Skicë e vogël mbi filozofinë
Mirëpo, filozofia duke i dhënë kaq përparësi arsyes të shqyrtojë lëndët dhe lëvizjet e botës...
Bujar Plloshtani
Filozofia si shkencë e hershme mbi mendimin kritik zhvilloi ecurinë progresive të njohjes së ligjeve të natyrës fizike, duke përmbledhur një sërë parimesh të unifikuara të njohjes, ku nëpërmjet arsyes i konsideron konceptet shoqërore dhe natyrore si ndryshim thelbësor drejt të mirës njerëzore. Filozofisë i përgjigjet arsyeja, pasiqë e vërteta mund të njihet vetëm përmes autoritetit të arsyes, pra racionalisht, ndërsa me anën e të menduarit racional, filozofia synon të hedh autoritetin e vet duke i shqyrtuar lëndët dhe lëvizjet e natyrës fizike nga shkaku te pasoja. Arsyeja në filozofi shkon aq larg, saqë me këmbëngulje kërkon të shqyrtojë dhe të njohë botën, e cila njëherësh është si provë e një krijimi shkencor. Të kesh bindje për të medituar, pastaj dhe ta udhëheqësh mendimin derisa arsyeja të kuptojë njohjen e botës duhet të jetë një privilegj i arsyes së pastër, pasiqë përmes saj mund të fitohen njohjet më të fshehta të botës. Ta njohësh botën kërkon mendje të shëndoshë, pra intuitë racionale, sepse krijimi i universit dhe lëndët që e përbëjnë natyrën janë një orientim absolut, që domosdoshmërisht bartin një arsye absolute, pasiqë gjithçka në natyrë lëviz me një kuptim të përkryer. Pa ndonjë bindje intelektuale apo arsye kritike, vështirë se do ta edukonim mendjen tonë për ta vrojtuar me ndërgjegje të logjikshme këtë hapësirë gjigante, e cila është një paramendim i përsosur në ditët në vazhdim. Mirëpo, filozofia duke i dhënë kaq përparësi arsyes të shqyrtojë lëndët dhe lëvizjet e botës, ajo njëkohësisht i përgjigjet zhvillimit të mendjes së njeriut duke i mundësuar më parë të përfitojë njohjen, dhe kryesisht, pastaj të preokupohet me krijimin e botës. Ambiciet drejt njohjes së botës, e bëjnë njeriun të zhvillojë arsyen drejt traktatit për intelekt. Shkenca e filozofisë merret me problemet e përgjithshme në lidhje me çështje të tilla si; njohja, ekzistenca, vullneti për të vërtetën, mendimet, bukurinë, vlefshmërinë, moralin, pasionet, gjuhën, ligjësitë e natyrës, substancën dhe drejtësinë. Krijimi i filozofisë është një akt i lartë mendor që lind nga domosdoshmëria e ndriçimit të shpirtit krijues, ku botën e shquan nëpërmjet kriterit të shqyrtimit të së vërtetës mbi sendet dhe substancën nga arsyeja dhe përvoja e shëndoshë. Filozofia shquan udhën prej ku adresohen pyetje të tilla si mistike nga ana e saj kritike, ku sistematikisht, dhe në mënyrë të përgjithshme priret në besimin për të arsyetuar argumentin e njohjes së natyrës deri në konkludimet e vërteta. Kryesisht, objekt hulumtimi ka shqyrtimin e ligjeve të natyrës, si e drejtë natyrore, të cilat çojnë deri te njohja e vërtetë e botës. Te njohja si kriter vlerësimi futet arsyeja dhe përvoja. Përvoja ndihmon në të vërejturit sistematik të lëvizjeve të natyrë duke i futur shqisat në vëmendjen e duhur për t’i njohur vetitë e botës nëpërmjet orientuesit të ideve, që është psikika mendore e ndërgjegjësuar nga arsyeja e pastër. Filozofia, si njohje përfitohet nga shqyrtimi i ligjeve të natyrës nëpërmjet zhvillimit inteligjent të vullnetit për të ditur në lidhje me marrëdhëniet e ideve të thjeshta dhe të përbëra, të cilët barten në sistemin e vëmendjes nga edukimi me shkencat. Ndër joshjet thelbësore të filozofisë, kryesisht hyn njohja e botës si një krijim i vetëdijshëm, e cila përmes arsyes tenton t’i shqyrtojë gjësendet dhe substancën në natyrë duke i zbërthyer joshjet e panjohura për nga shkaku te pasoja. Njohja e gjësendit dhe substancës në natyrë kërkon kushte, të cilat lidhen drejtpërdrejt me njohuritë e mjaftueshme të njeriut, për t’i vrojtuar me kuptimin e të vërtetës, besimit dhe argumentit. Mirëpo, me futjen e gjykimit kritik të arsyes në njohjen e vërtetë, çdo e metë dhe pasiguri e gjësendit dhe e substancës në natyrë do të kthjellohen në shprehjen e të vërtetës dhe argumentit, pa u ndikuar nga ligjet e botës absurde. Filozofia si shkencë e mendimit mbi principet themelore të botës synon të shqyrtojë përmes arsyes së pastër kuptimin e vërtetë të njohjes së botës nga shkaku te pasoja, e cila lidhet drejtpërdrejt me natyrën si e drejtë natyrore, me njeriun si vepër e pandryshueshme e Zotit, dhe universin si argument i përkryer për krijimin e ekzistencës së njeriut dhe natyrës. Mendimi mbi të vërtetën është një krijim shkencor i përfituar nga bashkimi i ideve të vërteta, i cili kërkon nevojën e njohjes së sendeve dhe substancës përmes gjykimit kritik duke shikuar në ekzistencën e të qenurit brenda sistemit inteligjent. Të njohurit e botës nuk fitohet rastësisht, por me domosdoshmërinë e vullnetit duke shqyrtuar objektet e natyrës, të cilat lidhen me vërtetësinë e njohjes së botës, si rezultat i të menduarit sistematik. Lëvizjet ekzakte të natyrës dhe universit, madje dhe vërtetësia e Qenies së domosdoshme shprehin mendimin racional të bazuar nga arsyeja e shëndoshë, nga ku vërtetohet se natyra është e krijuar sipas një pikëpamjeje të përshtatur me njeriun, dhe se pason gjithçka nëpërmjet ligjeve të sigurta që e ruajnë rendin absolut të krijimit të natyrës dhe universit. Filozofia nëpërmjet arsyes dhe përvojës së fituar nga njohuritë e mjaftueshme, ku në shqyrtimet esenciale tenton t’i zbërthejë joshjet e së vërtetës që lidhen me vullnetin e natyrës dhe njeriut nxit në bindjen se shoqëria duhet të kujdeset ndaj përfitimit të njohjes në natyrë, ku kjo e fundit do t’i mundësojë më lehtë se kurdoherë tjetër të shohë gjendjen drejt ndryshimit të vazhdueshëm për të mirën e përgjithshme. Kjo shkencë e dijes njerëzimin e orienton drejt përfitimit të mendimit racional ndaj natyrës, që në të vërtetë është njohja, e cila arrihet nga edukimi me shkencat dhe artet, kështu duke e bërë njeriun zot të vëmendshëm të lëvizjeve të natyrës. Mendja e njeriut pasi të zhvillohet nga njohja e mjaftueshme do të merret me të vërtetën, duke hedhur idetë e tij intelektuale se mund të hulumtojë apo të vërtetojë në rastin konkret duke u nisur nga metoda e Dekartit, pra, dyshimi. Dyshimi sjell deri te njohja e formave në bazë, sepse procesi skeptik ndaj njohjes është krahasim i vlefshëm që vlen për kthjellimin dhe qartësimin e ideve të reja drejt përshtypjeve të ideve të vërteta, sepse dyshimi sjell konceptimin e drejtë të njohjes së vërtetë, ngaqë intelekti ndjen sigurinë e duhur mbi mendimin racional, dhe pasi sjell njohjen e formës mbi gjendjen e sendit në natyrë fut mendimet kritike midis së keqes dhe së mirës, ku vetëm kështu mundet të vijmë deri te konkludimi i drejtë i ideve intelektuale. Që të besojmë një veprim psikik të shkaktuar nga njeriu, më parë duhet të kemi faktet dhe dëshmitë materiale. Faktet mund t’i sjellim nëpërmjet veçorive krahasuese të një veprimi të shkaktuar nga njeriu. Nëse faktet e nxjerra nga përvoja arsyetojnë veprimet psikike të njeriut, atëherë ne mund të besojmë mbi një çështje të caktuar. Ekziston edhe plani i besimit shpirtëror me bindjen për të arsyetuar një të vërtetë, e cila është e pashmangshme dhe, që mund të fitohet nga ndërgjegja e logjikshme për të besuar qenësisht mbi qenësoren. Në këtë pamje hyn besimi në Zotin e vërtetë, që është i shkëputur nga çdo vullnet dhe akt njerëzor. Mbi kuptimin e të argumentuarit një fakt apo një prove materiale, fillimisht na duhet të jemi të arsyeshëm mbi bazën e justifikimit të metodës dhe të njohim procedurën ligjore si koncept paraprak i nënshtruar vullnetit ligjor. Argumentimi mund të fitohet sipas një metode shkencore e juridike. Këtu kërkohet një njohje më e përgjithshme e gjërave si në formë logjike, ashtu dhe në atë analitike. Rasti më parë duhet të procedohet, pastaj të vërtetohet akti psikik nga prova materiale, dhe se në çfarë kushtesh ka qenë në kryerjen e veprimit, që më pas të dihen rrethanat e ndodhjes së fajit psikik. E vërteta derisa të zbërthehet nga të gjitha kushtet materiale, dhe ndërkohë të hidhet në diskutim faji psikik, qëllimi nxjerr në dritë argumentimin e mundshëm dhe real në është drejt triumfit apo humbjes. I gjithë ky sistematizim rregullohet nga njohja intelektuale, e mundësuar nga shkenca e filozofisë, të cilës i përgjigjet arsyeja e pastër. Në çdo pikëpamje të filozofisë ka njëfarë pike ku futet në meditim bindja e filozofit, dhe brenda bindjes shprehet motivi i vetë filozofit për të filozofuar me mendimin e vërtetë mbi ligjësitë e natyrës. Të vrojtuarit, të krahasuarit ligjet e natyrës me arsye më lehtë mund të kuptohen apriori. Filozofia si dashuria mbi mençurinë merret me pikëpamjet e përgjithshme të natyrës dhe ligjeve të saj, vullnetin si koncept i vetëm i njohur për njeriun nga ku motivon detyrimet njerëzore për të mirën e tyre vetjake. Na mëson sesi duhet të përcaktojmë rregullat e mendjes drejt orientimit të shqyrtimit të botës, dhe njohjes së substancës në kuptimin e brendshëm të natyrës. Andaj, falë filozofisë na është bërë e njohur kaq shumë vullneti. Kjo shkencë që aplikon dije për të njohur botën i dha kujdes të veçuar formimit të vullnetit brenda krijimit njerëzor, si një lëvizje aktive e mundshme për të arritur deri te suksesi i mjaftueshëm intelektual. Vullneti dhe përvoja në procesin e të menduarit nxjerrin faktet, ndërsa arsyeja na prir psikikën drejt njohjes logjike të njeriut, natyrës fizike dhe Zotit. Të gjitha njohuritë mbi njeriun, substancën shpirtërore dhe mbi Zotin na vijnë nga përvoja e arsyes njerëzore duke gjurmuar natyrën fizike, si e drejtë natyrore që ngjiz përshtatjen e njeriut intelektual me ligjet e natyrës. Njohuritë e përfituara nga filozofia, në radhë të parë na edukojnë se në këtë botë asgjë nuk është e lindur, madje as idetë, as mendimi, as perceptimi gati se asgjë, por të gjitha këto fitohen nga eksperienca natyrore duke vrojtuar sipas mendimit racional. Idetë, perceptimet, arsyeja, meditimi fitohen sipas planit të të menduarit empirik. Në fillim, dituria e njeriut është e pamjaftueshme për të shquar veprimin e natyrës si e drejtë natyrore në përshtatje të dretpërdrejt me njeriun, dhe pastaj me zhvillimin e sistemit të të menduarit, ajo nis të mendojë e të arsyetojë njohjen e natyrës sipas arsyes shkencore, dhe më pastaj nga rrjedhimet logjike nis të hulumtojë në krijimin e mendimit intelektual, që është dituria e mjaftueshme. Me rritjen e inteligjencës njerëzore, dhe aftësisë për të menduar filozofikisht në kushte intelektuale orientohet vetëdija drejt diturisë së dobishme, e cila nga njohja shquan rregullat e gjithësisë, ndërsa me vullnetin, si lëvizje aktive e së mundshmes fut bindjen racionale se mund të njohë ligjësitë dhe pikëpamjet e natyrës që e rrethojnë atë. Ky botëkuptim jep mundësinë e njohjes mbi botën, njeriun, natyrën, se fundja, filozofia zbardh joshjet e të panjohurës së mendimit mbi botën me anë të vullnetit duke i dhënë mendimit forcë për të ngadhënjyer në vazhdimësi sistematike. Sa më shumë të zhvillohet mendimi racional për të diktuar gjithë lëvizjet e natyrës, aq më shumë filozofia synon të arsyetojë rendin e ideve ndërmjet ideve të reja në varshmëri të drejtpërdrejt me përvojën e mendimit njerëzor, duke e argumentuar rendin natyror të natyrës, si një kusht i domosdoshëm i mirëqenies njerëzore. Në fillim kemi procesin e zhvillimit të mendjes për t’i diktuar ngjarjet dhe lëvizjet, pastaj intelekti shquan mendimin e vetëdijshëm drejt rregullave për njohje të vërtetë, ndërsa më pas shqisat perceptojnë realisht mendimin e fituar nga plani i përvojës për të vështruar me arsye të pastër mbi ligjësitë e natyrës fizike, dhe universit mistik. Filozofia sipas teorisë së lashtë greke merret si dashuria mbi mençurinë për të vlerësuar mbi njohjen e botës përmes mendimit racional, që sajon ngritje të theksuar të ndërgjegjes njerëzore, dhe nëpërmjet arsyes shquan kuptimin e njohjes së sendit në natyrë. Njohja e sendit është vlerësim i natyrës, duke e parë më shumë si një e drejtë e përbashkët njerëzore. Mungesa e theksuar e njohjes në natyrë, me siguri shkakton në memorjen e njeriut një zbrazëtirë të theksuar për t’u prirur drejt ambicieve të mëdha, siç janë: njohja e vërtetë e njeriut dhe Qenies së përjetshme. Shkenca e filozofisë i ndihmon arsyes të mbetet drejt ambicieve për njohje të përgjithshme mbi botën, dhe një mendim racional i shtrirë në gjithë ekzistencën e natyrës duke qenë e orientuar sipas vullnetit suprem për të qenë pjesë e përshtatjes inteligjente me botën, dhe konceptet njerëzore, që synojnë kah e mira e përgjithshme. Njohja e fituar nga shqyrtimi racional i të menduarit sjell në ekzistencë mjetin për jetë fatlume, nga që mendja si substancë për të njohur lëndët dhe lëvizjet e natyrës me arsyen e pastër, vjen si pasojë e filozofisë racionale. Filozofia ndahet në: 1 Filozofi që studion ligjësitë e natyrës 2 Filozofi analitike 3 Sistemi i të menduarit.



del.icio.us
Digg
Post your comment