Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | Petro Luarasi

Petro Luarasi

Font size: Decrease font Enlarge font
image Skënder Luarasi



E vërteta mbi trillimet 
Skënder Luarasi tek përmbledhja “Migjeni” sqaron:
‘’Megjithëse Migjeni ka rrojtur e ka punuar në kohën tonë dhe shumë prej nesh e kanë njohur e kanë folur personalisht me të, në sa është shkruar për të, janë thënë edhe gjëra që nuk i përgjigjen së vërtetës. Për të dëftyer se të ç’natyre janë këto gabime, të cilat na bie për barrë t’i ndreqim, po e nisim me datëlindjen e Migjenit.
-E bazuar nuk e di se në ç’dokument, “Literatura Jonë”, viti 1948, jep motin 1910. Sipas librit të shtëpisë, në të cilin janë shënuar ngjarjet kryesore të gjithë familjarëvet, gjejmë datën e vërtetë të lindjes së Migjenit: 13 tetor 1911- me stilin e ri kalendarik (30 shtator 1911, me stilin e vjetër); dhe u nda nga jeta në moshën 27-vjeçare më 26 gusht 1938 (me stilin e ri).
-Më tej në librin e cituar S.Luarasi në mënyrë të hollësishme dëshmon gjakun shqiptar të Migjenit: I gjyshi i Migjenit, Nikolla e kishte origjinën nga Dibra e Madhe, nga fshatrat ortodokse shqiptare të Rekës (andej ka qenë edhe poeti patriot Josif Jovan Bagëri) - qe shpërngulur në Shkodër nga mezi i shekullit të 19-të. Kemi plot këso familje të shpërngulura në këtë qytet të Veriut: Gjergaj,Trimçev,Siliqi, Banushi, Kadiqi,Dibra,etj. Kur shkonte si murator nëpër katundet e ndryshme, në Mal të Zi, Nikolla u njoh dhe u martua me Stakë Milanin nga Kuçi, e cila edhe ajo si gjithë banorët e asaj krahine, kishte shqipen për gjuhë amëtare. Ata lindën dy djem:Gjergjin (Gjokën) dhe Kriston. Gjergji, tregtar më 17 shtator 1900 u martua me Sofi Anastas Kokoshin. Nga këta prindër shqiptarë lindi Millosh Gjergj Nikolla, nga familja dibrane e Nikollave dhe ajo shkodrane e Kokoshëve…, etj. ‘’
Trillimet e Agronit të Lukajve e të tjerëve ‘’Mbi origjinën etnike, biografinë, ndryshimet në emër e mbiemër, datë dhe vitlindjen e Migjenit!’’ prej vitesh synojnë të tjetërsojë, por më kot, vlerat e mirëfillta të Migjenit dhe familjarëve të tij. Asgjë të re nuk ofroi pas shumë vitesh diskutimi mes nesh: Dokumentat që i ka dorëzuar tjetërkush në arkiv dhe konkluzionet e studiuesve ndër vite, ai i quan zbulime personale… Mendimet e perifrazimet e tij të shoqëruara me thonjëza i konsideron citime autorësh… Ngjarjeve dhe fakteve të mirënjohura u heq e vë vellon enigmatike duke mahnitur veten… 
Por Agroni i Lukajve nuk do t’ia dijë për faktet. Ai publikon materiale të dorëzuara në arkiv prej Skënder Luarasit, familjarëve e miqve të Migjenit, ku shkruhet p.sh. datëlindja e Migjenit 30 shtator 1911 dhe bën sikur zbuloi ‘’datëlindjen e re’’ që në fakt është sipas kalendarit të ri 13 tetor 1911, sikurse e ka sqaruar edhe S.Luarasi, etj. Sa dëshirë ka Agroni i Lukajve për ta bërë Migjenin ‘’të huaj’’ edhe në gjen, edhe në mendësi, në jetë e në vepër, apo për të tjetërsuar kontributin e mirënjohur të Skënder Luarasi, vetëm se ai ka zbuluar e mbrojtur të vërtetën e jetës dhe të veprës migjeniane, ku i ati i Agronit, ish-nxënës i Skënder Luarasit, ka kryer mëkatin e deformimit dhe përvetësimit. Ndërkohë dihet mirëfilli miqësia e hershme e Skënder Luarasit me Milloshin, dashamirësia e tij për botimin e ‘’Vargjeve të Lira’’, mbrojtja publike që i bënte jetës dhe veprës së tij duke u përballur me pikëpamjet të mjaft personaliteteve mbi të cilat koha i dha të drejtë: mbi gjenin e ndjesinë shqiptare të familjes ortodokse të Migjenit, përbërjen familjare, ditëlindjen, pikëpamjet, rolin dhe rëndësinë që paraqiste në letrat dhe arsimin shqiptar. Por ka një lidhje edhe më të hershme historike mes familjeve Luarasi e Nikolla në bindjet atdhetare dhe ortodoksinë shqiptare. I ati i Migjenit dhe djali i madh i Petro Nini Luarasit, Dhimitri, qenë respektivisht delegatë të Shkodrës e Kolonjës në Kongresin Themelues të KOASH, në Berati, 1922, ku edhe firmosën si ortodoksë atdhetarë shqiptarë…
Për një revistë të re dhe ’’Koha Jonë‘’.
Shkarrashkrimin me subjekt të ripërsëritur kushedi sa herë ndër vite dhe që ka marrë përgjigjet përkatëse, Agroni i Lukajve e botoi edhe në gazetën ‘’Koha Jonë‘’, emërtim që na kujton një ngjarje interesante. Përkundër hipotezave të Agronit të Lukajve, Skënder Petro Luarasi dhe Millosh Gjergj Nikolla qenë intelektualë atdhetarë me interesa të gjera, ardhetare e kulturore. Në pranverë të vitit 1935 një grup intelektualësh përparimtarë menduan të botonin në Shkodër një revistë kulturore ku të shpalosej fjala e lirë shqipe dhe pikëpamjet përparimtare. Sipas studiuesit Iliaz Gogaj ‘’ Skënder Luarasi ishte organizator shoqëror i veprimtarisë së këtyre mësuesve, me të cilët u lidh një shoqëri e miqësi e vërtetë, duke i vënë edhe këto ndjenja të fuqishme në funksion të çështjes kombëtare’’. ( Iliaz Gogaj: Skënder Luarasi – shëmbëlltyrë e përkryer e mësuesit atdhetar e demokrat’’Mësuesi’’, 2 maj 1992) Realizimi i këtij qëllimi paraqiste vështirësi të mëdha për shkak të ligjit të rreptë për shtypin dhe censurës qeveritare. Takimi i intelektualëve u bë në sallën e shoqërisë ''Vllaznia'’. Në mbledhje morën pjesë anëtarë të shoqërisë ''Besa Shqiptare’’, anëtarë të kolektivit mësimor të gjimnazit dhe drejtori i konviktit, mësuesi i letërsisë Skënder Luarasi . Në procesverbalin e mbajtur më 19.5.1935 nga Masar Bushati shënohen emrat e pjesëmarrësve me këtë renditje: Skënder Luarasi, Selim Shpuza, Gani Dizdari, Salo Halili, Millosh Nikolla, Teufik Gjyli, Rragip Gjylbegu, Malo Beci, Rrefik Shpuza, Ahmet Çaku. Çështjet kryesore që u diskutuan qenë: ''mundësia e nxjerrjes së një reviste në Shkodër'', ku secili nga pjesëmarrësit ‘’të paguante proporcional shpenzimet e shtypit…e të zgjeronte qarkun e veprimit tue sjellë edhe të tjerë shokë të interesuem’’ pajtimtarëve të rinj ndër kolegë, bashkëpunëtorë e studentë. Gjithashtu synohej që të kishte më shumë krijuesish ''shpirtra të rinj …dhe drejtime të rinj''.
Sipas procesverbalit: ‘’Më 20.5.1935, ditën e hënë ora 6,30 mb.dite ''në mbledhje do të diskutohej për emrin e revistës dhe përcaktimin e programit, të përcaktohej drejtori përgjegjës dhe nxjerrja e lejes së botimit.’’
Skënder Luarasi propozoi që revista të quhej ‘’Koha Jonë‘’, Gani Dizdari ’’Drita’’, Millosh Nikolla ’’Sot’’, Teufik Gjyli ’’Drita e Djelmënisë‘’, Rragip Gjylbegu ’’Zgjimi’’ Malo Beci ‘’Kultura’’, Refik Shpuza ’’Erdhi Koha’’. 
Në mbledhjen e datës 29.5.1935 u vendos që revista të titullohej ''Vepra'' dhe të kishte një karakter kulturor e laik. Komisioni që do të hartonte programin e revistës u vendos të përbëhej prej pesë vetësh, të kryesuar nga Skënder Luarasi e Selim Shpuza. Në procesverbal u shkrua se ''Komisioni mori përsipër gatimin e programit të revistës, në vija të shkoqituna, tue kërkue një afat prej një javë ditësh'' për në mbledhjen e ardhshme më 17.6.1935.

Por autoritetet e regjimit nuk e lejuan botimin e revistës. Ndërsa ‘’Koha Jonë‘’ me stafin e saj botues, viteve të para të demokracisë, u sulmua e u shkrumbos, por nuk u mposht.

Skënder Luarasi dhe Arshi Pipa
Kush ia zbërthen logjikën, i beson dhe publikon lajthitjet e Agronit të Lukajve se kinse ‘’Enveri dhe Mehmeti, më vonë ia miratuan S.L., sajesat me merita e ngarkesa barrash, me copa letrash manoscrite, pastaj ia ulën, pastaj e ringritën… pastaj medemek e goditën “e përjashtuan nga Lidhja se mbrojti Kadarenë” e tërci e vërci. Ato janë fantazi e kulluar sepse dihet mirëfilli marrëdhënia e Skënder Luarasit me diktatorin, se si u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve në Konferencën e Tretë, 1949, për qëndrimin parimor në mbrojtje të parimeve demokratikesi bashkë me Sejfulla Malëshëvën e Ymer Dishnicën, dhe u cilësuan ‘’armik i Partisë‘’jo vetëm në raportin e publikuar të kryesisë, por edhe në veprën e gjashtë të Enver Hoxhës. Sa për mbrojtjen që i bëri Kadaresë dhe romanit të tij ‘’Gjenerali…’’ , u përjashtua vetëm nga klubi i Shkrimtarëve, të mos pinte kafe me sheqer, me shokët, si ‘’sherrxhi, ngatërrestar’’. Ndërsa shpifja tjetër e Agronit se kinse S. Luarasi aso kohe ‘’gjuante kundra A. Pipës etj, duke u përpjekur të tërhiqte direkt vëmendjen e M. Shehut dhe E. Hoxhës…’’ në fakt meriton ndëshkim penal, por po e mëshirojmë vetëm me gjykimin e opinionit publik. Skënder Luarasi i ka patur nxënës të dy vëllezërit Myzafer e Arshi Pipa, në gjimnazin e Shkodrës në vitet 1934-35, krahas Qemal Stafës, Vasil Llazarit, Xhemal Brojës, Fadil Hoxhës, Lazër Radit e qindra të tjerëve, prej të cilëve kurdoherë është nderuar e vlerësuar, për kontributin atdhetar e intelektual, si mësues dhe mik i rinisë së emancipuar. Arshi Pipa ka shkruar një letër ku i referohet mësuesit të tij Skënder Luarasi:
7 janar 1992
I dashur bashkatdhetar , Z.Petro Luarasi,(*)
Ju falem nderit shumë për dorëshkrimin e çmueshëm të hartimit tim (‘’Mosha më e begatë është rinia’’) për babanë tuaj , që atëherë, d.m.th. gjatë vjetit akademik 1935-1936 ishte profesor i shqipes në gjymnazin e Shkodrë. Ju e keni botuar këtë hartim te gazeta “Republika” e datës 16 qershor 1991, dhe më keni dërguar faqen e gazetës me hartimin tim. Ju falemderit për dhuratën se kjo juaja është vërtetë një dhuratë për motin e ri. Ju dëshironi që të ju them diçka për atin tuaj…
Do ta karakterizoja atë si revolucionar i së mëngjërës. Nuk e dij në ishte komunist kur erdhi në Shkodër, si profesor i shqipes. Por dij të them se ai ka lozur një rol të dorës së parë në mbjelljen e ideve revolucionare në Shkodër gjatë qëndrimit të tij të shkurtër. Ishte një folës shumë i mirë, me prirje të fortë aktori dhe me dashuri të veçantë për dramaturgjinë gjë që duket qartas nga përkthimet e tij…Gjatë vjetit akademik 1935-36 ai u përqëndrua tek komentimi i ''Vilhelm Telit'', përkthyer nga ai vetë. Ishte karizmatik prej natyre dhe tërhiqte nxënësit me të cilët kishte bisedime të shpeshta. Revolucionarizmin e tij militant antifashist Skënderi e tregoi kur vate në Spanjë të luftojë bashkë me plot antifashistë të kombësive të ndryshme të radhitur në Brigadat Ndërkombëtare. Por ai bënte pjesë që kur ish student n'Austri në pararojën e rinisë kombëtare, ushqyer me idealet atdhetare të babait të tij Petro Nini Luarasit si edhe të patriotëve të tjerë shqiptarë. Më vonë, pas luftës së dytë botërore, qe Skënderi ai që bashkë me Sejfulla Malëshovën organizoi mbledhjen dhe themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, me praninë në tribunën e nderit të klerikëve katholikë si Imzot Vinçenc Prendushi dhe Dom Ndoc Nikaj. Ideologjia te Skënderi nuk vinte në radhën e parë, në këtë radhë vinte ideali i tij atdhetar-kombëtar. Kuptohet pse ai u tërhoq dalngadalë nga jeta politike,duke iu kushtuar profesoratit të shqipes dhe punës shkencore.
Studimi im shkruar frëngjisht mbi Migjenin ''Mythi i prendimit në poezinë e Migjenit'' (Sudost-Foschungen,1971) është bazuar në vëllimin Migjeni, Vepra (1961) të përgatitur nga Skënder Luarasi.
Me Skënderin jam takuar pas lirimit tim nga burgu më 1956. Ka qenë i vetmi ndër shokët dhe të njohurit që më dha të njohur botërisht, të tjerët më mënjanoheshin.Kemi shëtitur bashkë disa herë në bulevardin e Tiranës, duke folur për letërsi, art dhe mbi thema jo politike. Të jeni kryelartë për një baba të këtillë, duke ndjekur shembullin e tij. 

(Kjo letër është botuar e plotë në gazetën ‘’Drita’’, 16 janar 2002, f.12. Origjinali ruhet në familjen S.Luarasi)

Ja si shkruante nxënësi Arshi Pipa në hartimin me temë: ‘’E vjetra shembet/Kohët po ndryshojnë/Një jetë e re/ Po lulëzon gërmadhash, të dhënë nga mësuesi i letërsisë S.Luarasi

"Nji provë e re hedh poshtë të vjetrën e raskapitur, sikurse nji ndërtesë e vjetër, kalbun themelesh,rrzohet për me i lshue vendin nji tjetre ma të bukur e ma të madhnishme,ashtu pej gërmadhave të kulturës së vjetër të mbijë lulja e djelmnisë së sotme...Në shekullin e XX duhet me shporrë mendimet e vjetra,qi nji bar i ri të lulzojë aty ku mbinin ma parë ferrat"( Arshi Pipa. Klasa V-A,Shkodër 19-IV-1935) Ndërsa në hartimin ‘’Mosha ma e begatë asht rinija’’ shkruan:

Po pleqnija , kishte me thanë shum kush , a nuk asht e begatshme? Kush qeverisë shtetin e mban detyrat ma të nalta , plaku apo i riu? Kush qe ay qi me kshillat e veta t’urta ndaloi sa lufta? A nuk qenë pleq Bismarku e Cavouri, themeluesat e dy shteteve të kalbun ç’prej rrajet?
E ma në fund si nji shembull patriotizme thjesh shqyptare, asht nji plak ay Ismail Qemal qi shpalli pamvarsin e Shqypnisë.
Të vërteta e t’arsyeshme kto, por të cillave na i përgjegjemi shpejt me nji varg pyetjesh tjeraush u dha shqelmin ndjenjave dhe zakoneve të prishuna të Mesjetës? Cili qe ay qi s’skursei jetën tue luftue për atdhe?A s’qe gadi gjithmonë nji djalosh ay qi bani hapa të ri nga përparimi?A nuk qenë në lulen e moshës së tyne, Napoleoni, Leka, Skanderbeu kur korrën lavdina në fushën e betejës? E si përfundim, cila asht gjallnia, shtylla, shpresa e nji Kombit? Nëse së parës i përgjegjet fjala plak,e dyta na kumbon ambël në veshinia. Dy moshë kto me parime krejt të kundërta: Në sa plaku vepron me durim, kadali, gjakftoftsi , i riu vepron me shpejti, guxim, vullnet. Në sa i pari kufixohet të rrijë i qetë në gjëndjen qi asht, i dyti don të lëvizi e të veprojë qi gjithnji të naltshet, deri në shkallët e epërme.
Para se të flasim mbi rininë, le t’i shigojmë kto dy moshë të kundërta, e kemi me pa se janë në nji mardhanie të ngushtë njëna me tjetrën. Plaku drejton, i riu vepron. Pleqt ma të shumtën janë diplomata, njerz të zotët e fjalës, veti qi e fitueme prej experienceës së jetës. Por në qoftë se pleqnia ka pasunin mëndore të zhvillueme, rinia ka veprimin. E shpesh veprimi ia kaloi mëndjes.
Nji djalë i zoti në rini, ka për të pasë sigurisht po at vullnet, po ato dëshira qi ka pasë në djalërin të tij. E kshtu pra shofim se nji pleqni e begatë, rrjedh prej nji rinie të begatë. Por ka raste ku nji plak diftohet ma djalë se djali i ri. Asht pët t’u admirue, po nji plak me flokë të bardhë q’i del përpara popullit për me i predikue rinisë se asht gja e shejtë me vdekë për atdhe.Ose për me u dhanë zemër e guxim të rijve në luftë, del me flamur e me gjoks të hapun ball anmikut, tue britë:’’Përpara,përpara djalëri!’’nsa plumbat e anmikut e rrxojnë vdekun pëdhe.
Pra duhet të dijmë se në mes të pleqvet e të rijvet ka pleq me shpirt djali e djalosha me shpirt plaku.
Tashti le t’flasim mbi rininë.Mbassi un jam i ri , m’ka hije të flas e t’a lavdoj ktë.Jeta e djaloshit, asht shum ma e kandshme se jeta e plakut.’’Sa të jesh i ri, gjith bota asht e ytja, thotënji frazë arit’’.Sa e sa herë keni ndie nji plak tue thanë:’’Ah! sikur t’ishem i ri!Sikur gjith kjo barrë vjetësh mos të peshonte mbi mue;Edhe un do t’dija se ç’do të baja!’’E kujtimet e kandshme të rinisë i përshkohen ndër mend e lotët i kullojnë.Por kurr s’keni ndigjue as do t’ndigjoni nji djalosh tue thanë:’’Ah sikur t’isha plak.’’
Jeta djeloshare asht nga njëna anë mosha e qefevet, e kangvet, shetinavet, gzimevet, dhe nga tjetra anë, mosha në të cilën njeriu fillon të kuptojë qëllimin e jetës, mendon t’adhshmen e tij. Prej edukimit moral edhe fizik bahet ay i shkathët nga mëndja e trupi. ’’Mens sana in corpore sano’’thot latini, frazë qi i përshtatet plotsisht rinis.I riu ka besim në vetvedi , me fuqi,guxim e vullnet çeliku i përballon vështirësinat e jetës. Sa herë qi i lypë nevoja, tue u ba udhheqsi i vetvetes i çilë rrugë vehtes e gja s’ia ndalë hovin si kurgja s’mund t’pengojë e t’kundërshtojë nji prrue të rrëmbyeshëm qi shungullueshëm ulet prej malit tue marrë me vedi gur e shkambija. Kshtu kemi pa djelm të ri frëng e ma vonë rus qi i kan kundërshtue rregjimit të mbretënvet tyran të cilët dojshin me shtypë popullin.Por gjaku i tyne i njomë , i derdhun për ideal nuk shkoi kot pse djalëria ja mbrrijti ma në fund qëllimit.
Kah ti i kan drejtue sot syt, o rini të gjitha kombet.Ti je shtylla e shtetit, shpresa e popullit.
Zgjoju edhe ti pra, o djalëri shqiptare, e shif shoqet t’uaja të përparueme.Edhe për ty ka ardhë sot koha me veprue. Shporu prej intrigavet damprurse të mbrendshme. Luftoji zakonet e kqija të pleqnisë fanatike.Ti duhesh të jesh e lidhun, e bashkueme, e fortë.Edhe pleqnija qi na ka sundue po prendon.Prendon si dielli i lodhun mbas malit, e n’horizontin e kaltërt po del agimi i gzueshëm tue shndritë me rreze shprese të reja, të flakta: rreze zgjuese.
Ti je agimi e flladi i freskët i prandverës t’t’ande t’mbushi me hare zemrat e popullit, e atij populli qi të brohoritë e t’adhuron.
E ardhshmja asht e ytja.Vepro pra!…
Arshi Pipa 1935
(Ky hartim është botuar në gazetën ‘’Republika’’16.6.1991f.4 nga Petro Luarasi)
Në librin ‘’ Origjina e realizmit socialist shqiptar’’ Arshi Pipa ka shkruar:
‘’Në një atmosferë të tillë kulturore, u mbajt në Tiranë Kongresi i Parë i Shkrimtarëve Shqiptar (tetor 1945). Në tribunë ndodheshin edhe Dom Ndoc Nikaj e monsinjor Prenushi. Fjala e hapjes së Malëshovës u prit me brohoritje prej pjesmarrësve. Punimet e Kongresit i drejtoi Skënder Luarasi. (Luarasi, profesori im në gjimnazin e Shkodrës, ka marrë pjesë në Brigadat internacionale në Spanjë. Studimet i ka mbaruar në Austri dhe ka përkthyer mjaft vepra nga letërsia e huaj. Luarasi ishte i vetmi intelektual komunist që pati guximin të më njohë publikisht fill pas lirimit tim prej burgut, më 1956.
(Arshi Pipa.Origjina e realizmit socialist shqiptar, 1991. Perktheu nga origjinali anglisht Piro Dollani)
Përdorimi i shprehjes ‘’intelektual komunist i ndershëm’’ që Arshi Pipa ia dedikonte Skënder Luarasit për veprimtarinë në vitet 1930-1950, meriton një analizë të thelluar shumëdimensionale, në lidhje me pikëpamjet politike dhe me ndjesitë njerëzore të Arshi Pipës. E shkruante këtë për vitin 1949, kur Skënder Luarasi u cilësua ‘’armik i partisë’’, i bënte mirë apo keq Skënder Luarasit?! Uran Kalakulla shkruan:
‘’Ndryshe nga sa mund te paragjykohet apo spekulohet nga ndonje “adhurues kemishezi”: “Arshi Pipa qe realisht një simpatizant i ideve politike të majta. Ai pa qenë kurrë ndonjëherë në jetë anëtar i ndonjë partie politike shqiptare, qe një socialdemokrat, një i majtë evropianoperëndimor. Lexuesi ynë duhet të dijë se Arshi Pipa ishte një studiues pasionuar i Antonio Gramshit...’’
Mbaj mend se kur Arshi Pipa erdhi ne Shqipërinë demokratike në shkurt 1992 
në një intervistë në televizionin shteteror përmendi me konsiderata Skënder Luarasin jo vetëm si atdhetar, por edhe për kontributet e tij në kulturën dhe letërsinë shqipe. 
Këto fakte i publikova për ata që respektojnë logjikën dhe të vërtetën se sa për Agronin e Lukajve ‘’nuk kam mendje të pakët e kohë të tepërt që të mbush qypat e shpuar’’.
Petro Luarasi

Comments (1 posted):

THANAS L. GJIKA on 28/04/2018 19:53:56
avatar
Gezohem qe djali i Skender Petro Luarasit ecen ne rrugen e babait te vet, duke luftuar per te vendosur ne vend te verteten pa shtremberimet qe i bejne disa medioker te pamoralshem.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1