Home | REPORTAZHE | PERSONAZH | Figura të shquara të gjuhësisë

Figura të shquara të gjuhësisë

image Agnia Vasilievna Desnickaja

ALBANOLOGIA E MADHE E MIKE E SHQIPERISE, A.V. DESNICKAJA-AKADEMIKE

Nga: Prof.as.Dr. MURAT GECAJ


1.

Ishte shtatori i vitit 1960. Pasi kisha mbaruar dy vjet studime në degën gjuhë-letërsi shqipe të Universitetit të Tiranës, m’u dha e drejta dhe nisa studimet në Universitetin “Zhdanova” të Petërburgut (ish-Leningrad) në Rusi (ish- Bashkimi Sovjetik).  Bashkë me mua ishin caktuar edhe Anastas Dodi (për fonetikë), Luan Dino e Vangjeli Stroni (për leksikografi). Kur e mori vesh këtë gjë, profesori ynë i nderuar, Eqrem Çabej-Akademik, pashë që i erdhi mjaft mirë, pasi kurdoherë gëzohej që gjuhësia shqiptare të kishte specialistë sa më të zotë. Profili im do të ishte dialektologjia, në degën e gjuhës dhe letërsisë të Fakultetit përkatës, në atë qytet. “Do të ndodhesh pranë Akademikes dhe albanologes së njohur, Agnija Vasilievna Desnickaja,- më tha ai.-Është një njohëse dhe studiuese e zonja e gjuhës shqipe. Pra, përpiqu të fitosh sa më shumë nga ajo dhe kolegët e saj rusë të gjuhësisë”.

            Pasi arritëm e qendruam në Moskë disa ditë, e kryem udhëtimin tonë deri në Petërbursg. Secili nga ne i nisi leksionet në degën e caktuar. Me nismën e A.V. Desnickajajës, pranë Institutit të Gjuhësisë aty ishte ngritur e funksionon edhe sot një sektor i rëndësishëm albanologjik. Ajo kishte tërhequr në këtë punë disa sudiues të kësaj sfere, si A.P. Sitov, A.V. Zhurga, L.A. Llapashov, L.V.Sharapova, I.I. Voronina, A.Y. Rusakov etj.

             Gjatë studimeve atje, mora pjesë në veprimtari shkencore dhe dëgjova leksionet e saj. Ndërkaq, më kujtoheshin fjalët e sakta të Prof. Çabejt. Shpejt kuptova se Desnickaja ishte një autoritet i gjuhësisë ruse dhe evropiane. Këtë gjë, e vërejta mirë edhe në një sesion shkencor, në sallën e Akademisë së Shkencave të Petërsburgut. Mbledhjen e kryesonte Akademiku i njohur Zhirmunskij, i cili ishte aq kompentent në gjuhësinë e vendeve të tjera, sa kishte hartuar edhe tekstin e dialektologjisë gjermane. Pasi Desnickaja lexoi punimin e saj, rreth shumësit të emrave në gjuhën shqipe, u ul në vend dhe priti mendimet e kolegëve. Megjithëse isha i ri, atë ditë e ndjeva veten shumë të nderuar në atë veprimtari. Por ta them hapur, mendova: “Ku di gjë Zhirmunskij nga gjuha shqipe, pra nëse Desnickaja referoi mirë ose jo?” Po, isha gabuar. Me anë të gjuhësisë krahasuese, ai hyri menjëherë në temë dhe i bëri albanologes ruse disa pyetje “me spec”, të cilave ajo iu përgjigj aty për aty dhe mjaft saktë.

Kompleksi i ndërtesave të Universitetit, në Sankt Petersburg-Rusi

2.

Interesi për njohjen dhe studimin e gjuhës shqipe nga Prof. Desnickaja nisi në vitet ‘50 të shek. XX dhe vazhdoi deri në fund të jetës së saj.  Ishtë disa herë në Shqipëri dhe kjo i nidhmoi asaj të thellohej në studimet që kreu. Në 80 vjetët e jetës së saj, mori pjesë aktive në shumë konferenca, kolokiume, simpoziume e kongrese ndërkombëtare, ku paraqiti kumtesa për gjuhën tonë amtare. Ajo kishte interesa të gjëra studimi për shqipen, si për fonetikën, morfologjinë, historinë e gjuhës, marrëdhëniet e shqipes me gjuhët ballkanike r ato baltike, me latinishten, turqishten e gjuhët gjermane etj.

            Desnickaja ka vëzhguar e trajtuar çështje të shumta dhe me interes nga fusha e gjuhësisë, si: kategoria e numrit, gjinisë e rasës, kategoria e mbiemrit, çështje të kohëve të foljes dhe mënyrave të saj, çështje të fonetikës, si palatizimi i zanoreve etj. Ajo mbrojti pikëpamjen se, faza vendimtare e sistemit morfologjik të shqipes, përfshin një periudhë të gjatë, që nga shekujt e fundit para erës së re dhe shkon deri në fund të mijëvjeçarit të parë të kohës sonë. Në këtë periudhë, sipas saj, u bë riorganizimi i plotë i tërë sistemit morfologjik të gjuhës shqipe.

            Ndër veprat më të njohura të saj, është: “Gjuha shqipe dhe dialektet e saj”(Albanskij jazik i jevo dialektij”). Kuptohet qartë dhe arsyeja se përse mua më kishin dërguar për specializim pranë saj, pasi ishte e njohur mirë jo vetëm me dialektet e shqipes, por me tërë të fshehtat e kësaj disipline të shkencës gjuhësore.

            Por Desnickaja studioi e shkroi edhe për problemin e gjuhës letrare shqipe. Në këtë fushë, përmendim artikujt e punimet e saj: “Reth premisave të formimit të gjuhës letrare shqipe”(1973); “Roli i koineve gojore në historinë e formimit të gjuhës letrare shqipe”(1974). Më tej, ajo u muar seriozisht dhe me çështje të historisë së formimit dhe zhvillimit të gjuhës shqipe. Të tilla, janë kumtesat e saj: “Parashqipja dhe përkatësia e saj në arealet gjuhësore veriore të indoevropianishtes”(1972); “Mbi periodizimin e historisë së gjuhës shqipe”(1975); “Bazat historike të ndarjes dialektore të shqipes”.

            Interes zgjojnë studimet e Akademikes Desnickaja lidhur me bashkëmarrëdhëniet e shqipes me gjuhët e tjera. Kështu, të tillë janë: “Lidhjet gjuhësore të hershme gjermane-shqiptare, në dritën e problemeve të gjuhësisë areale indo-evropiane”(1990); “Edhe një herë për çështjen e prejardhjes veriore të shqipes”, “Marrëdhëniet e vjetra gjuhësore shqiptare-balte dhe shqiptare-gjermane”(1981); “Marrëdhëniet e vjetra ballkanike-baltike dhe gjuha shqipe”(1983); “Rindërtimi i elementëve të shqipes së vjetër dhe problemet gjuhësore të përbashkëta ballkanike”(1968); “Paleoballkanistika dhe gjuha shqipe”(1983).

            Në studimin “Huazimet sllave në shqipe”(1963), si dhe në punimin tjetër “Marrëdhëniet gjuhësore sllave-shqiptare”, ajo ka nxjerrë në dukje elementin sllav, në të folmet e Shqipërisë Veriore dhe atë bullgar-maqedonas, në të folmet e Shqipërisë së Mesme e të Jugut. Me këtë rast, ka saktësuar vendin që zënë sllavizmat në leksikun e shqipes.  Materiale me vlerë edhe për gjuhën tonë amtare, Prof. Desnickaja ka edhe në veprën e çmuar të saj: “Gjuhësia krahasuese dhe historia e gjuhës”(1984). Interes zgjojnë për studiuesit e shqipes punimet tjera të saj: “Mbi kategorinë e numrit në gjuhën shqipe” dhe “Kuptimi i kategorisë së admirativit në shqipen”(1987).

            Si përfundim, ajo hartoi e botoi afër 73 artikuj, studime e monografi për gjuhën shqipe, folklorin dhe letërsinë shqiptare dhe prandaj mbetet një ndër studiuesit më  në zë, në fushën e albanologjisë. (Për shkrimin e kësaj veprimtarie studimore të saj, kam përdorur edhe librin e  dialektologut, mikut e kolegut tim të paharruar, Prof.Dr. Xheladin Gosturanit: “Historia e Albanologjisë”(Tiranë, 1999).

            Janë këto arsyet se unë e kam patur për nder që të dëgjoja këshillat dhe leksionet e Prof. A. V. Desnickajës, gjë që ka ndikuar në formimin tim jo vetëm gjuhësor, por dhe të përgjithshëm. Për këtë gjë, ajo do të mbetet përherë e paharruar për mua, si dhe për të gjithë studentët e tjerë dhe studiuesit tanë, ndër vite, që e kanë njohur ose kanë shfletuar veprat e saj gjuhësore për shqipen tonë amtare.

Studentë të A.V.Desnickajës, në Univesitetin e Petërsburgut-Rusi, viti akademik 1960-1961 (Nga e majta: Murat Gecaj, koreane, Vangjeli Stroni e Luan Dino)

3.

Në vitet ‘90 të shekullit të kaluar,  sapo nisi të hapej Shqipëria ndaj botës, nga data 19-20 tetor 1990, në Tiranë u organizua një Konferencë Ndërkombëtare kushtuar poetit tonë  kombëtar, Naim Frashëri. Aty ishin të ftuar disa albanologë, nga vende të ndryshme të botës. Ndër ta ndodhej dhe pedagogia ime, albanologia e shquar A.V. Desnickaja. Ajo lexoi temën “Njeriu dhe liria në veprën e Naim Frashërit”. Ndër të tjera, theksoi: “Naim Frashëri  mund të renditet ndër poetët e shquar të letërsisë botërore, pra ai del nga kuadri nacional shqiptar. Naimi mbetet i madh, ashtu siç ka qenë. Ai kuptohet mirë, kur lexohet pa paracaktime të mendimeve të të tjerëve. Përmbajtja ideore e pikëpamjeve të tij është e pandryshuar. Naimi synonte të bëhej jo vetëm poeti i popullit, por dhe mësuesi i tij...Poema e tij “Bagëti e Bujqësi” na  paraqitet si simfoni ngjyrash. Te “Lulet e verës” arrin kulmin e mjeshtërisë artistike. Atdhetarizmi i Naimit shprehet me optimizmin e tij për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë”.

U takova me këtë pedagoge timen pas aq vitesh, aty në mjediset e Bibliotekës Kombëtare. Sapo iu paraqita si student i saj në vitet ’60 të shek.XX, ajo më njohu dhe përmendi mbiemrin tim: “Po, po, ju jeni Gecaj...”. E pyeta për të njohur të mi, ish-studentë sovjetikë, si pedagogen e gjuhës shqipe në Universitetin e Pëtersburgut, Irina Voronina (kjo, vdekur vitete e fundit) dhe gazetaren e Radio-Moskës, Lila Milkon e të tjerë. Gjithashtu, biseduam për albanologët rusë dhe, ndër ta, për Prof.Dr. Mark A. Gabinskij, me banim në Kishinjev të Moldavisë. Këtë e kisha njohur kur isha atje për studime, pasi vinte për konsultime në degën e gjuhës shqipe. Më pas,  kishte mbrojtur disertacionin, në Petërsburg, për lidhjet gjuhësore shqiptare-rumune, nën udhëheqjen e Prof. Desnickajës. Më vonë, sidomos pas vitit 1991, me Gabinskin kam vendosur letërkëmbim të rregullt dhe ai më ka dërguar disa studime për gjuhën shqipe dhe lidhjet e saj me gjuhët e tjera ballkanike. Në atë takim, me prof. Desnickajën sollëm ndërmend edhe disa studiues të njohur shqiptarë e miq të saj, që nuk jetonin më, si Prof. Eqrem Çabej, Prof. Androkli Kostallari etj. Ishte kënaqësi e madhe për mua kjo gjë, se si gazetar gjeta rastin të bëja më të një bisedë, të cilën e botova në faqet e gazetës sonë “Mësuesi” (23 tetor 1990), ku punoja. Atë po e jap të plotë më poshtë, ashtu siç është publikuar, në atë kohë.

Ato ditë u takova me Prof. Desnickajën edhe në hollin e Hotelit “Tirana”, ku pimë një kafe, bashkë me Prof. Shaban Demiraj-Akademik dhe studiuesin kosovar, Engjëll Sedaj. Ajo më dha adresat e telefonat e punës e të shtëpisë së vet dhe më bëri këtë shënim në bllokun tim: ”Shokut Gecaj, Jam shumë e kënaqur që ndodhem prapë midis miqsh shqiptarë. Agnija Desnickaja, Tiranë, 20.X.90”.

Dy vjet më vonë, mora vesh se kjo albanologe dhe mike e Shqipërisë kishte ndërruar jetë aty, në Petërsburg, duke lënë pas mjaft studime të thelluara për shqipen dhe, me siguri, me mallin për ta parë edhe një herë vendin tonë.

Tiranë, 10 mars 2010

 “JAM SHUMË E KËNAQUR,  QË NDODHEM MIDIS MIQËSH SHQIPTARË”

-Intervistë e albanologes së njohur, Prof.Dr.AGNIA V. DESNICKAJA, anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave të ish-BS, dhënë redaktorit të gazetës “Mësuesi”,  MURAT GECAJ-

Pyetje: Profesoreshë, ju tashmë jeni e njohur si studiuese e gjuhës shqipe. A mund të tregoni diçka për lexuesit tanë, se kur e mësuat shqipen dhe për veprimtarinë tuaj të gjatë në këtë fushë?

Përgjigje: Po, me gjithë dëshirë.Vetë jam me origjinë nga Ukraina dhe qyshë e vogël shkuam bashkë me nënën, te gjyshja, në Leningrad. Aty mbarova shkollën për gjermanistikë. Më pas, i hyra rrugës së mësuesisë dhe studimeve shkencore.

Për herë të parë në Shqipëri erdha në vitin 1946, në përbërje të një delegacioni shoqëror. Në atë kohë, unë nuk dija shqip. Qendrova tri javë këtu dhe më bëri shumë përshtypje vendi juaj i bukur dhe gjuha shqipe. Ky rast, ndoshta, ishte shkaku që më vonë iu kushtova me pasion dhe zell studimit të gjuhës shqipe. Përsëri e vizitova Shqipërinë më 1956, kur qëndrova katër muaj.  E njoha më mirë vendin tuaj, që nga Veriu e deri në Jug, lexova letërsi e folklor, studime gjuhësore etj. Ishte kjo përgatitja ime kryesore për t’iu përveshur kërkimeve e studimeve albanologjike, si për fonetikën, morfologjinë, historinë e gjuhës etj. Së fundi, tre muaj qëndrova në Shqipëri, më 1959.

Kohë e shënuar për mua ishte viti 1957, kur organizova degën e gjuhës shqipe, pranë Universitetit të Leningradit. Punën e fillova me çeljen e laboratorit eksperimental të fonetikës, sidomos për kansonantizmin në shqip. Si informantë, zgjodha ish-studentë shqiptarë, për toskërishten dhe gegërishten. Ruaj në dorëshkrim një studim të gjerë me temë “Kansonantizmi në gjuhën shqipe”.

Më pas, studimet i vazhdova në fushën e gramatikës historike, duke u ndalur posaçërisht në prejardhjen e gjuhës shqipe dhe vendin e saj ndërmjet gjuhëve indoevropiane. Më 1968, botova librin “Gjuha shqipe dhe dialektet e saj”, i cili është përkthyer në shqip dhe botuar edhe në Prishtinë. Ndërsa në vitin 1970, botova studimin “Format  mbidialektore”. Në pjesën e pare, janë trajtuar çështje teorike, ndërsa në pjesën e dytë kam shtjelluar gjërësisht epikën e Veriut.

Në vitin 1984, u botua libri im teorik për gramatikën krahasuese indoevropiane. Një pjesë e madhe e saj i kushtohet marrëdhënieve të shqipes me gjuhët indoevropiane dhe vetë historisë së gjuhës shqipe. Kam përgatitur kapitullin për letërsinë shqiptare, të tekstit “Historia e letërsisë botërore”, botuar në BS. Botimi im i fundit, është “Letërsia shqipe dhe gjuha shqipe(1988). Se, megjithëse jam linguiste, vitet e fundit po merrem edhe me studimet për letërsinë shqiptare. Në këtë libër, kam trajtuar zhvillimin e letërsisë shqiptare deri në vitet ‘20 të këtij shekulli (XX,-shënimi im, tani, M.G.), psh, dhe krijimtarinë e De Radës e Hasan Zyko Kamberit; shtjelloj stilin e gjuhën e Ciklit të Kreshnikëve, bëj disa krahasime ndërmjet Epikës Shqiptare dhe asaj të huaj. Gjithashtu, aty kam trajtuar huazimet sllave e turqishte dhe elementet latine në gjuhën shqipe etj.

Disa nga studimet e mia, në fushën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, i kam referuar në simpoziume e konferenca ndërkombëtare. E tillë ishte edhe kumtesa, që mbajta në Kolokiumin Ndërkombëtar “Naim Frashëri dhe koha e tij”, me temë: “Disa mendime për krijimtarinë poetike të Naim Frashërit”. Për këtë, janë dhënë njoftime në shtyp e në Radio-Televizionin shqiptar, prandaj nuk do të ndalem.

Pyetje: Është me interes të dimë diçka edhe për studiuesit e tjerë të gjuhës e letërsisë shqipe,  në BS. Çfarë mund të na tregoni për këtë?

Përgjigje: E përmenda edhe më lart se, pranë Universitetit të Leningradit, ka kohë që, çdo pesë vjet, (pra, pandërprerje, që nga viti 1957), përfundojnë studimet për gjuhën shqipe disa veta. Dhe tani, pranë katedrës së gjuhësisë së përgjithshme funksionon specialiteti për gjuhën shqipe. Mund të them se te ne është përgatitur një çetë e mirë me studiues, të vjetër e të rinj, të cilët shërbejnë në institucione të ndryshme dhe që merren me zell me gjuhën dhe letërsinë shqipe. Një pjesë e madhe e tyre janë nxënës të mi, por ka dhe të tjerë, me të cilët kemi bashkëpunim të mirë e frytdhënës.

Kështu, për shëmbull, pranë Akademisë së Shkencave të Kishinjevit punon Doktori i shkencave Mark A. Gabinskij, i cili ka mbrojtur aspiranturën pranë Universitetit të Leningradit. Ai ka shumë vjet që merret me studimet në këtë fushë dhe ka botuar punime për paskajoren në gjuhën shqipe, për lidhjet e shqipes me rumanishten etj. Në Moskë e studiojnë gjuhën  shqipe: V. Njeroznjak, I. Kallugina, L. Milko, V. Orioll, Gindin, A. Zhugra etj. Ndërsa në Leningrad  janë të tjerë, si: A. Sitov, J. Llapashov, I. Voronina, A. Rusakov, L. Sharapova etj. Më e reja është M. Domasileckaja, që përgatit një fjalor krahasues të termave baritore në shqip e rumanisht. Kurse nxënësja tjetër, O. Kollpakova, që shërben në Radio- Moska,  po bëhet gati të mbrojë aspiranturën në fushën e shqipes, nën drejtimin tim.

Fushat, me të cilat merren këta studiues, janë të shumta dhe nuk po i përmend. Ata të gjithë po vijojnë me pasion punën e filluar.

Pyetje: Profesoreshë, ju erdhët në Shqipëri e ftuar nga Akademia e Shkencave, për të marrë pjesë në veprimtaritë kushtuar 90-vjetorit të vdekjes së poetit tonë kombëtar, “Mësuesit të Popullit”, Naim Frashëri. Çfarë mbresash keni, me këtë rast?

Përgjigje: Jam shumë e kënaqur që ndodhem midis miqsh shqiptarë. Unë pata kënaqësinë që u prita në kryesinë e Akademisë së Shkencave dhe u takova me mikun tim të vjetër, Prof. Aleks Budën. Në ditët e Kolokiumit, pata  mjaft takime me të njohur e kolegë, të vjetër e të rinj. Shpresoj se do të kemi një bashkëpunim të mirë në të ardhmen. Se na mungojnë libra shqip, tekste mësimore, fjalorë dhe vepra artistike, për studentët dhe pedagogët e Leningradit dhe, në përgjithësi, për studiuesit e gjuhës dhe letërsisë shqipe në BS. Këto janë shumë të domosdoshme për ne.

Deri tani kam vizituar, në Tiranë: Muzeun etnografik dhe ekspozitën “Shqipëria sot”. Gjithashtu, vizitova qytetin e Shkodrës dhe, meqenëse do të qëndroj edhe pak kohë në Shqipëri, mund të shkoj në disa qytete të tjera. Këto ditë, që ndodhem këtu, po shfrytëzoj intensivisht në Bibliotekën Kombëtare botimet shkencore në shqip. Ato do të më shërbejnë për studimet e mia.

Pra, siç e shikoni, kemi shumë punë dhe plane për studimet e mëtejshme në fushën e shqipes.

Redaktori: Ju faleminderit, Profesoreshë Desnickaja, për intervisëtn tuaj interesante!

 (Prof.as.Dr. Murat Gecaj-Marrë nga gazeta “Mësuesi”, 23 tetor 1990, faqe 4)

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted):

Post your comment comment
Please enter the code you see in the image:
  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Tags
No tags for this article
Rate this article
0
Newsletter
Email:
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1