Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | KOMENTE | ARDHJA E MADHE E DONIT

ARDHJA E MADHE E DONIT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fatmir Terziu

ARDHJA E MADHE E DONIT

Nga Fatmir Terziu

 

Nuk e di pse ishin shtuar zërrat se ardhja e Donit ishte thjesht një “modus vivendi”, një stilim arithmetik për atë vit. Ardhja e Donit, thuhej se ishte një dhuratë nga larg. Megjithëse fillimisht kishte qenë një titull i rezervuar për mbretër, fisnikë të zgjedhur dhe hierarkë të kishave, thuhej se pas ardhjes së tij, emri i tij nisi të përdoret më shpesh si shenjë nderimi për një person me dallim personal, shoqëror ose zyrtar, siç është një udhëheqës komunitar i një kohe të gjatë, një person me pasuri të konsiderueshme, ose një fisnik. Por, kur panë se asgjë nga të cituarat nuk qaseshin me Donin real, nisi të përdorej gjithashtu edhe për ironi. Si një stil, në vend të një titulli apo grade, nisi të përdoret para emrit të ndonjë personi. E disa nisën menjëherë të citonin shkitazi emërtesa të ngjashme: Don Iksi, Don Ypsiloni..., kjo më së shumti për Udhëheqësin e atyre viteve.

Kur bëhej fjalë për udhëheqësin, sintaksisht, nisi të përdorej në të njëjtën mënyrë si “Sër” që përdoret në Angli kur flitet për një person i cili është i dekoruar nga Mbretëria. Kështu Don zbriti edhe aty mjaft forma të ngjashme në mbithirrjen e njerëzishme të disave. Të tjerë nuk e preferonin, dhe menjëherë i shmnageshin, se kishin mësuar ardhjen e tij, dhe se atje në Amerikën e Veriut, Don si emër, ishte bërë gjithashtu popullor me filma që përshkruajnë mafien, të tilla si seritë “Godfather”, ku shefi i krimit do të pretendonte për veten e tij shenjat e respektit që tradicionalisht i ishin dhënë Italisë së kohës së fisnikërisë. Ky përdorim i honorifikit në këto filma (p.sh. Don Corleone, Don Barzini, etj.) në fakt edhe pse nuk është i zakonshëm ose i saktë në përdorimin normal historik kishte një fillim...

Në atë fillim dukej se ata ishin numra arithmetikorë. Herë shfaqeshin numra “tek”, e herë numra “çift”. Herë dilnin e bëheshin të njëjtë, si i thonë andej “syreshë”, e herë akoma më të sertë, prapë sikurse u thonë andej “syleshë”. Po, kjo ishte nga e dukshmja. Ishte nga lënda që përcillej në qelq. Tjetra ishte ndryshe. E shkruara pas shfaqjes së tyre ishte pa asnjë sens arithmetike. Ose mbetej tek njëshi, ose tretej tek zeroja. Nënkuptohej lehtë. Sa herë që dilnin në korr, dhe kjo, jo gjithnjë e njëjtë, dukej nga formatimi i njëshit. Ai u kishte dhënë atyre çehrren e tij, gjuhën e tij, të folurën e tij, sjelljen e tij, ecjen e tij, veshjen e tij, atjetet e tij, grahmën e tij. Njëshi i dominonte. Njëshi fundja ishte ai që vendoste për tërë atë realitet, që në fakt e bënte atë të qetë, tejet etik, duke e kuptuar se aty nuk kishte pasur dhe kurrë nuk do të kishte asnjëherë arithmetikë.

Kjo formë arithmetikore bëri bujë. Ndryshoi mënyra e jetesës. Ndryshoi mënyra e jetës. Aq sa brenda një kohe të shkurtër u bë madje, mjaft tërheqëse për tubimet e mediumet e huaja, edhe pse ata e shihnin me sytë e tyre si diçka mjaft kontradiktore me vetë etikën dhe estetikën e tyre. Dhe ndaj u shtuan zërrat. Zërrat u ngjirën menjëherë në atë rast. U nakatosën mes vetes dhe u prish arithmetika. Sikurse dihet kur prishet arithmetika, natyrisht zgjohen zhurmërat. Ata, pra arithmetikorët thoshin se janë shtuar “gojët e liga”. Zhurmërat janë Pazar. Zhurmërat janë kazan. Ndaj, sikurse në të gjitha rastet e tilla, për të shuar zhurmërat që vinin nga larg, se nga poshtë, edhe pse ishin zhurmëra, ishin mjaft të pazëshme, menduan të ndryshonin format. Me një zë shkuan mjaft larg në kohë. Mjaft larg. Kaluan fusha, male, udhëtuan mbi pllaja e maja alpine dhe gjetën më në fund një togfjalësh nga gjuha latine. E me atë fjalë thirrën bashkë: “Modus Vivendi!” Dhe e përsëritën disa herë. Edhe pse dilte nga një gojë e vetme, ngjante si në një korr të vjetër latin, të prodhuar e të dirigjuar nga vetë vendi: “Modus Vivendi!”; “Modus Vivendi!”; “Modus Vivendi!”...

E zbërthyen në gjuhë, e qashtën në diplomaci, e kthyen në inerci. Dhe ashtu sikurse ndodh edhe në këto raste vendosën qartë. Prapë do të dilnin bashkë. Do të ishin si nga një bark, madje do të kishin dhe ndihmën e atyre nga larg. Ishte mësuar se zërrat nga larg do të përdoreshin për të nënkuptuar një marrëveshje me një tjetër faqe, e cila do të lejonte palët kontradiktore të bashkëjetonin në paqe. Dhe këto nuk ishin më llafe. Ishin fakte. U përgatit dhe ardhja e tij e paqme. Të tjerët heshtën. Arithmetikorët qeshën. Mes vetes komentonin në heshtje: “Thoni si të doni, por Ai vjen sikur është vetë Froni”. Ardhja e tij, si shpëtimtar i Fronit. Ardhja e madhe e Donit!

Në fakt, që kur erdhi nuk dihej qartë, pse ishin shtuar zërrat, pse gumëzhinte vendi, se ardhja e Donit nuk ishte thjesht një “modus vivendi”, por një ristilim arithmetik, jo thjesht për atë vit, as thjesht për atë rit. Zëra të tjerë thoshin se ardhja e Donit, thuhej ishte një dhuratë nga larg. Dhe si e tillë ajo u prit në dy mënyra, e paqtë dhe fraqtë. Fundja popullorja e shqipëruar në atë rast, në atë kohë të fraqtë, shkonte mjaft saktë: “Kalit të dhuruar nuk i shihen dhëmbët!”. E kjo ishte thjesht një proverbë. E ky ishte një hamëndësim, se kalit të dhuruar nuk do ti shiheshin dhëmbët, por ja që dhëmbët e Donit... provuan dhe prodhuan, një proverbë tjetër që kurë nuk ia mbuloi dot shikimin e dhëmbëve. Që në daljen e parë në qelq, Doni, dhurata e largët për atë formë arithmetikore, zbuloi dhëmbët e tij, si duke qeshur për të mirë, e duke ngritur zërrin e tij për të keq. Dhëmbët e Donit mbetën në qelq! Dhe dhëmbët dalëngadalë u bënë palë me vetë kronologjinë e ngjarjeve që shkruheshin e tregoheshin për të përshkruar mënyrën e jetesës.

Të shqetësuar nga dhëmbët e Donit, arithmetikorët e njëjësuar u mblodhën bashkë. Dhe menjëherë kërkuan të bëjnë paq. Por, përsëri asnjë fjalë. Doni herë në ballë, herë duke treguar një e nga një dhëmballët, i kishte lënë pa fjalë. U munduan të gjenin një shkak. U munduan të kuptonin, “pse gjuha e tyre nuk e kishte joshur Donin vallë”?! Dhe kur nuk gjetën asnjë rrugë, asnjë mënyrë, kur e panë se nuk pranonte asnjë dhuratë, nisën të mendonin më gjatë. Por, prapë gjërat u shkonin kuturum. Doni u shfaqej herë me tuta, herë me paliceta e herë dhe me kostum. Fjalët e tij ishin shtuar. Ishin bërë lumë. Dhe lumi kishte marrë vërshimin e tij të madh. Ishte gati të përmbyste çdo gjë, ishte gati të kthehej në mit, në legjendë, në baladë. E gjitha ishte e qartë. Zërrat nuk dëgjoheshin më. Doni e kishte thënë qartë: Mjaft! Mjaft, më me këtë shtet rrumpallë. Mjaft me këtë arithmetikë të çalë. Mjaft! Ai me siguri kishte për ti treguar dhëmbët edhe... Fronit, me siguri... Por ama ende nuk dihet pse quhet akoma “ardhja e madhe e Donit”. 

Comments (1 posted):

Guri Naimit D. on 31/12/2017 23:31:48
avatar
Ja na erdhi Viti i Ri..
Gezuar te gjithe bashkatdhetareve
Aty ne Londer sa gjithe Anli.
Me "Fjalen e lire"
Me kryefjale;
te madhit tone Terziu-Fatmir.

Toronto01-01-2018 Guri naimit D.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1