Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | DALJA PËRTEJ ËNDRRËS

DALJA PËRTEJ ËNDRRËS

Font size: Decrease font Enlarge font
image Xheladin Mjeku

Xheladin MJEKU

 

DALJA PËRTEJ ËNDRRËS

      Poezia si pasaportë njohjeje, apo njohja përmes vargut të frymëzuar nga jeta, nga përditshmëria që na rrethon dhe cyt në rrugëtimin plot angazhime e detyra përmasash të ndryshme jetësore, sikur bashkudhëtojnë në gjetjen sa më të qëndrueshme të shprehjes së mendimit për një çasje analitike më të favorshme, tematikisht  të bollshme, pa ngushtime hapësinore të shprehjes së mendimit spontan nga mbresat e leximit të kësaj poezie. Lirikat e prezantuara në librin“Mali sheh ëndërr”të Natasha Xhelilit e përmbushin plotësisht këtë mendim, qoftë si vlera, qoftë edhe si shtrirje në përmasën hapësinore të rrjeshtimit tematik, që nga antika, deri në përditshmërinë tonë, duke shpërfaqur përvojat jetësore plot ecejake sfiduese e ëndrra të bukura. Një gërshetim i tillë i trajtimit tematik nga kjo poete gjason me mallimin e grigjes luadheve të bleruara në pranverën e hershme, gjithnjë në klasifikimin e ushqimit sipas shijes, për ta ngopur shpirtin me llojllojshmërinë  e lule – vargjeve  që aromatizojnë edhe shijen e lexuesit deri në kujtesë të pashlyeshme. Një fillim i mbarë që premton prurje të bukura poetike, padyshim.

Dashuria si frymëzim në përmasën e parë

  Dy ngrehinat poetike, lirikat “Flauti frymës” dhe baladat“Harpë historie”që përbëjnë librin “Mali sheh ëndërr”,bashkëveprojnë përmes dashurisë dhe historisë, si një strumbullar i qëndrueshëm, duke përquar mesazhin e muzës provokuese të Natashës. Brumosja kaq e fuqishme e këtyre dy dashurive mban gjallë jetën e sakrificave dhe dëshirave për një ardhmëri të denjë, që autorja për asnjë çast nuk e anashkalon, pavarësisht rropatjeve të shumta nëpër kohë e histori. Një degdisje e pafund vjen nga një numër i konsiderueshëm i poezive, që synojnë trajtimin e dashurisë, qoftë si lidhje, si shqetësim; nganjëherë edhe si brenga e pasiguri, ashtu si është edhe vetë jeta. Doemos, në gjithë këtë boshllëk ngjarjesh e dilemash, më sublimja është ndjenja e pathyeshme e zemrave që dashurojnë edhe përtej sakrificës. Rrugëtimit të tërthortë të kësaj pjese të jetës i atribuohen edhe shumë faktorë tjerë, që hiq më pak, janë katalizatorë të shtytjeve, apo ngecjeve të rastësishme, në përmbushjen e ëndrrave të jetës, në veçanti asaj të të rinjëve, që më shumë se gjithçka, dijnë të dashurojnë në formën dhe mënyrën e vet, ndonjëherë edhe të imponuar, por gjithnjë me mundësi tejkalimi të situatave e ngjarjeve.

      Pa mos e rënduar lexuesin me një zbërthim të gjërë të kësaj lënde poetike, duke shpalosur në tërësi poezitë e saj me qëllimin e përvetësimit deri në humbje thellinave të këtyre vargjeve, nuk mund të mos preken disa nga veçoritë që e karakterizojnë këtë materje letrare-artistike. Kështu, mund të veçohen, sidomos poezitë që për trajtim kanë ambiente familjare, fëmijërinë e hershme, ikjen e tyre e ngjarje që kthejnë kujtesën e autores, për t’i mbrujtur në sirtarin e saj, si dashuri që nuk vdesin kurrë. Këtu, kujtimi, si trajtim poetik vjen edhe përmes poezive tjera: "Dëshira e grisur”,“Mbrëmje në park”,“Asaj”,“Portret”, “Në supet e natës”, “Gërsheti yt”, “Sonte”, “Ruaj”, “Mbretëresha e kukullave”, etj. për ta përkufizuar fuqishëm me poezinë “Vetëm”, si një bashkëdyzim fenomenesh e që s’bashku me autoren zbrazin ngarkesën shpirtërore: “Sa shumë jemi mbledhur sot:/ Vetmia, trishtimi, unë dhe hija jote/ të pimë një shishe verë…”.Tek poezitë:“Dashuria e fundit”, “Vonesë”, “Dashuri për një oficer”, “Çast dhimbjeje”dhe “Fantazmë dashurie”, dashuria pasqyrohet ndryshe, me kujtimet, ikjet dhe vuajtjet ëndërrimtare, pa mos u arritur asnjëherë, ose si ndodhi në kohëra të kaluara, tashmë. Një eksperimentim vargu nëpër motive bën të kuptojmë se Natasha Xhelili është e përkushtuar në gjetje të reja tematike dhe trajtim të suksesshëm të tyre, duke përdorur forma e mjete të bollshme stilisitiko-letrare. 

      Në opusin e saj krijues gjithsesi ka edhe poezi që veçohen prej të tjerave, si për nga realizimi, poashtu edhe nga tematika që rajtohen. E tillë mund të konsiderohet edhe poezia “Brenda meje fle një burrë”,që shpërfaq gjithë angështinë shpirtërore, duke kujtuar gatishmërinë e përballjes me situatat në çaste të një momenti të veçuar, pa mos iu dorëzuar situatave, për të arritur te një zgjidhje afatgjatë dhe plot besim:

 “Kur mëria shpirtin t’ju pushtoj,

t’ju rrëmbej me flakë rrufeje,

jam një anije në det të qetë;

mos e zgjoni burrin brenda meje!”

 (“Brenda meje fle një burrë”, fq. 40)     

Po aq e veçantë mund të konsiderohet edhe poezia tjetër, “Elidës”, një përkushtim prekës për një tragjedi familjare. Autorja nuk ka forcë t’i anashkaloj edhe këto momente të ndodhura, që konsiderohen pjesë e paharruar e përditshmërisë, duke ndarë dhimbjen me të dëmtuarit dhe përmes lexuesit sjell imazhin, si kurajo të përmbajtur krah dhimbjeve që e pllakosin familjen e të ndjerës.“Ti moj nënë, mos u mërzit/ që krahu s’është në arkivol/ ai mban një amanet,/ është një engjëll që t’ju mbroj”(po aty, fq.38).

       Natasha Xhelili spikat me krijimin e vargut dhe rimës, duke ruajtur veprimet poetike, pa ndryshuar në formë dhe në mendim. Në vazhdimësi takojmë lidhje të qëndrueshme strofash, në relacion të rimës dhe vargut konsonantik, që asnjëherë nuk imponojnë varësi të realizimit të poezisë, si frymëzim spontan. Përkundrazi, këtu vargjet rrjedhin lirshëm, pa ndonjë ndërlikueshmëri të imponuar metrike që mund të ndikojnë në realizimin e poezisë. “Poetja krijon figura stilistike origjinale në këndvështrimet e veta për atdheun, intimen, universalen. Punon me kujdes në gjetjen dhe strukturën e vargut për të arritur tek e bukura estetike”, shpreh mendimin e tij shkrimtari Petrit Çaushi, gjatë një analize të poezisë së Natasha Xhelilit. Ky mendim  plotësisht i qëndron poezisë dhe përvojave të krijuara  prej vitesh, e që me  pedantëri i ka plasuar tek lexuesi i saj. Të tilla realizime ka mjaft në krijimtarinë e saj, ku veçojmë poezitë:“Lulja e flakës”,“Shiu pranveror”, “Peizazh”,“Hartë mendimesh”, “Vetëm”, etj.

      Krijimtaria poetike në librin“Mali sheh ëndërr”është poetizim plot ndjenja, me figuracion të pasur, me toponimi autoktone prej nga vjen autorja, duke pasqyruar pamje të natyrës së virgjër të Delvinës së bukur, metafora të shumta, deri me përpjekje të vazhdueshme të gjetjeve të reja të fjalëve dhe shprehjeve, që synojnë  begatimin e university poetik, në përgjithësi. Kjo bën të kuptohet se, përmbledhja poetike që po shpalosim këtu, nuk është veç një tufë vjershash që vijnë nga frymëzime të çastit, që lexohen në një frymë dhe pastaj mund të harrohen përfundimisht, por në brendi mësojmë më shumë se kaq. Në frymën e këtyre vlerësimeve e them bindshëm se kjo poezi ka bazament të qëndrueshëm të modernes, e ndërtuar me përkushtim dhe kundruall  përvojave krijuese, në hap me krijimtarinë bashkëkohore, që tashmë kultivohet edhe nga emra eminent të kësaj gjinie letrare. 

Ecje nëpër tehun e kohës  nga antika e këtej

Me besimin e palëkundur e them, se Natasha Xhelili nuk asocon veç në një emër krijueseje që ka nisur rrugëtimin e saj në bashkërenditje me krijuesit tjerë të vendit prej nga vjen, por ajo mund të konsiderohet ndër të veçuarat që shpërfaq gjithë potencialin krijues në formë pikturimi me penelën e saj, duke ravijëzuar deri në imtësira të gjitha ndiesitë shpirtërore, për ta zbrazur në letër, duke sjellur kështu pamje të bukura të vendlindjes, pa mos e lënë në plan të dytë edhe vrazhdësinë e natyrës, ashtu të virgjër, me vrragë nga erozione të gjata kohore, që paraqesin edhe anën e bukur e të vlefshme për njeriun tonë, si tek baladat: “Atdheut”,”Shkëmbinjtë buzë detit”, “Guralecët”, etj. Kjo, mbase vjen si perlë e regjionit, ku josh vizitor të ndryshëm, krijues, piktorë, specialist të fushave të ndryshme të kinematografisë e hulumtues të profileve tjera për ta njohur e përjetësuar më bindshëm këtë hapësirë gjeografike plot fakte e dëshmi. Ajo për asnjë çast nuk anashkalon të kaluarën, por e sjell të rinuar, duke mos i lënë të qetë edhe personazhet nga mitologjia, që kanë lënë vulën e dëshmive të ekzistencës shumëshekullore, të trajtuara mirë në aspektin letrar, që ndërlidhen me përçueshmërinë e mesazhit, kundruall aktualitetit kohor.“Ku të jetë duke gjuajtur kryeprijësi Artrid,/ ndonjë dre të përkdhelur të perëndeshës Artemidë,/ të organizojë një luftë të re në botë?”. Poezia shkon edhe më tej, duke prekur pamje tjera, meqë këto ngjarje pasojnë njëra-tjetrën, si një vazhdimësi që mëton ta ndryshoj gjendjen e mëparshme, ku as “Paridi nuk ia jep më mollën/ Afërditës plot hire/ kur Helenën e ka pranë, kali i Trojës nuk gënjen më askënd/ në rrënojat e sapozbuluara të qytetit antik.”. Me frikën e ndryshimeve të mëdha, Natasha Xhelili nuk hesht për asnjë çast. Ajo pyet edhe për shumëçkapërmes vargjeve në poezinë Çtë ketë ndodhur vallë, për të përmbyllur mendimin e saj se “dyshimet dashurore i mbanin shpirtrat larg/ derisa dashuria në zemër/ të ketë triumfuar.” (po aty, fq. 83). Poaq mbresëlënëse për nga trajtimi tematik janë edhe poezitë: ”Lufta e Trojës”, “Tragjedi greke”, “Kështjella”, e ndonjë tjetër. 

       Derisa në baladat “Vajtoca”dhe  “Qyqja”trajtohet tematikë e njëjtë, ku vaji është pothuajse i një qëllimi, përveçse ndryshojnë hapësirat ku zhvendosen ngjarjet, që kujtojnë ritet, zakonet, deri edhe legjendat që u ruajtën deri në kohën tonë, në “Përmbysje”dhe “Njeriu”gjejmë një trajtim tjetër tematik, me pamje shqetësuese dhe dyshime të përziera, por me një dozë të lehtë shpresash,  që inkurajojnë për mirë.

      Në këtë kompleks poetik, ku e përbëjnë shumëllojshmëri temash e ngjarjesh, motive e imazhe të ndryshme, nuk është anashkaluar edhe ndonjë figurë a ngjarje pa u prekur me intuitën krijuese të poetes, si “Prindërit”“Nënë Terezës”, “Shfaqja”, përkushtime poetike të krijuara me ndjeshmëri të thellë shpirtërore. 

      Por, përkundër gjithë këtyre “turbulencave” poetike, Natasha Xhelili nuk rresht së kërkuari lartësitë e sukseseve, rrugët e jetës, vizionet e reja. Ajo si duket ka hapur me besimin e plotë “Dyert e Shekullit të Ri”, për ta përmbyllur gjithë shqetësimin, drojën, paqartësitë e ndryshme, që e shqetësojnë në vazhdimësi, për tu shprehur bindshëm se, më në fund: “Di, me siguri, që ëndrra ime po troket/ në dyert e shekullit tjetër të gjelbër, e qetë”. (po aty, fq.100).  

Në vend të fjalës përmbyllëse

       Mbase, po vjen një emër në letrat tona që me intuitën e saj krijuese dëshmon për stabilitet në vertikalen e krijimtarisë së saj, pa mos u lëkundur kundruall situatave që mund ta sfidojnë. Zmbrapsja nuk do të ishte zgjidhja e rrugës së saj në detin e paanë të vetëzgjedhur, duke bashkëlundruar krah me muzat provokuese dhe bashkërendëse nëpër labirinthe të ndryshme temash, karakteresh e personazhesh. Këtu nuk ka asnjë dyshim, se kemi të bëjmë me një krijuese që thyen barriera kohore, për t’iu dal ballë barrierave të jetës. 

       “Mali sheh ëndërr…”, pavarësisht se “u end një kohë të gjatë hapësirave të muzës…”për të shpërfaqur “Ëndrrën e djeshme”që vjen nga “Planeti i humbur”, për të mbyllur çarkun e trajtimit të gjithë lëndës poetike deri në“Endrrën e nesërme”,që di të “Godas”gjithandej kah krenaria, që shpërblehet me dashurinë, si virtyt dhe vlerë e njerëzores, për ta dekoruar me “Puthje të blerta”, është rrugëtimi i poezisë që komunikon me lexuesin përtej ëndrrës së trillimeve poetike plot frymëzim, që shpërfaqin vrullin e mendimit të thellë poetik në universin krijues të Natasha Xhelilit..

       Vërtetë, ëndërr e bukur në “Malin…”e frymëzimeve poetike, që premtojnë jetëgjatësi dhe vlera! 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1