Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Poezia ëmbëlsohet nga fjala

Poezia ëmbëlsohet nga fjala

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Fatmir Terziu

Poezia ëmbëlsohet nga fjala

Dr Fatmir Terziu 

 

Poezia ëmbëlsohet nga fjala, mesazhi që fsheh dhe zgjon ajo, ritmi dhe ritmiciteti që të villais në veshë, melodia dhe melodiciteti që të tingëllon në të lexuar, ashtu sikurse më saktë Rudyard Kipling (1862 – 1936) e sqaron më së miri kur është shprehur se “Fjalët janë, natyrisht, ilaçi më i fuqishëm i përdorur nga njerëzimi”  (Rudyard Kipling). Pikërisht këto fjalë kur metohen dhe seleksionohen nga poetët, poezia, fjala e saj në mesin e këtyre fjalëve mbetet ajo që të bën ta lexosh dhe ta rilexosh deri sa të vijnë në vesh pikërisht ato që premtoi poeti britanik. Në “premtimin” e tij dhe po aq dhe zbulesën aq filozofike të fjalës në poezi gjejmë arsyen të lexojmë e të rilexojmë edhe disa poezi të poetit Agim Basha, “Letër babait”, “Mes meje dhe teje”, “Shegton një mall”, “Ikja e poetit”, “Udhëtime të pakryera”, “Antigonean”, “Faleminderit Hënë e vendlindjes”, “Ikje” etj. 

            Duke lexuar e rilexuar këto poezi të Agim Bashës, fjalët e tilla që formëzojnë togfjalëshat “prille të çelur këngësh e zogjsh”; “Një letër të thjeshtë desha ti postoj”; tek poezia “Letër babait”, më tej “Sonte, më kërkon patjetër zërin” tek poezia “Mes meje dhe teje”, apo “Lidhur jemi në bes e heshtje” tek poezia “Shegton një mall”, e bëjnë tërësinë e veçorisë së kumtit një arsye më tepër tek kjo ndalesë. Duke u futur në thellësi të tyre, pra tek mesazhet që duan dhe metojnë të përcjellin, tek diskursi që formojnë dhe bashkëlidhin, natyrisht ndjejmë se harresa është një sëmundje, dhe kujtimi, respekti, qoftë dhe aty ku duhet më shumë tek prindi, dashuria, familja, mëmëdheu, nuk janë më hije e zvetënime, por arsye të shkulmin tej hijet dhe hamendësitë e harresave. Aty ka një arsye më shumë të futesh tek preambula që i lidh mesazhet me autorin, me pozitën e tij, me atë që të lidh në tërë qenien e ekzistencës, në popull. Dhe kur dikush e sheh një popull nga këndvështrimi real, natyrisht nuk përcjell thjesht vetëm një mesazh, por një ide për të rikujtuar se “Një popull gjithmonë mbaron duke ngjasuar me hijen e tij” (Kipling[1]). Këtë e sheh tek mjaft poezi të shkruara hershëm nga Basha, dhe në leximin e tyre natyrisht mesazhi është i qartë: “Desha ti them ca gjëra të thjeshta/që s’ja thashë dot sa isha fëmijë/ti them që mbi të gjitha dashuritë që kisha/prapë ka mbetur ajo për mamanë dhe, e tij...” (“Letër babait”). Dhe kudo ku lexohet poezia dhe fjala e tillë, natyrisht kuptohet edhe ajo që thotë Kipling se “Fuqia pa përgjegjësi mbetet prerogativa e prostitutës në të gjitha epokat[2].”

            Këto motorë të propagandës, në kuptimin e Kipling natyrisht e kanë mesazhin tek kjo letër e thjeshtë babait, në pikën kur autori shkruan të parathotë tërë atë që ndjen: “Një letër të thjeshtë desha ti postoj/e di, dhe adresën që prej kohësh e mban/tani janë të dy pranë njeri tjetrit si dikur.../e megjithatë...jeta prapë s'është më si më parë...!” Pra kjo jetë që varet si xhaketa në gozhën e Nastradinit, është pikërisht jeta që ka lënë letrën në thjeshtësinë e saj të dashurisë së përmalluar të djalit për prindërit, për babain dhe nënën e tij të shtrenjtë, në atë pikë ku propaganda dhe fuqia e saj janë vetëm një arsye hije që përsëritet e ripërsëritet gjithnjë. 

            Por, në poezinë e Bashës, sikurse në tërësinë e fjalëve që e përbëjnë atë, ka mall, dashuri, arsye dhe më së shumti respekt për të gjithë atë që lidh e ndërlidh një lidhje dashurie. “Nuk është bukuria, të thuash, as të flasësh domosdoshmërisht. Është thjesht ajo. Disa gra do të qëndrojnë në kujtesën e një burri nëse dikur ecnin në një rrugë.” (Rudyard Kipling[3]) Tek një poezi ngjashmëria dhe dualiteti natyrisht variojnë, por tek “Mes meje dhe teje” kjo bukuri shkon në detaje të tilla: “Dyzimi im për Ty, pastaj çdo mbrëmje/Si puthje e lënë përgjysmë në rrugë/Që vazhdimin pret gjith’ gaz e ëndje/Mbjell e përhap një flakë të përjetshme, tek unë...” Malli, dashuria e cfilitur rreth tij, po aq dhe formëzimet e tjera respektive e bëjnë poezinë e Bashës të rimarë një formë të munguar në aspektualitetin e mesazhdhënies, po aq dhe në kumtin kur malli dhe respekti rrëfehen në formëza të shkëputura rrëfenjash, të cilat në vetvete janë thelbi i memorjeve dhe historive jetike të vetë udhëjetës së autorit. 

            Dedikimin poetit Lasgush Poradeci mund ta konsiderojmë pikërisht në linjën e lartcituar, duke mos harruar të ngrejë aty ku është në bustin meritor lirikun e Liqerit: “Rregulloi një strof, një fjalë/ky fisnik i vargut të lirë/dashuritë kujtoi me radhë../cilën vall nuk kish arrirë...!? Po kështu kësaj linje i qasen edhe poezitë e tjera “Udhëtime të pakryera”, “Antigonean”, “Faleminderit Hënë e vendlindjes”, “Ikje” etj. 

            Me këtë prurje poeti Agim basha ridimensionon këndin e tij tiplogjik të krijimit në varg, duke vërtetuar se poeti tashmë nuk është në dilemë, por në një udhë të tijën, të piketuar plot mund e sakrifica, plot talent e poetikë. Natyrisht, themi kështu thjesht në thjeshtësinë e krijimtarisë së tij se vërtet poezia ëmbëlsohet nga fjala.



[1]Autori britanik, poet, i cituar në Maurois, Arti i Shkrimit, “Zanat e Shkrimtarit”, f. 2 (1960). Tema e autorit dhe kritikut André Maurois 1930, me temën e transformimit të Gjermanisë.

 

[2]Rudyard Kipling (1862-1936), cituar në The Kipling Journal (dhjetor 1971). Citati shpesh i atribuohet kryeministrit britanik Stanley Balduin, kushëririt të Kipling. Balduin përdori fjalët në një fjalim, 17 Mars 1931, duke sulmuar baronët e shtypit Lord Beaverbrook dhe Lord Rothermere, gazetat e të cilit ai i quajti "motorë të propagandës".

 

[3]Cituar në "Zonja Bathurst", Trafiku dhe Zbulimet (1904). Referuar zonjës Bathurst.

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1