Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | INTERVISTA | SISTEMI KOMUNIST KISHTE VËNË NË FUNKSION HESHTJEN VRASTARE

SISTEMI KOMUNIST KISHTE VËNË NË FUNKSION HESHTJEN VRASTARE

Font size: Decrease font Enlarge font
image Agim Maton

Bisedë me Agim Maton, poet dhe drejtues i shtëpisë botuese “Milosao”

 

SISTEMI KOMUNIST KISHTE VËNË NË FUNKSION HESHTJEN VRASTARE

 

“Duke mos u marrë për kaq vjet me poezi (pas më se 30 vjet ndërprerjeje), laboratori krijues brenda meje, për kaq vjet po bënte një katharsis, po shkundte çdo gjurmë të metodës së socrealizmit dhe, pa e kuptuar, po përgatitej për një përfaqësim të ri në letërsinë shqipe” – thotë ndër të tjera poeti Mato, në bashkëbisedimin e zhvilluar me të.

 

Bisedoi: Ajete Zogaj

 

Zotëri Agim Mato, rridhni nga një familje intelektuale dhe e persekutuar për shkak të bindjeve politike nga regjimi komunist – enverist. Si i shihni atë kohë sot nga këndi i poetit që mund të shprehet lirisht?

A  mund të na flisni për rrugëtimin tuaj jetësor e krijues? Pse filluat të shkruani?

 

Përgjigje:Ishte një regjim diferencues dhe i pamëshirshëm kundrejt klasave që komunistët, kur erdhën në pushtet i quanin të përmbysura. Ata ngritën organizma “ndihmëse” të partisë, organizatat e ashtuquajtura të “masave” dhe i aftësuan për luftën e klasave. Im at, një intelektual që në fund të viteve 40 bëhej gati për në pension, befas u arrestua së bashku me një grup të madh intelektualësh të tjerë dhe një gjyq i komanduar në Gjirokastër, nën akuzën e grupit armiqësor për rrëzimin e pushtetit popullor, u dha 25 vetëve dënime maksimale. Kalaja e Gjirokastrës u bë hapsana e tyre. Isha 3 vjeç kur ndodhi kjo: kontrolle, sekuestrime deri te jorganët e sixhadet. 

            Fat i madh që ngelëm në Sarandë si familje, pasi dy motrat tona më të mëdha kishin qenë partizane dhe u favorizuam që nuk na internuan. Ato nuk i linin të vinin në familjen tonë, të takoheshin me ne dhe të na ndihmonin në jetë. Në vitet 50 funksiononte sistemi i triskëtimit për bukën e përditshme dhe ne nuk na takonte të merrnim triska buke si të tjerët. Nënën tonë, që nuk ishe marrë kurrë me punë të rënda në  jetë, e kishin çuar të punonte larg qytetit, në një stallë derrash dhe kthehej vonë në shtëpi. Rroga e saj nuk arrinte për të mbajtur frymët tona. Me zor siguronim një palë pantallona të shkurtra dhe ndërronim sandalet me njeri tjetrin në palcë të dimrit. 

            Saranda, qyteti më i familjarizuar me detin, që të gjithëve u rrinte në sy, e mbushte shpirtin tonë dhe shpesh na bënte t’i harronim privimet e jetës. Gjithmonë e kam quajtur si një fat të madh që jemi rritur në këtë qytet dhe poezitë e mia për të janë ndoshta nga krijimet më të arrira. Qytet tipik mesdhetar me një liman gjysmë harku në mes të gjirit të detit, me pak vila luksoze të së shkuarës dhe radhën e barakave prej druri, me malin në shpinë, që e rrethonte dhe e mbronte nga erërat e kontinentit. Natyra e arreduar si në ëndërr, klima subtropikale ishin një mundësi për të harruar mungesat dhe diferencimet për ne fëmijët e familjeve të rëna nga vakti e të ndëshkuara nga sistemi komunist. 

            Atëherë kisha vendosur të bëhesha piktor dhe përditë hidhja në letër peizazhe ku spikasnin qartë bukonvilet, palmat, muret antike të qytetit, anijet e peshkatarëve, oktapodët që i përplasnin  në muret e bulevardit për të shkrifëruar muskujt e egër të tyre, plazhi i vjetër, Guri i Madh, shkallaret karakteristike, porta e Onhezmit e rrëzuar në det, çatitë e kuqe të vilave, eukaliptet, dallgët, fiqtë e detit, ishulli i Korfuzit përballë. Fitova konkursin për shkollën e artit dhe kur m’u mohua e drejta për të shkuar në atë shkollë, pësova gjendjen e parë shokuese në jetë. Trishtimin për këtë humbje e zëvendësova me një ëndërr tjetër, duke transferuar peizazhet, tablotë që mbijetonin brenda meje me poezitë e ngarkuara me këto elemente të natyrës. Në gjimnaz një mësues letërsie, duke korrigjuar hartimet e mia, iu përgjigj kësaj tendence duke shkruar në fletoren time: “Nuk është vendi këtu për të zhvilluar talentin, megjithëse keni mendime dhe shprehje të bukura.” Po ky mësues më bëri ta përsërisja vitin shkollor të klasës së 10 – të, duke më lenë për në vjeshtë. Një padrejtësi e vogël e kësaj lufte, si një paralajmërim i mohimit total të së drejtës së studimit për universitet. Por atëherë kisha gjetur rrugën e shpëtimit të shpirtit tim. Poezia brenda meje ishte një forcë, që nuk mund ta thyente kush. Jeronim De Rada i madh, me stofin e butë të poezisë së tij më preu një kostum lirik e të ngrohtë. Kur më ra në dorë libri “Fije bari” i Uollt Uitmanit, jetova për vite me radhë dimensionin universal të botës së tij. Pablo Neruda, me klithmën poetike të Valparaizos u bë ati shpirtëror i motiveve, ku  oqeani me shkulmet e tij drithëronte vetminë time.

 

Filluat të krijoni si i ri, po e ndërpret punën krijuese. Pas 30 vjetëve filluat përsëri të shkruani e të botoni. Sa ka qenë e vështirë që për kaq shumë vite  ta mbani frymëzimin dhe poezinë brenda shpirtit tuaj krijues?

 

Përgjigje  Në moshën20 vjeçare nisa për shtyp librin e parë, të titulluar “Jug”, në vitin 1969. Andrea Varfi ishte redaktori im i parë, të cilin ma anatemuan disa të rinj dhe më thanë se ai nuk ka për të ta botuar, për tendencat moderniste. Por Andrea më habiti kur më tha se vargu im i lirë ka të fshehura brenda kadencat e poezisë popullore. (Unë nënkuptova De  Radën) “Duhet ta pjekësh librin me tematikat e ditës, si për Partinë, për aksionet, etj.” më tha. Pas një muaji kisha nxjerrë nga “furra” këto dy tematika të sugjeruara dhe libri u fut në shtyp. Libri u zgjodh nga 20 vëllimet më të mira të vitit bashkë me vëllimet e Xhevahir Spahiut dhe Ndoc Paplekës për një diskutim në Lidhjen e shkrimtarëve për poezinë e të rinjve, ku folën Fatos Arapi, Dritero Agolli dhe një duzinë diskutantësh të tjerë. Vlerësimi ishte impresionues.

            Në Sarandë, pas përfundimit të ushtrisë, shkoja në zyrën e kryetarit të qytetit  për të kërkuar punë. Nuk më jepte autorizim të filloja punë në qytet por në ndërmarrjen bujqësore, që unë nuk pranoja, sepse kjo më pengonte për punën krijuese. Në një nga herët që ai më ofronte punë në ndërmarrjen bujqësore, kur dola unë, një oficer që ishte në pritje si këshilltar, i thotë kryetarit: “Pse nuk i jep një punë në qytet? Ky duket goxha djalë i edukuar!”. “Kërkon  kallëza në dëborë.” i përgjigjet. “Ai është djalë armiku”. Por me disa ndërhyrje, unë hyj në punë në Ndërmarrjen e ndërtimit si punëtor për hapje themelesh. Botoj cikle poetike te Zëri i Rinisë dhe te Drita. Emri fillon e bën punën e vet. Aktivizohem në Shtëpinë e Kulturës për tekste këngësh. Drejtori i ndërmarrjes, duke parë se unë kisha dorë si piktor më emëron disenjator. Më vonë më marrin në gazetën lokale “Fitorja”, tërësisht politike. Aty komunistët nën zë çuçuritnin “Si ka mundësi që biri i armikut të punojë atje ku djemtë tanë e ëndërrojnë të jenë?” Pas 1 viti më hoqën me marifet dhe fillova sërish dizenjon. Erdhi 1974 – tra. Libri i dytë i titulluar “Në pragun e shtëpive tona” vlerësohet dhe i akordohej çmim në konkursin e 30 vjetorit të çlirimit. Për këtë u kërkua mendimi nga organet e partisë në rreth. Rrethi jo vetëm që nuk e pranoi por nisi propozimin për heqjen e së drejtës së botimit. Librat u tërhoqën nga bibliotekat dhe libraritë dhe u kthyen në karton, emri im u fshi për vite me radhë.  Deri pak para shembjes së diktaturës nuk botova dot asnjë rresht. Në 1986 më botuan një libër të titulluar “Buka e fjalëve”, për të cilin nuk u tha asnjë fjalë. Poeti i mirënjohur Fatos Arapi erdhi në Sarandë dhe organizoi një diskutim krijues. Bëri vlerësime që më prekën. Shkrimin që përgatiti pas kësaj për gazetat letrare nuk ia botuan, me pretekstin se më bëhej dëm. Si duket ishte vënë në funksion heshtja vrastare. Për 30 vjet me  radhë e humba besimin në vetvete dhe e mbylla kapitullin e poezisë. 

 

Më 2016, keni botuar vëllimin “Pluhuri i artë i përjetësive” i cili u vlerësua nga kritika si filozofi më vete. Ka pasur dhe vlerësime të tjera. Sa ju motivojnë këto vlerësime  për punën  dhe veprimtarinë krijuese?

 

Përgjigje   Duke mos u marrë për kaq vjet me poezi, laboratori krijues brenda meje, për kaq vjet, po bënte një katharsis, po shkundtte çdo gjurmë të metodës së socrealizmit dhe, pa e kuptuar, po përgatitej për një përfaqësim të ri në poezinë shqipe. Në vitin 2000 unë iu ktheva poezisë me një kapacitet të plotë krijues dhe brenda një viti doli nga shtëpia botuese “LULU” në Amerikë vëllimi “Jashtë eklipsit” për të cilin u shkruan dhjetëra artikuj vlerësues. “Pluhuri i artë i përjetësive” është i katërti në radhë pas kthimit në letërsi. Në të tre librat e botuara pas vitit 2001 derdha tërë gjendjen e akumuluar nga jeta në vitet e hidhura të socializmit. Ata ishin: “Jashtë eklipsit”, “Fundo” dhe “Lundrimet”. 

                        Kur fillova së shkruari “Pluhurin e artë të përjetësive” ishte ezauruar ai presioni i madh i impresionove të së shkuarës që nuk më linte të qetë. Motivet u shtruan dhe filluan të shfaqeshin më të spikatura me përgjithësime jetësore, që ju po i quani filozofi më vete. 

                        Natyrisht është parë me simpati çdo debutim i ri i imi, çdo dukuri e re dhe u jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë ndjekur tashmë hapat e mia në këtë drejtim. Motivimi është i shoqëruar me një përgjegjësi edhe më të përkushtuar në këtë drejtim.

 

Viti 2014 për ju ishte vit i suksesshëm, ngase botuat vëllimin poetik “ Lundrimet” si dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë u akordoi titullin “Mjeshtër i Madh”. Ky titull, është privilegj, meritë, apo përgjegjësi?

 

Përgjigje. Nuk kam ndërmarrë ndonjë fushatë për të kapur këtë titull, që më pas pashë se disa krijues të brezit tim e kishin përfituar këtë nder me të drejtë. Në fillim, kur mora vesh se po përgatitej dhënia e këtij titulli, fillova të ndjehesha i shqetësuar, sepse nuk isha i mësuar me trajtime të tilla për gjithë vitet e jetës sime prej eremiti të vetmuar. Ju po rreshtoni tre ide se: ç’është ky titull për mua: privilegj, meritë apo përgjegjësi. Anoj nga një lloj përgjegjësie si qytetar dhe si krijues.

 

Drejtoni shtëpinë  botuese “Milosao”. Si ju lindi ideja ta themeloni dhe cilave botime dhe autor u jepni hapësirë botimi?

 

Përgjigje. Ideja lindi nga udhëkryqi në të cilin u ndodha në fillim të viteve 90. Unë dhe ime shoqe ishim pa punë. Ç’drejtim duhet të merrnim? Kishim 3 fëmijë të vegjël.  Nisëm me një fotokopje, në një barakë të vogël me qira në afërsi të gjykatës së Sarandës. Aftësia prej disenjatori bëri që të konceptonim libra për nevoja të ndryshme, të shkollave apo të individëve. Atëherë mendova se ishte mirë të blihej një shtypshkronjë e vogël, po lekët ku t’i gjenim?... Po sikur të shisnim shtëpinë? U tha dhe u bë. Zumë një apartament me qira dhe brenda një muaji nga blerja e makinerive botuam librin e parë, që na e rriti besimin dhe autorët nisën ta vizitonin ambientin e vogël të saj. Nuk qe e vështirë t’i gjeja emrin: e quajtëm Milosao, në evokim të heroit të parë letrar të letërsisë moderne shqipe. Çdo vit botojmë mbi 30 tituj nga autorët e zonave jugore të Shqipërisë, nga emigrantët shqiptarë të Greqisë, Italisë, Kanadasë, Anglisë, etj. Botojmë pak autorë të huaj, sepse vëmendja jonë është e drejtuar tek letërsia shqipe, të cilës i përkasim.

 

Keni në shtyp librin me poezi “Shkretëtirë harrimi” të zgjedhur nga Anton Nikë  Berisha dhe me parathënie të tij. Çka do të thotë për ju ky botim dhe vlerësimi që i bëhet poezisë suaj?

 

Përgjigje:Është libri që është hartuar nga Profesor Anton Nikë  Berisha, duke zgjedhur krijime nga katër librat e fundit me poezi. Ka pak vjet që njihem me Antonin dhe së bashku kemi shkuar në dy veprimtari ndërkombëtare poetike: në Bari të Italisë ku nga shoqata vendase “La Vallisa” u mbajtën disa kumtesa për krijimtarinë time poetike dhe tjetra është në takimin për ditën botërore të poezisë në Formia, organizuar nga poeti i mirënjohur Giuseppe Napolitano dhe mbështetur nga komuna e qytetit. Antonin e njoh si një erudit të palodhur, që me korpusin e studimeve të tij nga trashëgimia arbëreshe e letërsisë së kultivuar dhe asaj popullore ka krijuar një bibliotekë për t’u pasur zili, me studimet për letërsinë e vjetër shqipe, që nga Buzuku e Pjetër Budi, përkthimet e ndryshme e deri tek letërsia e mirëfilltë që kultivon, poezi, romane, etj. Së fundi kam venë re se  harton antologji të ndryshme autorësh nga Kosova dhe këto ditë kam rënë “pre” e këtij pasioni të tij edhe unë. Më ka pëlqyer përzgjedhja, “Shkretëtirë harrimi”, e kam lexuar parathënien e tij prej 30 faqesh dhe e falënderoj për konsideratat që hedh në të.

 

Thuhet se poezia është art elitar, apo siç thoshte Azem Shkreli “Mos u bëjë poet, nëse nuk mund të vdesësh për secilën fjalë, për secilin varg”. Si poet si e vlerësoni këtë mendim?

 

Përgjigje: Azem Shkreli ka qenë një poet i dashur dhe egzigjent, për mua. Deduksioni i tij te kjo shprehje e qëlluar është antikonformist, për misionin fisnik të poetit. Veçanërisht ky deduksion i misionit poetik duhej të ishte primar në përballimin e klisheve të realizmit socialist që lulëzoi për vite me radhë në vendin tonë. Kjo ngelet më se aktuale sot, duke braktisur të shkuarën dhe duke ruajtur me rreptësi sinoret e parimeve krijuese dhe më tej, duke ruajtur të pastër figurën e poetit në veçanti.

 

Shtëpia botuese “Milosao” në vitin 2016 ka nxjerrë nga shtypi librin “Na bashkon një det” antologji me poetë italianë dhe shqiptarë të jugut, e botuar edhe në italisht.  Çka përfaqëson dhe çfarë vlere ka kjo antologji?

 

Përgjigje:  Po, është një antologji që përfaqëson realisht nivelin aktual të poezisë që kultivohet në jug të Shqipërisë dhe në jug të Italisë. Në të janë përfaqësuar 12 poetë nga trevat shqiptare të jugut dhe 12 poetë të trevave italiane. Secili ka nga 6-7 faqe poezi për t’u përfaqësuar. Antologjia doli e suksesshme për të dyja brigjet. 

            “Na bashkon një det” lindi si fryt i bashkëpunimit  të grupit të “La Vallisas” të Barit dhe “Klubit të krijuesve Jonianë” të Sarandës, pas shkëmbimeve të poetëve të secilit në veprimtaritë letrare. Grupin e “La Vallisas” e kryeson poeti i mirënjohur prof. Daniele Giancane me rreth 100 libra poetikë, një autoritet letrar në jug të Italisë.

            Në artikujt kritikë që dolën në Itali si ai i Grazia Stella Ellia nënvizohet se “Kjo antologji vjen me ogurin që deti të vazhdojë të bashkojë në emër të kulturës dhe të poezisë. Kjo antologji, është e bukur, e vlefshme, për të njohur poezinë e shumë shkrimtarëve, secili me tiparet e veta, secili sjellës i mesazheve humane dhe civile, secili me frymëzimin e vet poetik.”

 

Prishtinë, 16.04.2018        

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1