Home | KRIJIMTARI | TREGIME | "XHENTËLMENI"

"XHENTËLMENI"

image Izet Shehu

Një pasdite vonë të korrikut që shkoi...

Një pasdite vonë të korrikut që shkoi, tek shkoje i shkujdesur në rrugët e një qyteti të vogël bregdetar, të ra në sy një afishe e ngjitur mbi portën e madhe të një kalaje të vjetër. Iu afrove. Hodhe sytë ngultas mbi fotografinë e stërmadhe të kandidatit për deputet të partisë B. Kur i lexove mbiemrin, ndjeve një turbullirë. Qëndrove një copë herë me sy të ngulur në sytë e tij dhe ashtu, sy më sy, humbe. Si u qetësove, u fute në një rrugicë që kalon përmes ndërtesës me tulla të dyqaneve dhe dole te qendra zhurmëmadhe e qytezës. Njërën anë të këtij sheshi e zinte godina trekatëshe e selisë së partisë B, fasada e së cilës ishtë e mbushur me flamuj e postera. Ana tjetër shtrihej gjer në buzën e detit. Ti hodhe sytë tutje në hapësirën blu të detit. S’di deti, mbiemri i kandidatit a flamujt partiakë të vunë në lëvizje ndjesinë e vetëtimtë të të menduarit. E përtype thuajse me dhëmbë mbiemrin e tij. Si u vërtite në atë shesh të vogël, si u ngope me ajrin e kripur dhe të jodizuar të detit, sytë të ranë në grumbullin e njerëzve që lëviznin drejt një salle të stolisur si për festë. Ece dhe ti drejt tyre.

Në njërën anë të sallës qe vendosur banaku i mbushur me bardhakë, shishe, koli me cigare e shporta me limonë. Ai ishte i pajisur dhe me pompë birre e rezervuar për ujin me sodë.

Sapo hyre brenda, përnjëherësh të zunë sytë një plak të mbajtur që pinte duke lëpirë buzët me kënaqësi. Të tjerë, pleq e plaka, djem e vajza, ishin ulur në tavolinat e sallës së madhe. Në krye të sallës, një tavolinë e zbukuruar me lule e me takëme të qelqta, që vezullonin tërë nur në atë mjedis. Ti u ule në një tavolinë pranë plakut që vazhdonte të lëpinte buzët. Në fillim t’u duk vetja si i zënë në grackë. “Mos jam futur gabimisht? – the me vete. – Kjo dasmë s’është. Drekë mortore jo. Në është e shtruar për kandidatin e partisë B, aq më mirë”.

Pastaj, hape me kujdes një shishe me ujë “Tepelena” dhe e hodhe në gotë. Sa e vure buzën në gotë, plakushi “xhentëlmen” me zërin e çjerrë si të sharrës kur has në gozhdë, të pyeti: – Vendas je ti, mor djalë?

Ti, instiktivisht, iu përgjigje: Po. Edhe pse s’ishte vendas.

Ndërkohë, sytë të ranë në nofullën e majtë, ku dukshëm binte në sy gjurma e një plage të vjetër. Hodhe me fund gotën e ujit. Gjurma e plagës në nofullën e “xhentëlmenit” t’u bë si një gropë e stërmadhe. “Më zuri uji” – the me vete. Salla u mbush plot. Thirrjet për partinë B, për liderin e saj xhonkomunist, për kandidatin për deputet, të ranë si këmbana në kokë. Të gjithë, si me sustë, u ngritën në këmbë. Ashtu bëre dhe ti, por nuk brohorisje. “Xhentëlmeni” nofull gropë dhe me zërin si zhurma e sharrës së hasur në gozhdë, ta shurdhoi fare veshin e djathtë. Ti gjete rastin dhe ia ngule sytë si shigjetë plakut. Pastaj  u ule, mbushe dhe një herë gotën me ujë dhe, duke i fshirë si me fshesë thirrjet histerike të tifozëve të kandidatit, i dhe flatra zogut të kujtesës.

T’u kujtua dimri i vitit 1984.  Në hangarin e madh të kooperativës ku thahej duhani, ishin mbledhur njerëz të besuar të partisë mëmë, që sot drejton me bijëzat e saj. Do të bëhej demaskimi i babait tënd, Dylit. Ty të thirrën tek po hapje kanal. Nuk të linin të punoje me të tjerët, sepse ishe kulak dhe i infektuar me ideologjinë tënde prej kulaku! Ti qeshje kur të thërrisnin “kulak”. Se nga dreqin e kishin gjetur atë fjalë komunistët e qelbur, as që e merrje me mend. Se ty, që rridhje nga familjet më fisnike të këtij dheu, ata s’të linim të bëje gëk, madje, dhe kur punoje në kanal, të izolonin.

Pra, atë ditë dimri, kur do të bëhej demaskimi politik i babait tënd, Dylit, të thirrën dhe katër vëllezërit e tu. Më i vogli ishe ti. Ishe dhe më i shëndetshmi. Vëllezërit e tu vinin ca të hequr në fytyrë e trup. Punonit gjithë ditën, nga lindja në perëndim, më keq se skllevërit në mesjetë dhe mezi siguronit një copëz të mykur buke nga misri i verdhë, që s’e hanin as derrat. Për derrat demonët tregonin më kujdes, për ty jo. Duhet mbushur një tren me libra për të treguar shpirtin farmak të ançarëve të kuq. Mos u largo nga ajo ditë dimri, kur iu bë demaskimi politik i babait tënd Dyl Nezha.

Demaskimin e babait tënd e drejtonte, ja, ky “xhentëlmeni” që lëpin buzët.  

- Kërmë politike! – ulurinte sa shkundej pluhuri i hangarit, – Kulak!

Kruante gropën në nofull dhe ulurinte me sa kishte në kokë ançari i stepave. Ti, nuk i dëgjoje broçkullat në atë sallë, ku mbulohej me purpur ajo besnikëri katoviciane, ajo shëmbëlltyrë e pashoqe e përpjekjes së xhonkomunistëve për t’i zgjatur afatin gjer në absurditet gërdallës me fund të sigurt. Të përplaseshin në kokë hangari me sallën. I bërë flakërimë në fytyrë, përmes një dere të gjërë prej xhami dole në sheshin e vogël në qendër të qytezës. I mbushe mushkëritë me ajrin e kripur dhe të jodizuar të detit dhe thirre: O Zot, më jep durim!

Si i hodhe sytë dhe njëherë nga deti, hyre përsëri në sallën rrëzëllitëse. S’pe oratorët, as tifozët, por “xhentëlmenin” e konvertuar. Ishte po ai, ujku i asaj dite dimri, që me bubullimat e zërit të tij shkundtte pluhurin e hangarit të duhanit dhe shpirtrat e zënë rob të të gjithë atyre që erdhën në atë demaskim. E theksove: të atyre skllevërve shpirtërorë e jo të shpirtërave tanë, që, vërtetë u goditën rëndë, por s’u dhanë, s’u thyen, s’u mposhtën, as dje në diktaturë, as sot në pseudodemokraci. U ule po në atë tavolinë ku e shqove qartë gropën e nofullës, ujkun e hangarit dhe “xhentëlmenin” që çokitja e buzëve të tij fliste kaq shkoqur për meritat e verës së qilarit të mister Dullës, për triumfin e tij në dy sisteme absolutisht të kundërta.

- Bromp! – tha dhe trokiti gotat me tifozët që i rrinin pranë.

- Edhe për ty, or mik, – t’u  drejtua ty. Kandidati për deputet është djali im.

Ti u rrudhe ca, por s’u dhe.

- Jam djali i Dyl Nezhës, – i the – djali i kulakut që demaskove në dimrin e vitit 1984. Babai im ka vdekur, por fitoi ideali i tij. Ti je i gjallë, por ideali yt ka vdekur.

“Xhentëlmeni” turfulloi si derr i plagosur. Ti iu afrove edhe më pranë. Tifozët, si për çudi, heshtën. Pastaj, pa e humbur qetësinë, vazhdove:

- Mjaft ke rrëfyer e stërrrëfyer!

Ndodhisë së vërtetë i është veshur një vello e re, kështu që, pa qenë i bindur në saktësinë e historisë, mos bëj sikur ke ndryshuar.

Në thelb je po ai. Kjo gropë do të rrijë në nofullën tënde gjer kur ta hanë krimbat.

“Xhentëlmeni” i konvertuar nuk e prishi fare terezinë. Çokitjet e buzëve të tij shprehnin shkoqur vetëm besnikërinë ndaj Dullës dhe qilarit të tij.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted):

Post your comment comment
Please enter the code you see in the image:
  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0
Newsletter
Email:
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1