Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | Kadri Tarelli një kritik zë bukur dhe i veçantë i letrave shqipe

Kadri Tarelli një kritik zë bukur dhe i veçantë i letrave shqipe

Font size: Decrease font Enlarge font
image Kadri Tarelli

 

 

                                  

          “Çdo libër që ia vlen për ta lexuar është krijuar nga shpirti”.

                                                                              Bernard Shou

1.

Ka kohë që librat e publicistit të njohur Kadri Tarelli i kam pjesë jo vetëm të  bibliotekës, por edhe të tavolinës sime të punës. I shfletoj dhe përfitoj prej tyre në ide dhe mesazhe, në stil dhe gjetje, në figuracion dhe episode që më mbeten në mendje dhe ndjej dëshirën t`i sjellë ndërmend herë pas here. Kështu më ka ndodhur edhe me librin e kohëve të fundit të këtij autori, të titulluar “Kur lexoj një libër”. 

Duke shkruar këtë artikull-opinion, mendoj se vlerat e vërteta të një libri janë kur ai kapërcen kohët me shërbimin e  tij dhe jo thjesht në shitjen e shpejt në çastet e daljes e prezantimit. Ka ndodhur që, libra që sapo kanë dalë e janë shitur menjëherë, po aq shpejt edhe janë mbuluar nga pluhuri i harresës, ndërsa librat e mirë kanë jetëgjatësi, koha është treguesja mbase më e madhe e vlerave të tyre, ata libra nuk vjetrohen, por mbeten të rinj, sepse idetë, mesazhet, bukuria e tyre u shërbejnë dhe u përcillen kohëve. Nisur nga vlerësime të tilla të njohura, nisur nga emocionet  që më ka ngjallur libri në fjalë, iu futa të shkruaj këtë artikull, jo se mendoj që i shtojë ndonjë gjë librit, por thjesht nga dëshira që të mos i mbaj vetëm për vete mbresat, emocionet dhe mendimet, ndërkohë që theksoj bindjen time se Kadri Tarelli është tashmë nga publicistët e njohur jo vetëm durrsakë, por të vendit, madje ai hynë tek të përzgjedhurit.

 

2. 

Autori ua kushton këtë libër bashkëshortes së tij Xhezmijes dhe dy fëmijëve Bardhylit dhe Anduenës. Në hyrje, lexuesi ka rastin të njihet me një parathënie të shkruar nga Fatmira Beqja (Veseli), e cila nënvizon se ”Z. Tarelli është një kritik zë bukur dhe i veçantë, që duhet përshëndetur.”

       

Libri hapet me artikullin”Mësuese të tilla i duhen kombit”, të cilin autori ua kushton motrave Qiriazi, mbështetur në librin “Motrat Qiriazi” të autorit Dh. Dishnica, e ku z. Tarelli nënvizon vlerat e mëdha që këto dy motra të shenjta i dhanë kombit me çeljen e “Shkollës së Vashave”, vetëm 4 vjet pas hapjes së Shkollës së Parë Shqipe në Korçë, më 7 Marsit të vitit 1887. Vijon libri me artikullin: ”Lavirja në pentagramin tim”, ku z. Tarelli  na përcjell opinionin rreth librit me tregime të shkrimtarit  nga Kosova V. Avdiu, duke e mbështetur idenë e tij te thënia e Bernard Shout, se “Çdo libër që ia vlen për ta lexuar është krijuar nga shpirti”.

Në vazhdim, ndalet te libri i autorit të njohur B. Gashi, të titulluar: ”Një shekull në udhën e dijes”, që në tërësinë e tij, është historiku i shkollës Shënavlash, Durrës, e ku krahas të tjerave, z. Tarelli vlerëson përkushtimin e z. Gashi për këtë libër, por edhe modestinë dhe kontributet e tij si një arsimtar i njohur në rrethin e  Durrësit. Si për të na theksuar edhe më shumë vlerat e dijes dhe të vetë shkollës e mësuesve të saj, Kadri Tarelli na informon me një gjuhë entuziaste edhe për: ”Një festë të rrallë në Shënavlash”, ku përurohet libri i përgatitur me shumë dashuri nga B. Gashi dhe ku, në atë ceremoni, marrin pjesë kolegët të tij, mësues të vjetër dhe të rinj, nxënës dhe ish nxënës të shkollës, përfaqësues të medies dhe komunitetit, dhe, të gjithë së bashku vlerësojnë librin edhe si një përgjithësim të punës dhe të jetës së tyre. 

Ndalet në mënyrë të veçantë z. Tarelli te libri “Kohë që s`dashuron”, të poetit të talentuar durrsak A. Bajrami, libër të cilin e cilëson si:”Një prurje me vlerë në dorën e lexuesit. Një xhevahir në poezinë dhe letërsinë shqipe”. Na bind me këtë vlerësim qoftë edhe duke na sjellë  disa vargje poetike të poetit Bajrami:”Mos ki frikë prej meje dallëndyshe/Zogu im i shenjtë, i adhuruar./Fundi asnjëherë mos më gjettë ndryshe,/Veç në krahët e tu i përqafuar”.

 

Ndjekin njëri-tjetrin artikujt, teksa lexuesi ngazëllehet me stilin dhe mënyrën e rrëfimit bashkëbisedues të Tarellit, ku artikujt  ngjasojnë me një mozaik plot gurë të çmuar, që vezullojnë secili me formën, natyrën dhe bukurinë e vetë. Me këtë frymë vijon shkrimi: ”Kulak” dhe burg për flamurtarin e “vatrës” Jaho Sinan Islami, një monografi kjo e autorit M. Zace, teksa, në vazhdim, autori ndalet më gjerë tek artikulli  i shkruar me shumë dashuri dhe emocion: ”Ç`merak e treti Dritëroin? (Meditim mbi epitafin e tij). Duke u shprehur me elokuencë për D. Agollin, poetin e madh kombëtar, Kadri Tarelli na përcjellë edhe një thënie të rilindësit të madh Sami Frashëri, i cili ndër të tjera thotë: ”Mos i nënçmoni njerëzit e mëdhenj për një apo dy faje të tyre, sepse diamanti, sado i prerë shtrembër, është më i vlefshëm se një gur i zakonshëm i prerë në formën më të përsosur.” 

Vlerëson z. Tarelli librin me novela “Pianisti” të romancierit K. Turtulli, të cilin në përfundim të artikullit e falënderon për bukurinë, mesazhet, stilin, gjuhën e pasur...Vijojnë artikujt për libra të tjerë, autore dhe autorë të talentuar, që me krijimet e  tyre kanë mbërthyer fort mendjen dhe dashurinë  e z. Tarelli për të shkruar për ta, për t`i përshëndetur dhe për t`i kumtuar me respekt lexuesit vlerat e tyre nëpërmjet mendimeve dhe ndjenjave të çiltra. Kështu, rrjedh artikulli për librin ”Fli të bëhet natë!” të autores M. Berisha, e, në vazhdim, artikujt për librat e M. Gecaj: “Me zemër në vendlindje” dhe “Kur flasin zemrat”, e ku lexuesi do të gjejë prurje origjinale për bukuritë e Suedisë dhe për respektin dhe monumentin shpirtëror që z. Gecaj u ngre me librin e tij vajzave dhe grave shqiptare. 

Janë interesante përshtypjet e z. Tarelli për ”Tregimet e  zemrës” të autorit M. Gjonbalaj, apo ato për librin “Historia e Durrësit” me autorë Hava dhe Sali Hidri, teksa, bën një “ndalesë” të shkurtër, ku shpreh me ndjenjë e bukuri konsiderata për librin “Modernët e kohës” të studiuesit, eseistit dhe kritikut tashmë të spikatur  S. Harka. Ndërkaq, i bën vlerësim monografisë ”Pishtari i arsimit dhe i demokracisë Niman Ferizi (1883-1937), shkruar nga Dr. Sh. Canhasi; përqendrohet te romani i shkrimtarit të njohur Sh. Topollaj “Mashtruesit” e ku, në përfundim të artikullit bën edhe vlerësimin: ”Çudi! Si ky roman me kaq vlera, i ka shpëtuar penës së dramaturgëve për ta vënë në skenë? Do t`i bënte nder gjithkujt.” Për Sh.Topollaj, shkruan edhe meditimin për romanin: ”Unë isha në Mat`hauzen”, apo artikullin për librin me kritika letrare ”Po thahet shpirti”, vepra këto, për të cilat Kadri Tarelli shpreh konsiderata të veçanta. 

Vend të veçantë zë artikulli analitik rreth librit “Braktisja e fshehtë” me autor studiuesin e mirënjohur dhe personalitetin e arsimit shqiptar S. Llambiri, e ku z. Tarelli nënvizon se “Libri u shërben drejtuesve dhe mësuesve në të gjitha nivelet e shkollave, por edhe prindërve dhe nxënësve”. Tërheq vëmendjen në këtë tufë artikujsh edhe ai që i kushtohet “Thesarit Kombëtar”, vepër e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë, vepër kjo që u përurua në Tiranë dhe në Durrës.

Mbresëlënës është artikulli që i kushtohet librit “Shpresat kanë ftohtë” të autorit të njohur V. Papaj, të cilin z. Tarelli e vlerëson: ”Vaso është vetvetja në formë dhe në përmbajtje, i kuptueshëm  dhe i thellë në gjykim, sepse ka shumë mendim, muzikalitet, harmoni, ndjenjë dhe me tepri, fisnikëri”. Pasi shkruan disa artikuj analitikë për librat e V. Konës: ”Yje mbi Bosfor”, ”Kontrolli i befasishëm i një inspektori”, ”Ju dua më shumë se veten!”, ”Drithërimat e yjeve”, ”Dielli është i imi”, ”Delfini i dy deteve”, z. Tarelli ndalet më pas te libri i Xh. Sadikut ”Përmeti 1943 - 1990” dhe në vazhdim te libri “Dielli i Vonë’ i poetes së talentuar durrsake M. Thartori (Kuçi), e ku, krahas poezive, ai  e vlerëson poeteshën si një drejtuese dhe organizatore të përsosur dhe të përkushtuar ndaj arsimit dhe librit, por që spikat kudo aq dukshëm me poezitë e saj plot origjinalitet, kolor, natyrshmëri dhe freski, mesazhe dhe filozofi njerëzore, ashtu siç edhe ka shpirtin dhe talentin kjo poeteshë durrsake. Ndërkaq, K. Tarelli analizon me kompetencë të plotë edhe libra të karakterit shkencor, duke u ndalur te vepra e shquar “Urgjenca gjuhësore” e  akademikut, prof. dr. Gj. Shkurtaj.

Rrjedh natyrshëm artikulli i z. Tarelli për novelën  “Çmimi i dualizmit” të shkrimtares së  njohur vlonjate V. Vranari, të cilën z. Tarelli e vlerëson edhe me thënie si kjo: ”Analiza e personalitetit dhe karakterit të tre personazheve, është një “autopsi”, apo një “diagnozë”, që do ta kishte zili edhe Frojdi. Mbase po të ishte gjallë, do ta ftonte shkrimtaren tonë për kafe, madje edhe në forume shkencore, të diskutonte mbi këtë temë të vjetër sa vetë jeta, por që nuk shteron dhe në ditët “moderne”. 

Ndalet Kadri Tarelli  te libri i B. Xhamës: ”Dora me baltë, buka me mjaltë”, artikull të cilin e mbyll me: ”Urime profesor Bardhylit, i cili e shpërfill moshën. Ai “çlodhet”, duke shkruar gjëra të bukura e të dobishme.” 

Një analizë të detajuar bën Tarelli për librin me poezi “Tavolinë e rezervuar” të poetit D. Isufi, të cilin me të drejtë e  pagëzon “këngëtar të dashurisë”. Ndërkaq, krijon një lidhje të bukur mes poezisë dhe matematikës, kur merr në analizë librin:”Matematika është edhe poezi” të P. Zgjanollit. Është një trajtim interesant dhe origjinal artikulli kushtuar dy librave të autorit G. Çela: ”Klithma e një nëne” dhe “Nga burgu i Spaçit drejt lirisë”. Me këtë frymë origjinale vijon artikulli për librin: ”Burg në liri” të shkrimtarit H. Haxhiaj. Merr një tingëllimë të veçantë artikulli që analizon librin ”Livadhi në pyll” të autorit Xh. Cirongu, ku siç shprehet z. Tarelli: ”Fëmijët e vegjël... do të kënaqen me rrëfenja e përralla të bukura...”. Ndërsa  në vijim, artikulli kushtuar dy librave për nxënësit e shkollave të shkruar me kompetencë nga A. Shuka dhe I. Xhaka.

3.

Janë po aq tërheqës dhe interesant artikujt e kapitullit të dytë të librit, nën siglën Opinione.Ato kanë si “parathënie” fjalët e çmuara të Henri Ford: ”Çdo kush që ndalon së mësuari është i vjetër, qoftë 20 apo 80 vjeç. Kushdo që përpiqet të mësoj ngelet i ri. Ndaj gjëja më e madhërishme e jetës është, të dish ta mbash mendjen tënde të re.” Nis ky kapitull me një debat mendimesh me akademikun A. Fuga. Pastaj vazhdon me artikullin ”Mbreti Zog, vërtet e fali Shën Naumin?” 

Autori ndalet veçanërisht tek ajo që “i dhemb” më shumë te “Gjuha standarde dhe dialektet”, për të cilat flitet në një kuvend shkencor në Istog të Kosovës, ndërkohë që një artikull i veçantë është ai i titulluar:”Dikur u vramë për histori, sot sehirxhinj të këqij”, ku autori shpreh preokupimin e tij për mbrojtjen e vlerave tona kombëtare; Ka tone kritike artikulli ”Sihariq! Akademikët tanë i gjetën punë vetes!” ku autori merr në mbrojtje gjuhën tonë standarde shqipe. Kurse në artikullin ”Kur prisheshin kishat dhe xhamitë”, z. Tarelli tërheq vëmendjen dhe trondit kujtesën e lexuesit për “Ngjarje që s`duhen harruar”. Po kaq origjinal është dhe artikulli “Të drejtat për vete. Detyrat komshiu”, e ku autori nënvizon: ”...i mëshojmë mbrojtjes së të drejtave, ndërsa shumë pak, për të mos thënë aspak, veç kur kujtohemi, themi se, kemi edhe detyra”.

4.

Përbën një fushë  të bleruar në këtë libër edhe kapitulli “Intervista”,të cilat nisin me një “Bisedë me Dom Antonoi Giovannini”, e ku lexuesi mëson me entuziazëm se në “Legnano të Italisë, mesha zhvillohet në shqip.” Vazhdon me “Një kafe me akademikun dhe njohësin legjendar të ligjeve në Shqipëri F. Kepi”, ku z. Tarelli vendos në sfond një thënie të Petrarkës: ”Nuk ka liri më të çmuar se liria e gjykimit. E lakmoj ta kem për vete, por pa ua hequr të tjerëve”.   Pastaj, intervistat me akademikun prof. dr. Gj. Shkurtaj, ku lexuesi, nëpërmjet pyetjeve dhe përgjigjeve të akademikut, merr njohuri të vlefshme për gjuhën shqipe; po kaq interes ngjall dhe intervista me prof. M. Gecaj, nëpërmjet së cilës lexuesi, krahas portretizimit të personalitetit dhe veprës së prof. Gecaj, merr njohur për publicistikën shqiptare dhe disa personalitete të saj. Interesante është edhe “Biseda me S. Bitraj”, i cili përcjellë mbresat e tij nga takimi me filozofin e njohur I. Luzaj, apo intervista me H. Maloku, studiues dhe krijues nga Durrësi; në vazhdim intervista ”Libri i mirë, ashtu si lumi e gjen vetë rrugën”, kuvendim me shkrimtarin V. Kona. 

Ndalet z. Tarelli edhe te intervista me V. Papaj, i cili aso kohe kryente detyrën e drejtorit të DAR Durrës, e ku theksohen disa nga arritjet e arsimit në Durrës. Në vazhdim të kësaj ideje është edhe intervista me  znj. A. Rakipi, përgjegjëse e sektorit të Kurikulës dhe cilësisë në DAR Durrës. 

E një natyre ndryshe është intervista me atdhetarin, leksikografin dhe poetin shqiptaro-suedez Sadulla Zendeli - Daja, përgjigjet e të cilit ngjallin kërshëri të veçantë për lexuesit. Në vijim është intervista me shkrimtarin nga Durrësi Sh. Topollaj, ku intervistuesi ndalet te proza e këtij shkrimtari të talentuar dhe të vlerësuar. Ky kapitull mbyllet me intervistën me znj. F. Dervishi, e cila përcjellë bukur te lexuesi “Librin shqip dhe shqiptarët në emigracion”.

5. 

Kapitulli “Reportazhe”është një tjetër buqetë e këtij libri të veçantë të z. Tarelli, kapitull që autori e çel me thënien e Will Rogers: ”Njeriu mëson përmes dy mënyrave: Njëra është përmes leximit dhe tjetra përmes shoqërimit me njerëz të ditur.” Nis ky kapitull me reportazhin mbresëlënës, që të mbetet thellë në kujtesë: ”Shtatorja e Adem Jasharit, nga Toronto u vendos në Prekaz. Kosovë.” -Dhuratë  familjes Jashari, nga skulptori dhe atdhetari i njohur Hytbi Tarelli. I veçantë është dhe reportazhi ”Mësuesi që këmbeu penën me pushkën për liri”, veprimtari në shkollën 9-vjeçare ”Bajram Gashi”, Fllakë, Durrës e ku bie në sy edhe përshëndetja e çiltër e z. Tarelli drejtuar mësuesve, drejtuesve dhe komunitetit të shkollës “Fllakë’ me rastin e festës së 7 Marsit, Ditës së Mësuesit. Tërheq vëmendjen e lexuesit në vazhdim reportazhi ”Sokol Demaku sjellë libra nga Suedia”, takimi i poetit, përkthyesit dhe atdhetarit S. Demaku me nxënës, mësues dhe lexues në shkolla dhe në Bibliotekën e qyteti të Durrësit. Me frymë entuziaste vijon reportazhi “Ura e bashkimit” në Legnano, vlerë shqiptarie. Bie në sy gjithashtu fjala e z. Tarelli në një tubim festiv në Legnano të Italisë, organizuar nga Shoqata Atdhetare e Kulturore “Udha  e Bashkimit”. Janë dy reportazhe plot emocion ato që kanë në qendër bashkëpunimin e shkollës “Jusuf Puka” të Durrësit me shkollën “Hilmi Rakovica” të Prishtinës, ku, bashkërisht, nxënës e mësues, mbollën ”Pemën e miqësisë” apo të bashkimit siç parapëlqen z. Tarelli. Një ngjarje po kaq interesante trajton dhe reportazhi që tregon sesi shkolla 9-vjeçare “Rilindja” në Sallmone të Durrësit festoi më 17 shkurt pavarësinë e Kosovës. Libri mbyllet me reportazhin festiv që përshkruan festën e 100 - Vjetorit të Pavarësisë nga kolektivi nxënës dhe mësues të shkollës 9-vjeçare të Shënavlashit të Durrësit.

6.

Libri i z. Tarelli dallohet për një stil të veçantë dhe  gjuhë të pastër dhe të pasur, aty tërheq vëmendjen forma dhe paraqitja origjinale e artikujve, është një formë  bashkëbiseduese, ku episodet dhe ngjarjet për të cilat shkruhet, shfaqen në lëvizshmëri dhe në hapësira të mbushura me dritë dhe jetë, ndërkohë që autori vë në dukje veçori dhe karakteristika të personazheve të tij, duke i tipizuar dhe portretizuar bukur. Është nga ata libra që të nxit të ecësh në lexim për të depërtuar tek episodi dhe ngjarja, te tipi dhe personazhi, te idetë e thella dhe mesazhet mbresëlënëse. Libri të njeh me tipa dhe karaktere, me ngjarje që zhvillohen në  mjedise të llojllojshme, në fshatra, krahina, qytete të Shqipërisë, Kosovës, Italisë, Suedisë... Prej tij përfiton  informacion të pasur historik dhe gjeografik, aty të mrekullojnë mendime dhe shprehje të bukura të njerëzve të mëdhenj, të cilët autori i ka me merak  dhe i ka qëmtuar me durim e kujdes në librat e mëdhenj të kohërave. Edhe kur ke mbyllur faqen e  fundit të librit ndjen të buisin në kokë mendime që ke përfituar dhe që shpesh janë mesazhe dhe mësime për jetën. Është një libër ku spikatin vlera dhe arritje publicistike dhe artistike bashkëkohore, bëhen analiza realiste, vihen në dukje përvoja, madje, lexuesi, herë – herë krijon përshtypjen se autori ngulmon dhe dëshiron ta prezantojë fare natyrshëm me njerëz të mirë dhe të ditur, që punojnë dhe sakrifikojnë, që motivojnë jetën dhe i shërbejnë me sa mundin shoqërisë dhe atdheut. 

Ndjen se libri është shkruar nga një njeri i lirë, i cili në mënyrë modeste, me penën e tij, përpiqet të çelë horizonte, duke zgjuar përgjumjen dhe letargjinë e ngurtësuar nga kohët e vështira  që ka kaluar vendi dhe shoqëria shqiptare. 

Qenia arsimtar dhe drejtues arsimi, e ka ndihmuar autorin e këtij libri për një analizë sa më  realiste të  veprave që merr në dorë, ndërkohë që tregon seriozitet dhe respekt të madh për gjuhën shqipe, të cilën sa herë që gjen rastin, e ngre në piedestalet e saj të merituara, duke fshikulluar njëherazi ato raste e shfaqje kur gjuha letrare shqipe sulmohet e tentohet të shkërmoqet nga vërshimi dhe trysnia e fjalëve, shprehjeve, zhargoneve dhe huazimeve të huaja, që futen si pirate dhe përpiqen ta deformojnë e shëmtojnë. Në këtë drejtim libri është edhe një kambanë alarmi që bie fort në kështjellën e gjuhës shqipe, teksa autorin do ta krahasoja në këtë rast me një luftëtar mbrojtës dhe të denjë.

Duke shprehur konsideratat e mia për këtë libër të z. Tarelli, dëshiroj t`i rikujtojë lexuesit të vëmendshëm fjalët e  autores së parathënies znj. Fatmira Beqja (Veseli), e  cila shfaq besimin  dhe sigurinë e saj kur shkruan:“Dua të jem pranë jush të shoh, se kur ta mbaroni së lexuari, nuk do të guxoni ta mbyllni kapakun, sepse do të futeni në mendime, për t`i dhënë përgjigje shumë çështjeve të hedhura e të mbetura mes nesh”.

Comments (2 posted):

bashkim saliasi on 05/09/2018 10:59:03
avatar
Pershendetje Viron! Nje vleresin dinjitoz i vepres se Kadri tarellit, i cili ka arritur qe te bej me te miren me botimin e ketij libri plote vlera, Gjuaha e paster letrare qe perdor Kadriu ben qe kjo veper te te japi kenaqesi ta lexosh dhe rilexosh e, çdo here qe e lexon, ka çfare te mbetet ne mendje. Urime Vironi per shkrimin brilant dhe vleresimin qe i ben vepres se Z Kadri. E meriton dhe i uroj dhe plot botime te tjera me vlera artistike qe ka se çfare ti mbetet ne mendje lexuesit. Ju uroj shendet dhe jete te gjate per te permbushur objektivat tuaja. Urime, shue urime miqte e mi.
Bashkim Saliasi, 05.09.2018
Guri Nimit D, on 07/09/2018 02:34:41
avatar
Mesnata afroj e 6 shtatorit
Po mbyll syte me"Fjalen e lire"
Ne BEDEN:Viron Kana me kadri Tareli,
Sjelle rcence"Kur lexoj nje liber".
Faleminderit miqte e mij
Po ju dergoj urime pas Bashkim Saliasit
Ju paca te treve se vertet jeni te rrale
Cdo dite me penat tuaja,them se fle gjume.
Mbrodhesi kjo vjeshte sjellte
Atyre partiakeve ju ardhshin MENTE.
C'bejne keshtu,politikanet;zoti e di
Mjere c'po vuan NENA s h q i p e r i !

Toronto 06-09-2018 Guri Naimit D

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1