Home | KRIJIMTARI | PORTRETE | Gazetari ne optiken e specialistit

Gazetari ne optiken e specialistit

image FUAT MEMELI

Gazetaria ka qenë pasioni im i vjetër, që më ka ngacmuar vazhdimisht...

Ja edhe nje specialist i mirenjohuri bujqesise shqiptare, Dr i shkencave Jorgji Muzaka iu shtua listes se B.A duke dhene kontribut real ne mbajtjen gjalle te ketij vebsajti. Jorgji ka realizuar nje  interviste interesante me gazetarin e talentuar Fuat Memeli. Ne kete rast ai, si me thene,ka ndrruar rolet:Specialisti eshte shndrruar ne gazetar dhe gazetari person qe intervistohet. Dhe jo pa sukses.Jorgji nepermjet kesaj interviste u tregon lexuesve jeten biologjike por sidomos jeten e punes, jeten profesionale te Fuatit.Ne kete interviste e gjen Fuatin femije qe "gjezdis" neper shtepite dhe rruget e Sinices, diku te shtruara me kalldrem e diku jo,ku levizin njerzit, te rritur e te mitur, ku kalojne bagetite dhe kafshet e punes te cilat leshojne aty- ketu bajga e kakerdhi qe perzihen me gurickat e rruges. Kush e njeh mire Fuatin ndjen mall per te, e perfytyron ate femije duke rendur me link arave e livadheve te Sinices, duke iu qepur pas Orhanit, babait te vet i cili kosiste luadhet me strehen e kasketes pas qafe per ta ruajtur nga dielli pervelues i beharit. Vitet ikin dhe Fuati "rritet" edhe ne biseden e tij me Jorgjin.Ai largohet nga Sinica per te ndjekur shkollat ne Korce dhe Tirane, per te punuar per 40 vjet me radhe me kembengulje e devocion ne fushen sa te veshtire po aq edhe te bukur te gazetarise televizive dhe ne median e shkruar. Megjithate ai kurre nuk e harroi Sinicen e tij te dashur per te cilen do te shkruante qe kur ishte fare i ri:
                    Dhjetra here kam ardhur
                    E qindra here do te vij
                    Vec gjithnje ndodh me mua:
                    Vij ketu te shmallem
                    Dhe iki me i malluar!
fuati kete mall e dashur per fshatin e tij te lindjes ua ka ngjizur edhe femijeve te tij. Me kujtohet se si une  botova nje foto te vajzes se tij te vogel, (me duket se quhet Rezarta) ne revisten " Bujqesia Shqiptare" ku ajo dukej qe shihte gjyshen e vet ne Sinice tek milte lopen dhe vete perkedhelte me deshire feminore vicin motak. Jorgji Muzaka me mjeshteri na jep portretin e gazetarit duke u rritur edhe profesionalisht sipas trendit te kohes.Ilistrimi i intervistes me fotografi eshte nje vlere tjeter e ketij shkrimi pasi atje cdo foto eshte nje shkrim me vete. Sheh Fuatin me miq e shoke, me specialistet e talentuar e te spikatur qe kane lene gjurme ne Bujqesine Shqiptare,po edhe midis fshatreve. E sheh ate ne foto me poetin dhe shkrimtarin Kombetar Dritero Agollin...sheh gazetarin Fuat me "pluhurin e argjende" qe i ka pudrosur koken dhe thua me vete: Ato qimet e bardha te fisnikerise mund te jene aq shume sa ai ka bere shkrime e kronika ne median shqiptare Fuati na ka nderuar edhe neper konkurse televizive dokumentare edhe jashte kufijve te Shqiperise, si ne France, Gjermani e Ceki etj
 Nuk e besoj te mbaje mend Fuati numerin e shkrimeve dhe te intervistave qe ai ka realizuar me specialiste dhe njerez te tjere te thjeshte ne fushat e Atdheut  gjate kater dekadave por kjo interviste e  Dr.Jorgjit me gazetarin e talentuar do ta mbaje mend shume gjate. Te falenderoj i nderuar Jorgji Muzaka qe me anen e kesaj interviste ma "solle" Fuatin, mikun dhe shokun tim prej 50 vjetesh(4 vjet ne Korce ne shkollen e mesme dhe 4,5 vjet te tjera ne Institutin e Larte Shteteror te  Bujqesise + 40 vjet ne gazetari), pra te falenderoj qe ma "solle"dhe " bisedova" me te  ne shtepi ketu ne USA.
 
Sinqerisht
 
Fiqri Shahinllari
 

40 VJET PUNË NË MEDIAN BUJQËSORE

Intervistë me gazetarin dhe kineastin, FUAT MEMELI

Intervistoi: Dr.Jorgji Muzaka

K

ëto dite u takova me Fuatin, jo  ne Tiranë, si zakonisht, por në Nju Jork. Kujtuam vitet e bukura të shkollës së lartë. Bashkë kemi mbaruar ILB, sot Universiteti Bujqësor, Universiteti Bujqësor, Tiranë. Fuati, në atë kohë ishte shumë i dhënë pas letërsisë. Kur mbaruam fakultetin, morëm rruge te ndryshme. Fuati  ndoqi  rrugën që i pëlqente më shumë, gazetarinë, kurse unë bujqësinë. Në shtator të vitit  1969, ai filloi punën në TVSH. Gjatë kohë që ndiqja në ekran kronikat dhe emisionet e realizuara prej tij, ndjeja një farë krenarie, sepse Fuati shoku ynë i mirë, që shquhej mes nesh, përparonte ne fushën e medias bujqësore e më gjerë.  Ai e shtriu shumë shpejt veprimtarinë e tij edhe në gjini të tjera të publicistikes, duke mbetur kurdoherë njeri i përkushtuar, që kurrë nuk i pëlqente  të mburrej. Duke biseduar këto ditë, midis të tjerave më tha: “Unë nuk u përkas njerëzve që kanë vlera të veçanta. Jam pjesë e popullit, e gazetarëve dhe specialistëve të bujqësisë. M’u dha rasti dhe punoj  në fushën e  gazetarisë  bujqësore. Falë pasionit, këmbënguljes dhe punës  sime, jam munduar të lë ca  gjurmë  në këtë fushë “. Këtë shtator, Fuati mbush  plot 40 vjet punë në  mediat  bujqësore. Një jetë e tërë plot punë, plot  vështirësi  por edhe me arritje. Ishte pikërisht kjo, që më ngacmoi për këtë intervistë me të, për të njohur nga afër punën e tij  pasionante dhe  rezultative.

Por, cili është Fuat Memeli?
...

Ka lindur në shkurt 1946, në Sinicë të rrethit Devoll. Shkollën 7-vjeçare e mbaroi në vendlindje. Në vitin 1964, mbaron “shkëlqyeshëm ” Teknikumin Bujqësor ”Irakli Terova” Korçë. Në vitet 1964-1969 kryen studimet e larta në Universitetin  Bujqësor Tiranë. Njëherazi  kryen edhe kursin dy vjeçar të gazetarisë, pranë   Fakultetit  Juridik  Nga viti 1969 e deri më sot, ka punuar në disa vende pune, si gazetar ne TVSH, në Drejtorinë e Informacionit  Agroushqimor dhe së fundi ne sektorin e Informacionit në  Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit. Gjatë viteve që ka punuar si gazetar, përgatiti afro  6000 kronika, mbi 350 emisione, rreth 100 filma dokumentarë .Ka botuar shumë shkrime, poezi, fotografi. Ka hapur dy fotoekspozita me temë nga bujqësia shqiptare dhe ajo franceze. Në vitin 1996 është kualifikuar në Francë për filmin dokumentar dhe shtypin bujqësor. Ka marrë  pjesë në gjashtë festivale ndërkombëtare të filmit dokumentar  bujqësor dhe ka  fituar pesë  çmime. Dy çmime i ka marre edhe në Shqipëri, po në këtë gjini artistike. Është kryetar i Shoqatës  së  Gazetarëve  Shqiptarë të Bujqësisë.  

Zoti Fuat, ju keni lindur në fshatin Sinicë të Devollit. Mbani lidhje të vazhdueshme me  të? Çfarë kujtime ruani për vendlindjen?

Sinica është fshati më i dashur për mua. Atë nuk e ndërroj me asnjë vend të botës. Atje kam kaluar fëmijërinë, kam varret e gjyshërve. Kam shumë kujtime nga shkolla, nga bashkëfshatarë t e mi, që nuk do i harroj kurrë. Nuk rri gjatë pa shkuar në Sinicë, pasi më zë malli. Kur afrohem në fshat, me pushton një emocion i veçantë. Unë nuk jam ndarë e nuk do të ndahem asnjëherë nga vendlindja, sa të jem gjallë .Ndër poezitë e mija të para, kam  shkruar edhe një vjershë për fshatin tim. Midis të tjerave, atje them:

…   Dhjetëra herë kam ardhur

E qindra herë  do të vij

Veç gjithmonë ndodh me mua

Vij këtu për t’u çmallur

Dhe iki më i malluar…..

  Keni mbaruar shkollën e mesme në Korçë. Cilat kanë qenë pasionet tuaja, cili ka qenë hobi  juaj në atë periudhë?

Ne djemtë e vegjël te fshatit, pasi mbaronim shkollën 7-vjeçare, përgjithësisht na jepej e drejta të vazhdonim shkollën e mesme bujqësore. Rralle ndodhte të shkoje në ndonjë shkollë tjetër. Unë kisha kërkuar shkollë tjetër, por nuk m’u dha. Kështu në vitin 1960, fillova shkollën e mesme bujqësore. Ne djemtë e ardhur nga fshati u ambientuam shpejt me jetën e qytetit, me kulturën, me traditat, me zakonet e tij. Në shkollën tonë kishte mjaft mësues e specialistë të zotë dhe të apasionuar. Ata ishin shquar për ndihmesën që kishin dhënë në bujqësinë  shqiptare. Të tjerë kishin mbaruar jashtë dhe kishin kulturë të gjerë. Të tillë  ishin drejtori i shkollës Vangjel  Rikashi, dy vëllezërit  Mihal  e Gaqo Duro. Njëri nga mësuesit, Vasil Stralla, studimet e larta i  kishte  kryer në Francë dhe ishte shumë i përgatitur. Në shkollën e mesme, përveç teorisë mësuam edhe shprehitë praktike. Përvishnim mëngët, vishnim çizmet e kominoshet dhe  punonim vetë në proceset bujqësore. Ajo kohë la gjurme tek unë.

Atje lindën edhe pasionet për letërsinë?

Pasionet e mia të para për letërsinë, kishin nisur rrugë që në shkollën 7-vjeçare. Kisha shkruar poezi nën kujdesin e mësuesit Petraq Samsuri i  cili u bë shkrimtar i  njohur. Këtë  pasion, ma kultivoi  me tej mësuesi im i letërsisë, Kristaq  George, në shkollën e mesme. Duke pasur pasion letërsinë, në kërkesën për të shkuar në shkollën e lartë, shkrova tri herë “gjuhë-letërsi”, por nuk m’u dha e drejta. Atë kohë, ata që mbaronin shkollën e mesme shkëlqyeshëm, merrnin bursë pa problem për shkollën e lartë. Kështu që mua dhe shokut tim Nevrus Kulla, na u dha e drejta të vazhdonim studimet në Fakultetin e Agronomisë.

A ishte ky fillim letrar, ai që nxiti dëshirën tuaj për t’u marrë me gazetari?

Gazetaria ka qenë pasioni im i vjetër, që më ka ngacmuar vazhdimisht. Mbaj mend që në ILB, ishte një student, i quajtur Abdurahim  Ashiku. Shkruante shpesh në gazetën “Zëri I Rinisë”. Edhe unë kisha shkruar, por jo artikuj kaq te gjatë e problemorë ,siç shkruante  Abdurahimi. Pra  ai  ishte  nxitësi  im i parë, nga i cili u frymëzova; ishte  pikërisht ai që më tërhoqi  drejt gazetarisë. Në vitin 1968, unë dhe disa shokë të tjerë si Namik Dokle, Qemal Sakajeva, Pasho Bako, Todi Shkembi, Ramazan Sula, etj vazhduam kursin dy vjeçar të gazetarisë. Mbaj mend, nga njëqind  studentë që konkurruan, fituan vetëm njëzetë. Midis tyre, gjashtë  ishim ne të ILB-së. Kështu, krahas agronomisë, u diplomova edhe në gazetari.

Keni përgatitur rreth 6000 kronika. Cilat kanë qenë më të mirat dhe që i kujtoni?

Kronikat që  kam realizuar,janë të shumta. S’ka zonë të Shqipërisë, qytet, fshat e komunë që nuk kam qenë; tek një pjesë, edhe disa herë .Kjo është një e drejtë që ta jep profesioni i gazetarit. Më kujtohet një kronikë e realizuar në bashkëpunim me operatorin e talentuar Fatos Loli, në malësinë e Korabit. Aty njohëm një malësor të verbër i cili quhej Lavdërim Kupa. Kishte katër fëmijë dhe ndonëse nuk shikonte, përsëri  bënte shumë punë. Ishte edhe rapsod i shkëlqyer. Më kujtohet që në atë odën  dibrane, Lavdërimi na këndonte aq bukur me çifteli. Më vonë, barinjtë e asaj zone si dhe Lavdërimi u bënë objekt i filmit dokumentar ”Shtegtarët”, të cilin e mbaj  ndër më të mirët që kam realizuar. Mbresëlënëse ka qenë një kronikë tjetër, realizuar në vitet e para të demokracisë, me operatorin Muharrem Dhëmbi. Është fjala për një fshatar nga rrethi i Lezhës. Pas viteve nëntëdhjetë, ai kish mërguar në Itali. Pasi kish punuar pak vite, me të ardhurat e fituara, kish blerë një traktor dhe ishte kthyer në fshatin e tij. Veç tokave të tij, punonte edhe ato të bashkëfshatarë ve. Gjatë intervistës, na tregoi se kur po kthehej në Shqipëri, doganierit Italian i kish bërë përshtypje traktori i blerë nga shqiptari. Pa i kontrolluar dokumentet, i kish thënë: “ Ec, kalo ti, se e paske mendjen për punë. Shqiptarët e tjerë që kanë kaluar, kanë marrë në Itali vetëm makina “. Në ato vite të parë të demokracisë, traktori i tij ishte nga të paktët që punonte në Lezhë… Interesante ishte edhe një kronikë tjetër që bëmë natën me peshkatarët e Durrësit, ndërsa peshkonin në Adriatik. Janë të shumta kronikat që kanë lënë gjurmë në kujtesën time.

Shqipëria ka kaluar një vit te mbrapshtë, siç ishte 1997-ta. A ka qenë ky vit objekt i kronikave tuaja?

Po…( psherëtin)…Këto janë të shumta dhe të dhimbshme. Mbaj mend që kemi bërë një kronikë me operatorin Fatos Loli, në Universitetin Bujqësor Tiranë. U shkatërruan laboratorët, biblioteka që ishte mjaft e pasur. Punonjësit e bibliotekës qanin. E ndjenin dhimbjen, kishin një   jetë të tërë që punonin aty. Ky shkatërrim ( si shumë të tjerë) u bë nga turmat,  pa  asnjë motiv. Po ashtu më kujtohet edhe një kronikë tjetër e dhimbshme. E realizuam në Stacionin e Zooteknisë në Tiranë. Kjo ishte qendra më e madhe shkencore racore në vend. Njerëz të irrituar, qëllonin me armë  zjarri  demat e racës, atë material gjenetik tepër të shtrenjtë. I copëtonin  dhe i tërhiqnin zvarre. Ishte tepër e dhimbshme . Uroj që skena të tilla të mos të përsëriten  më kurrë.

Ju keni përgatitur shumë emisione, mbi 350. A mund  të na  thoni diçka për vështirësitë dhe cilat ju kanë dhënë  më  shumë kënaqësi?

Unë e kam filluar punën në RTV-Shqiptar. Jam themelues  i emisioneve të bujqësisë. Në vitet ‘70-’80, emisione për bujqësinë përgatiteshin çdo javë. Në raste festash e përvjetorësh, bënim edhe dy emisione në javë. Xhirimet bëheshin me film 16 mm, ndërsa zëri  inçizohej veças. Ishte një teknologji e prapambetur që kërkonte shumë mund,  deri në realizimin përfundimtar të emisionit. Një punë e veçante ishte montazhi, proces i cili pak njihej në ato vite, por neve na rrinte mbi kokë një mjeshtër i madh i  montazhit, i ndjeri Ismail Balla, i cili nuk të falte. Më vjen keq që pak kujtohet ky njeri në TVSH. Një emision tjetër ishte ai që  realizuam së bashku me operatorin Tomorr Topore, në malet e Pukës, me sharrëtarët. Atë e titulluam: ”Miniera e gjelbër”. Aty, për herë të parë në emisionet e mia, përdora  intervistat me sinkron, që sapo kishin filluar të përdoren në TVSH. Mbaj mend, Todi Lubonja, ish drejtor i Përgjithshëm i RTV, merr  në telefon shefin e programimit , Fuat Bozgon dhe i thotë: “Përgëzoji ata djem për emisionin e bukur që kishin realizuar”. Ishte vërtet një kënaqësi e madhe për ne. Mund të përmend edhe plot emisione te tjerë që më kanë lënë gjurmë, si ai për misrin, realizuar me skenar të specialisteve të shquar të kësaj fushe, i ndjeri Hysen Laçej dhe Ahmet Osja.

Keni bërë rreth 100 filma dokumemtarë. A mund të na veçoni disa?

Filmat që kam realizuar janë të shumtë dhe është e vështire t’i veçoj. Ata janë të gjithë njësoj, siç janë edhe fëmijët për një prind. Mbaj mend, dokumentarin “Blegtoret e Progonatit”, realizuar me operatorin Muharrem Dhembi, me skenar të poetit të talentuar Agim Shehu, i cili është edhe me prejardhje nga ato anë. Me këtë dokumentar fituam edhe një çmim kombëtar,në festivalet që organizonte në ato vite Kinostudio. Një dokumentar tjetër i bukur është ai i realizuar për fshatin Bënçë të Tepelenës, me titull: ”Njerëzit  që sfidojnë malet”, me operatorin Fatos Loli, me skenar të gjeografit të njohur, Nesip Meçe. Banorët e këtij fshati, megjithëse me pak tokë, 3-4 dynym për familje, punonin dhe si  të thuash ,e nxirrnin lekun nga guri dhe nuk largoheshin nga fshati, merreshin  me blegtori, me rritjen e troftës ,etj.  Me këtë film, kemi fituar një çmim  në festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar, në Sllovaki. Më ka ngelur në kujtesë, sepse tregon një realitet të veçantë për këto vite të tranzicionit, kur shumë familje largohen  në qytete  ose në mërgim,  shumica e tyre punonin e jetonin  në Bënçë. Një tjetër film që do veçoja, është ai me titull :”Pyjet që mbrohen  nga ligjet e pa shkruar ” , realizuar në fshatrat e Kalasë së Dodës, në rrethin e Dibrës. Aty pasqyrohet një traditë shekullore e mbrojtjes së pyjeve. Pyjet kishin qenë pronë e shtetit dhe filluan të dëmtoheshin. Kur ata u privatizuan, filluan të mbroheshin. Kishte ligje të forta, ata që dëmtonin një dru, dënoheshin rëndë, duke ju marre deri  kafshët, e të tjera masa. Mund të pritej ndonjë dru, por në raste të rralla, si  në vdekje etj. dhe kjo bëhej  vetëm me leje.  

Po nga zona e Myzeqesë, mund të na kujtoni ndonjë film dokumentar?

Po, edhe në Myzeqe kemi bërë shumë filma dokumentarë. Të tillë janë  ata  që kemi përgatitur në ish Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë, me bashkëpunëtorin e vjetër shkencor , Skënder Gozhita; më vonë edhe me specialistin  Alfred Xhomo. Kemi realizuar një dokumentar për fasulen me specialistin e njohur Jorgo Shkodrani. Për pambukun, realizuam një dokumentar me ju e me Dr.Hiqmet Demirin. Për lulediellin kemi  bërë një film me Dr. Elham Manaj e Naun Priftin, etj. Ata filma janë në arkivin e RTV-së dhe  të Ministrisë së Bujqësisë. Më ka ngelur në kujtesë një film që kemi  realizuar në Divjakë për buallicën. Titullohej “Apel  për një kafshë që po zhduket”. E  bëmë para 7-8 vjetësh, kur kishin mbetur akoma  vetëm 40 buallica në gjithë Shqipërinë. Sipas studimeve nga i ndjeri Jakov  Mile, pas çlirimit numëroheshin 25.000 krerë, ndërkohë që në këto vite rrezikohej të zhdukej  kjo specie, që  është quajtur “tanku i  bujqësisë”. Nga buallicat, krahas punës, merret edhe qumështi, me të cilin bëhet ai kos aq i mirë e që ju e njihni mirë, sepse jeni nga ajo zonë.  

A mund të na  përmendni  ndonjë  film tjetër dokumentar që keni realizuar kohët e fundit?

Po, vitin e kaluar unë promovova një film dokumentar I titulluar: “Devolli – djepi që përkundi devollinjtë” me operator Ilir Buçpapaj. Është një nga krijimet e mia më të dashura. Ishte një detyrim që kisha për vendlindjen time, pasi edhe Sinica përfshihet në rrethin e Devollit. Po ashtu ishte një sugjerim i mikut , ”Nderit të Kombit”, shkrimtarit të shquar,  Dritëro Agolli. Ai  tha: ”Fuati e njeh mirë këtë punë, e njeh edhe zonën dhe mund ta realizoje mirë “. Them se nuk i kam zhgënjyer ata që më besuan. E  promovova në Tiranë, u dha edhe në TVSH. Vjet e shfaqa edhe këtu në Amerikë,  në Bruklin e Ëoterber, ku prej  vitesh  jetojnë e punojnë shumë familje devollite; ndërsa sivjet edhe në Toronto, në një auditor devollinjsh. Për ta realizuar është dashur shumë punë, pasi Devolli ka 45 fshatra dhe një qytet, Bilishtin. Shkuam pothuaj në çdo fshat dhe në të katër stinët e vitit. Qëmtuam me durim jetën, zakonet, bujqësinë e zhvilluar e çdo gjë të mirë të kësaj treve. Ky është vetëm fillimi i një pune, e cila duhet çuar më tej, duke realizuar dokumentarë për fshatra e tema të veçanta.

 

A keni  realizuar ndonjë dokumentar të ri, sidomos në fushën e bujqësisë?

Gjate vitit 2008, kam bërë një dokumentar për bujqësinë organike në Shqipëri. Kjo fushë  është pak e njohur dhe e pa vlerësuar në realitetin shqiptar. Në shume shtete të zhvilluara, si në SHBA, Francë, Gjermani, Zvicër etj, i kushtojnë rëndësi  të veçantë kësaj bujqësie. Një ndihmesë të veçante për realizimin e tij dhanë, specialisti  i apasionuar i kësaj fushe, Enver Isufi si dhe agronomi tjetër i  njohur, Irfan Tarelli. Nëpërmjet  kësaj bujqësie, shtohen të ardhurat  e fshatarëve dhe përmirësohet  cilësia e ushqimeve për konsumatorët.

Këto ditë kam rëne në kontakt me një faqe të re të hapur në internet  me titull: ”Bujqesi   Agronomike”. Aty kam gjetur edhe shkrime tuaja. Mund të na  thoni diçka për të?

Unë e përshëndes këtë nismë me vlera. Përgëzoj  Prof.Dr. Andrea Shundin, agronomin  Kostandin Mosko  si dhe të apasionuarin pas figurave të shquara  të bujqësisë, agronomin Zef Gjeta, të cilët gjejnë kohë dhe merren edhe  me këtë punë. Ka faqe në internet  për  figura të artisteve, sportisteve etj, por për  bujqësinë nuk ka pasur. Kjo  nismë me vlera  duhet inkurajuar dhe do ndihmuar për tu zgjeruar. Kam bindje se  me ndihmën e gjithë intelektualëve të aftë e të përkushtuar, ajo do të rritet e të japë frytet e veta shumë shpejtë. Unë mora  kontakt me drejtues të kësaj faqe dhe jam i  gatshëm të ndihmoj,  për ta pasuruar më tej këtë faqe .  

Përmendët  personalitete të agronomisë. A mund të na kujtoni disa prej tyre, që edhe mund t’i keni intervistuar në vite?

Po, më kujtohet që kam bërë një intervistë me Prof.Dr. Andrea Shundin, në  vitin 1975. Ajo u bë fill pas përfundimit të Konferencës Kombëtare të Shkencave Bujqësore. Ishte një veprimtari që kish përmasat e një Kongresi. Prof. Dr. Andrea së bashku me Prof. Mentor Përmetin, ishin organizatorët dhe drejtuesit e saj.  Andrea Shundi  është një nga figurat më të shquara të bujqësisë shqiptare. Kudo ku ka punuar, si në IK Lushnjë, në Ministrinë e Bujqësisë, në seksionet e bujqësisë Lushnjë e Kukës, apo në Akademinë e Shkencave  e Universitetin e Bujqësor, ka lënë gjurmë të pa shlyera. Merita e Prof.Dr. Andreas është se me durim e përkushtim, gjithë bagazhin e tij shkencor e intelektual, e ka shkruar në libra.  Është nga më prodhimtaret në fushën e bujqësisë. Vetëm në vitet ‘2000 ka botuar 10 libra cilësorë, pa përmendur tekstet  mësimore, kumtesat dhe referatet e mbajtura brenda e jashtë vendit. Ka botuar jo vetëm për foragjerët ,për të cilat është i specializuar e kompetent, por ka shkruar edhe për vreshtarinë ,etj.

Emblemë e shquar e bujqësisë shqiptare është edhe Prof. Ahmet Osja. Isha në 70-vjetorin e lindjes së tij në Shkodër, por edhe në  Tiranë, ku presidenti i Republikës  Bamir Topi i dha titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Edhe Ahmeti ka lënë gjurmë të pashlyera kudo ku ka punuar. Për të, kohët e fundit  kam  bërë  edhe një shkrim të gjatë. Një tjetër shkencëtar i shquar është edhe Prof. Hysen Çobani, kuadër   potencial, energjik e autoritar. Edhe pse i ka kaluar të 70-tat, përsëri  punon në një fushë biznesi me farat e perimeve. Kohët e fundit ka botuar një libër me vlere, me titull  ”Perimikultura e zbatuar”. Kam intervistuar shumë specialistë të tjerë bujqësie. Më këtë rast, në shenjë  respekti  po përmend disa prej tyre si  Prof. Mentor Përmeti Prof.Hysen Laçej, Xhelo Murraj, Andon Ikonomi, Koço Dhima, Burhan Celo, Meropi Prifti, Arian Babo, Ibrahim Toshkezi, Jakov Mile, Petrit Dizdari, Viktor Puka, Petraq Sotiri, Petrit Kalakula, Fejzo Pashaj, Fehmi Gokaj ,etj. Një vend të veçante kanë edhe specialistët e prodhimit  si   Tomorr Rehovica,  ish kryagronom në Lapardha- Berat, zotekniku i shquar Illo Foto, i  cili punën afro 40- vjeçare me blegtorinë, e ka pasqyruar në pesë  libra të botuara  vitet e fundit, e shumë e shumë të tjerë, të cilëve u kërkoj falje që nuk po  i përmend.  

Ju keni bërë mjaftë shkrime. Mund të përmendni  ndonjë, që ju ka lënë më shumë mbresë?

Megjithëse nuk kam punuar direkt në gazetë, shkrimet kanë qenë pjese e punës time. Ato janë të shumta , mbi 1000 artikuj. Do të përmend vetëm  dy prej tyre . Më kujtohet, kam bërë një reportazh  në gazetën ” Zëri i Popullit”, për vendlindjen time, Sinicen. Ai nxiti një grup  arkeologësh, të cilët shkuan në atë zonë dhe brenda pak ditësh, zbuluan mjaft sende me vlerë si gjerdanë, vathë, byzylykë, heshta ,etj. Pra rezultoi  se edhe treva e fshatit tim, është një vendbanim i hershëm, që i përket  shekullit  7-6-të para  erës  së  re.

Një tjetër shkrim ka qenë një portret  që kam bërë në vitet e demokracisë për bahçevanin e talentuar, Hamit Qyteza nga fshati  Rov i Korçës.  Ai  ishte një lulerritës i shkëlqyer, por nga biografia e keqe nuk pranohej të punonte bashkë me brigadën. Ishin vetë sekretarët e parë dhe kryetarët e komiteteve të asaj kohe,që në raste festash, dërgonin shoferët  e  tyre dhe merrnin buqeta  me lule; nga ana tjetër po këto struktura e persekutonin. Ishte ky një paradoks i kohës.  

Diçka për fushën  krijuese. Cilat janë objektivat tuaja?

Poezia  është dashuria ime e parë. Më kujtohet, kur isha nxënës në shtatëvjeçare, ulesha  poshtë një molle që kishim prapa shtëpisë, sidomos kur çelnin lulet dhe shkruaja  vjersha. Ndikim kanë pasur mësuesit e letërsisë, por më vone tek unë rrezatoi me krijimtarinë e tij e cila më shkonte për shtat, shkrimtari I shquar,  Dritero Agolli. Ai ka qenë  pedagogu im, në vitet që studjoja për gazetari. Driteroi  u bë nxitës  jo  vetëm për mua ,por për dhjetëra të tjerë, që më vonë u bënë shkrimtarë e poetë të dëgjuar. Unë kam shkruar poezi, që nga vitet 60-të kam  botuar shumë nga ato në organet e shtypit të përditshëm e periodik, por nuk kam mundur t’i përmbledh në libër. Dua t’i shikoj me qetësi  dhe besoj  se edhe ato do e shohin dritën e botimit. Në prozë kam shkruar skenarë filmash. Kam botuar edhe një  monografi, titulluar ”Mësuesi  ynë “, kushtuar të ndjerit  Dhimitraq  Farmaqi. Nëpër duar kam shumë  materiale të tjera, por duan kohë t’i sistemosh   e  t’i përgatitesh  për  botim.

Cili  është  idhulli  juaj  ne letërsi?

E theksoj, idhulli  im në letërsi, është Dritero Agolli. Driteroi është i dashur për të gjitha moshat, nga Tropoja në Konispol.  Ai  është një “shkëmb i fortë”, që nuk ka ndërruar kurrë flamur. Është i thjeshtë, i  kuptueshëm dhe mbi të gjitha është njeri me zemër të madhe. Portretin e tij e mbaj në shtëpinë time.

Mos jeni pak lokalist ne këtë drejtim?

( Qesh ).Jo nuk jam aspak  lokalist. E përsëris, Driteron e kam jo vetëm mik, por e kam  idhull në gjithë krijimtarinë time.

C’ vend zë fotografia ne punën tuaj?

Pasion tjetër për mua, ka qene dhe mbetet  fotografia. Kur studjoja ne gazetari  ne vitet ’68-69-te, midis lendeve qe bënim, ishte edhe fotografia .Me tej me nxiti drejte saj, i ndjeri  Ndoc  Kodheli. Ai vdiq shpejt  dhe nuk i shijoj vitet e demokracisë .Me te shkoja shpesh  me  shërbime dhe si  te thuash ja “vodha” profesionin. Kam hapur dy fotoekspozita me teme nga bujqësia shqiptare dhe  ajo  franceze. Mendoj te hap edhe një tjetër .Gjate viteve te tranzicionit, kam fiksuar mjaft pamje e objekte  interesante, që janë te pa kthyeshme dhe me vlera dokumentare.  

Cilat ishin vlerat reale të këtyre fotoekspozitave?

Fotoekspozitat kanë vlera dokumentare, artistike, pse jo edhe shkencore. Ato janë dëshmi e gjalle e kohës dhe në vite u rritet vlera. Specialistë të fushave të  ndryshme, me fotografi  bëjnë albume, dokumentojnë realitetin. Edhe në fushën e bujqësisë, janë përgatitur albume, por mendoj  se  më tepër duhet të bëjmë, pasi material  ka boll. Albumet  fotografike cilësore, duhet të zënë vend në bibliotekat e institucioneve tona shkencore dhe në atë Kombëtare. Ata duhet  të jenë  pjesë edhe e bibliotekave tona personale.  

Po i  kthehemi  edhe njëherë  filmit. Keni marre pjesë  gjashtë herë, në festivale ndërkombëtare dhe keni  fituar pesë çmime. Si  i keni përjetuar ato?

Të gjitha vlerësimet janë të paharruara, pasi janë momente të veçanta në jetën e njeriut. Unë do te sillja emocionet e njërit prej tyre. Për filmin “ Rikthim  te tradita “, u vlerësova  me kupë në vitin 1998. Për pengesa burokratike në Shqipëri, shkova vetëm pak minuta para se të ndaheshin çmimet ,dhe kjo pas shume ndërhyrjeve që beri juria e festivalit. Besoj se nuk ka nevojë për koment. Edhe me filmin “Shtegtarët”, që e vlerësoj nga  më të bukurit  e për të cilin gjithashtu kam marrë çmim, kam provuar emocion të veçantë.  Si për filmat që kanë marrë çmime ndërkombëtare, ashtu edhe ata që janë vlerësuar në vend, kënaqësia ka qenë  e madhe.  Kjo është e kuptueshme. Ç’të them më tepër, vlerësimin  për punën time   e bëjnë të  tjerët.

 

Ju  jeni edhe kryetar i  Shoqatës së Gazetarëve Shqiptarë të Bujqësisë. A mund  të na thoni diçka për këtë Shoqatë?

Rruga e shoqatës sonë zë fill  në vitin 1994. Në ato vite të para të demokracisë, kur shumë  intelektualë krijonin parti, ne nj grup gazetarësh  krijuam  Shoqatën e Gazetarëve Shqiptarë të Bujqesisë. Një merite të veçantë për krijimin e saj, ka kolegu ynë, ish gazetari i Radio Tiranës, Shefqet Merko, i  cili që prej disa vitesh jeton e punon në SHBA. Dy vjet më vonë Shoqata u anëtarësua në Federatën Botërore të Gazetarëve të Bujqësisë (IFAJ). Shoqata jonë ka pasur e ka gazetarë me emër si Shefqet Meko, Fiqri Shahinllari, Ago Nezha, Veli Hoxha, Pasho Baku ,Jani Gusha, Xhevdet Bashllari, etj. Desha të veçoj edhe një anëtar tjetër të Shoqatës sonë, gazetarin me emër si dhe autorin e disa librave, kryeredaktorin e gazetës  “Republika” , Nuri Dragoi.

Diçka për familjen tuaj. A ju ka penguar  puna me pasion e përkushtim, që të kryeni mirë edhe detyrimet familjare?

Une jam i martuar dhe kam katër fëmijë. Vajza ime Gledisi, ndodhet në SHBA. Kreu aty edhe  studimet për master. Punon  ekonomiste  në Bankën  Amerikane në Boston. Djali i madh, Eltoni mbaroi shkollën e  Baletit, punoi disa vite në Ansamblin e Këngëve dhe  Valleve, Tiranë dhe emigroi në Kanada. Aty mbaroi  studimet për ekonomi –informatike. Është sistemuar me punë në një kompani  kanadeze  dhe jeton në Toronto. Djali tjetër, Erjoni, mbaroi fakultetin e gjuhëve të huaja, dega italisht dhe pasi  fitoi  konkurrimin, filloi pune ne Pro-Credit-Bank në Shqipëri. Ka ecur mirë dhe sot është  përgjegjës dege në Vlorë, ku edhe banon bashkë me familjen. Rezarta, vajza ime e vogël  mbaroi  studimet në Fakultetin e  Shkencave  Sociale. Fitoi llotarinë amerikane dhe në shtator, u nis për në Boston, pranë motrës së saj. Fëmijët janë pasuria ime më e madhe.  Për sa i përket pyetjes suaj   në se jam një familjar  i  mirë, më zë pak ngushtë. Unë kam qenë gjithmonë  shumë  i  lidhur me punën dhe i kam rënë me qafe shumë, Mukadezit, bashkëshortes time, e cila  ka mbajtur peshën e familjes. Pasioni për punën, për gazetarinë dhe filmin bujqësor, ka qenë “arma” ime në këto 40 vjet …….

Subscribe to comments feed Comments (2 posted):

rezarta on 13/02/2010 02:10:56
avatar
I'm so proud that you are my dad :))
Thumbs Up Thumbs Down
1
E bukura Sinice on 23/07/2010 02:38:07
avatar
Ne te gjithe jemi krenare per ty FUAT.Suksese dhe te metejshme ne punen tende profesionale.
Thumbs Up Thumbs Down
1
Post your comment comment
Please enter the code you see in the image:
  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0
Newsletter
Email:
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1