Home | OPINIONE | Pyetje dhe replikë me Pajtim Bellon

Pyetje dhe replikë me Pajtim Bellon

Font size: Decrease font Enlarge font
image Abdurahim Ashiku

LËRENI DIBRËN TË BUKUR SIÇ E KA DHËNË ZOTI...!

Falë mjeteve moderne të komunikimit masiv, në distancë 800 kilometra nga Tirana në Athinë, lexova në gazetën e nderuar edhe për emigrantët “Telegraf”, intervistën Tuaj “Ndërtimi i Skavicës, vendimi më qesharak i Berishës”

E lexova sepse disa ditë më parë unë kisha përcjellë për gazetat në Shqipëri dhe në internet një shkrim paksa të gjatë me titull “Përmbytje e Shkodrës, urdhër: Të mbytet Dibra!” dhe desha që të di (megjithëse nuk kisha dyshim) nga një kuadër i lartë i të majtës shqiptare që ka pas poste me përgjegjësi në qeveritë e majta në se është dakord të mbytet Dibra apo jo. Kërshëria mu rrit shumë kur ju e cilësonit ndërtimin e Skavicës si “Vendimi më qesharak i Berishës”.

Në fillim u ngroha por sa më poshtë lexoja aq poshtë binte edhe temperatura sa të ftohti më hyri në palcë.

Ju deklaroni: “Për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës ka pasur Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 299 date 6/5/2005 dhe ky vendim u hodh poshtë nga Qeveria “Berisha”, pa asnjë arsye të qenësishme. Ende nuk kane shpjeguar përse nuk vazhduan procedurat për lidhjen e kontratës koncensionare, por nëse do të ishte proceduar seriozisht ne sot do te kishim në punë një nga agregatet e Hidrocentralit të Skavicës.”

Nga sa kuptoj unë nga ato që shkruani, Ju jeni për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, për mbytjen e Dibrës, Luginës së Drinit të Zi, luginës më pjellore dhe me një kujtesë të jashtëzakonshme historike për popullin shqiptar (18 nga 25 betejat fitimtare të Skënderbeut...)

Nisur nga ato që shkruani atëherë mua më lind e drejta të them të njëjtën gjë, të shprehem njëlloj si ju: “Ndërtimi i Skavicës, vendimi më qesharak i Nanos”

Qesharak unë i quaj në këtë rast edhe Berishën edhe Nanon, edhe qeverinë e së djathtës edhe atë të së majtës.

Pse i quaj qesharakë?

Thjesht sepse si e majta po ashtu edhe e djathta llogaritë i bëni me kilovat e megavat, me energji elektrike me koncesion, me mall dhe para.

Thjesht sepse ju, të dy krahët e trupit politik shqiptar, harroni se në Dibër ka njerëz, jo pak por siç thotë intelektuali i nderuar, Prof. Dr. Edmond Pinguli: “Ky variant mbyste 62 km2 tokë dhe s’postonte 40 mijë banorë.” Harroni se në Dibër ato 62 kilometra katrorë tokë, pronë private prej shekujsh (dibranët kanë shkuar secili në tokën e të parëve, tokë e mbrojtur me gjak dhe e kultivuar me djersë) e banorëve të Luginës së Drinit. Harroni se Dibra ka një histori që mbytet, histori nga më e lashta, tetëmijë vjet e dokumentuar, e deri e ditëve tona. Harroni se Lugina e Drinit të Zi është lugina më pjellore e maleve të Shqipërisë, lugina e mollëve, kumbullave, vreshtave, misrit, grurit, perimeve, blegtorisë intensive etj. Të tëra këto mbyten përgjithmonë, zhytën në llucën e hurdhës së Skavicës, hurdhë që formohet vetëm e vetëm për hir të kaskadës së Drinit, për hir të “përmbytjes së Shkodrës” siç është lakuar këto ditë nga të dy krahët e politikës.

Ju, i nderuar Bello, ndërtimin e Skavicës e bëni sipas projektit të Partisë së Punës, me ato të dhëna apo (siç ka deklaruar Berisha) me “digë më të vogël” për të mos mbytur tokat (bërrakat) e ndonjë fshati në Maqedoni që lagen nga delta e hyrjes së Drinit në tokën shqiptare ( ! ) Ju nuk na jepni asnjë arsye se pse regjimi i kaluar nuk e ndërtoi Skavicën. Ju i keni arkivat, hapini ato dhe na i tregoni.

Regjimi diktatorial me që e kishte siç themi ne në Dibër “Edhe teskën edhe kakrrukun”, “tokën pronë e shtetit”, nuk e kishte problem që t’i shpërngulte dibranët në “Povelçë” ashtu siç shpërnguli banorët e Darëzezës së Banjës duke u ndërtuar vila dy katëshe midis pishave buzë detit dhe duke i bërë punëtorë në ndërmarrjen bujqësore. E kishte por nuk e di pse nuk e bëri. Të paktën zyrtarisht, në publik, sepse në surdinë asokohe është folur për “Ndarje të Dibrës”, “Rrezikun jugosllav” etj.

“Regjimi diktatorial” nuk e bëri kurse “regjimi demokratik”, me të dy krahët e vet, kërkon ta bëjë.

Ju pyes i nderuar Bello: Ku do t’i vendosni dyzetmijë banorë të Dibrës? Ku do tu jepni troje dhe do të ndërtoni për to tetëmijë banesa? Ku do të gjeni 6500 hektarë tokë që ata të jetojnë me bujqësi e blegtori?

Shpresoj që të më jepni një përgjigje publike, përgjigje të paktën si alternativë e të majtës shqiptare nesër në pushtet.

Dibra nuk duhet të mbytet i nderuar Bello. Ajo duhet të qëndrojë ashtu siç e ka dhënë Zoti. Kështu thoshte A. Linkolni për një trevë që në kohën e tij donin ta mbytnin: “Lëreni luginën e Kolorados, të bukur ashtu siç e ka dhënë Zoti”.

Lëreni luginën e Drinit të Zi, të bukur siç e ka dhënë Zoti, zotërinj të nderuar të së majtës dhe të djathtës shqiptare!..

Unë, përkundrejt alternativës së Skavicës do të jepja alternativën e ndërtimit të liqeneve dhe hidrocentraleve mbi veprat ujore, mbi degët e Drinit të Zi; mbi Mallë, Setë, Murrë, Zallin e Okshtunit, Prroin e Gramës, lumin e Veleshicës si dhe mbi kanalet ujitës të Dibrës. Studiojeni mirë dhe do të keni një Dibër me një luginë pjellore, me liqene të rinj që japin ujë dhe dritë, me turizëm malor në liqenet e Lurës, Kacnisë, bjeshkët e Korabit...

Ju, i nderuar Bello përmendni diku “Kaskadën e Devollit”. Për mendimin tim “Kaskada e Devollit” është si “Kaskada e Drinit” me një prurje dhe fuqi pak më të vogël. Ju pyes: A do ti zhysnit përsëri nën ujë të 5300 hektarët e Fushës së Maliqit dhe më gjerë Fushën e Korçës për hir të një liqeni për furnizimin e pandërprerë me ujë të hidrocentraleve mbi kaskadën e Devollit?

Përgjigjen e di por e dua të shkruar nga ju.

Abdurahim Ashiku

Gazetar

Athinë 8 shkurt 2010

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0
advertisement
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1