Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | “Legjendë…, apo e vërteta e një dashurie hyjnore!”

“Legjendë…, apo e vërteta e një dashurie hyjnore!”

Font size: Decrease font Enlarge font
image “Legjendë…, apo e vërteta e një dashurie hyjnore!”

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Në kujtim të një dashurie hyjnore...një buqetë orkidesh me aromë Shqipërie

Legjendë…,apo e vërteta e një dashurie hyjnore!”  

   “Legjendë…, apo e vërteta e një dashurie hyjnore!”-është titulli i novelës sime të re, që sapo u botua nga Sh B “Nacional”, e cila vlen si një dhuratë e këtij marsi të egër, pse jo, edhe si një relike e një dashurie të rrallëndodhur dhe të pamundur. Në shikim të parë duket sikur ngjarja ka bërë një rrugëtim të gjatë e të lodhshëm nëpër shekuj. Si duket i erdhi fundi këtij udhëtimi të harruar që ka nisur qysh nga errësira e Mesjetës. Ndoshta ky rrëfim tronditës e rrëqethës i një dashurie të mohuar dhe të parealizuar erdhi për ta njohur brezat e kohës moderne. Ndaj sot kjo novelë nxjerr në pah të vërtetën e bukur, por të hidhur, duke na sjell në mes të ditës me diell, një ëndërr magjike, apo mrekullinë e një legjende dashurie të pavdekshme, se e tillë ka qenë, është e do të jetë kjo ndjenjë e sinqertë, e ëmbël, pasi rrezaton vetëm mirësinë dhe bukurinë që di e dhuron jeta. Për horizontet që hap kjo ndjenjë, në shekuj kanë zilepsur, joshur dhe lumturuar njerëzimin si asnjë kënaqësi tjetër, duke u dhënë përparësi zhvillimit qytetërimeve me hapa galopante.

    Si gjatë leximit dhe pasi e përfundon novelën cilido që ndeshet për herë të parë me brendinë e saj, si: redaktori, botuesi dhe më pas lexuesi, pas një heshtjeje paksa të gjatë, do të futet në mendime të dyzuara. Veç mbresave që i lë kjo dashuri e ndaluar, ndoshta më e madhja e kohës kur ajo u jetua, ai ndalet në hamendësimet e veta dhe tejet i befasuar pyet ndërgjegjen: “A ka ndodhur vërtet një marrëdhënie e tillë, apo mos vallë nuk është gjë tjetër, veçse një trill që u transmetua nga brezi në brez si gojdhënë dhe mbërriti deri në ditët tona?! “

    Në këtë novelë shohim një dashuri të madhe që lindi, u rrit e u zhvillua në kushte të pabarabarta sociale, ku vepronin ligjet e egra drakoniane dhe despotike të xhunglës. Flitet për një dashuri,  e cila ka ecur përmes dritë-hijeve të një kohe të

errët. Gjithsesi, duke lënë pas mentalitetin e kohës së sëmurë, e cila ishte e mbarsur me ambicje, me ethe të etura dhe egoizëm të pashoq për pushtet të pakufishëm, me një synim të vetëm, se cili do të jetë fitimtari. Gjithsesi, pas shumë betejave dhe traumave sociale dhe morale dhe vrasjes shpirtërore që ka pësuar ajo ndjenjë vitale, kjo dashuri e jashtëzakonshme, për fat sot po troket edhe në veshët tanë. Një histori e bukur si në përralla vjen përmes shekujve duke dalë prej labirinteve pa diell të Mesjetës si një dritë verbuese, për t’i treguar botës së kohës moderne se, dashuria si ndjenjë ka lindur qysh në prehistori bashkë me lindjen e dy njerëzve të parë, burrit dhe gruas. Të dy, të befasuar, qysh në shikimin e parë, pasi spikatën bukurinë tërësore të kurmit, cilësitë fizike, pamjen e jashtme të secilit, kurse afërsia mes tyre, çoi në njohje, e cila solli një tërheqje emocionale ndaj njëri-tjetrit. Si pasojë të dy ndjen nevojën e mbështetjes tek secili prej tyre, si dhe kjanë parë si të arsyeshme domosdoshmërinë e të qëndruarit bashkë për të përballuar padrejtësinë shoqërore të kohës së padijes. Qëndrimi bashkë i një çifti, për kohët antike, spjegohet për shkak të shumë arsyeve, që varen nga rrethana të ndryshme...apo faktorë të brendshëm, por veçanërisht ndikimeve negative të faktorëve të jashtëm, si nevojë e domosdoshme për sigurinë e jetës.

    Shkencërisht, për shekuj me radhë, kjo ndjenjë që lindi mes dy sekseve, ende nuk përcaktohej si dashuri. Porse komunikimi me fjalë, më pas lindja e shkrimit, sidomos dalja e sofistëve (njerëzve të ditur), lindja e filozofisë si shkencë, e bënë të ditur dhe të njohur në shoqërinë njerëzore, dashurinë, si ndjenjë humane. Kurse ata që ditën t’i spjegojnë shkaqet e lindjes së joshjes mes dy sekseve, ose përgjigjen e mirëkuptimit në zhvillimin e kësaj ndjenje, ku loja nis me bukurinë femërore ose karakterin, apo forcën fizike të mashkullit, që vazhdon me pasojat e kësaj ndjenje që kanë qenë e vazhdojnë të jenë triumfi apo disfata të këtyre ndjesive, krijuan një nga zbulimet e veçanta shkencore, që u deklaruan në veprat letrare më të bukura të lashtësisë. Kurse nga pikëpamja e dijes, duke pasur parasysh kushtet e lindjes së dashurisë dhe zhvillimit të sa e sa rasteve në kohë e rrethana të ndryshme, dijetarët arritën t’i konceptojnë këto njohuri të reja më të avancuara për kohën dhe papritur i demonstruan nëpërmjet librave shkencorë.  Kjo u quajt “Filozofia e Dashurisë”, që është një nga degët e shkencës së Filozofisë. Pra kjo ndjenjë e bukur tejet, personale mori formë, ngjyrë, trajtë dhe duke u bërë pjesë e pandashme e ekzistencës së qenieve njerëzore, dha të kuptohet, se pa të cilën jeta nuk ka kuptim. Qysh në ballafaqimin e hershëm antik, edhe pse pati, vazhdon të ketë e do të ketë kundërshti, përsëri u pranua si një ndjenjë e domosdoshme e cila krijon lidhje, besim, mirëkuptim dhe tolerancë jo vetëm mes çiftit por, është dashuria njerëzore ajo që forcon mbarë komunitetin. Këtu qëndron edhe bukuria e jetës. Një jetë pa dushuri, është e zbrazët, e zbehtë dhe aspak tërheqëse. Ku ka dashuri, ka mirësi dhe begati.

    Janë të panumërta veprat që i janë kushtuar dashurisë, ku secili ka paraqitur këndvështrimine tij. Porse shembullli më i mirë, i dhënë që në antikitet, është vepra filozofike e Platonit, “Bashkëpirja”, ku përmes një dialogu të ethshëm filozofik, autori trajton temën më njerëzore, erosin. Dijetari jetoi nga viti 427 deri në vitin 347 para erës sonë, i cili qysh në gjysmën e dytë të shekullit të V-të para Erës së Re, ka  ndarë ndjenjën e vërtetë të dashurisë me seksin, të cilin e paraqet si akt kalimtar, brutal që shkaktohet prej veseve që lindin nga një jetë e shthurur, pa norma, veprim që nuk njeh rregullat dhe ligjet e shoqërisë. Platoni ballafaqoi ndjenjën e bukur të dashurisë me seksin, jo si ndjenjë por si epsh i mungesës së kulturës së mjaftueshme të njeriut, gjatë të cilit përdoret dhuna, inferioriteti ndaj femrës si seks i dobët, ku gjykon  dhe vendos vesi. Le të ndjekim me vëmendje Platonin në këtë vepër, ku në çdo paragraf e frazë aq të goditur nga dijetari, ndeshim thënie filozofike tejet të vyera si: “Është pikërisht Erosi ai që e përndez njeriun, përmes një energjie që i buron fuqishëm nga vetvetja”… “Erosi, hyjnisht priret për nga virtyti”.... “jo çdo Eros është i hijshëm…i këtillë është vetëm ai që na përndez dëshirën për të dashuruar në një mënyrë sa më të hijshme”…“njerëzit s’e kanë haberin ndaj Erosit dhe gjithsa lidhet me fuqinë e tij”...“Erosi s’e njeh dhunën”… “ duke mos pasur në dorë as gjërat e bukura dhe as të mirat, Erosi dëshiron pikërisht këto gjëra që i mungojnë çdo truri që nuk njeh as arsyen dhe as logjikën.” Platoni ishte i pari që theksoi se, studimi i dashurisë i takon një dege të  shkencës filozofike. Nëse ndalemi dhe e shohim në kahjen shkencore,  dashuria nuk ka atdhe, kurse të dashuruarit kanë vendlindje, e cila ka nevojë për evolucion ashtu siç kërkon edhe jeta. Si rezultat i nevojës për të gjetur rrugë të reja në zhbirimin e të panjohurave të Universit, apo të jetës në tërësi, lindi shkenca. Nëse zbulimet e reja apo ligjet e shkencës nuk do të gjenin zbatim në jetën e përditshme, do të ngeleshin si kalliri bosh. Bazuar në ligjet e natyrës dhe marrëdhëniet që veprojnë në botë, dijetarët formuluan kodet zanore të këtij evolucioni përmes veprave letrare por sidomos të atyre shkencore.

   Nëse paralelizojmë thëniet monumentale të Platonit me dashurinë e Arkitekt Sinanit me Sulltaneshën Mihrimahn, gjejmë se ata të dy kërkojnë nga jeta e nga koha në të cilën jetojnë, si dhe nga shoqëria, atë që u mungon dhe i plotëson si qenie humane, që është bukuria e dashurisë. Një proverb latin thotë:*“E bukur nuk është ajo, që është e bukur, por e bukur është, ajo që më pëlqen mua!”*- meqënëse jam e një mendjeje me këtë thënie lapidar, shpreh mendimin tim lidhur me këtë cilësi: “Bukuri nuk është pamja fizike, sepse ajo është e përkohëshme. Bukuria gjendet brenda vetes, se si ndihesh ti me vetqenien, gjë që e reflekton përmes syve. Të jesh i/e bukur do të thotë se ke arritur të jesh vetvetja”.

    Janë këto arsye, të cilat, dashurinë e pastër, të pasur e të virtytshme, si ajo e Sullatneshës Mihrimahn dhe Arkitekt Sinanit, mbështetur në bukurinë  shpirtërore të  të dyve, koha e ka ngritur në piedestal vlerash që meriton të kujtohet me nderim.

Ashtu si të rejat e shkencës, që i shèrbejnè zhvillimit dhe jo shkatërrimit të qytetërimit,edhe dashuria , kjo ndjenjë fisnike duhet t’i shërbejë shoqërisë si hallk ndërmjetëse mes njerëzve në mirëkuptim dhe harmoni.

Në emër të dashurisë dhe në kujtim të kësaj ndjenje sublime, të më së bukurës, më të pafajshmes dashuri hyjnore...nga vendi ynë i bukur buzë deteve...le të rrugëtojë bashkë me kohën kjo buqetë orkidesh me aromë Shqipërie!

Një buqetë orkidea me aromë Shqipërie, në kujtim të bukurisë dhe dashurisë së Arkitekt Sinanit me vajzën e vetme të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm , të bukurën Mihrimahn!

Vivra

Vo.: Proverbin latin *këtë thënie  e solli bashkëshorti im ,Fitim Haxhiraj.

Comments (1 posted):

Fatmir Minguli on 30/03/2018 15:11:44
avatar
Mirdita Znj. VILHELME
Sapo e lexova komentin tuaj per novelën më të re të VIVRA-as.
Ju përgëzoj per vullnetin tuaj dhe për gjithçka bën për botën e vërtetë të shqiptarëve.
Në rastin më të pare që do të kem librin tuaj do ta lexoj me kërshëri!
Të fala nga Monda për ju dhe për Fitimin!

Fatmir Minguli

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1