Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | Dy fjalë për një ese të Anton Çefës

Dy fjalë për një ese të Anton Çefës

Font size: Decrease font Enlarge font
image Faruk Myrtaj

Dy fjalë për një ese të Anton Çefës

nga libri në proces "Fjala Shqipe si Zjarr i Shejtë"

 

Njeriu, besohet, mbetet përmes jetës, punëve, veprimeve që kryen, pse jo, edhe prej atyre që nuk i kryen dot! Mes tyre them se përfshihen edhe Fjalët.

Fjalët që thotë apo që i lenë të shkruara ai, individi. Popujt e bëjnë udhën e tyre edhe përmes të shkruarave. Mezi përparojnë dot popujt që nuk e shkruajnë udhën e tyre, ashtu sic e kanë bërë atë. Me dramën dhe lirikën e viteve dhe shekujve.

Të flasësh, të shtosh, qoftë edhe një Fjalë në këtë Libër të Hapur të Jetës së komunitetit të cilit i përket, është të lesh shenjën tënde. Të rrëfesh sado-diçka për Tjetrin, për çka ndodhur, për ç’është thënë apo është thënë mbrapsht për të, është të rrëfesh Veten...

Pa e thënë atë fjalë, pa e shprehur idenë a ndjesinë për Tjetrin, je si një elektron jasht fushës energjetike, ndjesisë komunitare. Fjala është energji, ngarkesë: ti e vendos veten diku në hartën apo elipset e kësaj rruge...

Ndodh, duke e shtuar këtë Fjalë, merr apo hynë në borxh. Ndaj vazhdojnë jetët dhe ndiqen amanetet!

 

faruk myrtaj

 

Anton Çefa

Dy rreshta në kujtim të Atë Anton Harapit

         (Lindur më 5 Janar 1888 – pushkatuar më14 Shkurt 1946)

 

Atë Anton Harapi për strukturën morale të popullit tonë

                               

                Asnjë prej studiuesve që janë marrë me studimin e dokeve morale të popullit tonë, në përgjithësi, ose të Kanunit të Lekë Dukagjinit, në veçanti, duke filluar me Gjeçovin, Palajn, Valentinin, Cordignanon, Koliqin, Konicën, etj., nuk kanë bërë ndonjë përpjekje për klasifikimin e tyre në gjirin e një sistemi, përveç P. Anton Harapit.

Simbas këtij studiuesi, 

karakteri moral i popullit tonë dallohet nga dy grupe virtytesh: 

nga virtytet shoqërore dhe nga virtytet vetjake. 

Në të parat, ai përfshin besën, ndoren, mikun, bukën (mikpritjen).  

Në virtytet vetjake, ai përmbledh cilësi që lidhën me burrninë, të tila si forcën, qindresën, drejtësinë vetjake, urtinë që përjashton egërsinë, inteligjencën, matuninë, etj. 

Mbi këtë truall moral, sipas P. Antonit, shqiptari ndërton parimin themelor të jetës, dhe vlerës së saj dhe që është: besa, feja e burrnija. (Në hapësirën kuptimore të termit besë, ai përfshin të gjitha virtytet shoqërore që përmendëm më lart).

                “Besa e burrnija, shkruan ai, përbajn karakterin moral të popullit tonë; per to shqyptari flijon pasunin, familjen dhe vetjen der në shkallën heroike e per to ‘e ban dekën si me le” 1).  

Këtyre virtyteve, ai u shton besimin në Zotin. Për t’u vënë në dukje këtu është fakti që ndër virtytet që përmendëm më lart, Harapi nuk ka cilësuar nderin, që është një nga përbërësit themelorë të strukturës morale të popullit tonë.

                “Ideja ‘burrni’ e jona, dan se mban diç ma tepër se ideja . . . e grekvet dhe se ideja virus e romakvet. E njimend, prej nji burri në veshtrim të plotë na kerkojm madhnin shpirtnore, pse burri do të jetë bujar, zemërgjanë e i madh nder të tana pikpamjet; në nji burrë duem të shohim kjartsin e mendes, pse burri din shka ban e shka flet, as . . . kurr nuk ngutet, prej urtije e jo prej tutet.” 2).

                “Burrnija nenkupton zotnimin e vetit, pse burri qi asht burrë e ka vetin në dorë, as s’merret me doshkado; burrnin e mbajm të panjollë porsi vetje, si edhe të stolisun me të gjitha vetit qi lyp ndera e fisit e e familjes, pse burrit nuk i kuqet ftyra, aj e ka synin (ndergjegjen) kokerr (të pafrigshem). 

Tue kenë se burrnija xen fill e pshtetet në besë, e besa së mbrami në droje (frikë) të Zotit, të tanë fuqija morale, karakteri e qindresa e nji burrit themelohen në bazë objektive, reale e të njimendtë e shkon baraz me natyrë të nierit aq sa nji të zhburrnuemit nuk i vjen ma era nieri (njeri). Qe se si me iden ‘burrni’ na i shprehim të gjitha virtytet vetjake e shoqnore jo vetem në dispozicion e n’aftsi, por në veprim e në zbatim a si i thonë in facto esse.” 3). 

1). Anton Harapi, “Kulla e Babelit”, Përgatitur nga dr. Aurel Plasari, “Phoenix & Shtëpia e librit”, v. 1999, f. 19-20.

2). Po aty, f. 31.

 

3). Idem.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1