Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | INTERVISTA | Komunizmi shqiptar dhe demokracia amerikane

Komunizmi shqiptar dhe demokracia amerikane

Font size: Decrease font Enlarge font
image Agim Shehu

Agim Shehu, Gjenevë

Komunizmi shqiptar dhe demokracia amerikane

Shteti, shkolla, shoqëria                                     

(Bashkëbisedim me poetin Mihal Gjergji)

Zoti Gjergji! Në krijimtarinë time, epizmi ka një peshë të konsiderueshme, ndoshta edhe rrjedhojë e edukimit tonë. Çështjet jetike të vendit, në mënyrë të natyrshme bëhen pjesë e jetës. Pastaj, ata që vishnin fustanellat dhe ngjishnin jataganët, gjykonin edhe të nesërmen, edhe mbretin apo perandorin. Fati i Atdheut është edhe fati i qytetarit, i artistit, intelektualit apo punëtorit. Po, le të shikojmë historinë e shtetit tonë 106 vjeçar. Shteti-fjalë me peshë të rëndë. Vetëm për themeluesin e tij, themi; shteti i Ismail Qemalit, të tjerët s’e kanë këtë privilegj, sepse janë vetëm drejtues diktaturash apo qeverishë jetëshkurtra. Shteti vazhdon të jetë po ai. Dhe natyrshëm lind pyetja:Mund të themi se qeveria (shteti) e Ismail Qemalit pati shanse të humbura?

 

Qeveria e Vlorës s’ishte produkt i forcave politike brenda vendit apo platformave të tyre, asokohe thuajse inegzistente. Ismail Qemali kishte qëmtuar me kujdes shqiptarizmin e atyre që e rrethonin, njihte mirë politikat skllavëruese të Perandorisë Osmane, njihte Evropën dhe ambicjet e saj, armiken e kësaj perandorie, sikurse nevojat e vendit të tij, për t’u shkëputur nga ombrella e errët osmane.  E, përtej kësaj, shpresonte shumë te fuqia diplomatike gërshetuar me forcën e armëve. Dhe hapi i tij ishte historik, shenjtërimi i një ëndrre të parealizuar më parë. Një shtet i krijuar me shumë gjak, i pranuar nga kancelaritë europiane dhe i tradhtuar po nga faktori shqiptar, shërbyes i  përunjur i interesave të vendeve fqinje. Mjafton të kujtojmë përpjekjen e Esat Pashës në bashkëpunim me Mustafa Ndroqin (ndoshta edhe të tjerë) për të rrëzuar Qeverinë e Vlorës. Këto përpjekje të dëshpëruara janë pasqyruar edhe te gazeta “Pëlindja e Shqipëniës”- gazeta e të parës qeveri shqiptare. Gjithsesi, kjo qeveri s’mundi të merrte në juridiksionin e saj dhe të mbronte Janinën, Artën, Prevezën, Çamërinë, pjesën lindore dhe veriore të trojeve tona. Prapa çdo heroi, thuajse gjithmonë qendron një tradhtar, ndërsa Ismail Qemali kishte shumë të tillë, që e ndiqnin si hije.  Ju më pyesni për shanse të humbura, po ajo qeveri u pengua, brenda dhe jashtë. Pikërisht këto pengesa e detyruan Ismail Qemalin të jepte dorëheqjen. Shteti, tashmë i pavarur, më shumë sesa kryente funksionet, kishte  hedhur themelet e tij. 

Të ndalojmë te një figurë tjetër historike, Mbreti Zog dhe veprimtaria e tij. Cili është mendimi juaj?

Po më pyesni për një njeri, produkt i mentalitetit feudal, veshur me kostumin e mbretit. Ai ka kontribute të padiskutueshme, në krijimin e profilit të plotë të shtetit shqiptar, hartimit të kushtetutës, vendosjes së rendit, administrimit të ekonomisë së drobitur, sikurse realizoi edhe investime të pakta me ndihmën e kapitalit Italian(!). Ahmet Zogu është vetëshpallur “Mbret” dhe është pranuar si i tillë, edhe pse  s’trashëgon gjak mbretëror. Të shikojmë përtej kësaj aventure, veprimtarinë e Zogut në raport me kombin. Thuajse gjithë figurat historike kombëtare janë të veshura me dritëhije. Historinë e kanë shkruar fitimtarët dhe e kanë politizuar në funksion të interesave. Ernest Koliqi, në një nga studimet e tij për letërsisë shqipe, i referohet “Kanunit të Lekë Dukagjinit”- kushtetutës shpirtërore të malsisë shqiptare. Konkretisht edhe nenit 706, - “kumbarija e shqyptarit të maleve asht tri nduersh; kumbarija e pagëzimit, kumbarija e kunorës dhe kumbarija e flokvet”. Duke përjashtuar Ismail Qemalin dhe Fan Nolin, të cilët u kurorëzuan nga shqiptarët dhe u rrëzuan nga qarqet antishqiptare (një mallkim shekullor!) të gjithë drejtuesit e tjerë të shtetit shqiptar, që nga viti 1912 e paskëtaj, pavarësisht nga përkatësia krahinore apo bindjet politike, cuditërisht i janë nënshtruar trinitetit të mësipërm. Ahmet Zogu rikthehet në pushtet (i vendoset kunora) me ndihmën e Kryeministrit serb Nikolla Pashiç në këmbim të një marrëveshjeje “reciprociteti” (1924) me fqinjin verior, saktësuar kjo nga palët firmëtare. (“…Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal…Kryetar i shtetit shqiptar do jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njohë dinastinë Karagjorgjeviq…Kisha otodokse shqiptare do t’i bashkohet hierarkisë  ortodokse të Beogradit...). S’ka rëndësi në c’kushte e nënshkroi dhe sa besnik i qendroi kësaj marrëveshjeje Ahmet Zogu, kjo është një njollë turpi, në profilin e tij mbretëror dhe historinë e mbretërisë shqiptare. Kjo praktikë ka vazhduar edhe pas largimit të mbretit. Enver Hoxha u pagëzua në kishën e Shën Petërburgut, u kurorëzua nga jugosllavët, ndërsa “prerja e flokvet” i pëlqente me gërshërët dhe modelin francez. Drejtuesit e shteteve ballkanike, historikisht janë pagëzuar në kishat serbe apo greke, janë kurorëzuar nga kancelaritë europiane dhe kanë preferuar që “prerja e flokvet”-në shenjë oguri të mirë, por edhe për jetëgjatësi pushteti, ta bëjnë në Perëndim. 

 

Më vjen keq, që s’ndajmë  të njëjtin mendim për Ahmet Zogun. Atë e ka vlerësuar edhe Noli, që e kishte kundërshtar, Konica që paguhej prej tij, edhe britanikët, diplomacia e të cilëve ishte me peshë në Ballkan. S’duhet të ndikohemi nga propaganda, që e shpalli mbretin-tradhëtar. Kthejeni kokën mbrapa dhe bëni një krahasim. Çfarë mendoni për gjëndjen e shtetit shqiptar aktualisht?

 

Si qytetar, i përjetojefektet e politikave shtetërore, kryesisht atyre ekonomike, anarkinë dhe informalitetin. E kam theksuar edhe në një intervistë tjetër, pesë anarkitë që përshkruan Noli para 90 vjetësh, janë ende aktuale. Mund të them me bindje se, ata për të cilët folëm më sipër, janë gjallë. Ahmet Zogu; forcat publike zëvëndësohen nga pushteti personal. Enver Hoxha është larguar vetëm fizikisht; lufta e klasave ka marrë një qasje të re, në raport me përkatësinë partiake dhe devotshmërinë ndaj saj, ose thënë ndryshe; tanët në pushtet, kundërshtarët në rrugë të madhe. Nëse shikoni në kryqëzime rrugësh numur të shtuar policësh, atëherë siguria qytetare është më e ulët. Nëse oficerët e sigurimit të diktaturës komuniste, i shikoni të punësuar në administratën shtetërore apo organizimin dhe drejtimin e institucioneve të sigurisë, duhet të shqetësoheni. Kujt i duhen këta lajmëtarë të vdekjes, pararendës të tiranisë demokratike, me një pashpirtësi të edukuar në shkollat e kuqe të modelit moskovit? Vetëm atyre që u rrezikohet pushteti, askujt tjetër. Esat Pasha dhe të ngjajshmit e tij s’mungojnë asnjëherë, as Haxhi Qamilët. Pushteti s’perceptohet si simbol, por si pronë, pa korrniza kufizuese. Për 35 vite e kam parë shtetin nga brenda, si pjesë e administratës së tij, gjersa një ditë më flakën në një humbëtirë, duke më kujtuar se intelektualët s’na duhen, as idetë e tyre. E kuptova, s’kisha bërë pagëzimin, sikurse eprorët e mi kohë më parë. Mirëpo, veçse jam me thinja, unë kam zgjedhur shqiptarizmin në këmbim të kryqit dhe gjysmëhënës, edhe pse zotin e kam pranuar brenda vetes, si pushtet sipëror vlerash. Kjo gjëndje më bën të ndjehem i huaj dhe i pasigurt në vendin tim.

 

Para më shumë se një dekade, nën peshën e kërcënimit vdekjeprurës, u detyrova t’a lë atdheun. Guxova të drejtoja gishtin mbi xhelatët që mbytën në gjak Çamërinë,mbi ata që e dëshironin Kosovën tokë të djegur, pa shqiptarët e saj, mbi shërbëtorët e tyre brenda vendit tim…Reagimi ishte i menjëhershëm. E sot, e shikoj Shqipërinë nga larg, edhe pse jetoj çdo ditë me shqetësimet e saj. Pas kaq vitesh largimi të detyruar, me shpresën e ndryshimeve të ëndërruara, dua të pyes për shqetësimin tuaj. Konkretisht, përse?

 

Provoni të trokisni në zyrat e shtetit. Militantët dhe militantet bukuroshe të përplasin dyert në fytyrë, sepse njohin vetëm bajraktarët e tyre, jo ligjet e shtetit. Qytetarit i vendosen 101 barjera penguese, për të qënë përjetësisht i varur nga injoranca e pushtetshme.  Fëmijët tanë do rriten dhe do plaken këtu, do flenë dhe zgjohen brenda kësaj utopie të gënjeshtërt. Çfarë t’u themi për atdheun? Giuseppe Mazzini, shkruan se; “…përderisa keni tirani, si mund të keni atdhe? Atdheu është shtëpia e njeriut të lirë, jo e skllavit” Dhe përtej kësaj, atdheu të jep strehën dhe bukën, jo prangat e varfërisë dhe kërbaçin. Ndoshta është perceptimi im i gabuar, por koha sikur është ndalur qyshkur. Unë e kërkoj ndryshimin te njerëzit, jo te rrugët, trafiku i rënduar apo reklamat. Sa ka ndryshuar njeriu, brendia e tij, a ndjehet shpirtërisht më i pasur, më i gëzuar? Piktura murale e Leonardo da Vincit (1498) - “Darka e fundit” e cila ruhet në një nga manastiret e Milanos (Santa Maria delle Grazie), ka një detaj interesant. Ndërsa ishte duke përfunduar, kërkonte një njeri, shembëlltyrë e Judës (Iskariotit). Gjeti një të shëmtuar, flokgjatë, të palarë, të veshur keq. E mori në studio dhe i tregoi si duhet të qendronte, -E di, ju përgjigj varfanjaku. Unë kam pozuar për Shën Joanin para disa vitesh, por s’të kujtohet…Mjeshtrin e madh, Leonardo, e pushtoi habia.  Atëherë, përse ke ndryshuar kaq shumë, e pyeti. –Mjeshtër, besimi i verbër më vrau…dhe mëshira e të tjerëve, të cilën e prita më kot…Leonardo qeshi, sepse edhe vetë s’besonte nëse Jezusi kishte egzistuar ndonjë herë. Këtë e shpreh edhe piktura e tij, e xhveshur nga pushteti fetar. Në Shqipëri, “Darka e fundit” bëhet aq herë sa ndrrohen pushtetet. “Krishti” i ri fton apostujt dhe festojnë, jo një ditë, por me vite, aq sa zgjat pushteti. Qytetari s’ka forcë t’a ndryshojë pushtetin, ndërsa ky i fundit, në mënyrë të magjishme i tjetërson mbajtësit e froneve të larta, aqsa s’njohin më as veten e tyre. E si mund t’i njohë populli që u ka dhënë besimin? Atëherë, duhet të pranojmë gjykimin e Niçes; “ nuk ka dukuri morale, por vetëm një spjegim moral të dukurive”.

 

Udhëtimi im ka filluar nga katedrat e mësimdhënies. Ende vazhdoj të rrethohem nga dashuria e studentëve të mi. Prandaj, meqënëse përmëndët intelektualët dhe idetë e tyre, cili është mendimi juaj për sistemin arsimor në Shqipëri? 

 

Shkolla është e lidhur ngushtësisht me dy komponentë të tjerë; shtetin dhe shoqërinë. Portat` e parajsës i hap mësuesi, politika krijon plagë, edukatori i shëron ato. Një shoqëri e emancipuar mbikqyr dhe ndërhyn. Botën e ndryshojnë idetë dhe vetëm idetë. Kam ndjekur me vëmëndje dhe interes analizat e Prof. Artan Fugës. Të imponon respekt, por sa konsiderohen dobiprurëse idetë e tij? A pranohen ato dhe nga kush? Ministrinë e Arsimit s’e drejton ai, apo një tjetër intelektual i asaj lartësie. Drita e diturisë i verbon pushtetarët. Mësova me dëshpërim humnerën ndarëse mes lartësisë së munguar qytetare dhe profesionale    punonjësve të sistemit të drejtësisë përballë Prof. Përparim Kabos, i cili u drejtonte pyetje formuese.  Çfarë mjerimi, dhe sa i turpshëm mediokriteti i tyre! Ju e dini, profesori në fjalë s’është Ministër Drejtësie, sepse s’mund të përdoret nga pushteti politik. Kam lexuar analizat e thelluara të diplomatit Shaban Murati, njohës i mirë i gjeopolitikës. Sa shumë e ndihmojnë diplomacinë mendimet e tij të vyera, nëse ato do konsideroheshin. Mendimtari Moikom Zeqo, prej vitesh vazhdon të jetë i papunë (edhe brenda llojit lufta është e tmerrshme!). Ndiqni Spartak Ngjelën, juristin  elitar, ka preferuar studion e avokatisë, sepse s’pranon që,  nën peshën e pushtetit të humbasë lirinë, për të cilën ka sakrifikuar aq shumë. E për të mos vazhduar me emëra të tjerë, dua të pyes:- A nuk është ky një qendrim reaksionar ndaj inteligjencës shqiptare, tamam si në kohën e bizantit? Po cilët janë realisht mësuesit dhe sa vlerësohen ata? Shumica janë njerëz të ndershëm dhe profesionistë. Mes tyre, kryesisht drejtuesit e shkollave, janë punëtorë partie, pra militantë. Dhe sa vlejnë mësuesit? Aq sa paguhen; më pak se punonjësit e policisë, më pak se ndihmësit e cdo ministri në kabinetin qeveritar, më pak se cdo punonjës i superstrukturës shtetërore. Shikoni edhe buxhetin vjetor të arsimit, ndryshe s’mund t’i kuptoni prioritetet qeveritare. 

 

Po shoqëria shqiptare, a e luan rolin e saj?

 

“Komunizmi” shqiptar s’mishëroi asgjë thelbësore nga doktrina e Marksit. U krijua një model hibrid, me ideologji shfarosëse; rrënimi i familjeve të mëdha (fisnikërisë shqiptare), burgosja e filozofëve, pushkatimi  i poetëve, shtypja me përdhunë e fjalës së lirë dhe guximit qytetar, përdhosja e gjakut të martirëve. Kjo shoqëri vazhdon të formësohet nga kultura e frikës dhe poshtërimit. Në Shqipëri, komunizmi është bërë gjysh, jeton moshën e tij të tretë, dhe është i fuqishëm, sepse është i pushtetshëm. Kjo shoqëri e drobitur, e kequshqyer dhe keqedukuar, është në krizë, kryesisht morale, kësisoj, s’mund të luajë rolin e saj në raport me shkollën dhe shtetin. Familja shqiptare është në krizë, përvecse morale edhe ekonomike. Çdo vit, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, divorcohen rreth 1000 cifte. Ç’bëhet me këto familje, po me fëmijët e tyre, kush do t’i edukojë ata? Çfarë strategjie ka shkolla shqiptare për të edukuar virtytin? Arsimi privat konkuron atë shtetëror, po cili është niveli, cfarë përgatisin realisht auditorët?  Italisë i dha shkëlqim Universiteti i Bolonjës, Gjermanisë–Hajdelbergu, Francës-Universiteti i Sorbonës, Anglisë-Universiteti i Oksfordit, Amerikës–Harvardi. Universitetet tona prodhojnë diploma në këmbim të dollarëve. Po idetë, kush do t’i afrojë? Sa i ndihmon shteti katedrat e studimeve dhe kërkimit shkencor? Sa do vazhdojë pyetja vrasëse; - cfarë diploma ke, në këmbim të pyetjes praktike; - cfarë pune di të bësh? Profilizimin e  kërkon tregu i punës. Më kujtohet një shkrim botuar (korrik-1987) te gazeta “Zëri i Popullit” me titull të reklamuar në faqen e parë; “Ku janë burrat e Gjergjevicës?” Muratorët e zonës së Oparit i kishte punësuar shefi i planit në kooperativën e Potomit, në Skrapar. Duhej të ndërtonte stallat e bagëtive, ndërsa ustallarët kishin mbetur pa punë në fshtatrat e tyre. Në Gjergjevicë, prodhimet bujqësore që piqen me vonesë, s’mund të përballoheshin vetëm nga gratë. Muratorët u kthyen pranë familjeve  duke ju lutur zotit të mos ua hiqte nga dora mistrinë dhe cjeparin…Por sot, kushdo mund të bëjë cdo punë, mjafton të ketë partinë e tij dhe mikun. “Neve kemi kuadro sa për shtatë Komitete Qendrore, ndaj nuk ka asnjë arsye që të kemi frikë” Janë fjalët e Ramiz Alizë në vitin 1989. Kjo vijë sjelljeje frymëzon pushtetmbajtësit, është ideologjia e partisë-mëmë. “Është më e lehtë të thyesh një atom, sesa një paragjykim”-thoshte Ajnshtajni. Dhe kishte të drejtë, apo jo?

 

Mendoni se mësimi për fenë duhet të futet në programet mësimore?

 

De jure, jemi shtet laik. Shqipëria kërkon të hyjë në Evropë, po si? Portën hyrëse mund t’a kërkonim te Vatikani, por ne i jemi larguar atij, qysh në Mesjetë. Vendi ynë u shndrrua në fushëbetejë mes katolicizmit dhe ortodoksisë, dhe ende është e tillë, qysh nga shekulli XI. Ndërsa në Shqipërinë jugore, si në gjëndje jermi, vazhdon pushtimi me kryqe (në rrugë, në kodra, mes fshatrave) nga dhe me porosi të misionarëve ortodoksë,   sikurse, thuajse në gjithë teritorion, gjysmëhëna vazhdon të lartësojë minaret, në dukje heshturazi, por me ritme të shpejta. A thua se bota po shkon drejt një konfrontimi total, jo bërthamor, por fetar? Sikur të ndërtoheshin shkolla me këto miliona dollarë, le të futeshin edhe njohuri për teologjinë! Kam parë turma besimtarësh që pëshpërijnë mbyturazi tek ndezin qirinjtë në kishë, të tjerë që puthin pragun e xhamive, ndërsa s’kanë njohuri për brendinë e Kuranit. (“Lutja është një pohim madhështor i padijes”-ky është gjykimi i V.Hygoit). Unë e kam lexuar Kuranin për qëllime studimore, edhe Biblën, dhe më është dashur ndihma e teologëve për t’i interpretuar, sepse janë doktrina fetare, brenda të cilave komunikojnë  spiritualizmi dhe shkenca.  Dhe natyrshëm lind pyetja; -adhurim për shkak të frikës apo devotshmëri, si rrjedhojë e dashurisë? E them me bindje, të gjithë duhet t’a pranojmë Zotin, por më parë duhet t’a njohim, pastaj t’a ndjejmë dhe lartësojmë brenda  vetes.  Edhe Jezusi u drejtohej besimtarëve; mos e adhuroni atë që s’e njihni. Shqiptarët, aq sa fetarë, janë edhe paganë. Njerëzit duhet të gëzojnë lirinë e zgjedhjes së besimit. Në Itali, diskutohet nëse duhet të ndryshojë apo jo, programi shkollor për tologjinë. Më konkretisht, të flitet për Krishtin, për Muhametin, për Budën, apo të pranohet dhe flitet për një Zot të vetëm, të cilin, e kemi vrarë vetë, duke e ndarë në copa. Cfarë predikon feja? Moralin, rrjedhojë e të cilit janë të gjitha vlerat. Morali është normë, sipas filozofisë, normë sjellje, veprimi, bashkëjetese etj. Politika pa moral është e destinuar të dështojë, shoqëria pa moral cdo ditë provon shkatërrimin, familja pa moral është një shtëpi pa themele. Sigurisht që fëmijët duhet të marrin njohuri për Zotin, në moshë të vogël të orientuar nga prindërit, më tej nga mësuesit, por jo të ndrydhen nën pushtetin e frikës. Mosha është shumë e rëndësishme. Të ndërtohen më shumë shkolla, ku të flitet edhe për Zotin, ndërsa xhamitë dhe kishat besoj se janë të mjaftueshme. Kush do t’i frekuentojë? Shqipëria po zbrazet nga njerëzit. Kush do t’a ndalë këtë hemoragji vrastare?

Unë jetoj në Europë, njoh mirë trajtimin që u bëhet emigrantëve, preferencat sipas vendeve të orgjinës apo indinferentizmin ndaj tyre. Si e shikoni qëndrimin e Europës në raport me vendin tonë?

Ballkani është një nga fytyrat e paekspozuara të këtij kontinenti. Më pëlqen të citoj një gjykim të Kadaresë për Europën; “…një zonjë aristokrate mësuar me sherbestarë….”  Planeti është i mbërthyer nga tensionet, krizat dhe konfliktet. Edhe  Europa gjithashtu. Ajo s’ka unitet politik, harmoni fetare dhe fuqi ekonomike. Mos duhet të shpresojmë që të rishkruhet edhe një herë Traktari i Shën Stefanit, që Gjermania t’i bëjë gjyqin moral dhe të hedhë poshtë Bismarkun për Kongresin e Berlinit, i cili s’lejoi që Shqipëria të krijonte shtetin e saj, ndërsa e konsideronte si shprehje gjeografike, në përballjen e tij me Abdyl Frashërin, mos vallë duhet të ëndërrojmë, që firmëtarët e Konferencës së Londrës, të pagajnë përmes trashëgimtarëve aktualë të froneve, t’i afojnë Shqipërisë ndihmat financiare për dëmet e shkaktuara? Mos duhet të presim që Italia të kërkojë falje për Ducen, për pushtimin e ’39-ës, për naftën e grabitur nga shoqëria AIPA, për bitumen e Selenicës? Kjo s’mund të ndodhë. Lexoni “Mafia dhe politika” të Mikele Pantaleone, për të njohur fqinjin perëndimor. Evropa mund të ndërtohet brenda Shqipërisë, pastaj, marathonomaku shqiptar mund të trokasë në portat e Brandenburgut, Vjenes, Parisit, Romës etj, jo për të thënë se çdo bëjmë, por për të shpallur arritjet dhe për të kërkuar konkurim vlerash nga pozita barazie. Po e dini kur mund të ndodhë kjo? Kur buxheti për arsimin minimalisht të pesëfishohet. Shqipërinë do t’a bëjnë vetëm shkollat  e niveleve të larta, dhe vetëm shqiptarët. S’e kam fjalën për shtetësinë dhe kombësinë, por për ata që ndjehen shqiptarë dhe e duan dheun atëror, me djepet dhe varret e tij.  Ndërsa politika duhet të flakë luksin dhe të vishet me pëlhurën e hollë të qytetarit. E dini që Portugalia ka 22 deputetë për 1 milionë banorë, Italia 16, Gjermania 8, ndërsa Shqipëria 51? Gjersa trokasim përunjësisht në dyert e Bundestagut gjerman, pse të mos vendosim standartet e tij? Atëherë do kishim 24 deputetë. Laku që na shtëngon për fyti do lërohej. Loja me Evropën s’duhet të vazhdojë.  Përballë shqiptarëve, vetëm Amerika e ka ndërgjegjen të pastër.  

Unë kam publikuar një vepër voluminoze “Amerika në sytë e mi”. Është një studim serioz për kulturën, artin dhe dimensionet e politikës amerikane, si modele të qytetërimit botëror. Ngaqë kam shfletuar arkivat, kam marrë informacione të panjohura më parë, kam prekur hapsirat e lirisë reale, desha të ndalojmë te Amerika, më konkretisht, cili është mendimi juaj për marrëdhëniet aktuale me vendin tonë?

Xhorxh Uashington, babai i kombit amerikan, shkroi para vdekjes testamentin-amanet për mbrojtjen e shqiptarëve. Presidenti tjetër amerikan Uillson, u bë ëngjëlli ynë mbrojtës, në Konferencën e Paqes (1919) atëherë kur Serbia, Italia, Greqia dhe Franca ishin përgatitur të coptonin vendin tonë. Presidenti Nikson ndikoi fuqishëm për autonominë e Kosovës (1974), Presidenti Klinton urdhëroi intervenimin e trupave të Natos në konfliktin e përgjakshëm serbo-kosovar, cliroi Kosovën dhe festoi bashkë me shqiptarët. Vite më vonë, Presidenti Bush viziton Shqipërinë dhe pritet vëllazërisht në Tiranë e Fushë-Krujë. Mesazhi i tij publik,  ishte i prerë dhe  i qartë: “Kosova e pavarur”. Pas një viti kështu do të ndodhte.  Ja pra, kjo është Amerika. Prandaj, marrëdhëniet me të, përpos interesave reciproke, kushtëzohen nga korektesa jonë, luajaliteti dhe ndershmëria. Këtë vend, mik dhe partner të rëndësishëm, duhet t’a shohim me sytë tanë, jo me syzet e Moskës apo Pekinit,  të fqinjit verior apo jugor. Pushtetin shikojeni si një simbol të aftësisë për të ndryshuar, kryesisht njeriun, sjelljen e tij, por edhe si monedhë të politikës, kështu e koncepton Karl Dojc. Ai e krahason një qeveri me një bankë, ku shuma e premtimeve (angazhimeve) është më e madhe se shuma e burimeve. E që t’u shmangemi krizave, duhet ruajtur kufijtë e pushtetit, duhen mbikqyrur grupet dhe interesat, duhen trajtuar vecanërisht klasat sociale, duhet shfrytëzuar kujtesa e arkivave për të marrë vendime, kryesisht me fqinjët dhe partnerët. Robert C Austin, në librin e tij “Shtegu i pashkelur i Fan Nolit” shkruan se “Noli shpresonte që komuniteti ndërkombëtar do t’a njihte dhe do t’i jepte ndihma…për të cuar përpara programin prej 20 pikash…Ai ishte më shumë i familjarizuar me botën e diplomacisë ndërkombëtare se sa me botën e turbullt që përcaktonte politikën e brendshme të Shqipërisë” Para Nolit, këtë gabim ka gjasa t’a ketë bërë edhe Ismail Qemali, një lojtar i shkëlqyer në fushën e diplomacisë.  Sot jemi në kushtet ku kërkohet demokraci shoqërore dhe demokraci politike, kërkohet barazia politike si substancë e “sovranitetit të popullit”. Po ne kemi një model të cilit duhet t’i referohemi, demokracinë amerikane, të cilën do më pëlqente t’a quaja Perandoria e Lirisë. Barazia dhe liria janë dy shtyllat ku mbështetet demokracia amerikane. Barazia para ligjit, sa domethënëse! Një gjyqtar amerikan pezullon një vendim të Presidentit, dhe ky i fundit hesht, sepse flet ligji. Zoti dhe ligji janë të shenjtë. Pastaj liria; e mendimit, e besimit, e fjalës…Politikës shqiptare i duken si pranga këto kolona drite; barazia dhe liria. Realisht, kur shkelet ligjii, ai duhet të kundërveprojë, ndoshta në formën e prangave.  Demokracia amerikane është një pasqyrë e madhe, përballë së cilës, politika shqiptare shikon veten e saj dhe duket  e shëmtuar. Vendit tonë i duhet liria demokratike, jo tirania demokratike. Në vitin 1848 është botuar për të dymbëdhjetën herë libri i Aleksis De Tokëvil për demokracinë në Amerikë. “Modeli politik i Shteteve të Bashkuara më duket një nga format ideale të qeverisjes demokratike” - kështu shprehet Tokëvili në librin e tij. Dhe Amerika na ka zgjatur dorën e ndihmës në kohë jetike për vendin tonë. Askush prej nesh s’ka të drejtë t’a shikojë si fuqi ekspansioni apo kolonizimi, ajo eksporton vetëm vlera. Ne kemi shtet ligjor, atje funksionon shteti i së drejtës. Ja, pikërisht këtë duan edhe shqiptarët, një vend ku të zbatohet ligji, njëlloj për të gjithë. Një burrë shteti, edhe kur s’mundet të bëjë dicka për vendin e tij, mund t’i bëjë një dhuratë tjetër të cmuar; të derdhë disa pika loti për dhimbjen e popullit të cilit i përket. Ende s’kam njohur burra të tillë, as në kushtet e rrënimit ekonomik me skemat e firmave piramidale, as në tragjedinë e Otrantos, as në kasaphanën e Gërdecit. Shamizezat e Vlorës  hedhin lule në det, për të nderuar eshtrat pa varre, ndërsa vogëlushët  në një  shkollë në afërsi të qytetit të Vorës, vendosin buqeta te banga, në vendin bosh të moshatarit të tyre, përzhitur nga flakët e barotit. Ai s’mundi të rritej, as të shkollohej! Tregtarët e pashpirt të gjakut njerëzor, ja grabitën ëndrrat e fëmijërisë. Nëna e tij dhe të tjera si ajo, kërkojnë ndihmën e Zotit, për të vendosur drejtësinë e munguar. Një politikë e keqe i konsumon vendit shumë prestigj, jetë të pajetuara, mjete financiare dhe shumë kohë, vite të humbura që s’mund të kthehen më. 

Problematikat për të cilat folëm kanë edhe shkaktarët e tyre, apo jo? 

Zoti Shehu! "Udha për te vdekja" s'ta cënoi dinjitetin, as parimet morale. Ti ke patur korespondeca interesante me filozofin Isuf Luzaj, me akademikun Rexhep Qosja, me personalitete të tjera të shquara. Në asnjë rast s'të kam parë të humbasësh qetësinē. Plagët i ke arnuar me fillin e ndritshëm të dashurisë. Krijove modele interesante; "Xha Salikon" me shollët e qepura me tela, teksa i vërvitet hasmit mbi krye. I dhe përjetësinë e legjendës Selam Musait (buzët te këngë/ ballin te liria"), "Baladë lirie për Kosovën" më ngazëllen sikurse Fishtën "Lahuta e Malcisë - në një farë mënyre e munde vdekjen. Po le të vazhdojmë me pyetjen tuaj. Ne s'duhet të bëjmë akuza, sepse jemi poetë, jo prokurorë. Gjykojmë fenomenet, jo njerëzit, dhe japim idetë tona. Apo jo?

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1