Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | INTERVISTA | Asgjë nuk është e pa arritshme

Asgjë nuk është e pa arritshme

Font size: Decrease font Enlarge font
image Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

ETA MODEL E NJË SHKENCËTAREJE- PROF. DR. SABILE KEÇMEZI-BASHA

Nga Ajete ZOGAJ

Me prof. dr. Sabile Keçmezi-Bashën, bëmë intervistë në lokalet e Institutit të Historisë së Kosovës. Temë boshte e bisedës sonë ishte veprimtaria shkencore dhe krijuese e saj. Ajo, duhet thënë pa modesti, se është njëra ndër femrat shkencëtare më produktivja në fushën e shkencës gjithashtu, edhe të krijimtarisë letrare. Si gjithmonë modeste, e buzëqeshur dhe me dashamirësi na priti në zyrën e institutit, me shpresë se një ditë do të shpalosim edhe tema të tjera më të përimtësuara për jetën dhe veprimtarinë politike të saj.

Zonja Keçmezi-Basha, gjerë më tani ka botuar këto vepra shkencore: Programet Politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, 1878-  1990, I.H. Prishtinë, 2013, 1-429 f. ;Veprimtaria atdhetare ilegale në Anamoravë 1945-1990,  Pjesa e  Parë, I.H. Prishtinë, 2013, 1-409 f; Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945 -1990, Logos-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2010, 1-600 f; Shtypi ilegal shqiptar në Kosovë (1945-1999), I,Prishtinë, 2009,1- 570  f; Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989,Prishtinë, 2003,1-346 f; Lëvizja patriotike shqiptare në Kosovë 1945-1947, (ribotim),  Shkodër, 1999; Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë më1945 1948,  Prishtinë, 1998,1- 303 f; Monografia "Gjilani me rrethinë" (bashkautorë), Gjilan , 2012; Sulejman Krasniqi-Veprimtaria atdhetare, Shoqata e të  Burgosurve politik,  Prishtinë, 2012,1- 335 f; Ekspozitë “Shtypi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare   (1945 -1999),26 nëntor  2012. Kuvendi Komunal –Gjilan; Kontributi atdhetar i Hyrije Hanës, Libri Shkollor,Prishtinë,  2011,1- 330 f;  Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare 1945-1990), III,  (Qëndresa Shqiptare; Krahu i Shqiponjës; Kosovarja e Re ), Libri Shkollor, Prishtinë  2011,1- 323 f;  Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare (1945- 1990), II  ,,(Lajmëtari i Lirisë; PërpjekjaKosovare), Libri  Shkollor,Prishtinë 2011,1- 303 f; Zhvillimi historik i PKJ-LKJ-së në Kosovë  më 1945-1966 (nga  viti 1945 deri te Plenumi i Brioneve), Instituti i Historisë, Prishtinë,1987,1- 285 f; Vlerësime politiko-historike, Brezi’81, Prishtinë, 2012, 319 f; Kosova 1945-1990 (Vështrim politiko-historik), Instituti i Historisë,1- 2017,1- 577 f;  Formimi dhe veprimtaria e NDSH-së - Procesi gjyqësor i  Prizrenit, 1946, Instituti i Historisë,  Prishtinë, 2018,1- 750 f; Ngjarjet, dëshmitë dhe  identiteti Kombëtar, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2018,1-567 f;  Ballafaqim me dëshmitë historike, Instituti i Historisë,  Prishtinë,2018,1-550 f.

Botime letrare:  Këmisha e Atdheut  (poezi), LSHK, 2013; Metaforë iberike (poezi), LSHK, 2011; Kujtesën e ka kapur skleroza (poezi), LSHK, 2011; Nusja e gurtë (poezi), “Rilindja” 1989;  Kohë epileptike (poezi), “Jeta e Re” 1996;  Dy lule ka mami (poezi), “Pionieri” 1993;  Ëndrrat e trishta (poezi), “Rilindja” 2000; Hadi (dramë), SHSHK 2005; Nata pa kornizë (roman), LSHK 2008;  Malli për Itakën (poezi), LSHK 2008;  Anatomia Iubirii (poezi), Bukuresht 2009;  Kodi i pritjes (poezi), LSHK, Prishtinë 2010; Në klasën e parë (Poezi), Era, Prishtinë 2016; Testament, (Poezi), LSHK, Prishtinë 2018;  Beni e qenushi, (Poezi),LSHK, Prishtinë 2018; Çka do pritja pa mua, (Poezi), LSHK, Prishtinë 2018

Zonja Keçmezi-Basha, jeni femra e parë që keni mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, gjithashtu jeni edhe femra më e re që keni doktoruar, a mund të na përshkruani këtë rrugëtim, sa sfidues aq edhe domethënës?

Eeee me ktheve mbrapa në kohë, e në atë kohë ka momente të gëzuara por edhe të trishtuara. Ka momente kur njeriu pyet veten, athua vërtet unë e kam kalua atë rrugë që jetë i thonë. Megjithatë, qëllimi për të bërë diçka, për të arritur në anën tjetër të segmentit jetë, të gjitha tejkalohen me një angazhim e punë të vazhdueshme. Vite të vështira ishin ato, atëherë kur nga fshati im i lindjes ende nuk kishte asnjë femër që kishte vazhdua shkollimin e mesëm, e mos të flasim të ishte në ndonjë fakultet. Isha femra e parë nga fshati që vazhdova mësimin në shkollë të mesme, pastaj isha femra e parë që mbarova Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Po ashtu isha edhe femra më e re që kisha doktorua në Kosovë, Ishte viti 1972, kur bota ziente, e mos të flasim për Kosovën që ishte koloni e Serbisë, por dëshira e madhe në të vërtet e babait tim për të vazhduar studimet në Shkencat Politike, ishte një ëndërr që unë isha ajo që duhet bërë realitet. Për babin tim (që kishte qenë veprimtar i NDSH-së në Anamoravë, pastaj dy herë i burgosur politik, pastaj edhe vdekja e tij edhe sot është enigmatike), shkollimi dhe angazhimi i femrës në rrjedhat shoqërore , politike e shkencore ishte i domosdoshëm dhe imperativ i kohës. Gjithmonë më fliste babai se fëmijët në këtë botë nuk vijnë vetëm për vete por kanë edhe një mision edhe më të rëndësishëm që duhet dashur, punuar e mbrojtur atdheun. Në kohën kur unë regjistrova Fakultetin e Shkencave Politike, thënë të drejtën shumë pak njerëz dinin se çfarë është   ky fakultet. Por babai kishte këmbëngul qe unë duhet shkuar atje dhe duhet përfunduar  fakultetin, ngase në Prishtinë mungonte një i tillë, dhe mendonte se Kosova, ka  nevojë për kuadër të tilla. Në këtë rast nuk dua të flasë për peripecitë e rrugës së shkollimit, ngase kanë qenë të shumta, vetëm merrje me mend të shkosh në një qytet të panjohur, me një mosnjohje aspak të gjuhës dhe të ballafaqohesh me disa profesorë që iu dukëte qesharake, që shqiptarja vjen dhe studion shkencat politike, “kur ju nuk keni as republikë e as shtet tuaj” më patë “sugjerua” një profesorë,  që më mirë të studioja mjekësin apo juridikun se Kosmeti kishte nevojë për kuadro te tilla, e sëmundjet e shumta e kriminaliteti politik është shumë i lartë atje tek ju. Dhe çfarë ndodhi, fjalët e profesorit më shtynë që punën e nisur ta përfundoja sa më parë, dhe të kthehesha nga kisha ardhur. Puna gati-gati pak me shume  orësh mbi libra, ndikoi që pas katër vitesh të kthehesha me diplomë dhe të punësohem në Institutin e Historisë ku edhe sot punoi.

Në rrethanat dhe kohën kur ju u shkolluat, shkollimi i femrës ishte shumë i vështirë. Sa i motivuan të arriturat tuaja, femrat e asaj ane, dhe femrës kosovare?

E thash më lartë se unë isha femra e parë nga fshati që kisha fillua mësimet në shkollë të mesme, por dua të them se më vonë, numri i tyre u shtua dhe shkollimi i saj në komunën e Dsrdanës-Kamenicës shihej si domosdoshmëri. U shtua numri që vijuan fakultetet në Prishtinë e gjetkë. Por, motivimi kryesor u arrit, kur unë përfundova studimet dhe fillova punën, atëherë ishte kurorëzimi i plotë i punës sime katërvjeçare. Atëherë u prek suksesi, dhe më, shkollimi i femrave nuk ishte tabu, por një gjë që të bënte të barabartë me të tjerët. Nuk dua të them me meshkujt, ngase në anën time në veçanti e tek shqiptaret në përgjithësi është respektua gruaja. Andaj unë zakonisht unë e kam ndi veten me fat, se si nga babai por edhe nga rrethi kam qenë e barabartë me të tjerët e herë- herë, kam qenë edhe e privilegjuar nga të tjerët. Dhe sigurisht, kjo ka ndikuar tek gjeneratat e reja për të ecur  shtigjeve që i thonë shkollim.

Puna juaj shkencore është shumëdimensionale, periudhash të ndryshme. Do të veçoja librin “Të burgosurit politik shqiptar 1945-1990”, pastaj “Kosova 1945-1990 (vështrim historiko-politik); “Shtypi ilegal shqiptar në Kosovë 1945-1990” ( tri vëllime); Programet Politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare 1878-1990”; “Organizata dhe grupet ilegale në Kosovë 1981-1989”; “Kontributi atdhetar i Hyrije  Hanës” e shumë e shumë libra të tjera të cilat me këtë rast nuk mundemi ti përmendim, nga ky motivim që të shkruani këto monografi?

Asgjë nuk është e pa arritshme, vetëm duhet pasur motivim, arsye dhe dashuri. Thënë të drejtën gjerë më tani, kam shkruar dhe kam në dorëshkrim mbi 35 monografi shkencore duke mos e përmendur prozën e poezinë që i kam pasion. Unë jam Këshilltare shkencore në Institutin e Historisë “Ali Hadri “ në Prishtinë dhe dihet se instituti merret me hulumtimin dhe shkrimin e historisë së popullit shqiptarë. Andaj duke parë dhe përjetuar të kaluarën tonë të bujshme e të dhembshme historike, vetvetiu të imponohej që të hulumtosh e të shkruash atë. Shtrohet pyetja si do dëshmonim ne për padrejtësit e shumta historike poqese nuk do i paraqesim argumentet shkencore.  Ka kaluar koha kur ne e mësonim historinë si prrall. Kur isha e vogël më tregonte gjyshja kur kanë hy bullgaret në anën tonë, ose kur i kanë marr burrat në mes të natës në hetuesi në kohën e Rankoviqit, për armën që nuk e kanë pasur, dhe ka ndodhë shpesh që ata ose nuk janë kthyer fare ose i kanë sjellë të alivanosur në shtëpi të gjymtuar. Dhe si fëmijë, e dëgjoja dhe mendoja çfarë prralle e tmerrshme. Por më vonë, kur hyra në arkiva të ndryshëm, gjeta dëshmi edhe më të tmerrshme seç më tregonte gjyshja. Dhe duhet zbuluar, nxjerr nga pluhuri dhe duhet dëshmuar se ato janë aty, me vulë, me nënshkrime, me emra njerëzish e çka jo tjetër. Materialet janë aty, vetëm duhet hulumtuar, sistemuar, botuar por çka është më e rëndësishmja libri shqip duhet përkthyer në gjuhë të huaj, që të bëhet më e kapshme për ta konsumuar të tjerët. Tani për tani historia e përkthyer na mungon, andaj edhe është krejt e natyrshme që mos ta dijë bota të vërtetën për shqiptarët. Në këtë drejtim duhet të jemi më të angazhuar dhe duhet  depërtuar historia e shqiptarëve në të gjitha bibliotekat  e rëndësishme në botë. Ta zëmë, libri “Të burgosurit politik shqiptarë 1945-1990), nuk është thjeshtë një libër, ajo është një histori e tmerrit e dhunës nga okupuesi, të burgosurit politik shqiptar, nuk janë vetëm numra (statistikë), ata kanë emër e mbiemër, kanë datëlindje e vendbanim , kanë vitin e dënimit, nenin pse dënohej, dhe vitin marramendës të burgut, kanë dosjet kanë organizatën kanë programin e tyre politik dhe krejt në fund kanë aktgjykimin e vulosur nga ana e gjykatësit. Kishte me qenë paradoksale diku tjetër, por në Kosovë ka qenë krejt normale që nga viti 1945 e gjerë më 1990, shqiptarëve të dënuar politik t’iu shqiptohen 666 shekuj,72 vjet e 7 muaj burg. Dhe nuk gjendet mundësia që ky libër të botohej në gjuhën angleze dhe të shpërndahet në tërë botën me ndikim. Ne shkencëtaret këtë punë bëjmë, ama duhet bërë mirë dhe me përkushtim se përndryshe do na hakmerret historia. Duhet shtuar edhe këtë se unë merrem me histori bashkëkohore, kryesisht me lëvizjen ilegale, andaj edhe librat e mija kanë këtë përmbajtje. Historia e Kosovës sa i përket organizatave ilegale nuk është mjaftë e hulumtuar. Është një periudhë historike shumë e rëndë dhe shumë e vështirë për tu shkruar, ngase është një kohë mjaftë e afërt dhe aktorët e këtyre ngjarjeve janë ende gjallë, (si ta marrësh këtë kohë), është mirë ngase mund ti përdorim si subjekte dëshmuese historike) por mund të jetë edhe e dëmshme ngase çdo periudhë ka dritë-hijet e veta dhe është domosdoshmërsi e ngutshme, të shkruash për disa  persona, ngase ata kanë familjarët e tyre të gjallë dhe nuk kisha dashur asnjëherë me dashje që ti lëndoi. E shohë insistimin e juaj tek libri për Hyerije Hanën. Mund të them se zonja Hyrije ka qenë një personalitet i historisë më të re të Kosovës që ka bërë shumë dhe është sakrifiku për lirinë e sajë. Një histori e dhembshme për një grua të çeliktë. Fati tragjik gati-gati e ka përcjell tërë familjen. Hyrije Hana ishte motër e patriotit të madh Xheladin Hanës. Ishte krejt normale që të pritej një dhunë e tillë nga pushtetarët edhe për Hyrije Hanën...

Gjithashtu, jeni një hulumtuese e palodhur e shumë arkivave, me theks të veçantë të Lëvizjes Ilegale në Kosovë, e  shtypit të ilegales si në Kosovë edhe në  mërgatë, për çka keni botuar edhe tri libra dhe keni shumë të tjera në dorëshkrim, çfarë mund të na thoshit.

Mirë e thatë ju, libri shkencor nuk mund të shkruhet ta zëmë si romani. Duhet hulumtuar në arkiva të ndryshme për të sjell prurje të reja shkencore. Por , kur është fjala te shtypi i ilegales në vend dhe në mërgatë ndryshon puna. Shtypi i organizatave ilegale është botuar ilegalisht dhe është shpërndarë ilegalisht, andaj rrallë për mos thënë fare nuk ndodhet në arkiva apo në biblioteka. Të gjitha shkrimet që i kam bërë për shtypin, kryesisht i kam huazuar nga individët, të burgosurit politik, që i kanë ruajtur nëpër thasë të plastikes  të futura nën dhe apo në bunarë siç ishte rasti i Rexhep Malës, që shumë vonë janë zbuluar. Pastaj tek –tuk i kam gjetur në dosjet e të burgosurve politik kur me rastin e arrestimit i kanë zbuluar në shtëpitë e tyre që në procesin gjyqësor janë përdorur si dëshmi për veprimtarinë e tyre ilegale. Ndërsa shtypi i mërgatës, atje ku asht botua, në shtete të perëndimit, ka qenë legal, por me shumë vështirësi është futur brenda, por ta gjetur ka qenë pakëz më i lehtë, ngase ka qenë e mundur, organizatat kanë pas edhe arkivat e tyre dhe njerëzit qëllim mirë, mi kanë huazuar dhe mu nga kjo punë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë kam hapur një ekspozitë me kopertina e shtypit ilegal që është botuar në Kosovë por edhe në mërgatë. Tani jam në përfundim të librit, që shkruaj për gazetën “Besa“ të shqiptarëve që është botuar në Stamboll, dhe për disa të tjera jam duke i grumbulluar materialet e nevojshme.

Zonja Basha, në këtë kontest të hulumtimit, si e shihni rolin  e mërgatës dhe shtypit të saj  karshi Kosovës dhe zhvillimeve historike?

Në vazhdën e shumë gazetave dhe publicistikës ilegale, që botoheshin në Kosovë, vend të rëndësishëm zë edhe shtypi i mërgatës, që botohej nga mërgata shqiptare. Mirëpo, para se të shkruaj për shtypin e ilegales në mërgatë, do të ndalesha vetëm pak, sa për të bërë një informim të shkurtër për zhvillimin dhe ecurinë e saj. Në shtetet evropiane, por edhe në tërë globin, kudo që ishin dhe jetonin shqiptarët, temë kryesore, çështje mbi çështjet, ishte dhe ngeli Kosova dhe viset e tjera shqiptare që kishin mbetur nën okupimin serb e jugosllav. Duke e parë se dhuna e terrori ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi dita më ditë po përshkallëzoheshin, shqiptarët që ndodheshin jashtë vendit kishin bërë organizime të ndryshme ilegale, vetëm e vetëm për të ndihmuar dhe për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për gjendjen e padurueshme nën okupim në të cilën ndodheshin Kosova dhe tokat e tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Pas vitit 1945, në botën perëndimore po vazhdonte tradita patriotike e mërgatës shqiptare, sikurse ishte vepruar edhe më herët, siç kishin vepruar shoqëritë shqiptare të Stambollit, të Bukureshtit, të Sofjes, të Selanikut e shumë të tjera. Veprimtarinë atdhetare të mërgatës shqiptare, sipas ecurive të saj pas Luftës së Dytë Botërore (1945), e kam ndarë në dy etapa. Etapa e parë fillon që nga viti 1945, për të përfunduar më 1966 (me Plenumin e Brioneve). Kjo periudhë karakterizohet me një organizim më të madh. Në krye të saj ndodheshin intelektualë të shumtë, të cilët kishin ikur e kishin emigruar menjëherë pas LDB-së, duke mos qenë të kënaqur me sistemin e ri komunist në Shqipëri, por në këtë grupim bëjnë pjesë edhe atdhetarët e tjerë, që ishin të zhgënjyer e të dëshpëruar me padrejtësitë e tradhtitë që iu bënë Kosovës, me aneksimin e saj nga Serbia e ish-Jugosllavia. Anëtarët e këtyre grupimeve të  mërguarve, edhe pas largimit nga vendi, përsëri kishin vazhduar veprimtarinë e tyre atdhetare, duke formuar organizata të njëjta në mërgim, sikurse ato që kishin vepruar në atdhe, si: “Lëvizja e Legalitetit”, “Balli Kombëtar”, “Partia Agrare”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Besëlidhja Kombëtare Shqiptare” etj. Ndërkaq, etapa e dytë e mërgatës kap periudhën 1966-1999, në të cilën janë përfshirë organizatat politike të mërgimtarëve shqiptarë, që kryesisht kishin shkuar për të punuar, rëndom si punëtorë të zakonshëm, në shtetet perëndimore, po kishte edhe të tillë që, nga dhuna e terrori i paparë që ishte ushtruar ndaj tyre, kishin marrë botën në sy. Në fillimet e viteve ’60 të shekullit XX, në këtë lloj mërgate mungonte organizimi i mirëfilltë politik. Mirëpo, me kalimin e viteve, numri i të ikurve shqiptarë nga ish-Jugosllavia u shtua dukshëm, ndërsa disa prej tyre ishin edhe anëtarë të organizatave ilegale që vepronin në Kosovë. Shpesh ndodhte që disa nga ta ,të merrnin hapa të mëtejshëm dhe formonin grupime të reja politike. Nga ky grupim duhet përmendur organizata ilegale “Fronti i Kuq”, të cilën e udhëhiqte me shumë sukses Ibrahim Kelmendi. Kjo organizatë gjatë tërë veprimtarisë luajti një rol të rëndësishëm për propagandimin dhe inicimin e shumë problemeve që kishin të bënin me Kosovën dhe rreth saj. Ajo, jo vetëm që u angazhua për shpërndarjen e literaturës së marrë nga Kosova si dhe nga Shqipëria, por edhe vetë nxori gazetën “Bashkimi” në gjithsej pesë numra. Po ashtu, mori përsipër organizimin e shumë manifestimeve antijugosllave si dhe, në bashkëpunim me grupime të tjera ilegale, nëpër qytete të ndryshme organizoi demonstrata, greva, protesta dhe ligjërata të ndryshme antijugosllave. Në mërgatën shqiptare, me mjaft sukses vepronte edhe dega e OMLK-së, nën udhëheqjen e Hasan Malës dhe Kadri Abdullahut. Në ato vite vepronte edhe Grupi “Zëri i Kosovës”, nën udhëheqjen e Riza Salihut dhe Hysen Gegës. Më 1980, pas arrestimit të disa anëtarëve të grupit “Zëri i Kosovës”, merret edhe qëndrimi që ky grupim të bashkohet me grupin e Ibrahim Kelmendit “Fronti i Kuq” dhe nga këto dy grupime lind grupimi i ri, i cili pagëzohet me emrin “Fronti i Kuq Popullor”. Kthesën më të madhe në ilegalen shqiptare, që vepronte jashtë atdheut, e bëri dhe e pasuroi atë ikja e Jusuf Gërvallës dhe lidhja e tij me Ibrahim Kelmendin në mërgim. Puna e përbashkët e këtyre dy veprimtarëve intensifikon dukshëm veprimtarinë patriotike jashtë vendit. Pas ardhjes së Kadri Zekës dukshëm aktivizohen dhe veprojnë në mënyrë më të organizuar organizatat ilegale, si OMLK-ja, LNÇVSHJ-ja, “Fronti i Kuq Popullor” e disa grupime dhe organizata më të vogla dhe më pak të njohura në vend. Krijimi i grupeve dhe i organizatave ilegale pas vitit 1981, u intensifikua me ikjen e shumë veprimtarëve të ilegales shqiptare, që vepronin në Kosovë, por edhe të tjerëve të cilët kishin mbajtur dënimin dhe ia kishin mësyrë kurbetit, ngase në Kosovë për ta ishte gjithçka nën vëzhgim. Ata, u angazhuan me të madhe, duke qenë tani më të kujdesshëm dhe duke vepruar në një konspiracion edhe më të thellë. Vepronin në qarqe të mbyllura dhe të verifikuara mirë për çështje atdhetare. Organizata e cila luajti rolin e faktorit koheziv të mërgatës shqiptare, pa dyshim ishte “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi”, të cilën e udhëhiqte atdhetari i shquar Jusuf Gërvalla etj. Arsyeja që e shtyri mërgatën e grupimit të dytë për t’u marrë me aktivitetin dhe punën ilegale të shqiptarëve, ishte po ajo e vitit 1945, ngase Kosova, pas Kuvendit të Prizrenit, në 1945, u aneksua nga Serbia dhe Jugosllavia. Kjo ishte e natyrshme, ngaqë populli shqiptar kishte dalë në luftë dhe kishte luftuar kundër fashizmit, kur edhe i ishte premtuar se pas kësaj do të vendoste vetë për fatin e vet. Ishte normale, pra, që pas aneksimit të trojeve etnike, popullata shqiptare të ishte e zhgënjyer dhe e pakënaqur. Faktor tjetër që ndikoi në largimin e shqiptarëve nga trojet e veta ishte presioni shtetëror që ushtrohej ndaj tyre si dhe faktorët politikë, ekonomikë, arsimorë, socialë dhe padrejtësitë e shumta që u bëheshin atyre. Papunësia e madhe që kishte goditur rininë, po kështu, ndikoi dukshëm në mërgimin e tyre jashtë atdheut. Më 1975-1978 largimi i rinisë për në Perëndim ishte shndërruar në dukuri. Ka të dhëna se më 1981, numri i shqiptarëve që punonin jashtë vendit kishte arritur një shifër alarmante prej 200.000 vetash. Faktorë të tjerë, që kishin ndikuar në organizimin e mërgatës, mund të llogariten edhe kontaktet e shumta me patriotë të ndryshëm, të cilët kishin ndikuar në formimin e organizatave ilegale në mërgatë. Kontaktet e shumta të emigracionit kosovar me patriotët e mëhershëm të viteve ’45-’48 të shekullit XX, u kurorëzuan me formimin e organizatave të shumta atdhetare jashtë vendit. Si gjithkund në botë, edhe në shtetet evropiane, ilegalja shqiptare luajti një rol të madh dhe të rëndësishëm për përhapjen e së vërtetës dhe idesë çlirimtare. Gjatë veprimtarisë së saj, mërgimtarët tanë arritën të organizonin shumë demonstrata dhe demarshe para ambasadave jugosllave dhe në këtë mënyrë të ushtronin presion të vazhdueshëm lidhur me gjendjen e rëndë në Kosovë. Një punë të madhe për ndërkombëtarizimin e problemit të shqiptarëve nën Jugosllavi e bënte edhe emigracioni politik shqiptar me prejardhje nga Kosova, por edhe nga të gjitha viset nga kishin ikur shqiptarët. Në mesin e aktivistëve më të dalluar dhe që duhet përmendur pa dyshim se janë: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Enver Hadri, Ibrahim Kelmendi, Emin Fazlia, Vehbi Ibrahimi etj., të cilët në vazhdimësi intensifikuan dhe sensibilizuan veprimtarinë patriotike drejt realizimit të kërkesave gjithë popullore të shqiptarëve të Kosovës për liri, barazi dhe vetëvendosje.

LEXO KETU TE PLOTE

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1