Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | INTERVISTA | EKSPOZIM I ARTISTËVE SHQIPËTARË NË KE

EKSPOZIM I ARTISTËVE SHQIPËTARË NË KE

Font size: Decrease font Enlarge font
image FASLLI HALITI

EKSPOZIM I ARTISTËVE SHQIPËTARË  NË  KE

                         INTERVISTË

 

( ME PIKTORIN E POPULLIT DHE SEKRETARIN E LIDHJES  SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË  SKËNDER     KAMBERI )

nga FASLLI HALITI

 

FH- Urime për detyrën e Sekretarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

 SK- Ju falemnderit!

FH - Ju keni qenë në shumë shtete, edhe në SHBA. Si ju duk Parisi?

SK - Parisi m’u duk një kryevepër arti. Në Paris shkova për të hapur ekspozitën e tre piktorëve të mirënjohur shqiptarë: Ibrahim Kodra, Kel Kodhelit dhe timen(S.K). Ekspozita ishte një mesazh paqeje, me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Nënë Terezës dhe u hap në sallat e KSBE në Strasburg të Francës.

 

Ishte një shans për të tre, ne, piktorët dhe për Galerinë Te & Gi. Meritë për këtë veprimtari ndërkombëtare ekspozuese, ka veçanërisht pronari dhe drejtori i Galerisë TE & GI, Tefik Dedej që i mbuloi të gjitha shpenzimet për këtë aktivitet të rëndësishëm artistik, pa ndihmën e asnjë institucioni kulturor dhe sponsori. Pra, ne, nuk i trokitëm askujt në derë si gjinkalla.

Në çeljen e ekspozitës morën pjesë shumë autoritete e përfaqësues të vendeve evropiane, si dhe ministri i Kulturës e Sporteve të KSBE-së z.Raimond Weber, i cili na priti edhe në veçanti në zyrën e vet. Fjalën e rastit e mbajti sekretari i përgjithshëm i KSBE z.Daniel Tarçis. Ai foli me respekt për ekspozitën, pikturën shqiptare dhe 

Shqipërinë. Ai theksoi sidomos mesazhin paqësor që vinte nga Shqipëria. Vlerësoi, gjithashtu nivelin artistik të veprave të ekspozuara.Pra ishte shans i madh që autoritetet KSBE hapën dyert për t’u njohur me artin viziv shqiptar.

FH - Ju habiti Parisi?

SK - Më befasoi.

FH - Të hutoi?

SK - Jo sepse e njihja indirekt Parisin nëpërmjet librit, televizorit, filmave. Pra, s’ishte i panjohur për mua. Kështu që nuk kisha përse të hutohesha. E shkela për herë të parë, por jo s’e e shihja për herë të parë në të. Për shembull. Kaloja rrugës dhe lexoja “Rruga “Hygo” dhe më kujtonte menjëherë Katedralem e Parisit. S’ishte i panjohur për mua sheshi Konkord; nuk ishin të panjohur Kulla Ejfel, Harku i Triumfit, as edhe portreti i vet Ejfelit. Shkurt. I njihja por s’i kisha prekur. Kisha lexuar se Mopasan e pinte kafenë në katin e dytë të kullës Ejfel. Aty e piva dhe unë si për t’i bërë shoqëri Moposanit.

FH - Të kthehemi te ekspozita që hapet në Paris. Si u pritën veprat tuaja?

SK - Shumë mirë. Autoritete të ministrisë së kulturës, gazetarë, reporterë, piktorë, dashamirës të Shqipërisë, shqiptarë të diasporës, shprehën konsideratat, kënaqësitë që iu shkaktoi ekspozita. Kënaqësia e çeljes së ekspozitës qe e jashtëzakonshme, por nuk zgjati shumë, pasi na e prishën qejfin ngjarjet tronditëse të 13 – 14 shtatorit. Po perifrazoj këtu thenien e Meternikut se “Kur merr të ftohur Franca teshtin e gjithë Evropa.  Kështu dhe për ne shqiptarët, kur  kur merr të ftohur Tirana  teshtin jo vetëm e gjithë Shqipëria, por edhe  gjithë shqiptarët që ndodhen kudo në botë, ato ditë teshtim edhe ne që ndodheshim në Paris.

FH - U njohët me ndonjë pikotr francez?

 

SK - Po. U njoha edhe me Omar Kaleshin si dhe piktor francez. Këmbyem me ta kënaqësi reciproke. Kaleshi e pëlqeu shumë ekspozitën, u shpreh me ngrohtësi për pikturat tona. Na ftoi në studio. Dhe ne u kënaqëm dhe i folëm me ngrohtësi për pikturat e tij dhe diskutuam gjatë për problemet e krijimtarisë piktorike.

 

FH - Po Luvri si t’u duk? Besoj se Luvri ishte edhe më i njohur për ty?

:VAJZA ME KOSTUM POPULLOR.             

SK - Po, edhe më i njohur. Që në vitet e Liceut artistik, Akademi dhe më vonë kam qenë në kontakt me albume të shumta me piktura të Luvrit. Na kanë mbajtur në tiro. Të them të drejtën, albumet nuk kanë munguar as në

bibliotekën time as në bibliotekën e Lidhjes. Por që të jem realist me albume të tilla nuk binte në kontakt çdo piktor. Kishte kufizime. Kjo bënte diferencën

 

     

FH - Rafaeli ndenji katër orë para Monalizës (Xhakondës) kur e pa në Studion e Leonardit, po ti sa orë qëndrove para saj?

SK - Natyrisht më pak, shumë më pak. Rafaeli ishte vetëm, kurse pas meje qëndronte një radhë e gjatë kolosale njerëzish, vizitorë që prisnin me një durim e kurreshtje të jashtëzakonshme ta shihnin. Nëse ne dikur në Shqipëri, zinim radhën për qumësht dhe ziheshim, atje zinin radhën për art e të qetë.

FH - Çdo të ishte bota, pa pikturë; sipas S.Kamberit?

SK - S’do të kishte bukuri pot ë mos kishte Paris.

Të mjerë janë të verbërit në botë, 

por më të mjerë janë pa Paris, 

thotë Kadre në një poezi të tij për Parisin. S’më harrohet, një nga sallat e Luvrit, ku ish pasqyruar Fransua i parë, krahas të cilit ishin vendosur dhjetra e dhjetra portrete të arkitekteve, piktorëve e skulpturëve, mendja dhe zemra e të cilëve kishin bërë Parisin. Kur pashë San Pietron në Romë, u shtanga para “Pietaja” e Mikelanxhelos, por u pikëllova shumë për anonimet, mjeshtëria e të cilëve më tronditi. -Po në Luver kishte anonim që trondisnin me mjeshtërinë e tyre dhe a ndjeve dhe ti pikëllim për ta?

 

- Po të përgjigjem me një mendim të bukur të Dela Kruas i cili thotë se ka vepra mjeshtrore të realizuara maksimalisht, por më pak art, dhe vepra artistike që nuk kanë shumë mjeshtëri. Franca ka 3 – 4 shekuj që është kampione e artit viziv. Ajo i ka përkrahur mjeshtrit, por i ka lënë vend edhe artistëve, revolucionarë, promotorëve të artit në dekada dhe shekuj. Për shembull Muzeu Orsej, jashtë Luvrit, kishte vepra arti të të gjithë artistëve, të shekullit 19-të nga e gjithë bota por të gjithë këta artistë, që nga Kurbe, Delakrua dhe impresionistë të tjerë, ndryshonin shumë nga njëri-tjetri edhe pse kritikë të ndryshëm bashkohës, kishin arritur të mos i kuptonin tendencat, tematikat e ndryshme. Kritikët, kritikonin, këta piktorë padrejtësisht, por papritur dhe artdashësi francez i donte dhe i ruajti veprat e tyre në panteonin e artit. Të tillë artistë nuk mbeten anonimë. Na u shtua edhe një gëzim tjetër kur shkuam në Luxemburg me ftesë të z.Anette Myllink, ku pamë edhe ekspozitën moderne të Manifesta 2.

FH - A u kthyet më i pasur artistikisht nga Franca?

SK - Po. Tani jam më i pasur. U pasurova me diçka që kisha mangut, me diçka që më nevojitej.

FH – Ju faleminderit!

SK - Ju lutem!

***

PIKTORI I REBELIMIT SKËNDER KAMBERI

 

                                  ESE

 

Spunto nga ekspozita personale e Piktorit të Popullit Skënder Kamberi 

 

Zakonisht përfytërimet janë pa ngjyrë, por përfytërimi im i takimit me Skënderin ka mbetur me ngjyrë, atë mbrëmje të vitit 1956.

Në dosjen e nxënësit të liceut, një dosje e thjeshtë prej kartoni do të kishte vazhdimisht perla akuarelistike. Ashtu si perla krijohet nga një kokrizë rëre akuarelet e Skënderit krijoheshin me një fije letër, me pak ujë, pak ngjyrë dhe shumë talent…

Në vaj Skënderi ishte edhe më magjistral. Ai ishte bosi i ngjyrës në gjithë liceun, kurse në skica dhe krokira s’i gjendjen partneri. Më thotë që ta lija valixhen  në studion e tij gjer sa të rregullohesha në konvikt. Studio?! Ç’ishte kjo studoi?! Po, po… Skënderi kishte studio. Askush s’ia kishte dhënë. Askush s’ia merrte. Ai e përdorte për të punuar dhe kjo i dukej gjithkujt normale.

Skënderin e përpinte dëshira për punë. Punonte më shumë dëshirë “Vetë dëshirën për punë e quaj talent”. Këto fjalë të Gorkit më kujtoheshin shpesh, kur shihja me Skënderin, kur ai punonte aq dëshirshëm. Por, talenti i Skënder Kamberit dhe vetë Skënderi ishte sui generis. Skënderi ishte një nxënës i vështirë për pedagogët. Ai e eksperimentonte në ngjyrë, vizatim… Syri Skënderit evidentonte. Pedagogët këtë e quanin deformim. Skënderi interpretonte. Pedagogët këtë e quanin pazotësi, mungesë vizatimi. Mëkati i mungesës së vizatimit do ta ndiqte Kamberin gjatë viteve të liceut, akademisë, në jetë… Vitet e liceut u bënë për Skënder Kamberin vite pune dhe eksperimentesh sistematike. Ndërsa ditën punonte me ngjyra, natën gjer vonë, ai punonte vizatime anatomike, studionte perspektivën, duke vizatuar objekte të pambarimtë. Eksperimentonte guximshëm, organikisht, sinqerisht duke iu përgjigjur thirrjeve të brendëshme misterioze të shpirtit.

Vajzat 

Venusin e Milosit e pikturonte me jeshile? Venusi më shumë se një statujë dukej si një trung i veshur me dredhëza të blerta? 

Në studio Skënderi po pikturonte një vajzë. Gjysma e portretit oranxhe, gjysma e blertë. Ishte periudha kur ai eksperimentonte në ngjyrë. Portretë të tjerë i kishte blu-roz. Dukej sikur portretet ishin si ca lëndina të ndritura përgjysëm nga një diell portokalli ose rozë. “Kryevepër” i thanë për portretin që po bënte. Ne shokët i pëlqenjm eksperimentet e Skënderit, por ato nuk u pëlqenim profesorëve, disiplinës shkollore.

Ndaj vlerësimeve, Skënderi, nuk reagonte, por harlisej përbrenda. Kjo kuptohej nga mënyra se si e vazhdonte punën me temperament, me forcë krijuese më të freskëta. Ndaj vërjetjeve reagonte menjëherë me një “ po, po! Ke të drejtë, po nuk ndryshonte asnjë gjë. Vazhdonte në të tijën. Ndërsa të tjerët punonin në vende që të mos s’i shihte kush, Skënderi punonte kudo, edhe në mes të sheshit Skënderbej, te këmët e policit. Mjafton që t’i pëlqente pejzazhi. Skënderi e pikturonte Venusin e Miosit me një koncept të ri koloristik. Arrin një të bardhë brilante, të një cilësie sipërane e cila do të shfaqej e pranishme në pikturën e Skënderit gjatë gjithë jetës krijuese. Ma tregoi. Më pëlqeu shumë. Profesori i pikturës e rroku në qafë. “Po ja kështu more Skënder… kjo është”. Ajo e bardhë e Venusit do të përsosej më tej në punën e diplomës. Vite më vonë me bardhësinë e borës në tablonë “Ndihma e shokut”. Këtu përdorimi i së bardhës i kishte kaluar kufitë e sipëranës. 

Ajo ishte një habi koloristike. U fol se kur shuheshin dritat e ekspozitës dëbora e tablosë zbardhte në errësirë. Si dritë hëne ose si dritë e neontë zbardhte bora e tablosë së  Skënder Kamberit. Përzbardhnin kristalet e  koloristike të dëborës. Si ka mundur ta arrijë këtë piktori? Kush ishte ky piktor ky penel mag? Po “Vrana Konti” edhe këtu kolori i piktorit vlonjat do të bënte çudira për të dhënë epikën shqiptare. Nëse pena e Kadaresë e kishte bërë çudinë e saj për të dhënë qëndresën shqiptare, të njëjtën çudi po bënte dhe peneli i Kmberit për të dhënë këtë qëndresë. Po pse s’u ekspozua kjo habi artistike?! Pati dhe vite të tëra që piktori nuk po i ekspozohej as edhe një tablo. Megjithatë ai nuk hoqi dorë nga eksperimentimet e guximshme dhe rezultati nuk vonoi. Lindi tabloja “Buka e duarve tona”. Nëse dikur piktori vlonjat kishte bërë habira me të bardhën perlore, tani ai po habiste me të gjelbrën, e blertë. Edhe fusha s’e kishte kaq të bukur gjerbrimin grunor, mjeshtria dhe pikturimi gjenuine i piktorit e bënte atë më të bukur në tablo. Dukej sikur gruri kishte mbirë në tablo. Gjithandej flitet për  tablonë “Vajza e valëve”e pikturuar si me pikla vese. Ku është ajo? Por të mos e lëndojmë më tej piktorin… Na e rrëmbyen, tha e shoqja e maestros. E kishim në murin e shtëpisë si vajzën tonë më të bukur mes katër vajzave tona të bukura. 


E patë ekspozitën e hapur para pak kohësh në Galerinë Kombëtare? Rrebelimi dhe dhimbja bridhnin nëpër tablotë. Rrebelimi ishte edhe artistik edhe politikë. Piktori rrebelonte kundër gjithë imitimeve dhe snobizmave, epigonizmit, trafareteve që mënjanimin traditën. 

Shikoni Ullishten  e famshme artistike të Vlorës, se si ka mbetur mes saj, Ulliri më vajor, i blertë shushuritës në sfondin blu të detit uturitës, Skënder Kamberi...

 

 

1989

Comments (1 posted):

Guri Naimit D(Dh Xhoga) on 06/01/2019 22:23:43
avatar
Artist i rralle i PENELIT
Piktori POPULLIT-Skender Kamberi.

Faleminderit i nderuar Faslli Haliti qe na sjell kete shkrim,si te ishin direkt ne bisede me artisin e madh te PENELIT.Ajo qe me bri pershhtypje si nje lexues i zakonshem ishte origjinaliteti sjelljes se fjales Tij.
Kjo per ne mesuar me te na impresionon ,Pavaresisht se eshte e 30 viteve me pare.Kjo ben te vecanten,Faleminderit.
Suksese te dy ju kolloseve;ai i PENELIT dhe ju i fjales shkruar.
Mbrodhesite ju pasofshin per kohen qe jetojme.
Jetegjatesia ju shoqerofte.
Ruaj me nostalgji,mbresat e rinise tij qe nga Vlora ne Tirane.

83 vjecari;Guri Naimit D.(Dh Xhoga.
Toronto06-01-2019

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1