Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | Mirënjohje të thellë për Portalin “Fjala e Lirë”

Mirënjohje të thellë për Portalin “Fjala e Lirë”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Prof dr Eshref Ymeri

Eshref Ymeri

Mirënjohje të thellë 

për Portalin “Fjala e Lirë”

            

Pas daljes nga shtypi kohët e fundit të librit tim me titull “Arti i përkthimit gojor”, prof.dr. Hajri Shehu, gjuhëtar dhe leksikograf i njohur, specialist i gjuhës angleze, përkthyes dhe analist veprash shkencore nga fusha e gjuhësisë, në këtë Portal (dhe në disa faqe të tjera interneti) botoi një shënim kritik për këtë libër. I jam shumë mirënjohës profesor Hajriut për analizën që i ka bërë librit tim dhe, përmes këtij Portali të nderuar, i shpreh publikisht falënderimet e mia të përzemërta për objektivitetin e çmuar që e karakterizon në vlerësimet e tij për vepra të ndryshme shkencore.

Pas botimit në këtë Portal të esesë-analizë të profesor Hajriut, në rubrikën “Komente” të po këtij Portali, kanë shprehur vlerësimet e tyre disa intelektualë. Njëri prej tyre është shkrimtari Noke Abilekaj.

I shpreh mirënjohjen time të thellë Portalit “Fjala e Lirë” dhe moderatorit të tij të nderuar, Profesor Fatmir Terziut, për botimin e këtyre vlerësimeve.

Me shkrimtarin Noke Abilekaj njihem që para dyzet vjetësh. Bashkë kemi komunikuar shpeshherë nëpërmjet faqeve të internetit, përmes të cilit kam ndjekur disa nga krijimet e tij artistike në gjininë e tregimit. Ai është bërë i njohur sidomos pas botimit të romanit “Shoku hiç”, një vepër kjo me një titull fort intrigues, e cila u prezantua në panairin e 17-të të librit në Prishtinë në vitin 2015. Nuk kam pasur mundësi ta lexoj këtë roman se kam qenë jashtë atdheut tre vitet e fundit, por në faqen e internetit të Portalit “Botapress.info”të datës 06 qershor 2015, pata lexuar një deklaratë befasuese të Nokes për përmbajtjen e këtij romani:

“Është një libër që në çdo dhjetë faqe jam penduar që e kam shkruar dhe mbas një muaji detyrohesha të ulesha dhe të shkruaja dhjetë faqe të tjera. E kam shkruar për dhjetë vjet. Më ndalonte e kaluara që ta shkruaja, më thërriste e sotmja që duhet shkruar”. 

Për Noken kam shumë respekt. Ai ka shumë vjet që punon dhe jeton në Greqi, por megjithatë ka qenë dhe vazhdon të mbetet shqiptar, si shumë bashkatdhetarë të tjerë të nderuar, të cilët pasojat e stuhisë së egër të diktaturës komuniste i detyruan të emigronin në vendin fqinj.

Një tjetër reagim (të shoqëruar me përgëzime) ndaj analizës së profesor Hajriut e ka bërë shkrimtarja, poetesha dhe publicistja e shquar Vilhelme Vrana Haxhiraj, “Mjeshtre e Madhe e Penës”,një ikonë e vërtetë e letrave shqipe. Aty ajo i bën thirrje Ministrisë së Kulturës, Akademisë së Shkencave dhe Presidentit të Republikës për vlerësimin e punës sime shkencore. Për dijeninë e Zonjës Vilhelme, dëshiroj të theksoj se Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, ish-koleges sime të Departamentit të Përkthimit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, më 05 maj 2014, i nisa një e-mail, me kërkesën për të më sponsorizuar ajo ministri botimin e Fjalorit Frazeologjik Rusisht-Shqip (1254 faqe), me një shumë prej 200 mijë lekësh (të reja). Ministrja Mirela Kumbaro as që denjoi të më kthente përgjigje. Me kursimet e mia nga pensioni, Fjalorin munda ta botoj në shtator të vitit 2015, por vetëm në 40 kopje, kundrejt shumës së mësipërme.

Ndër të tjera, Zonja Vilhelme i bën thirrje Akademisë së Shkencave të më japë titullin “Akademik”. E falënderoj nga zemra Zonjën Vilhelme, por mua nuk më duhet absolutisht titulli “Akademik” i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, sepse këtë Akademi e kam kritikuar në publicistikën time. Në vitin 2006, në gazetën “Rimëkëmbja”të datave 7 dhe 14 shkurt, kam pasë botuar një analizë të hollësishme me titull “Akademia e Shkencave i shkon për hullie shovinizmit serbogrekomadh”. Kurse më 25 gusht të vitit 2014 botova në internet artikullin me titull “Akademia e Shkencave në shërbim të kishës shoviniste greke”. Në të dyja këto analiza, me fakte konkrete, jam ndalur në mëkatet e Akademisë së Shkencave, e cila, në vend që të vihej në pararojë të mbrojtjes së Çështjes Kombëtare Shqiptare, ende të pazgjidhur në gadishullin tonë, dhe të ushtronte ndikimin e vet të fuqishëm për emancipimin e klasës sonë politike për ringjalljen e vetëdijes sonë kombëtare, ajo, përkundrazi, është zvarritur para saj, duke soditur lëshimet e rënda, të njëpasnjëshme, që Tirana zyrtare i ka bërë shovinizmit grekomadh dhe kishës shoviniste greke, në dëm të interesave tona kombëtare.

Për sa i përket propozimit të Zonjës Vilhelme që Presidenti i Republikës të më japë titullin “Mjeshtër i Madh”, përsëri dëshiroj të theksoj se një titull i tillë nuk më shkon për shtat aspak nga një President që i dha shtetësinë shqiptare Janullatosit. Dhe ia dha në një datë kuptimplote: ia dha tamam më 24 dhjetor 2017, pikërisht atëherë kur mbusheshin plot 100 vjet që nga dita kur kisha shoviniste greke na masakroi At Stath Melanin. Pra, në vend që Presidenti i Republikës atë ditë të përkujtonte dhe të nderonte figurën e shquar të Ortodoksisë Shqiptare, të vrarë barbarisht nga kriminelët grekë, ai nderoi Janullatosin dhe u përul para tij, duke e pranuar si fakt të kryer deklaratën e historianit shovinist grek Nikolas Stavros: “Futja në dorë e kishës shqiptare është fitorja më e madhe e jona në Shqipëri në shek. XX” (Citohet sipas deklaratës së zotit Petrit Bidoshi, Kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Autoqefalisë, në emisionin “Shqip” të zonjës Rudina Xhunga në kanalin TV “Top Channel” të datës 04 dhjetor 2004. Citatin e mësipërm  zoti Bidoshi e kishte nxjerrë nga libri me titull “Grekët dhe ballkanasit e rinj” të historianit të lartpërmendur).

Me dhënien e shtetësisë shqiptare Janullatosit, Presidenti i Republikës ka fyer rëndë figurat e shquara të Ortodoksisë Shqiptare, duke filluar nga Papa Kristo Negovani (i masakruar nga kisha shoviniste greke), deri te Visarion Xhuavani dhe Kristofor Kisi. Kësisoj ai ka pranuar haptazi se kisha ortodokse në Shqipëri është një filial i kishës shoviniste greke. Se, në të kundërt, Janullatosi “i shqiptarizuar” do të ishte kujtuar të jepte një meshë në nderim të figurave të shquara të ortodoksisë shqiptare. Prandaj çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare a është e mundur të pranojë dekorata dhe tituj nga ky President i Republikës?!

Në rubrikën në fjalë është shprehur edhe intelektuali Faruk Myrtaj, poet, shkrimtar, gazetar dhe përkthyes i talentuar, të cilit diktatura komuniste, për gati 10 vjet me radhë, ia pati mohuar të drejtën për të vazhduar studimet universitare, deri në vitin 1984, kur diktaturës në fjalë po i dridheshin këllqet e pushtetit. Faruku është i njohur si novelist dhe libri i tij me titull “Nudo zyrtare”, me sa më kujtohet nga kronikat e kohës, në vitin 1996 qe vlerësuar nga Ministria e Kulturës si përmbledhja më e mirë me tregime. Megjithëse në emigracion prej shumë vjetësh, Faruku vazhdon të mbetet intelektual i vërtetë i formatit shqiptar. I jam shumë mirënjohës dhe e falënderoj me shpirt për fjalët frymëzuese në adresën time.

Po ashtu, në këtë rubrikë shprehet edhe Mjeshtri i Madh, profesor Fatmir Terziu, i njohur në mbarë botën shqiptare si shkrimtar i talentuar, si studiues dhe  si kritik me emër i artit dhe i letërsisë, si edhe për rezultatet e shquara që ka arritur si regjisor nëmedia dhe nëkinematografi. Kam komunikuar shpeshherë në internet me profesor Fatmirin që prej verës së vitit 2009, kur lexova për herë të parë librin e tij me titull “Kritika ndryshe”, një vepër shkencore e nivelit akademik, në të cilën janë hedhur themelet e kritikës letrare të një tjetër formati, larg klisheve të diktaturës komuniste, kur gjërat shikoheshin përmes një lenteje vetëm bardhezi. Profesor Fatmirit i përcjell mirënjohjen time të përhershme.

Fjalë frymëzuese, me një aromë të theksuar dashamirësie, shpreh në adresën time edhe shkrimtari Sotir Athanasi. Edhe me këtë zotëri të nderuar jam njohur përmes faqeve të internetit. Kohë më kohë më pati dërguar disa nga tregimet e tij, në të cilat binte në sy një penë e talentuar që të mahniste me lirizmin e shpirtit të tij krijues. Pas leximit të tyre, jam munduar të botoj në internet edhe ndonjë analizë modeste me frymë kritike. Veç kësaj,  zotëria Sotir ka një penë të talentuar edhe në fushën e publicistikës, çka më ka rënë në sy gjatë shkëmbmit të mendimeve që kemi bërë në internet. Është për t’u theksuar fakti që, megjithëse ka lindur në Athinë (ku edhe banon), ai zotëron një shqipe të shkëlqyer, pa të cilën nuk mund t’i hidhte në kompjuter tregimet e tij, të cilat, në këndvështrimin tim, janë perla të vërteta.

Në mbyllje, dëshiroj të falënderoj edhe një herë profesorin Hajri Shehu, shkrimtarët Noke Abilekaj, Vilhelme Vranari Haxhiraj, Faruk Myrtaj, Fatmir Terziu dhe Sotir Athanasi, për ngrohtësinë e shpirtit të tyre, të cilën ma përcollën përmes këtij Portali sa të nderuar, aq edhe me autoritet në masën e lexuesve shqiptarë.

 

Tiranë, 20 shtator 2018

Comments (3 posted):

A. Hysi on 24/09/2018 12:47:27
avatar
Urime për botimin e ri, Profesor Ymeri! Suksese të metejshme dhe shëndet!
Respekt për ju dhe punën tuaj!
Armela dhe Dardani
Eshref Ymeri on 26/09/2018 05:15:24
avatar
Të dashur dhe të respektuar Armela dhe Dardan,
Më lejoni t’ju përcjell falënderimet e mia të përzemërta për urimet tuaja frymëzuese me rastin e botimit të librit tim “Arti i përkthimit gojor”.
Me respekt dhe me mirënjohje të thellë ndaj jush dhe familjes suaj të nderuar.
Eshref Ymeri
Tiranë, 26 shtator 2018
Eshref Ymeri on 26/09/2018 05:15:24
avatar
Të dashur dhe të respektuar Armela dhe Dardan,
Më lejoni t’ju përcjell falënderimet e mia të përzemërta për urimet tuaja frymëzuese me rastin e botimit të librit tim “Arti i përkthimit gojor”.
Me respekt dhe me mirënjohje të thellë ndaj jush dhe familjes suaj të nderuar.
Eshref Ymeri
Tiranë, 26 shtator 2018

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1