Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | INTERVISTA | NJË AGJENT I CIA-S, APO NJË SHQIPTAR I KULLUAR?

NJË AGJENT I CIA-S, APO NJË SHQIPTAR I KULLUAR?

Font size: Decrease font Enlarge font
image PIRRO LOLI

NJË AGJENT I CIA-S, APO NJË SHQIPTAR I KULLUAR?


( Bisede me shkrimtarin PIRRO LOLI mbi librin e tij “UNË, AGJENTI I CIA-S,  M. H.) 



Zoti Pirro, unë isha redaktore e këtij libri. Pasi kam lexuar gjithçka të botuar nga ty, këtë e lexova me një frymë. C’ju lidh ju me këtë libër, ngjarjet e të cilit kanë ndodhur fill pas luftës ? A e ndjeve problemin e “uljes “ se shkrimtarit tek një realitetet që i përket historisë ose letërsisë memoristike, apo,  mos e vërteta historike në penën e shkrimtarit bëhet më e vërtetë? 


Ky libër erdhi tek unë si pa trokitur, erdhi u fut në krijimtarinë time si një lindje e padëshirueshme. Miku im, Apostol Goçi, ma tregoi ngjarjen ashtu kot, si për të shtyrë bisedën. Nuk e dija se ai, ish-studenti im, kish strehuar dhe ish kujdesur për 17 vjet një agjent perëndimor, kur të tjerët e tregonin “diversantin” me gisht dhe i trembeshin si kolerës. 

Nuk di si pranova. Isha i ndërgjegjshëm se po veproja kundër natyrës sime. Do të udhëtoja me një personazh, të prerë për letërsinë policeske, me mbi 70 vjet të jetës së tij, pa shpresuar se do ta gjeja vetveten në ndonjë stacion; i trembesha realizmit të tij, gjuhës së varfëruar të sendeve, si pengesë ndaj lirisë së gjuhës sime, fantazisë dhe metaforës; i trembesha boshtit të tij të patundur, antikomunizmit, slogan i zakonshëm ky, si gjithë letërsia e angazhuar. Qe e frikshme bardhezia e tij dhe politikës nuk mund t’i shmangesh, si sëmundjes që nuk të pyet kur të kap. Kam bindjen se duhet ta lexojmë politikën si ligj – le t’i afrohemi kësaj maske – kjo do ta ekuilibrojë defektin e afërsisë sonë me veten...

 

C’është ky agjent ? Here pas here ju i thoni dhe personazh. Nga dallon në këtë libër njeriu konkret nga personazhi ?


 Muhamet Hoxha ishte një personazh i vetndërtuar. Aventura e jetës së tij që nga “Sokaku i të marrëve” në Gjirokastër, ku kish lindur dhe Enver Hoxha, fëmijëria, shkollat, futbolli, xhandari, “fashisti”, arratisja, diversanti, i burgosuri... e bënin të denjë për një personazh romani e vende-vende kapërcente çdo imagjinatë psikanalize dhe abstraksioni. Prandaj unë e bëra timin diversantin. 


 Paralel me te lexuesi njihet dhe me nje personazh tjeter, Apostol Gocin.

C’është ky njeri që të rrëmben gjysmën e librit ?


Me futjen e Apostolit në jetën e diversantit m’u lehtësua puna, m’u bënë dy personazhe. Apostoli shërben “për larje filmi” dhe qartëson jo vetëm figurën e tij, aq njerëzore e dashamirëse, por e “detyron” Barbën të zbulojë krejt dritën e shpirtit të tij, dritë plagësh e vuajtjesh njerëzore vërtet, por të një njeriu krejt tjetër nga ai “armiku” që na tregonte regjimi me gisht. Apostoli dhe familja e tij ndizen si vatër në mes të dimrit, ku Barba zgjat duart të ngrohet, të mbijetojë. Kështu ata zbulojnë mirësinë e njeri–tjetrit, ndërsa shpalosin, në atë barakën e thjeshtë të Bonifikimit, plagët e të tjerëve, që janë plotësisht edhe plagë të Atdheut. 

Dhe e bëra timin diversantin dhe Apostolin.


Megjithëse një njeri qe ka hequr të zinjtë e ullirit, agjenti “juaj” më është dukur njeri i lirë, madje , i lirë dhe nëpër burgje e kampe një jetë të tërë ?!!


Që në njohjen e parë pashë se ai ishte njeri çuditërisht i lirë, dhe brenda burgut e ruante lirinë e shpirtit të tij si një zog të paprekshëm, por që ia kanë ndaluar qiellin për fluturim; e pashë që ky “diversanti” ishte i mbushur me dashuri, patriotizëm dhe humanizëm kundër dhunës dhe tiranisë dhe e çmonte lirinë individuale si themelin e të gjitha lirive. Me këtë liri brenda vetes mbante peshën e jetës së tij mbi shpinë duke ardhur vërdallë si sfinks në të gjithë rrathët e Ferrit. Jeta e rrezikshme e rrethanave të jashtëzakonshme,  e detyronte të bëhej “komunist”, “fashist”, “tradhtar” – herë me Zogun dhe Legalitetin, herë “italian”, “gjerman”, rob i kapur nga gjermanët, italianët, rusët etj. Por thelbi i pandryshueshëm dhe i patundur i tij, që nuk e preku asnjë maskë e ekzistencës për mbijetesë mbeti Shqipëria dhe antikomunizmi.  


Dhe kjo është dhe drama e tij , apo jo ?


Brenda mureve të burgut ai nuk e bindi dot kohën e vet me drejtësinë e vet dhe drama e tij merr përmasat e një drame kombëtare ku “reaksionarët”, intelektualët e vërtetë të dyerve të mëdha të Shqipërisë – nuk arritën të realizoheshin, sepse liria e tyre ishte liria e munguar e kombit shqiptar. 

Vragë ndërgjegjeje ky personazh, por dhe portë e hapur për të parë të gjitha skenat gjakatare të diktaturës komuniste, ku vërtiten kriminelët si përbindësha, ndërsa tutje – tëhu qelive, burgjeve dhe kampeve të vdekjes, duket fytyra e vërtetë “e reaksionarëve”, mizorisht të poshtëruar, por fisnikë e të qëndrueshëm, si malet që lartësohen e zbardhen dhe nuk e njohin vdekjen. 


A nuk kemi të bëjmë me një personazh subjektiv, individualist ?


Po ju kuptoj. Madje ai këtë e shpreh hapur dhe nuk i shmanget debatit.

“Unë i vlerësoj gjërat sipas moralit tim.”, më thotë.

“Atëherë morali nuk ka metër dhe rrezikojmë të biem në autizëm, i them unë, - domethënë ta gjykojmë veten sipas vetes… Kjo stimulon subjektivizmin e skajshëm ose bërjen e historisë nga gjithkush…”

Por ai nuk dëgjonte dhe zverkun e kishte të trashë si të ujkut ndaj donte t’i mbaronte vetëm punët e tij.  Ekzistencat e fuqishme pranojnë vetëm aktet që mbështeten te vetvetja. Ndaj unë pashë tek ai personazhin e denjë për një roman.


 Shpesh agjenti “yt” del nga vetja, c’ raporte ndërton ai me të tjerët ?Pse duhet te jesh një agjent i tillë për të qenë patriot?


Po ta lexosh me kujdes Muhamet Hoxhën, ai flet pak për plagët e veta dhe shumë për plagët e të tjerëve. Kështu ai tenton të futet në histori, kërkon përfaqësimin dhe plagën si emërues të përbashkët. Kështu atij i hapet atdheu si dhimbje dhe çdo rast i rrokulliset si gur i përgjakur nëpër shtigjet e fatit dhe historisë. Por këta gurë duhet të ngrijnë, të ftohen që të futen bindshëm në histori. Ai nuk kërkon të shkruhet në histori, nuk thotë jam unë modeli i patriotit, jo, jo, ai vetëm kërkon ta shpallë vetveten. 


Ai  imponohet me fakte, a mund t’i vëmë në pikpyetje faktet ?A mjafton fakti për të vërtetën historike ?


Po, natyrisht, debati është i hapur. Vërtet që enciklopedia e fakteve është njeriu, por fakti duhet të jetë i besueshëm, të rrezatojë në të vërteta të tjera. Besueshmëria është çështje dokumentacioni, përvojash  dhe rrethanash. 

  Historianët seriozë duhet ta ndajnë faktin nga e vërteta. Këtë e realizon vetëm mendimi i qartë që ka forcën e abstraksionit. Vetëm ky mendim depërton mbi faktet, sepse faktet janë të rrezikuara pa njohjen e tyre në perspektivë; faktet e mbështjellin tiraninë e tyre dhe prodhojnë njerëz   të rutinës;  vetëm të dukshmen e shqisave; një empirizëm  i tillë krijon besimin e plotë te fakti, duke fikur kështu çdo shkëndijë të asaj drite (të së vërtetës), që e bën njeriun  intelekt të përveçëm, me të vërtetën si krijim. Fakt është jeta e tij mbushur me tmerr dhe vuajtje cnjerëzore, kjo është pamja, por  cështja shtrohet jo kush u vra, por kush vrau.


A mendoni se pjesëmarrja e shkrimtareve në problemet e së shkuarës le për të dëshiruar ?


Jo, nuk mendoj kështu. Shkrimtari ka specifikat e tij në aktivizimin intelektual. Ai është më “revolucionari” se jeton dhe me plagët e të tjerëve;  cdo gjë që i ndodh atdheut është plotësisht e tij.  

Plaga e tjetrit harrohet shpejt nëse vetë plaga hesht. Është koha që mbartësit e shumtë ta shpallin plagën, që ajo të bëhet dhe e të tjerëve, në të kundërt bora e harresës bie deri në gur të lumit.

Diktaturat ta kërcënojnë kujtesën me fshirje, siç ka ndodhur në mijëra raste. Harresa e shuan shpirtin e rezistencës ndaj së keqes, që kërkon djallëzisht të riciklohet, të hyjë e të dalë në skenat e njeriut shqiptar pa u ndëshkuar. 

Heshtja dhe harresa janë si gurët e varreve, që nuk flasin edhe kur janë buzë varrit. Intelektualët gojëkyçur përtypin vetminë e tyre dhe shuhen pa treguar se ç’ janë. Heshtja historike mund të jetë dhe mençuri, dinjitet ose sfidë, por kjo vetëm në kohë diktaturash, kur fjala s’ka vlerë dhe koha është e ndotur. Jo më kot diktaturat në fillim vrasin fjalën e lirë. 


C’qëllime synonte shkrimtari Pirro Loli me këtë libër ?..


Ndoshta ato që synonte agjenti “im”. Personazhi i këtij libri, duke përshkruar dhimbjet e plagëve të të tjerëve, realizon një pëshpëritje tronditëse për të gjithë martirët e vetëdijes dhe kulturës shqiptare, që u flijuan për komb e fe, liri e drejtësi. 

Muhamet Hoxha e ka gjoksin të gjerë. Ai s’kërkon aspak hakmarrje dhe revansh, vetëm kërkon që bëmat e diktaturës të lexohen si krim. Krimet nuk parashkruhen dhe nuk kanë emër tjetër. Ky popull ka të drejtë morale t’i shpallë sheshit armiqtë e tij. Të vërtetët dhe të sajuarit. Vetëm kaq. 


Po për pretendimet artistike ?


Kështu, ky libër memorial tingëllon dhe si metaforë përcjellëse e atij kumti-dëshmitar  kokëfortë, se si mund të thyhet e të shtrembërohet njeriu nga tirania dhe dhuna fashiste apo komuniste brendapërbrenda racës së vet, sepse e keqja që cenon të vërtetën historike nuk ka mbaruar, ajo rrjedh. Rrjedh  duke vazhduar të falsifikojë historinë… Është ajo kërthiza e paprerë që na shtrëngon në fyt…

Nëse arrita t’i përshkruaj plagët e këtyre martirëve me fjalë zemre, dëshiroj që të gjithëve t’ua zbus sadopak dhimbjet dhe, ndoshta, edhe lexuesi im e përjetoi edhe si kënaqësi estetike.


Faleminderit dhe ju urojme suksese te tjera.

                                  

 

                                                    ( Intervistoi Eva Vasha)


Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1