Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | Përqeshja e madhështisë së rreme

Përqeshja e madhështisë së rreme

Font size: Decrease font Enlarge font
image Shënime për romanin “Kurora e Ballkanit” të shkrimtarit Vangjush Saro

Alda Shpata

 

Përqeshja e madhështisë së rreme

 

Shënime për romanin “Kurora e Ballkanit” të shkrimtarit Vangjush Saro

 

Në krijimtarinë e shkrimtarit Vangjush Saro - në tregimet, novelat, fabulat, së fundmi edhe në dy romanet e tij - humori dhe satira janë palca e tekstit. Krahas pëlqimeve tematike, konçizitetit, prirjes për të inspiruar meditim, etj., ato janë elemente të rëndësishme të stilit të tij. Dhe kur personazhet, jetët dhe ambiciet e tyre vijnë tejet të tjetërsuara e në përmasa më shumë se komike, atëherë i lihet vendi groteskut. Në letërsinë e sotme, kjo dukuri është ndër më të spikaturat. Grotesku, në funksionin e një ligjërimi të tjetërsuar, bën tonin edhe në krijimtarinë e këtij autori, përfshi dy romanet e tij: "Misioni" dhe "Kurora e Ballkanit". 

Romani “Kurora e Ballkanit” (i publikuar në Amazon,) bën fjalë për ëndrra madhështore e për zhgënjime po të tilla. Ka humbur një letrar nga diaspora… fillon e tregon shkrimtari. Polici që heton për gjetjen e tij, derdh për lexuesin një lëndë pa mbarim: Letrat që i humburi ka shkëmbyer me një kolegun e tij, edhe ky i vdekur për pak lavdi; grindje e replika soj-soj; ndodhi të tyre me gratë; ëndrra suksesi; recensione bajate; promovime e festivale komike dhe aventura të tjera “letrare”. Në fakt, subjekti i romanit është një pasqyrë e grafomonisë së jetës, e dijeve, teprimeve, e shtresave ku turma, e tjetërsuar, me sjelljet e saj pothuaj epidemike, përmes zellit për të shkruar e për t’u dukur kudo, shfaq sëmundje e sindroma filozofike, gjuhësore, historike, politike e letrare. 

Në romanin “Kurora e Ballkanit” tjetërsimi shtrihet edhe në arkitekturën e strukturës së veprës, ku siç u tha më lart, ligjërimi mundësohet kryesisht përmes letërkëmbimit të personazheve; çdo letër që personazhet i kanë dërguar njëri-tjetrit, ngjan me një godinë. Ky lloj komunikimi, ku personazhet “zhvishen krejt” dhe nuk njohin tjetër përveç etjes për lavdi, tregon për gjendje dhe ndjesi të forta psikologjike. Mendoj se ka vendin e vet çdo gur i çmuar i kësaj “kurore”... Deshifrimi i atyre njësive, përbën strukturën e një sistemi.

Në realitetin artistik të veprës, në këtë sistem, gërshetohen e njehsohen realitete e shtresime realitetesh (personazhe, vende, veprime, figura e mesazhe). Uni kritik i autorit sodit, më sakt vëzhgon probleme të rëndësishme, të cilat shfaqen përzier me dukuritë e jetës letrare dhe aventurat groteske të dy letrarëve kapadainj dhe mburravecë. Ata janë të pafryt, qesharakë dhe perversë në maninë e të bërit art, ia thonë apo s’ia thonë për këtë punë. Ata janë jane pre e pasioneve të tyre të pakontrolluara. Për të dy personazhet kryesore të romanit, zotërinjtë Qako e Qato, drama e vërtetë e këtij populli dhe ajo e artit të tij, janë një dimension i pakapshëm. Paraqitja në kontrast e halleve të vërteta të gjindjes dhe, nga ana tjetër e… “vuajtjes” së tyre delirante, profesionale, ndërton më së miri komizmin dhe kotësinë e avenirit të tyre grotesk. Identiteti i Qakos dhe Qatos (shihet qartë që në emrat e tyre kemi një efekt aliteracioni, si për t’i barazuar a bërë njësh) na çon në forma sterile, mediokre, biseda shterpë, mungesë origjinaliteti në letërsi; e megjithatë, ata kërkojnë kultin. 

Personazhet e tjerë të romanit, krijuesit e qesëndisur nga pak, polic Osmani, që është ngarkuar të “gjejë” letrarin e humbur, si dhe fqinjët e këtij të fundit - xha Dhori i mjerë, fqinja çapkëne, kinezi Li, burri xheloz, deputeti, etj. - janë pikërisht personazhet e vërteta, që Qako e Qato nuk i njohin dhe nuk do t’i arrijnë asnjëherë. Ata janë njerëz të zakonshëm, që jetojnë në të përditshmen dhe dramën e saj, të pranishëm në roman a thua për të nxjerrë në pah krizën e qasjeve intelektuale. Kjo krizë shfaqet përmes elementit parodik; tallja dhe vënia në lojë e grafomanëve, është pjesa që dhemb më shumë, është shfaqja më e qartë e realitetit të mbingarkuar me mediokritet, realitetin e antivlerave të dukshme, në jetë dhe në art.

Shkrimtari është në kërkim të shpirtit njerëzor dhe artistik, ai kërkon domosdoshmërisht lirinë e vërtetë të artit, që nga individi deri te sistemi; (personazhet, festivalet, çmimet, botimet dhe promovimet ku bëhet personazh edhe rakia). Për autorin, e shpëtuara nga vetja jote, realisht e lartësuar, paska faturë më të shtrenjtë sesa e shpëtuara nga ideologjitë dhe indoktrinimet, sepse ky shpëtim sjell transformimin thelbësor të shpirtit njerezor. Njeriu, pikësëpari duhet të kurorëzojë vlerat morale, etike, humane dhe, paralel me to, të lartësojë vlerat e tij artistike dhe estetike. 

Është kuptimplote një nga pasazhet e fundit të romanit, kur letrari Qako dremit, ndërsa në mjediset e aeroportit përsëritet emri i tij. Dhe autori përmbyll pothuaj i lodhur:Ai që po e grishin të avitet, lëviz për një çast. Hë? “Skeptri i Evropës”?... Pastaj kotet sërish. Passanger Mr. Cako, please... Por ai vazhdon të dremisë ende në kolltukët e barit të aeroportit. Edhe po ëndërron. Sikur të ishte nën hijen e ndonjë fiku. Por këtu nuk e njeh njeri. Sidoqoftë. Ndoshta ai do të përmendet dikur...” 

Dhe ne ndjejmë, si edhe gjatë gjithë historisë groteske e të dhimbshme, dykuptueshmërinë që sjell meditimin, dykuptueshmërinë edhe të kësaj fraze të fundit, përqendruar te fjala “përmendet”: Pra, do të përmendet nga gjumi apo... do të përmendet si autor? Duke përmbyllur këto shënime, duket se dalim nga qarku i mbyllur i aventurave groteske, për të parë më qartë dhe pa syzet e grafomanëve, realitetin e trazuar, realitetin e vështirë, ku fshihen gjetjet e vërteta dhe ajo vetë, gjithnjë jo e lehtë për t’u zotëruar.

 

Comments (3 posted):

Vangjush Saro on 07/07/2018 16:11:56
avatar
Faleminderit, Alda. Nje shenim qe e sjell serish dhe me profesionalizem romanin te lexuesit dhe koleget; nje pune gjithashtu e mire, pas shkrimeve vleresuese te shkrimtareve dhe perkthyesve Vangjush Ziko dhe Elvi Sidheri. Te uroj shendet e frymezim. Mbaresi edhe per revisten tone te cmuar "Fjala e lire".
Guri Naimit D.(Dh Xh) on 08/07/2018 21:28:14
avatar
Kush ne moshen time ka provuar emigracionin e ne vecanti,mungesen e komunikimit me arritiet e PENAVE, (pasion i nje jete),nuk e ndien veten mire ne keto rruge..
Faleminderit aritieve te kohes se internetit,qe na sjellin "TRINITRINA" miq e shoke,si penat tuaja te nderuar MIQ qe jeni shume tu permend me emra, po tre te vecantet e ketij shkrimi po i permend:
Te mirin dhe te nderuarin sa modestin Vangjush Saro,autoren e shkrimit Alda Shpata(qe mbiemri me shpie te te njohur te lashte..mos eshte nga Micani i Permetit ne origjine?!),sa "Fjalen e Lire"me personelin drejtues sa specialiste,merite sa na perciellin. Miresite ju shoqerofshin,kudo qofshi per kohen qe perjetojme;larg ATDHEUT shumica krijuesve,po me mendien ne Atdhe.
Vangjush Zikos frymemarien i marim cdo dite ne ketu ne Toronto,ne bisedat e tij,tere MELHEM",sa shkrimet si ne rinine e tij..
Mirenjohie dhe faleminderit "TRINITRINAt"e shoqerise sone.

Me Ju 82 vjecari"Pasuesi Veteran"

Toronto 08-07-2018 Guri Naimit D.
Vangjush Saro on 10/07/2018 17:25:57
avatar
I nderuar Guri i Naimit, te falenderoj. Je gjithnje i pranishem ne nje sere publikime, duke shkruar thjesht dhe me simpati, cka eshte nje inspirim per autoret. Respekt per ty. Te uroj shendet e mbaresi. Lexohemi.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1