Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | “ LUNDRIMET E MËDHA FILLOJNË NGA SHPIRTI”

“ LUNDRIMET E MËDHA FILLOJNË NGA SHPIRTI”

Font size: Decrease font Enlarge font
image NATASHA XHELILI

NATASHA XHELILI

“ LUNDRIMET E MËDHA FILLOJNË NGA SHPIRTI”

Rilexim i vëllimit me poezi të zgjedhura “Shkretëtirë harrimi” të Agim Matos

“Pas vetes, si pas një dritareje, qëndroja në /pritje të lirive të munguara”.  Është ky lajtmotivi që shoqëron librin me poezi të zgjedhura të poetit Agim Mato “Shkretëtirë harrimi”. Poeti i lirive të munguara risheh dritën e botimit me këtë vëllim të përzgjedhur nga profesor Anton Nikë Berisha i promovuar në ditët e “Triremës Joniane”. Poezitë e librit janë frymëzime djaloshare dhe të një jete të përçudnuar në kohën e diktaturës komuniste, e rivitalizuar me energji dhe optimizëm në ditët e sotme.

 “Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën e braktisur të poezisë”janë vargjet e para që çelin librin. I mbetur pa penën e vet, i mohuar në botën e letrave si shumë poetë të tjerë në kohën e diktaturës, poeti i rikthehet i etur galerisë së braktisur të poezisë. Procesin e krijimit ai e sheh në një këndvështrim të veçantë. Ai e quan gërmim me vegla derisa prej galerisë të dalë ar. Akti i krijimit shihet si një kërkim, por edhe si një domosdoshmëri e ekzistencës së një poeti. Ai e sheh muzën si një hyjni, e pret që ajo të vij në çdo port : çdo shtjellë ere/ më mbështillej si përqafimi yt i padukshëm/ dhe ylli i jugut më bënte roje netëve/ se mos/ shkalloja.Po në atë pritje pambarim ai gjen edhe shërimin e vet. “Ai tallash i imët, i verdhë, si pluhur farmacie, ishte/ doza / që merrja rregullisht për të fashitur ethet e frymëzimeve”.

 Poeti përshkruan me realizëm përjetimet e veta nga ajo kohë duke mos e ngritur veten në rolin e heroit, më tepër na tregon një brengë në zemrën e tij, historinë e jetës së një poeti që u ndalua të shkruajë, një histori personale që rrek të bëhet universale duke iu bashkangjitur listës së poetëve që patën të njëjtin fat në Shqipëri. Këtu mund të përmendim poetin Trifon Xhagjika i cili në poezinë “ Ndërgjegje me katrore të zeza” shprehet: kurse unë me zërin tim,/ do të thërras,/sa qielli të copëtohet: nuk mundem të shkruaj më, pena m’u thye në 1958” 

Poeti përshkruan, konstaton, gjykon, analizon dhe vlerëson një kohë të tërë duke u bërë dëshmitar i saj duke përmbushur detyrën si njeri e si poet i mohuar, mbi të gjitha ai proteston madje ndaj vetë zotit që nuk e ndihmoi këtë popull . Si nuk u gjende pranë nesh në ato dimra të mërive të  mëdha?

Ai qëndron i paepur edhe në kohën e lirisë së pakufishme kur i jep një këshillë një poeteje të re. “Mos u druaj të rrëfesh veten, duke hedhur penelata të rrëmbyera plot nerv, duke na spërkatur me ndjenjat e tua si një përrua që përplaset rrokopujthi mbi shkëmbinjtë.”

Në një nga poezitë më të mrekullueshme të librit të mbushur me magjinë e artit të krijimit:  “Rrija vetëm me gjithësinë” poeti si një hyjni antike qëndron diku lart duke vështruar gjithë globin. Për të bota është e vogël, mund ta rrokë me një shikim, mund t’i ndiejë frymëmarrjen e afërt, mund t’i dëgjojë tik-taket , mund të shohë kohën që ecën me ritmin e një rrjedhe lumi në det. Në këtë mënyrë ai ndihet zotërues i të katër elementeve të natyrës. Në poezi ndihet ëndrra e çdo njeriu që sundohet nga dëshira për të njohur gjer në rrënjë botën, si të jetë i vetmi që gjallon mbi të. Rrija vetëm me gjithësinë. /Mbaja vesh puhizën e yjeve që çelnin si luleshqerra,/mbaja vesh detin atje poshtë, /frymëmarrjen e guvave të tij si ca gërhitje balenash... 

COPËZA JETE

 Si një kronikan, që endet në fushë-betejë për të përshkruar detajet që do të mbushin librat e historisë  njerëzore, ashtu edhe poeti ngarkohet nga furtuna e kohës dhe nga imagjinata e vet të sjellë copëza jete që nuk ndryshken e fshihen, po gjurmojnë ecejaket e tij, portet ku ka ankoruar, shkëmbinjtë që kanë dialoguar me të, trillet e një moshe të caktuar, stinët që rreshtohen ndryshe e shkrihen mes tyre, planete të tërë që ndryshojnë trajektoren e lëvizjes e qerthullojnë enigmën e ekzistencës sonë.

Poeti thotë se vjen një moment kur Brenda meje janë shembur muret që ndajnë / kohërat /dhe unë hyj e dal tek ata që s’janë më.”Lirshmëria që e karakterizon vargun dhe ndjenjën e poetit, e lejon atë të shkojë edhe në botën e të vdekurve për t’u takuar me njerëzit e afërm që i mungojnë shumë. Ai i thërret me emër dhe ata ekzistojnë ashtu siç i ka njohur dikur. Ata vazhdojnë të kryejnë punët që kanë lënë në mes dhe në kufirin ndarës nuk gjen vetëm njerëzit e dashur, por edhe lumenj e shira që shkatërrojnë gjithçka. Aty poeti ngarkohet me guxim dhe si një gjeni anijeje “Lë gjoksin hapur /që të fryhen kanalet e shpirtit për të shkarkuar/ dhimbjen e çmendur të një epoke.”Bota e tij e vogël familjare merr përmasa të mëdha, momenti i mbramë i mallëngjimit shndërrohet në një epokë dhe poeti kërkon që në këtë kufi të shkarkojë gjithë marrëzinë e saj. Si një gjeni që është, ai duhet të kalojë gjeratore pa fund, humnera, planete të harruar. Në këtë rrjedhë të pandalshme kohe “Ata që s’janë më -/ tani kujdesen për mua.” Prandaj ai shkon i vetëm atje si në kopshtet e kujtesës, për të kuptuar më mirë c’ka ndodhur me ta dhe me kohën kur jetuan.

Duke shkruar për njerëzit e afërt, duke treguar histori  njerëzore për ta, sidomos kur ngrihen si një faltore jo vetëm për gjakun e tyre, por janë edhe simbole të një kohe të tërë, Mato ka dëshmuar kronikën e një familjeje që ka shumë simotra në Shqipërinë ish-diktatoriale. Të gjendur nën kthetrat e një diktature të egër, të mohuar nga dëshirat dhe profesionet e dashura, të burgosur brenda qelive të trishta që u vrasin ëndrrat çdo ditë, ata luftuan me veten për të mos u tjetërsuar. Poeti beson te metamorfoza dhe trashëgimi i tipareve nga etërit te bijtë. “Ato duar.../ si dy zogj fluturuan mbi honet e harrimit/ dhe zunë vend në gjymtyrët e të bijve.”

E ngarkuar me dhimbjen për mungesën, e mbushur me simbolin e ekzistencës jetësore, e krijuar me imazhin e pasur të imagjinatës poetike, poezia e Matos rend si një maratonomak për të përcjellë lajmin optimist të mbijetesës edhe në momentet kur gjithçka duket sikur shuhet, ashtu si shprehet Migjeni te “ Vetvrasja e trumcakut” : U lind në një vend me të vërtetë të shkretë. Në vend të barit bijshin qimet e derrit  e në vend të pemëve-brinat e një shtazës parahistorike” . I pagjunjëzuar prej së keqes që e ndjek kudo, ai endet në lirinë e krijuar në botën që përshkohet nga ëndrrat që i mban të fshehura, qëndron indiferent ndaj së tashmes deri në momentin që nuk e prek drejtpërdrejt, kërkon strehim në natyrë e në vendet e perëndive. 

LUNDRIMET

Poeti është njeriu që “lundron” më tepër në këtë botë, prandaj atij i nevojitet anija. Ai lundron në qiell, në tokë, por më tepër në imagjinatë me fantazinë e tij. Velat e hapura janë si flamuj të bardhë, janë shtigjet që duhen kaluar për ta bërë këtë botë të përsosur. Lundrimi i tij nis që nga fëmijëria, e mbushur me ëndrra e dëshira, përshkon të gjitha përvojat e qenësishme të jetës së tij, tregon të gjitha stuhitë që ka ndeshur, përballjen me to, humbjet e fitoret, ringritjen e vazhdimësinë. Ankorimet në porte, zhytjet në thellësi të mëdha e humnera të panjohura të endjes poetike, heshtja dhe dallgëzimi i një deti të qetë, krijojnë limfën e nevojshme për të mbajtur gjallë një poezi që mbruhet në shpirtin njerëzor. Mato thekson se lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti.

Në gjithë këtë udhë të përshkuar, nuk mund të mungojnë edhe shtigjet që të çojnë në vende magjike, për të njohur ngadhnjimin e jetës, dashurinë. Për të shkuar atje poeti ndërton ura drite: “të ngre këtë urë qiellore të poezisë,/që përshkëndit hapësirat deri te metropoli ku rron.” 

Natyra nuk mund t’i shpëtojë vëmendjes së poetit. Dukuritë më të të zakonshme në të, shihen si një shenjë ndryshimi dhe përjetohen në të tjera përmasa nga ç’ janë në të vërtetë. Qyteti mbrëmë ishte fundosur / nën një fërfëritje fluturash. “Borë në jug”

Vendlindja përshkruhet me nota epike. Ajo vjen e plotë me toponimet e vendeve në të e rreth saj me emrat e fiseve që gjallojnë aty. Ajo i ngjason një qenieje madhështore që është mbrojtësja e banorëve të saj dhe sillet ashpër me ata që guxojnë t’i cënojnë qenësinë: “provo të prekësh limeret / ku flenë bubullimat”

   Njehsimi i fushës me balancën meqë është E çliruar nga pjerrësitë,/nga kthesat dhe shpellatjepet si një shembull që duhet ndjekur nga njerëzit që duhet të jenë të drejtë. Pohimi në vargjet e fundit është si një aforizmë për qenien njerëzore dhe për raportin e saj me drejtësinë. Drejtësia duhet të ketë /shtrirjen tënde /pa kufi.

            Poezia e Matos përshkon në një çast gjithësinë për të fituar ndjesinë e pakufishme. Ajo shkrin akujt e  ngurtësisë dhe kufizimeve si tokësorë, për t’u pushtuar nga madhështia që çliron vargje që i këndojnë lirisë. 

Poezia lirike moderne është streha e vërtetë e poetit, është kalvari që e çon në ekstazën disadimensionale, është kërkimi i folesë shpirtërore që shkakton çlirimin unit poetik, është pragu nga nis fluturimi nëpër hapësira të njohura e të panjohura.

Vetmia është kufiri i vendosur mes tij e botës, është shpresa për të mbijetuar në këtë çmenduri njerëzore ku plagët e hapura rrëmohen duke mbetur të pakuruara. Në kërkim të shpëtimit poeti e gjen veten buzë detit, nëpër guvat e Jonit, duke hulumtuar thellësitë e tij, duke e ndjerë veten si një far për të cilin nuk kujdeset më askush.  “I vetmuar jam në jug, / i fshirë nga regjistri i hartave të detit.” 

Kaq i lidhur është poeti me detin sa ndjen xhelozinë e të gjithëve për këtë lidhje të tij me të. Edhe pse askush nuk mund ta kuptojë këtë konfesionale natyrore që ruan me fanatizëm të gjitha sekretet pa pasur frikë. Ndërkohë që ndihet i gjurmuar “dhe kujtesa, gjithë ankth, ripërtypte netëve bisedat e ditës, për të parë në se gjuha ime kishte llomotitur gjëra të ndaluara.”Në krizën e frikës së mbijetesës, ku shtëpia duket si një burg, deti është shoku ideal që nuk mund t’u nënshtrohet censurave                                                                                                

 Dashuria është si drita që duket në fund të tunelit të errët. Ajo mbush me shpresë ditët e zbrazura dhe ngjitet në qiell duke fituar tipare yllësie. Matos i duhen vetëm disa poezi për të dhënë përmasat e një bote të tërë që deliron në prehërin e dashurisë. E dashura e poetit është bashkudhëtarja dhe bashkëvuajtësja.  Kur vjen ajo, ai e kupton se perënditë nuk ekzistojnë, ndjenjat i lidhin me njëri-tjetrin dhe natyra i ndihmon të kryejnë ritet “me dallgët e tij, të vetmit dasmorë që patëm; ku velloja e hënës të mbulonte gjer te këmbët dhe ylli i Afërditës të ulej në gisht si unazë.” Kataraktet e shpirtit mbushen me“aromën e buzëve të saj”, ajri rreth e rrotull verbohet dhe dashuria fiton përmasa surreale, qoftë në përshkrimin e Saj, qoftë në përjetimet e Tij.  

Poeti parapëlqen vargun e lirë i cili është i cliruar nga ritmi i rregullt dhe rima dhe trajon tema të ndryshme. Ligjërimi është bashkëkohës në gjuhën e veprës. Poezitë dallohen për një fjalor të pasur që përfshijnë fjalë nga fusha të ndryshme. Poeti  është ndërlidhës i mesazheve nga e shkuara në të tashmen e të ardhmen.

Duke u zhytur në pafundësinë e mendimeve që dallgëzohen në poezinë e Agim Matos të përfshirë në këtë përmbledhje, vura re një qasje jo të zakontë me një objekt që mund të ngrihet në nivelin e simbolikës në vepër.

MISTERI I HËNËS 

 

Duke qëndruar lart në qiell, bashkudhëtare e palodhur e vetmisë njerëzore, e përfolur për format e saj të ndryshueshme, e vlerësuar për forcën me të cilën tërheq oqeanet, e mbuluar nga misteri, hëna është bërë subjekt i dashur për artet vizuale dhe ato letrare. Autori nuk mund t’i shpëtojë kësaj ngasjeje të përgjithshme duke e bërë hënën dëshmitare, thënë poetikisht, duke e ftuar të vijë nëpër vargje. 

1.                 Së pari  autori na e sjell atë në simbolin e një gruaje, me të gjitha nazet dhe hiret e saj në poezinë: “NATA NË PORT”ajo shfaqet si një grua që bën gjithçka që t’u tërheqë vëmendjen peshkatarëve. Gjithçka ndodh si në përrallat popullore me gërzhetat apo floçkat e ujit. Rikthimi i këtyre gjendjeve krijon situata surreale dhe sjell një tjetër “point of view”. Gjithashtu hëna përshkruhet me tipare femërore dhe nuk shkon pa u vënë re. Ajo dallohet nga fytyra e saj e bukur, nga aftësia për të mbushur momentet e vetmisë dhe për të krijuar atmosferën e duhur në një natë romantike. Autori përshkruan modelin e një femre imagjinare që ushqen fantazinë e burrit, që çliron ndoshta një  fatkeqësi apo një barrë të rëndë nga supet e tij. Ajo rishfaqet edhe në poezi të tjera dhe dallohet për “turinjtë e bukur” dhe vellon që u dhuron vashave që betohen në emër të dashurisë.

Vetëm atëherë, hëna, shquan peshkatarët /që mbledhin rrjetat në gji/dhe, e pacipë, shkon e u tregon hiret...

Pastaj del hëna që zhvishet, hedh të linjtat mbi vinç, /bën rrotullime në ajër si në një trampolinë/ dhe zhytet poshtë ujërave.  NATA NË PORT”

Ishte po ajo hënë /që ngjeshte turinjtë e bukur në dritare... “NETËT E LËMENJVE”

...ku velloja e hënës të mbulonte gjer te këmbët...

2.     Së dyti në këtë libër Hëna shihet edhe si një tokë e panjohur, megjithëse e soditur nga të gjithë. Zbulimet rreth saj janë gjithmonë të mirëpritura për të mbushur kureshtjen prej të vetmit bashkudhëtar tonit në qiell. Ajo është pjesë e misterit të së pamundurës e të paarritshmes. Në vargje simbolizon të synuarën dhe të panjohurën. Për të treguar “brishtësinë” që mbahet fshehur nga sytë e të tjerëve, për t’iu afruar asaj së cilës e quan të veçantë, për të treguar të ardhmen në “tastierën e një laptopi” në jetën e pasardhësve. 

Askush veç teje s’ më ka parë/kaq të brishtë,/sikur të shihte anën e pasme të hënës.

Tastiera e një laptopi është trualli i hënës nga i buzëqesh, si një astronaut, të nesërmes së globit që vezullon nga ekrani.

3.                 Së treti  hëna përafrohet e zotërohet nga autori, merr formën e qytetit të dashur, i ngjiten epitete përkatësie, bëhet pjesë e tij duke marrë edhe ngjyrat e vendit, ashtu siç veprojmë kur në jetën tonë futim një person të dashur. Autori e sheh Sarandën si një gjysmëhënë, të ndriçuar dhe misterioze, afër dhe larg, të krijuar nga vetë duart e perëndisë. Dalëngadalë hëna përvetësohet e quhet jonike, vishet me petkat e kaltra të detit dhe magjeps me bukurinë dhe hiret e saj. Në këtë moment ajo zbret në tokë dhe derdh argjendin mbi qytet, duke u shkrirë me të.

Gjergjefi i horizontit atje tej/ si një punëdore e perëndisë/ qëndis Detin Jon, Rivierën/ dhe Sarandën si gjysmëhënë.

Ndërsa një hënë jonike del në të linjta e përpirë nga një/ zjarr i kaltër përmes ndriçimit mineral të yjeve.

4.                 Së katërti personifikimi i hënës, gjallimi i saj në qiell, tregon se ne jemi gjithnjë në gatishmëri për të pritur ndryshimet që ajo pëson. Ajo është nën vëzhgimin tonë dhe  nuk na shpëton asgjë që ka lidhje me të. Vetë përcaktimet “ natë me hënë” apo “natë pa hënë” tregojnë ndjeshmërinë ndaj saj. Hëna shërben si matës i kohës, si gjithë ata që ecin ka nxitimin dhe vonesat e saj. Herë është e qetë dhe shfaqet e bukur dhe e plotë, herë nuk di pse vonohet dhe pengohet duke nxituar.

Hëna vononte të dilte, /hidhej duke u penguar nëpër bokërimat e qiellit... “KUR SHKRUAJA I ZEMËRUAR”.

5.                 Së pesti në këtë vëllim poetik Hëna shihet edhe si një fletë ditari, apo një njeri shumë i besuar së cilës i falim në konfidencë ëndrrat dhe dëshirat tona. Duke e zgjedhur e kemi bërë pjesë të jetës sonë dhe i kemi besuar çelësin e sirtarit të madh të ëndrrave tona të fshehta. E dimë që ajo do t’i ruajë si duhet sekretet tona. Në këtë mënyrë e kemi bërë atë ruajtësen e thesarit të dëshirave. Autori i përballon andrallat e jetës duke i ndarë me një shoqe besnike, për të cilën është e bindur se nuk do ta tradhëtojë kurrë.

Gjithë ankth prisja të dilte mbi kodrën përballë /një hënë e ngarkuar me ëndrrat e fëmijërisë sime /të largët. “KUR SHKRUAJA I ZEMËRUAR”

6.                 Së gjashti lidhur me format e saj të larmishme, poeti gjen me vend krahasimet me sende apo kafshë duke krijuar asociacione me to nga pikëpamja e formës. Përdorimi i tyre u jep një imazh të qartë vargjeve dhe një kuptim më të plotë të tyre. Prania e hënës u jep shenjën e misticitetit, por në të njëjtën kohë i bën edhe më tokësore vargjet.

Hëna si një vezë e madhe lejlekësh/shkëlqente nga qiparisat. “KISHE HAPUR NJË PUS BRENDA VETES”

hëna është si një thelë/pjepri e pambaruar së ngrëni, /e hedhur në cep të kopshtit,  “TË EC NË TY”

Dy hapa më tej ishte shfaqur hëna/ si një lepuri dalë nga grunjërat,/ duke mbajtur vesh “NETËT E LËMENJVE”

Larg, hëna si një apostrofë,/ ulej mbi shkrimin e një reklame drite. “BORË NË JUG”.

7.                   Për së fundi po theksoj dhe vështrimin konkret të ekzistencës së hënës që në vargje merr funksion estetik; ajo bëhet e pranishme për ndryshimin e madh që bën në natyrë, për forcën që e karakterizon dhe ne mund ta shohim konkretisht. Hëna si një trup qiellor zotëron forcën e tërheqjes së gjithësishme, vepron mbi planetin tonë dhe është shembull i mirëfilltë për shumë dukuri si eklipsi, baticat e zbaticat etj. Autori kërkon të zotërojë forcën e saj për të bërë ndryshime të mëdha. Ai mendon se edhe dielli që mbulon me dritën e tij gjithë planetet, në momentin e eklipsit zotërohet nga hëna dhe “drita përpëlitet në asfalt si një qengj i therrur”

ashtu si hëna, duke tërhequr oqeanet, shkaktonte baticat e zbaticat pranë nesh. “SHUMË MUND NA U DESH” “...të ndriçuara nga kaviteti i brendshëm i petaleve /tuaja, nga ylberet, nga hëna e dielli, /ju që bëni tërë dheun të erëmojë,... “LULET E EGRA”

A e kini parë ndonjëherë si diellin e zë hëna/dhe drita përpëlitet në asfalt si një qengj i therrur? “FATI NA NXORI JASHTË LUNDRIMIT“

Në poezinë e Agim Matos ka një ndërthurje të mirëfilltë të poetit e njeriut, të forcës e brishtësisë, të caqeve e anticaqeve të familjarit e qytetarit, të ndrojtjes e guximit, por mbi të gjitha ka një botë të mrekullueshme ku mund të shijosh vargjet e një artisti të madh që i kapërcen kufijtë e qytetit e vendit të tij, që mund të përfaqësojë denjësisht letërsinë bashkëkohore shqiptare e të konkurojë për të prekur majat e epërme të saj. 

“Shkretëtira...” e  Agim Matos është një kopsht i bukur me figura poetike, sidomos me metaforën. Ajo kërkon të “zhvesh lëkurën e fjalëve të kota”, të japë një shembull të poezisë së mirë,  të tregojë se një poet ka forcë për ta pasuruar letërsinë e vendit të tij duke i dhënë vlerë asaj me krijimtarinë e vet.

 

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1