Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | Kur lexova një poemë

Kur lexova një poemë

Font size: Decrease font Enlarge font
image Prof Dr Eshref Ymeri

Kur lexova një poemë

(Letër poetit Artur Sheme)

 Prof Dr Eshref Ymeri

I dashur Artur,

Poema jote me titull “Duke u larguar nga Shqipëria” (e botuar në Portalin e nderuar “Fjala e Lirë” të datës 30 qershor 2018), një titull ky mjaft domethënës, përcjell rënkatën e fortë të shpirtit të një poeti të talentuar, i cili largimin nga atdheu e përjeton me një zemërdridhërimë përmalluese. Poema jote, ore poet i dashur, e shkruar nga një penë e dridhëruar, të ngjall emocione të fuqishme dhe mallin për atdheun ta ndez flakë. Në poemën tënde ti ke ballafaquar Atdheun e brengave të mëdha me Evropën-ulkonjë, e cila ia copëtoi brinjët pa mëshirë dhe pa pendim edhe sot e gjithë ditën. Në poemën tënde ti ngjarjet në atdheun amë i kundron së larti, nga një hapësirë ajrore pa fund e pa anë, duke i lënë të nënkuptohen shkaqet e dëshpërimit të thellë që të vlon në shpirt. Ti, me një delikatesë poetike, e bën lexuesin mendjehollë që t’i përfytyrojë vetë shkaqet e dëshpërimit shpirtcopëtues tek largohesh nga trojet amtare. Se, domosdo, dikush është fajtor për dëshpërimin tënd, është fajtor për atdheun tënd, të cilin e ka katandisur në atë derexhe, saqë ti detyrohesh ta braktisësh me zemër të plagosur.

Poema jote më kujton një poezi shpirtsfilitëse të poeteshës së shquar ruse Marina Cvetajeva (1892-1941). Poezia titullohet “Malli për atdheun”. Pesë vjet pas vendosjes së diktaturës bolshevike në Bashkimin Sovjetik dhe pikërisht në vitin 1922, ajo u largua nga atdheu. Malli për atdheun e brente përbrenda dhe dymbëdhjetë vjet më vonë, në vitin 1934, ajo nxori nga pena poezinë e lartpërmendur. Në vitin 1939 ajo u kthye në atdhe. Por meqenëse diktatura sovjetike ia pati shndërruar tokën amë në një njerkë të vërtetë, në vitin 1941 ajo e mbylli jetën me vetëvrasje.

Poema jote, i dashur Artur, të ngjall trishtim të thellë dhe zemrën ta copëton. Ajo e bën lexuesin e vëmendshëm të përsiatë gjatë dhe të shtrojë pyetjen se si duhet të dilet nga kjo gjendje e pashpresë, ku e ka katandisur vendin tonë kjo klasë politike pa ndërgjegje kombëtare, pa moral kombëtar dhe i ka detyruar qindra mijë shqiptarë të braktisin atdheun? Të shtrojë pyetjen se sa gjatë populli ynë do të vazhdojë të rri kurrizshtruar para kësaj klase politike dhe a do të jetë në gjendje vallë që ta heqë qafe një herë e mirë dhe të nxjerrë nga gjiri i vet një tjetër klasë politike, me vetëdije të lartë kombëtare, me moral të lartë kombëtar, që t’i hyjë punës për begatimin e vendit, për rritjen e standardit të jetesës së njerëzve në mbarë vendin?

Tiranë, 01 korrik 2018

 

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1