Home | KRIJIMTARI | Të fala Ezopit dhe La Fontenit

Të fala Ezopit dhe La Fontenit

image Novruz Abilekaj

Ishte verë dhe në pyll bënte tmerrësisht nxehtë

Të fala Ezopit dhe La Fontenit
 
Ishte verë dhe në pyll bënte tmerrësisht nxehtë. Milingona kishte dalë për të mbledhë shkarpa. Ndërsa përpëlitej mes shkarpave, dëgjon një frenim të fortë; zhzhzh ...
Kthen kokën dhe ç’të shoh!
Gjinkalla, brenda në një MERCEDES CABRIO SL 500, me dy dashnorë si të rënë nga qielli!
-Hajde me ne, moj mike e mirë. Pse rri këtu e mbledh shkarpa???!!! i drejtohet Gjinkalla.
-Motër, dimër vjen dhe më duhet të mbledh dru për oxhakun, u arsyetua Milingona, ndërsa djersët i rridhnin çurk.
-E çmendur je, moj!? Çohu, shkojmë në plazh dhe bëjmë ndonjë banjë. Kam edhe dy kinga me vete. A e vë re si të shikojnë? Hajde! Budallaqe je që të rrish këtu dhe të tretesh duke mbledhur dru. Ej, plazh, freskim në ujë të kaltër, BEACHBAR dhe nga një teke raki. Apo të pëlqen birra? Po të pëlqeu nuk do na mungojë. As uiski, kapari a ç’të kërkon shpirti.
-Jo, mikja dhe motra ime, nuk mundem. Kam plot punë akoma.
-Mirë e dashur. Nuk e vlen ta themi shumë herë. Ti do mbetesh e humbur dhe mbase do ta kuptosh.
Iku Gjinkalla fluturim. MERCEDES CABRIO SL 500-a shkeli disa shkarpa la pas kërcitjen e rrotave mbi cipejt e thatë. Atë çast mori frymë thellë milingona, i hodhi drutë në shpinë dhe vazhdoi transportimin e tyre.
 
Kaluan rreth dy javë. Milingona përsëri vente dhe vinte në pyll për të mbledhur ushqim. Në zenit dielli. Pëlciste guri nga vapa.
Fare afër hundës së saj dëgjohet frenimi; zhzhzh .....
Kthehet Milingona me zemër të rënduar dhe ... çfarë të shohë?!
Gjinkalla e njohur me një JEEP 4x4 GRAND CHEROKEE dhe prapa një skaf 20 metra!!! Mbi skaf disa djem sportivë me shpatulla trekëndëshe dhe trupa të hedhur. Secili përshëndeste me duar Milingonën duke i përcjellë puthje nga përtej xhamave të hapur të XHEEP-it.
-Mikja ime, thirri gëzueshëm Gjinkalla.
-Mirëdita, i përgjigjet Milingona me zë të mekur.
-Hajde, lëre ngarkesën dhe ngjitu në skaf bashkë me bodygardët e mi! Shkojmë për fundjavë në Himarë.
-Bah, nuk e dini?! Vjen dimër dhe në qoftë se nuk mbledh ushqim çfarë do ha unë dhe fëmijët e mi.
-Moj, ti nuk mbush mirë!!! Vjen java tjetër për të mbledhur ushqim. Hajde të shkojmë atje ku jetohet. Bukuroshët e mi të presin me padurim. Nuk e shikon si t’i kanë ngulur sytë?!
-Jo, o motër, jo. Nuk mundem.
-Dakord, ç’të të them deri sa je e lënë nga mendtë! Tha kështu Gjinkalla dhe i dha gaz JEEP-it.
-Ashtu bëj pa do të shihemi kur të zbresë dimri. Do vuash për kafshitën e gojës, moj mendjelehtë e gjorë. Do të dridhesh nga të ftohtit. Mërmëriti këto fjalë dhe nënqeshi e kënaqur Milingona.
 
Iku vera, iku dhe vjeshta. Erdhi dimri me huqet e tij. Përjashta dëbora arriti dy metra lartësi. Milingona është shtriqur (qejf o qejf) mbi divanin pranë oxhakut duke ndjekur në televizorin emisionin “Kafeja e mëngjesit”. Rrufit çajin e nxehtë qetësisht. Herë pas here i fryn zjarrit dhe fërkon sytë nga tymi që i kthehet prapa, megjithatë është e qetë dhe ndihet e lumtur.
Papritur troket porta; tak-tak-tak! Pas të trokiturës dëgjon t’i flasë një zë i njohur:
-Motra, hape! Hape shpejt, të lutem, se bën ftohtë. Gjinkalla jam.
 -Aaaa, erdhe, vogëlushja ime, erdhe. Të shtrëngoi veza, ëë?!
Pastaj u ngrit ngadalë-ngadalë. Eci me hap të rëndë deri te porta.
Sa hapi portën, gati i ra infarkt. U bë dru.
Gjinkalla iu shfaq në portë me veshje dimërore të trasha e të shtrenjta. Ishte tërësisht e gatshme për të udhëtuar në dëborë e në stuhi. Në kokë kishte ngjeshur kokore prej leshi të veshur me meshin dhe sytë i kishte fshehur prapa ca syzeve të zeza që i mbulonin edhe vetullat. U fut brenda buzëqeshur. Rrezatonte hare. Pak pas saj JEEP-i blu me zinxhirë të shndritshëm. Mbi të ishin ngarkuar patina skiatorësh!!! Kurse brenda në JEEP dy të rinj biondë buzëqeshnin sa u shkëlqenin mollëzat e faqeve.
-Ke dhjetë minuta të bëhesh gati dhe të vish me ne. Kam mbyllur hotel në mes të Alpeve, në Theth dhe do argëtohemi duke bërë ski me miss-ët që sheh në JEEP. Shpejt, bëhu gati!, fliste rrëmbimthi Gjinkalla.
Memece Milingona. Gjuha iu tërhoq në gurmaz dhe goja, si zgavër bosh, i ngriu.
-Hajde, mos u bëj budallaqe, vishu sa më shpejt! Dy xhigitët biondë mezi presin të të njohin.
-Oh, mikja dhe motra ime, Gjinkallë, fatkeqësisht nuk mundem të vij as sot me ty. Vetëm, të lutem, më bëj një nder! Po takove Ezopin a La Fontenin atje ku do shkosh, jepu të falat e mia. Thuaju të pirdhen me gjithë këshillat e tyre dhe të mos trazohen herë tjetër në jetën time!!!
E përshtati

Subscribe to comments feed Comments (0 posted):

Post your comment comment
Please enter the code you see in the image:
  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0
Newsletter
Email:
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1