Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | Ekzistoj, sa kohe ndiej ... dhe Mea culpa ime

Ekzistoj, sa kohe ndiej ... dhe Mea culpa ime

Font size: Decrease font Enlarge font
image Ana Kove

Ekzistoj, sa kohe ndiej ... dhe Mea culpa ime

– Shkojmë diku buzë ujit. 
– Pse jo në mal?
– Se ç’ke diçka prej uji ti!
Frikësohet. Burrat frikohen gjithmonë kur ua zbulon të fshehtat. Po kjo lloj frike i bën më të bukur. Me një ndriçim misteri. 
– Të njohësh deri në fund magjinë e ujit, i frikesh forcës së tij. 
– Ti s’ke frikë? 
– Kam. Nga ajo pjesë e pakontrolluar e çlirimit. Edhe nga pakti.
Duhet bërë. Pa fjalë. Fjala duhet të pushojë. Është lodhur. Herë duke na afruar shumë, herë duke na larguar po aq shumë. Kuptohesh edhe pa të. Pa folur fare. E mendojmë si lojë.
– Pse, ç’bëjmë tjetër ne? Veçse luajmë. Ndonjëherë veten. Ndonjëherë fëmijën brenda nesh.
Lojërat janë më të bukura kur ngacmojnë fëmijën e platitur. Të strukur në qoshkun më të errët të vetëdijes. Që gjithnjë rreket të fitojë.
– Kush do të jetë fitimtari?
– Të shohim. Në përpjekjen përtej fjalës. Aty ku ajo s’do të mbërrijë dot. Aty do të rrimë. Fiton ai që i bën ballë pritjes.
– Fiton çfarë? S’kam dashur të fitoj vetëm. Aq më pak të humbas. Të jetoj, po. Duke ndier. Pse duke pritur?
– Edhe duke pritur ndien. Ndien tjetërsimin e ndjenjës. Kjo është lojë. Ti e di.
– Më shumë gjëra s’i di sesa i di nga kjo lloj loje. Nuk di as si filloi, as si do të mbarojë. Vae victis! – bërtet fëmija brenda meje. 
* * *

– Ti je prej guri.
– Ndërsa ti fjala që thyen gurin. 
Luajmë të armatosur. Ai me armën e tij më të fortë: me heshtjen, unë me armën time më të dobët: po me heshtjen. Çastet e fundit. Nga pamundësia e komunikimit tingullor. Frika nga mendimet. Dilema e përjetshme. Cila ishte më e para, mendimi apo fjala? Cognito, ergo sum / Mendoj, prandaj ekzistoj – më thua ti. Ah, Dekarti! Po unë, ekzistoj sa kohë flas, apo ekzistoj sa kohë e flas mendimin? Silogjizmat s’janë miqtë e mi. Sonte jo. Unë ekzistoj vetëm sa kohë ndiej. Ndodh që s’jam kur flas ajo që dua të jem. Ndonjëherë flas ato që s’mendoj ose flas ndryshe nga ç’mendoj. As mendimi, as fjala. Imagjinata më rri më besnike. Vetënjohja në lëvizjen e pafjalë. Bëj gati valixhen të vij drejt teje. Mendimet s’mbyllen në valixhe. As fjalët. Imagjinata? Ndoshta. Shprehur në sendet e prekshme. Janë po ato: të përhershmet në çdo udhëtim. Në të njëjtën valixhe. Por nuk më flasin njësoj. Janë të vërteta. Të prekshme. E vërteta e tyre tani e transformon të vërtetën time të djeshme në të sotmen. Edhe imagjinata. Realiteti i lidh me imazhet e trupave tanë; imagjinata edhe me shpirtin. 

* * *

Si pjesë e paktit për të mos folur, s’flas me askënd. Pastaj vjen ora e pritjes. Përpara një kishe, aty në një vend me shumë ujë. Dhe me shumë dritë. Pritje. Asgjë në ajër. As portreti yt. As fjala ime. As heshtja jote. Gjithmonë s’mundim. Mundím. As atë që mundet. Unë serish mundem. Thith ajër homonimesh. Kjo nuk është pritje si gjithë të tjerat. Rastësisht ka marrë formën e një portreti mashkullor. Të portretit tënd. Është më shumë se kaq. Ontologjike. Pritja e qenies. Mbeta metafizikane naive në një realitet rastësor. Duke luftuar me pritjen. Me dëshirë të lirë. Me dëshirën time të lirë. Me më të madhen dëshirën time të lirë. Në hapësirë. Edhe në kohë. Ti vjen drejt meje prej larg. Dera e kishës është e hapur. Në prag të saj dëgjohet kori: “Kam mëkatuar në mendime, në fjalë dhe në vepra...”
Në sintoni me ta tingulloj edhe unë lutjen time: “Mea culpa, mea culpa, mea maxima culpa!  
Dhe pavetëdijshëm, si në liturgji, i bie gjoksit, ku mundet pritja për të fituar veten.

(vetëreflektim, Pogradec 03.06.2018)

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1