KORÇA, E DASHURA IME QË NUK E KAM PARË KURRË
Përse kaq shumë njerëz kanë rënë në dashuri me Korcën?
Përse kaq shumë njerëz kanë rënë në dashuri me Korcën? Cila është kjo bukuroshe që i detyron burrat inatçorë të ulin armët e hakmarrjes ndaj njëritjetrit, si një malësore që ndalon përleshjen e dy trimave në vallen e shpatave? Ku e ka fshehur arkën e magjisë së saj ky ëngjëll që unë vetëm ia kam dëgjuar fëshfërimën krahëve, por nuk e kam parë kurrë? Oh...sigurisht që kam parë plot nga pendët e saja, por atë, asnjëherë.
Thonë që kjo arkë e magjishme ka brënda serenata dashurie. Këto klithma të ëmbla nga shpirti, u kujtojnë njerëzve të stresuar nga hallet, padrejtësitë, ambiciet, dëshirat e parealizuara që të mos harrojnë se janë njerëz. E ku ka qënie më të bukur bota e gjallë sesa qëniet njerëzore, sesa shpirti i tyre? Sikurse vajza e dashurisë së parë vjen e futet në ëndërrat tuaja ndërsa je duke fjetur, pa të pyetur ty; që vjen dhe të pushton ëmbël dhe pa turp, ashtu janë edhe serenatat e bukuroshes sonë me merin Korçë.
Thonë se në Korçë banojnë çikat më të bukura që lind rraca e shqiptarëve. Mua më bëhet ta besoj , megjithse, nuk e kam parë asnjëherë, as Korçën, as kalldrëmet e as blirët e saj, për të cilët përgjërohen papushim korçarët e korçaret që i kam miq vetëm nga interneti, sikurse Raimonda Moisiu, Agim Bacelli, Merita Bajraktari, Bardhyl Lubonja...; Korçën për të cilën përgjërohet tanimë, sikur të kish kaluar disa ditë në parajsë dhe është kthyer sërish që andej, poeti lirik dhe zemërmadh kosovar Mëhill Velaj. Përse e besoj?
Sepse që të gjithë kanë rritur shtatin e tyre me serenata, sikurse e rrit shtatin një dardhë e madhe nga dielli, sikurse lindin legjendat më të bukrua të njerëzimit buzë ujrave të detiti apo të lumejve, sikur i lindin pulëbardhat vetëm hapsirat blu të detit.
Kam patur rast të lexoj nga historia e luftërave të popullit tonë. Që prej shekujve dhe deri në Luftën e Dytë Botërore. Kam parë se djemtë,burrat dhe çikat korçare kanë qënë trima të dorës së parë, që nuk u ka bërë syri tërr nga armiqtë e armatosur me armë të panjohura dhe që kanë ditur të përgatiten për lavdi. Pra, të vdesin siç vdesin trimat. Të bukurit janë trima. Kështu janë njerëzit e bukur e me shpirt të bukur, siç janë korçarët .
Por korçarët nuk mburren, as për bukruinë e tyre, as për trimërinë e tyre e as për pasurinë materiale të tyre. E ku të lënë serenatat që të mburresh? Kush i dashurorn me shpirt ato, a ka shpirt, vallë, t’u mburret të tjerëve apo të ketë cmirë?
Këtu, në Suedinë e pastër , si akujt dhe dëbora, me njerëz të gjatë, të qetë dhe të nderëshëm, mua më vijnë e më gjejnë serenatat korçare. Serenatat e Mihallaq Andreas ( për të cilin, si për asnjë shqiptar në të gjallë të tij, gjer tani janë bërë katër filma dhe tani na dhuron romanin e tij të vetëm dhe autobiografik “ Historia e njeriut me kitarrë”), Nonda Kajnos, Tomi Kondakçiut, Spanjës.... Dhe, mua, birit të Kosovës lufëtare dhe që ka qarë, ka qeshur, është egërsuar, është lutur, ka sakrifikuar edhe qindarkën e fundit për të, këto serenata më sjellin diçka tjetër. Më sjellin diell nga mëmëdheu, dashuri mesdhetare, pasione blirësh dhe krokëllima intime takash nëpër kalldrëme....
Dhe më rrëmbejnë si një tyl i atlllasët që ma ka dërguar Allahu qënga kupola qiellore. Dhe më thonë. Mos ke vendosur të vdesësh pa e parë të dashurën tënde? Korçën , këtë bahçe që lind serenata?
Me respekt nga Prof. Remzi Basha



del.icio.us
Digg
Post your comment