Leket e tu?

Leka:Leket e mi janë në radhë të parë dy prindërit e mi, Esma dhe Sami Leka, për të cilët jam shumë krenare sepse me punën e tyre të palodhur dhe në kushte të vështira të asaj kohe, na kanë shkolluar me arsim të lartë dhe na kanë bërë këto që jemi neve fëmijëve të tyre.
Së dyti familja Leka ka dy burra që i njeh shumë mirë Dibra, janë dy xhaxhallarët e mi: Nazif Leka, që fatkeqësisht nuk jeton me dhe Ramiz Leka, që shquhen për punën e tyre si intelektualë të palodhur të Dibrës dhe kanë dhënë shumë për Dibrën. 
Ramizi jeton në Tiranë me djalin e tij të dytë Abazin dhe familjen e tij. 
Së treti krenaria e familjes Leka janë pasardhësit e vëllezërve Leka. Ndër to mund të përmend: Baftie Leka, një ndër studentet e para që mbaroi në atë kohë shkollën e partisë, Barie Leka, një ndër oficeret e para dhe të devotshme të Dibrës, e cila ka kryer detyra shumë të larta në profesionin e saj, Zihni Leka dhe ky një ekonomist shumë i njohur në Dibër. 
Ne jemi dhe tre muzikantë në familje, dy klarinetistë, Abaz dhe Elton Leka, të cilët njihen shumë në Dibrën tonë të dashur si dhe unë që mbarova në Elbasan për Kanto. 
Zanatin tim të muzikës e kam ushtruar në një fshat të Dibrës, në Zogje dhe Grevë si mësuese e muzikës. Kurse tani e ushtroj në mësimin e gjuhës shqipe nëpërmjet këngës. Unë kam mësuar në shkollën e muzikës të luaj dhe në fizarmonikë, të cilën sot e përdor në shoqërimin e këngëve për fëmijë. 
Ne jemi një familje mësuesësh, ku kemi gjithsej 6 mësues të lëndëve të ndryshme në familje. Mësuesja jonë më e shquar është Bardhyle Leka (bashkëshortja e xhaxhait tim, Ramizit), mësuese e shquar e shkollës „Demir Gashi“, që ka mësuar dhe edukuar sa e sa breza në Dibër.

Ashiku:Çfarë mesazhi ke për dibranët?

Leka:E para jam shumë krenare që jam dibrane dhe këtë ndjenjë e edukoj edhe tek fëmijët e mi edhe pse nuk e kanë përjetuar Dibrën sepse djali më ka lindur në Gjermani dhe dy vajzat janë rritur në Gjermani. Unë i kam dërguar fëmijët në Dibër kur kemi ardhur me pushime në Shqipëri për t’ju treguar vendin e bukur ku është rritur nëna e tyre. 
Dibranët kanë cilësi shumë të larta siç është besa dhe mbajtja e fjalës. Ato shquhen si  njerëz të traditës dhe nga mikpritja dhe bujaria është pjesë e çdo familje dibrane. 
Uroj që dibranët t’i ruajnë këto cilësi të larta. 

 

Abdurahim Ashiku

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1