Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Zëri që flet e bërtet tek “Dufi, pas fitores, i shpirtit të trazuar”

Zëri që flet e bërtet tek “Dufi, pas fitores, i shpirtit të trazuar”

Font size: Decrease font Enlarge font
image Minush Hoxha

 

Zëri që flet e bërtet tek “Dufi, pas fitores, i shpirtit të trazuar

Dr Fatmir Terziu

 

Midis hapësirës, kohës dhe vendit së shtruar në shkrimin e ndjeshëm dhe tejet të domosdoshëm të Minush M. Hoxhës, herë shfaqet ironia e fakteve, herë alegoria me të cilën këto fakte ende bëjnë rrokadën kohore, vendore dhe hapësinore, e herë lojën mes karaktereve të gjallë e të ikur, në një dimension, sa të dhimbshëm e të riskuar. E normalisht këtu është filozofia adekuate e fjalës. Ajo që normalisht funksionon si Filozofia e hapësirës dhe kohës, ajo që është dega e filozofisë që ka të bëjë me çështjet që lidhen me ontologjinë, epistemologjinë dhe karakterin e vëtë hapësirës dhe kohës ku prodhohet dhe mbin dufi. Minush M. Hoxha është një logjikë-bartës i një dufi të ngjashëm, që vjen pas shpirtit të trazuar të fitores, ose më saktë dufi i shpirtit të trazuar pas fitores.

Dufi, pas fitores, i shpirtit të trazuar” edhe pse ende një dorëshkrim shkon thellë e më thellë në skutën e dhimbjes, në atë skutën që domethënia biblike, e vëllait që vret vëllain, ka një arsye më shumë në këtë duf të dhimbjes pas fitores. Dhe që nga kjo shprehi biblike, po aq dhe nga një pikturë didakte, një foto që reflekton aktin e viktimizimit nëpërmjet degradimit publik të eprorit hebraik, ushtarakut Alfred Drajfus, autori na jep një narrativ të largët, të afërt e të vazhdueshëm në kohë për kohërat. Qëllimi është jo thjesht për të dhënë faktin e lidhur me “fjalën përfundimtare në çështjen penale të autorit në 28.01.2015”, as dhe thjesht si një narrativ që kumbon ndryshe në mesin e pas-fitores, por si një “Procede, për ata që nuk do ishin aty ku janë po të mos isha unë (shënim i autorit) dhe, unë nuk do isha, “strumbullari” i çështjes penale, po të mos ishin ata aty”.

Ajo që autori shkëput, jo pa qëllim nga Zanafilla 4:8-10 është si më poshtë: “Perëndia e pa Kainin, tek e varrosi fshehtas trupin e vëllait të tij: “Dhe Kaini foli me të vëllanë, Abelin; kur u gjendën në fushë, Kaini u ngrit kundër vëllait të tij Abelit dhe e vrau. Atëherë Zoti i tha Kainit: “Ku është vëllait yt Abeli?”. Ai u përgjegj: “Nuk e di; mos jam unë rojtari i vëllait tim?”. Zoti i tha: “Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka” (Zanafilla 4:8-10). Kjo ka lidhjen dhe konotacionin e saj në hapësirë, kohë e vend, me realitetin që shtron autori i “Dufi, pas fitores, i shpirtit të trazuar”. Kjo pasohet dhe ndëlidhet edhe me foton të cilën e sqarojnmë sa viojon në paragrafin ngjitur.

Ashtu sikurse sqaron vetë autori ajo që bie në sy me të parën është fotoja e hebreut Alfred Drajfus, me të cilën ai synon “të qartësoj  motivin e dhënies së fotos  në ballinë të shkrimit, do nënvijëzoj  se, në rastin e viktimizimit të tij gjeta veten po në atë pozitë”. Lexuesi mëson se “viktimizimi i  tij, ishte grackë e konspiratorëve nga qarqet më të larta shtetrore që kishte objektiv  fshehjen e dështimeve të mëdha (deri kriminale) të tyre në shkallë shtetrore.” Ndërsa koha dhe dëshmitarët e saj, ishin njëmendësia e pafajsësë së karakterit në foto, dhe nën presion nga akuzatorët “u shndërrua në skandal të kohës”. Emil Zola, shkrimtar nga elita franceze e shek XIX me mjeshtërinë e tij të artit, denoncoi konspiracionin në letrën e famshme të tij  të emërtuar “J’acuse”.

Materiali shtesë mes këtyre dy fakteve domethënëse, edhe pse ka një arsye më shumë se lidhja në kohë, hapësirë dhe vend, shkon mbështetur në faktin se shkrimi përfshinë një numër më të madh personash me statuse të ndryshme, por të afërt me autorin, dhe me preokupimet e tij, ashtu sikurse autori sqaron “me hamendje se ka njëfarë lidhjeje  me citatin, në vijim, mu duk logjike të  jap dhe një insert  nga “Bibla”. Insert ky që, para se të  zë vend aty dhe të ngrihet në aksiomë religjioze morale, është provuar në një kohë të ikur pa ditur fillin e saj.”

Në hapjen e narrativit të kësaj përmbjedhjeje faktuale autori na jep në formatin Curiculum Vitae (Jetëpërshkrim) një qasje me arsyet dhe faktorët që e sollën deri tek ky narrativ, dhe natyrshëm pse ai kërkon të shfaqet mes tij, mes shkrimit, dëshmisë së tij publike. Ai u drejtohet atyre që janë rrugëve të pas dhe para fitores, dhe që do kenë fatin atyre udhëve të ndeshën me këtë shkrim, pa u vënë dallim, pa i përzgjedhur, por të gjithë ata që do të kenë mirësinë të hedhin sytë tek “Dufi, pas fitores, i shpirtit të trazuar”. Dhe thelbi i kësaj filozofie në kohë, hapësirë dhe vend është pak a shumë kjo preambulë që shoqëron tërë këtë narrativ: “Përse një përpelitje gjëkoti, kur e di se më lehtë gjykohet i pafajshmi se që akuzohet i fajshmi! Më lehtë denohet një hajn minor çokolatash se një hajn milionash! Gjykata dha aktgjykimin lirues e nuk u gjetë pas grillave e ky, në vend se të ul koken e të heshti-marskarrallëk!- bën një reagim dreqrisht të gjatë e të ashpër. Provokativ-përmëtepër! Nuk i mjafton! Dhe, më bëhet sikur dëgjoj: lër rebelinë zotëri dhe hidh pas krihesh të tjerat! Mos ngacmo arushken nën bisht! Ahaa,pafajësia! Pafajësia e thuash! Dëgjo, dëgjoni ore! Pafajsia! Ky ia paska dhënë livadhit! Nderi? Sot? Këto fosilët e kohes së moralisimeve! Për një njeri e për një shoqëri!”

Në këtë narrativ gjejmë “Sikur e thonin latinët: “Vox populi-vox dei” /”Zë  populli-zë Zoti!”/. Dhe miklueshëm do thërras: “Xhan, dëgjo! Heq dorë! Një jetë ke e nga ajo fare pak vite! Ndofta pa dëgjuar reagimet, mos qëndro i mbështetur në jastëk, se ashtu jep grahmën e fundit! Sikur prindërit e tu. Vlerësoje!” Kjo thirrje e fuqishme, e guximshme është më shumë se sa rrëmimi i saj filozofik në kohë, hapësirë dhe vend. Është një mesazh i qartë didakt për të gjithë, dhe në arsyetorin e autorit për lexuesin e tij, për atë që ende ndodhet në rrugë e sipër, dhe është dhe mbetet pakt e palë me dufin pas fitores,  me dufin e shpirtit të trazuar pas asaj fitoreje... Autori i ndodhur në këtë situatë ka natyrshëm gjetjet e tij, ato që qasen në përditësi si korrupsioni, krimi i organizuar, dhe ka dufin e vetë, dhe e dini pse? Më mirë lexojeni si shprehet vetë autori i këtij narrativi: “Dëshironi t’a dini përse e bëjë këte? Motivin-atë shtysin e rebeluar psiqik. Në një mënyrë por  më shkurtër e thash por do jap diç në plotësim. Në plotësim, nga shkaku se deri tek ky proces, bërësit e të cilit, më vizatuan portretin e personit  më keq se një  karrikaturë hakërimi, kalova sprovat pa tolla në faqe. Dhe kjo nuk ishte rastësi! Ishte strukturë shpirtërore e brumosur ashtu, sipas tradites, etikes historike dhe dijes nga studimi, ti rezistoj  cytjeve të turprimit. Isha imun! Jetova periudhen e paraplenumit të Brioneve (sado i ri) kur-sipas një mode të detyruar të asaj kohe (komunismi ishte sistemi më i përsosur në produktimin e hafijeve e spiunve)-mund të bëhesha  njëherë hafije në hije, apo kuadër partiak. I pari që serbez, në oret e pasmesnates futet tek odat e fshehta të punëve të brëndëshme nga derë e pasme e jep denuncime turpi. Më pas si i dyti “i  tyre”  edhe  funksionar. Ndonjë ,,naçallnik”, ,,upravnik”, ,,posllanik”  e ngjashëm me këto. Një që shpaguante ,,besimin” me glorifikimin e ,,shokëve”, dhe për të cilët prononcohesh ,,është gjenial, shoku ka të drejtë”! Kalova Vetëqeverisjen Shoqërore të RSFJ-së, ai shans i mirë që duke iu përkulur personaliteteve autoritarista, atyre që si një hallkë ishin pjesë e zinxhirit deri tek maja e pyrgut drejtues, atyre të 41-shit të dy dëshmitarëve që kishin bërë ,,revolucionin”  pa vrarë e dëmtuar askënd nga anë e kundërt e nuk dallonin vlerat e tij, atyre me mendësinë ,,pak janë 700 mijë, propozoj të rritet donacioni në gjysëm milioni”.

Pastaj narrativi shkon në fije të perit demonstratat e 68-ës, 81-ishit, vitet e 70-ta, e mjaft fate e faktorë të tjerë që lidhen me një udhë të gjatë, me një udhë të një rinori që synonte më shumë. Ai djalosh i ri, autori i këtyre fakteve mjaft domethënëse tek “Dufi, pas fitores, i shpirtit të trazuar” ka aryet e veta të shpjegohet edhe kështu: “Dhe të vazhdoj: i diplomuar  në studimet për drejtësi /në gjuhën serbokroate tek profesorët e njohur beogradas, meqë në atë kohë nuk kishte asnjë shqiptarë, që plotësonte kriteret për mësimdhënes universitarë, bile as Hajredin Hoxha, mësimdhënes i lëndës Sociologjia  (prof.dr. Vraçar, Stojçeviq, Despotoviq, Simoviq, Stojanović, Millosheviç, Cijan Rafael)  e maqedonas (prof.dr. Panta Marina, Ivo Puhan,  Nikola Sotirovski) të pranuar edhe ndërkombëtarisht, me një respekt për prof. Milosh Samargjinë, ekspertit të fushes së sistemit ekonomik, i specializuar për 4 vite në SHBA, që aq shumë na nderonte e respektonte! Prof. Samarxhija që vinte nga Beogradi me tren, njëherë në muaj dhe mbante në dy turne të ditës nga 4 orë e bënte gjumin në dhomat e ngrehinës së Fakultetit mu mbi sallën e ligjëratave, për dallim nga mësimdhënësit e tanishëm që nga dritarja e apartamentit shohin sallën e ligjëratave, kurse mbajnë 2 orë ligjërata në çdo një, dy, a tre muaj). Prof. Samarxhija, i cili kishte detyruar Mark Gecajn, e disa të tjerë të çregjistrohen nga Juridiku i Beogradit, me arsyetimin e rezultateve të dobëta dhe me fjalët: “shko një herë në Prishtinë e shih shqiptarët e tu si punojnë, pastaj hajde sërrish. Këshu nuk të kaloj!” Dhe nga zori e bëri, shkoi e pa si punonin të gjithë, e pastaj u kthye sërish në BGD).

Autori mes këtij narrativi shkon rrjedhshëm në rrjedhë të kohërave, prek ndjeshëm kohën 1990-1999 dhe atë kohë kur edhe bija e tij Flutura ishte krahas të atit, ku ajo ka punuar në punët administrative e të pastrimit por gratis në atë administratë të Shkollës së Biznesit në Pejë, tek e cila auori kishte lënë dhe dhënë shpirtin, madje edhe shtëpinë të cilën e kishin djegur serbët pas përzënies së tij në Shqipëri. Në këtë narratin shfaqet thuajse në një kënd tejet të shtjelluar dhe një gjyq. Gjyqi që përpos ka arsyen e vetë tek dufi. Nga ky gjyq shkëpusim këtë pjesë të narrativit që i referohet: “Kurse unë…unë, ngaqë qëndroj me të dy këmbet në dyshemenë tek harku i akuzes me paraburgun dy korridore më pas dhe gardianet e qetë që ushtrojnë profesionin me ndërgjegje dhe presin urdhërin dhe të shoqërojnë me armen në brez por padhunshëm e indiferent derisa je i qetë dhe me byzylyk metali në duar nga prapa deri tek qelia duke ndërruar ndonjë mendim sikur ,, e përflasin se policët vodhën thesarin nga burgu. Makabërllëk!” , si i akuzuar që jam e nga droe se do ndërpritem- matem e ç’matem  të gjej frazen joirituese. Dhe në fund-tek shoh rrezikun nga rrethanat e këthej koken nga policët, vetem do mërmëriti nëpër dhëmbë kundërshtimin tim me një ,, Ashtu-a! Hë, ky kryetarë, kryetarë…ç’ nam kryetari që je! Mori më shumë pushtet se që i dha ligji. Se si zanati sipas inercionit progresivisht i rrit kojtjen dhe tani edhe profetizon! Si kur pi ujë të njelmtë deti. Ujë pi të shuash etjen, e të shtohet etja për ujë. Kryetarë, shkelmoni kodin e sjelljes si kurr luanit fëmij futboll, shkelmoni  e futnje nën këmbë  parimin e të vështruarit objektiv e të paanëshem të detyruar! Mos dëgjoni prononcimin e të pandehurit, dhe, faktet vlerësojini jasht logjikes së vështrimit të lirë!  Mos vritni mendjen. S’është një gjë e madhe. Jam pjesë e një populli  që në vijimsi është objekt herë talljeje, herë mashtrimi, herë hetimi, herë gjykimi e flijimi, herë vasjeje e dëbimi. Oh se ç’më vie në mendje llahtari! Ajo nata më e tmerrshme e marsit-26 e  99-shit, tek na dëbuan në Shqipëri në Atdheun tonë të dashur!

Akuzat e ndryshme pastaj janë dhe mbesin tematikë më vete, por narrativi me një qetësi të zhbirueshme ligjore paraqet argumentat e tij deri tek normativi që paracakton se ”Sekretari i fakultetit kryen këto punë: koordinon, organizon dhe mbikëqyrë punën e personelit të administratës së Fakultetit, përgatit  materialet për mbledhjen e Këshillit të Fakultetit dhe të organeve ndihmës të Këshillit dhe mer  pjesë në mbledhje”. Më pas e gjitha shkon në këtë pikë: “E P I L O G  P E N A L: Në 28.01.2015 Gjykata Themelore-DKR-Pejë, dha Aktgjykimin P.nr.90/2013, për pikat nën këte titull 1,2,3,4, vendosin sikur do jipet në vijim: Unë, i pandehuri i parë  Minush M. Hoxha në dt.28.01.2015 jam liruar sipas të gjitha pikave të Akuzes. Sipas pikave të tjera tjera të propozimakuzes së Prokurorit, është pezulluar procedura penale për shkak të parashkrimit...”

Duke përfunduar ndoshta më përshtat me këtë narrativ shkon vetë fjala e autorit: “Personat që u gjeten në këte shkrim e që për ndodhjen e këtij rasti tek organet e gjyqësisë, në  media etj., kishin hisen e vetë, përshkrimi që u është bërë këtu do i irirtoj deri në përmasen e paimagjinueshme, (ndonëse, në kushte të mendjes esull dhe respektit të etikes, do duhej t’a pranonin si gjest dashamirësie),dhe, si pushtetarë që janë ose të lidhur në zingjirin e pushtetit deri tek pyrgu në mënyra të ndryshme ose që kanë fuqi të natyres tjetër (politike, financiare, fizike, etj.), do vrerosen dhe, duke u gjetur të fyer, do tentojnë të marin hak. Jo që shkrimi u ka shkaktuar ndonjë dëmë-se, koha e tanishme ka shkaktuar një erosion deri në përmbysje të ndjesisë morale, por nga ajo ndjenja e paprekshmërisë së tyre dhe të gjetur të fyer se po i cenon një që është pa asnjë pushtet nga cilido, nga cep margjine. Përvoja e mijëvjeçarëve, historitë e njerëzimit nuk kanë shënuar që sekush përtej vdekjes-as nuk mund të shkoj e as që mund t’a shtyejnë, sado të fuqishem shtysit! Por, le ta dijnë se jashtë vështrimit të tyre exelent të gjërave, krahasimisht, ata shumë më tepër më kanë shkaktuar dëme mua, se që mundem unë atyre t’u shkaktojë me këte shkrim. Ata kishin institucionet e mediat, unë këte shkrim! Tek e fundit:kurr margjina dëmtoj epiqëndren?! Kurr i vocrri mundi viganin!”

Ndaj jo më kot diku në përmbyllje gjejmë dhe këtë lidhje mes hapësirës, kohës dhe vendit, “vetëm në përralla e legjenda, sa për të ngushëlluar të vocërrit!”, jo vetëm me dhe tek “Dufi, pas fitores, i shpirtit të trazuar”, që natyrisht vjen i duhur për tu lexuar e arsyetuar ngeshëm nga të gjithë duartrokitësit dhe heshtësit e pasfitores.

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1