Sections
Diplomacisë shqiptare i mungon prej një viti Lublin Dilja
Të dielën, në qytetin e Elbasanit u përkujtua diplomati Lublin Dilja, në një vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Diplomacisë shqiptare i mungon prej një viti Lublin Dilja
Të dielën, në qytetin e Elbasanit u përkujtua diplomati Lublin Dilja, në një vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Në familjen e diplomatit, për të nderuar kujtimin e njërit prej personaliteteve më të shquara të këtij qyteti dhe të gjithë Shqipërisë ishin, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zonja Jozefina Topalli, nënkryetari i Parlamentit Ardian Turku, qytetarë të ndryshëm, miq e të afërm e pushtetarë vendorë. S'ka fjalë që mund të ngushëllojnë zemrën e nënë Xhejes, që lotët i rridhnin vetiu sa në derën e dhomës ku pritej nga familja bënte ballë një mik a një shok i Lubit. Fjollat e tymit të duhanit që mbushnin ambjentin e tregonin më së miri hidhërimin që ka shkaktuar një vit që shkoi pa Lublin Dilen, këtë diplomat të nderuar të përfaqësimit të shtetit shqiptar në SHBA. Me lot dhimbje e kujtojnë mikun e shokun e tyre të ngushtë zv/ministri i Mbrojtjes, Arian Starova, si dhe Petrit Karabina, apo Pavli Qesku nga Elbasani, që njëherazi janë ata që u futën në botën e diplomacisë me kurajon e njerëzve me dinjitet, të tërë bij të një qyteti që ka njohur në vite edhe diplomatë të tjerë të respektuar si Ilia Janku e Kujtim Myzyri, Agim Popa e Hysen Avllazagai. Nëse ka një njeri që për meritat e aftësive të tij, u bë përfaqësuesi më dinjitoz i diplomacisë shqiptare në SHBA, në vitet e demokracisë 1993-1997, dhe më pas deri në çastet e fundit të jetës së tij, pa dyshim ai është Lublin Dilja. 51 vitet e jetës së tij ishin të mbushura me një aktivitet të gjerë diplomatik dhe të një shqiptari të mirë, i njohur për urtësinë dhe fjalën e ëmbël me një tolerancë tipike prej elbasanasi. Cili student nuk e kujton pedagogun e nderuar, që ishte shembulli i mirësisë dhe i aftësive për lëndën e tij. Pas viteve '90, Lublin Dilja u bë një shembull i përfaqësimit dinjitoz në SHBA. Sjellja e tij dinjitoze dhe përkushtimi në problemet që preokupojnë Shqipërinë, kanë qenë axhenda e shqetësimeve edhe individuale të Lublin Diles, që fatkeqësisht u nda nga jeta para kohe, duke lënë pas kujtimin më të mirë.
Kush ishte Lublin Dilja
Ai lindi në Elbasan në 10 tetor të vitit 1957, ku kaloi edhe vitet e fëmijërisë. Shkollën e lartë ai e kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Dega Anglisht. Pasi përfundoi shkollën, në vitin 1980, ai punoi fillimisht si mësues i gjuhës angleze. Më pas, kreu disa kualifikime pasuniversitare për psikologji-pedagogji, si dhe kurse për diplomacinë në Shtetet e Bashkuara, në Britani e Itali. Lublin Dilja ka patur një karrierë të spikatur si profesor në Universitetin e Tiranës dhe atë të Elbasanit, dhe si punonjës shkencor në Institutin e Pedagogjisë dhe të Psikologjisë. Ai kishte titullin "Doktor i Shkencave". Nga viti 1993 deri më 1997, Lublin Dilja ishte Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Në qershor të vitit 2001, ai u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë në Elbasan, por që më pas mori një detyrë tjetër të rëndësishme, si ministër Fuqiplotë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së dhe njëkohësisht zëvendëspërfaqësues i këtij misioni. Kështu do të shkojnë vitet një e nga një, por emri dhe puna e Lublin Diles si diplomat i shquar dhe i nderuar në SHBA, do të jetë i pashlyeshëm për shumë e shumë kohë, sepse i tillë ishte ai, një njeri i mirë, një mik i dashur, një bashkëshort i devotshëm, një prind shembullor, një bir që i ther në zemër nënës për të, një vëlla i paharruar, po aq sa edhe një diplomat dinjitoz, që përfaqësoi me shumë karizëm shtetin shqiptar në SHBA.
Përgatiti:
Hyqmet ZANE



del.icio.us
Digg
Me Lubin kam qene 4 vjet ne nje klase dhe ne konviktin njekatesh perballe,- ne Shkollen e Mesme te Gjuheve te huaja ne Tirane.
Ishte nje djale i qeshur, gazmor e plot humor, studionte dhe i dashur me shoket ,shoqet e klases. E kam perjetuar me dhimbje vdekjen e parakoheshme te nje miku si ishte Lubi.
Bashkohem ne kete homazh e ndaj dhimbjen me familjen, te afermit dhe miqte e shoket e shumte te Lubit, ne kete pervjetor te ndarjes nga jeta!
U prehte ne paqe!
I qofte dheu i lehte!
Me dhimbje, respekt e dashuri
Monda Moisiu
Kam patur rastin të jem stafi i tij në dy nga evenimentet zgjedhore politike dhe e ndjej të kem ende pranë meje emrin dhe fjalën e tij.
Respekte të përjetshme
Fatmiri
Diplomati Dilja do te nderohet here pas here nga te gjithe shqiptaret e New Yorkut dhe gjithe Diasporen, per kulturen, miresine, diplomacine qe ai shfaqi ne detyren e tij. Ne do ta kujtojme me respekt te madh, pjesemarrjen e tij ne te gjitha aktivitet qe kemi organizuar dhe qe na ka nderuar me fjalen e tij aq te mencur!
Iu prefte ne Paqe shpirti dhe qofte i paharruar kujtimi i tij!
Me shume respekt dhe mirenjohje te thelle,
Keze Kozeta Zylo New York
Post your comment