Home | TEMA | Idetë dhe paragjykimi

Idetë dhe paragjykimi

image Idetë dhe paragjykimi

Njeriu që ka ide është një metodë shkencore që veprimin e mendjes e udhëzon drejt orientimit të perceptimeve ...

Idetë tona janë pjesë e brendshme e moralit shpirtëror që identifikojnë dhe kundrojnë ligjet e botës nëpërmjet të vërejturit dhe përsiatjeve empirike, të cilët bëjnë pjesë në racionalitetin e natyrës krijuese. Idetë janë pasqyrë e brendshme e intelektit që realizojnë formimin inteligjent të psikikës dhe etikës shpirtërore, ku njëkohësisht paraqesin pjekurinë dhe maturinë e formimit intelektual të njeriut. Njeriu që ka ide është një metodë shkencore që veprimin e mendjes e udhëzon drejt orientimit të perceptimeve për njohje të vërtetë, dhe ndërkohë prodhon pikëpamje ndijore për ta modifikuar jetën shoqërore drejt ambicieve konkrete. Idetë paraqesin formimin e brendshëm, si dhe shkallën aktive të vetëdijes njerëzore. Sa më shumë ide progresive të kemi, aq më tepër mundemi të meditojmë drejt kushteve për të njohur vërtetësinë e lëvizjeve të natyrës si art hyjnor, dhe ndërkohë aq më mirë mundemi të shqyrtojmë kuptimin e vërtetë të botës nëpërmjet ideve progresive, që realisht, tashmë janë të prirura drejt përvojës shpirtërore. Prandaj, idetë janë kushti ynë esencial për të arritur deri te e vërteta e sendit mbi shqyrtimet e arsyes së pastër. Idetë janë pasive, por psikika i detyron të bëhen pjesë aktive e ekzsitencës njerëzore. Ne jemi të varur nga idetë, ndërsa idetë nga psikika. Psikika nga vëmendja kritike dhe pason në fund përsëritja. Njeriu pa ide është vetëm një metodë e thatë shkencore që priret drejt realitetit të zakonshëm pa pasur ndonjë tendencë për t’u zhvilluar në ndryshimet e reja intelektuale. Prandaj, jo vetëm idetë shkencore, por dhe ato imagjinare krijojnë dhe paraqesin vlerën e brendshme të njeriut. Psikika është tërësia e brendshme e ndijimeve shpirtërore, e angazhuar që idetë joaktive t'i kthejë në lëvizje aktive duke i udhëhequr sipas planit të ekzistencës së përvojës së shëndoshë. Psikika jonë është orientuesi ynë i përgjithshëm ku idetë, dhe mendimet tona racionale i vë në lëvizje aktive. Idetë nuk janë aktive, sepse nuk kanë forcën e lëvizjes për të medituar, dhe janë të varura nga objekti i psikikës, ngase kjo e fundit është e prirur të udhëheq me ndijimet shpirtërore. Psikika është e prirur që idetë t’i vë në lëvizje aktive duke i udhëhequr sipas një arsyeje të shëndoshë, ku pastaj shqisat ndihmojnë në përceptimin e ideve të jenë në veprim aktiv. Ndërkaq, vëmendja i shtjellon idetë të jenë sa më të kuptueshme brenda të vërejturit sistematik, dhe ndërkohë ajo luan rolin e të mbajturit mend nëpërmjet leximit dhe përsëritjes. Idetë pa prezencën e psikikës do të ishin sterile dhe të qenura si veprim joaktiv, kurse psikika u mundëson ideve të jenë aktive dhe të krijohen mes veti sipas veçorive shqisore. Veçoria shquese e psikikës është e detyruar të orientojë idetë njerëzore drejt rregullit shpirtëror, dhe njëkohësisht t’i vë në lëvizje aktive gati për meditim shkencor apo filozofik. Një shoqëri e cila është e pajisur me ide të mëdha, që në esencë mund të jenë iluministe mundësojnë gjendjen e ndryshimit shoqëror me diskutimin dhe përmbajtjen për të shmangur vullnetin për konfrontim. Edhe pse idetë në thelb nxitin debate intelektuale, por ndonjëherë nxisin edhe fërkime në një rreth të caktuar shoqëror. Idetë e pjekura që tentojnë drejt ambicieve të mëdha, siç janë njohja dhe të vërejturit kritik, në radhë të parë krijojnë kushte për rrahje ideologjike për të caktuar vërtetësinë dhe korrektësinë e ideve në një shoqëri intelektuale. Ndofta idetë rrahin kaq shumë mendime për të ardhur deri te e vërteta e duhur, por dhe në të njëjtën kohë krijojnë refleksin për diskutime të ndryshme në lidhje me domosdoshmërinë e vullnetit të gjësendeve në lidhje me Zotin dhe njeriun. Shoqëritë progresive që shërbehen me ide të vyera gati për tolerancë njerëzore, në rend të parë mund të zgjojnë vetëdijen në njohje të reja, të cilat mund të jenë arritur në fushat e shkencës, artit, letërsisë, astronomisë, mjekësisë. Andaj, idetë janë të domosdoshme për t’u shfaqur brenda psikikës sonë, sepse krijojnë reputacion njerëzor për t’i shquar më shkoqur e më qartë sendet në natyrë. Idetë nëpërmjet edukimit shpirtëror dhe të shqisave mund të kultivojnë botën intelektuale të njeriut që nxit drejt sistemit të të njohurit të njeriut ndërmjet botës reale dhe joreale. Idetë mund të shërbejnë si koncepte imagjinare mbi psikikën mendore me synimin për t’u ngritur në vepër konkrete veprimi i përgjithshëm i shkencës apo i ndonjë hulumtimi jetësor. Megjithëse kjo nuk do të thotë që idetë saherë të jenë të prirura në sajë të përvojës, por, ndonjëherë idetë mund të mbeten në realitet vetëm si ideologjike, pa u zbatuar në formën e zhvillimit praktik shkencor. Idetë pa u vënë në vepër mbeten vetëm ide, ata kërkojnë më ngulm të vihen në ambicie publike me gjasë reale për t’u realizuar në vepër jetësore. Kështu idetë tona nuk janë të lindura, por rrjedhin si pasojë e përvojës sonë me natyrën, dhe se vetëm përvoja intelektuale mund të na krijojë mundësinë e ideve konkrete. Idetë, pra rrjedhin nga përvoja, dhe sipas kushtit ndikohen për t’u qartësuar idetë e thjeshta dhe të përbëra vetëm nëpërmjet arsyes së kulluar. Prej përvojës së shqisave ne përfitojmë procesin për shkakun dhe pasojën e ideve të fituar nga ndijimi. Idetë sa më shkoqur e në mënyrë metaforike duhet t’i përshtatim me idetë e përgjithshme apo të veçanta, sepse realizimi i tyre duhet të ketë një thelb inkurajues në shoqëri. Sensin e të përjetuarit të gjësendeve sipas një natyre logjike, idetë duhet t’i kuptojmë se vijnë nga burimi i shkallës intelektuale që i kemi fituar nga filozofia me argumentin për ndryshim të domosdoshëm shpirtëror. Idetë krijojnë shoqëritë iluministe duke i aftësuar për të bërë reformim të së mirës së domosdoshme në të mirën e tyre, dhe në anën tjetër, shoqëritë zhvillohen në kushte tolerante, si nga logjika e shëndoshë e mendimit mbi vullnetin mbi të drejtat e njeriut dhe natyrës së tij krijuese, si dhe nga sistemi inteligjent i të vepruarit me arsye. Një ide iluministe tek qarkullon mbi vullnetin e mendimit, në rend të parë e motivon atë për të vepruar me njohje intelektuale ndaj synimit të botës. Gjykimi i ideve është një proces që vërteton provën të nxjerrë nga faktet. Kur gjykimi nis te një ide, atëherë ideja kontrollohet nga çdo pasiguri e dyshim që mund të mvishet. Gjykimi në të shumtën e rasteve e kthjellon të metën e idesë, dhe nxjerr në sipërfaqe atë që është me e virtytshme për ecurinë progresive të mendimit. Sepse, jo çdoherë idetë janë përparimtare, ato mund të vijnë dhe nga njohjet meskine të lindura më herët nga idetë e vjetra të cilët nuk kanë qenë të ndikuar nga metoda shkencore, që ndihmojnë idetë në sistematizimin e aftësive dhe njohjeve për një progres të sigurtë. Secila ide që hidhet në diskutim lind gjykimi për ta vërtetuar korrektësinë dhe vizionin rrjedhës. Ndonjëherë natyra e ideve tona është skeptike, mbase mund të jetë fituar nga njohje të pasigurta, larg të të qenurit nga njohja intelektuale. Në jetën e përditshme mund të ndodhë që të ketë njohuri të cilat mund të hyjnë pa dashje në kundërshti me opinionin publik. Përplasja e ideve të ndryshme sjell debat në format publik. Mund të ketë disa shkaqe për të menduar se të paragjykuarit e njeriut mund të jetë e pasigurt, dhe se duhet të drejtohet sipas një përfundimi shkencor. Prandaj paragjykimit nuk duhet besuar pa arritur deri te argumenti i vërtetë, sepse është një ndjenjë personale ku në disa momente mund të deformojë papritur dhe pa vetëdijë koncize te tjetri arsyen e kulluar. Paragjykimi, jo vetëm që shpreh rrezikun e ideve të përgjithshme të cilat mund të jenë arritur sipas një përvojë të kulluar shkencore, por dhe mund të tejkalojë normën e sjelljeve që referojnë qëndrime shkencore, për të cilën të shtyn drejt egoizmit nga ku mund të ndikojë dhunshëm në intelekt. Shpeshherë raste të tilla mund të krijojnë shqetësime duke u manifestuar me revoltë, nga ku idetë mund të marrin rrezikun e smirës, dhe kështu nis parabolla drejt egoizmit personal. Kështu nis paragjykimi i ndërdijes duke u mveshur se ne jemi shumë të shqetësuar me atë që të tjerët mendojnë për ne duke na ndikuar deri në stimulimin e ndjenjave për urrejtje. Paragjykimi është vlerësim jotolerant mbi arsyen e një mendimi racional, që kurdoherë insiston të shfaqë ndjenjë mohuese kundrejt mendimit të përgjithshëm, që në fakt, mendimi i përgjithshëm mund të jetë mendim tepër njerëzor për një shoqëri të hapur, por sipas paragjykimit të idesë mund të mohojë shqyrtimet thelbësore. Koncepti i tillë i paragjykimit është një veprimtari abuzuese e mendimit personal që shprehet në distancë instinktive për të rrëzuar mendimin e tjetrit, madje dhe duke ia mohuar thelbin intelektual të të menduarit. Një veprim paragjykues është sistem që nxjerr në sipërfaqe atë që është më e hidhur e më pak etike. Paragjykimi që na josh na bën të dyshojmë, jo vetëm në idetë tona, por dhe tek të tjerët. Sa më pak të dyshojmë në veprimin e mendjes sonë, idetë aq më tepër burojnë në realitetin njerëzor për një udhë bashkëveprimi me intelektin e arsyes njerëzore. Një paragjykim i idesë apo dhe mendimit të vërtetë mund të shpie deri në kërcënimin e psikikës së njeriut, që në të shumtën e rasteve mund të jetë dispeptike. Prandaj duhet transparencë dhe individualitet në idetë tona, duke pasur dhe një kujtesë të pastër dhe aktive, kujtesë e cila ndihmon në vazhdimësinë e ideve të reja që krijon imagjinatë të shëndoshë, sepse idetë e tilla, si pjesë e brendshme e jona identifikojnë shkallën e kulturës sonë, dhe njëkohësisht formimin intelektual. Të kesh ide është sistem intelektual, që sipas nevojës shkencore lind domosdoshmëria e arsyes së mendimit për të medituar ambiciet e jashtëzakonshme të universit, që dita-ditës po zgjerohet në mënyrë të përkorë. Kjo vërtetohet nga yjesitë që largohen herëpashere ndërmjet veti nga shkaku i zgjerimit të universit, si dhe humbja e ngadalshme e shkëlqimit të yjesive që po largohen përtej organeve tona shqisore. Idetë mund të shërbejnë si metodë eksperimentale për të krahasuar në njohje të vërtetë gjësendin duke i dhënë vlerën e duhur lëvizjeve të natyrës në gjykimin tonë. Ndërkaq, të qenurit në përfshirjen e paragjykimeve të ideve është një smirë kundrejt veprës së njeriut duke ia cënuar tjetrit të drejtën e lirisë së fjalës dhe mendimit për ta vënë në realitet. Paragjykimi lidhet me një dozë psikologjike që nuk përshtat idetë mes ideve të reja, kështu duke i dhënë mendimit mbi devijimin apo shmangien e realietit të idesë së tjetrit, që kjo ide mund të shërbejë për ndryshimin thelbësor të shoqërisë, dhe padyshim se paragjykimi naiv e zhvesh idenë nga çdo siguri intelektuale. Paragjykimi i idesë që lidhet me pasigurinë dhe dyshimin e mendimit racional mund të sjell humbjen e arsyeshme të idesë, mdje ky paragjykim i idesë mund të vijë deri te paraqitja e diskriminimit të njohjes së natyrës, Zotit dhe njeriut. Të paragjykuarit e idesë është një shmangie nga e drejta natyrore dhe përshtatja e ligjeve të natyrës, për faktin e ambicieve për të mbizotëruar mbi idetë e të tjerëve, pa pasur ndonjë të drejtë të arsyeshme mbi bazën e logjikshme të të menduarit personal. Natyra nuk i ka dhënë askujt të drejtë natyrore që të imponohet me mendimet e tij, duke e paraqitur paragjykimin si një të drejtë e përfituar në kohë mbi mendimin e tjetrit. E drejta natyrore me të drejtë ndëshkon çdo veti imponuese te tjetri, sepse ky imponim i idesë që mund të shkaktohet nga paragjykimi personal, në radhë të parë mund të prishë rendin shoqëror të natyrës njerëzore, si dhe të humb harmoninë midis njerëzve. Andaj, kërkohet kontrolli i mendjes për të hequr çdo paragjykim dhe imponim të idesë te tjetri, kështu duke u kthyer drejt të mirës dhe harmonisë së përshtatshme midis njerëzimit. Nëse, mendja jonë do të shmangë çdo paragjykim dhe imponim të idesë dhe bindjeve te tjetri, mbase do të vijë në shprehje vullneti i lirë i tolerancës midis njerëzve, ku nuk do të ketë asnjë nevojë obligative të nënshtruar që njeriu të nënshkruajë marrëveshje të besueshme për harmoni dhe paqe të përhershme. Konsideroj se ka metodë efikase për ta zhdukur paragjykimin e idesë dhe imponimin e saj te tjetri, e cila mund të arrihet vetëm nëpërmjet arsyes së kulluar njerëzore, duke e ngritur sa më shumë që të jetë e mundur në kuptimin e njohjes së vërtetë të botës, nga ku, atëherë do të lindë si parakusht i detyruar i ekzsitencës sonë besueshmëria dhe domosdoshmëria e njeriut për të qenë në tolerancë dhe harmoni të perhershme, ku gjithçka dispeptike dhe injorante do të pushojë së qenuri midis njerëzve.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted):

Post your comment comment
Please enter the code you see in the image:
  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0
Newsletter
Email:
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1