Navigate archive
first first July, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | ANALIZA | DASHURIA PA LIRI MBETET FAT PRERË

DASHURIA PA LIRI MBETET FAT PRERË

image SHPENDI TOPOLLAJ

 

(Rreth librit me poezi “Shqetësim zhgënjimi” të autorit Muharrem Kurti)

 

“Shqetësim zhgënjimi” titullohet libri me poezi i autorit gjakovar Muharrem Kurti, i cili pasi e lexova, ashtu si pa kuptuar më solli ndërmend thënien e drejtuesit të revistës letrare “Jeta e re”, Esad Mekulit, kur flet për stërnipat e Ali Binakut që për lirinë derdhën “djersë e gjak si etërit”. Vetë Esadi, i lindur në Plavën atdhetare, nuk arriti ta shohë lirinë e Kosovës, por Muharremi i lindur 47 vjet pas tij, pati rastin të përjetojë si shtypjen, arrogancën dhe pashpirtësinë kriminale të serbomëdhenjve, ashtu dhe dritën shkëlqimtare të lirisë. Natyrisht që ai lumturinë dhe kënaqësinë e tij për realizimin e ëndrrës më të madhe të vendit e popullit të tij e ka shprehur si në vargje, ashtu edhe në prozën e tij, pasi dihet se ai është njëkohësisht edhe autor tregimesh dhe romanesh. Nuk ka sesi të ngjasë tjetërsoj, kur ai e di mirë se roli i poetit është të ndjekë hap pas hapi kohën dhe rrugën nëpër të cilën ecën fati politik. social, ekonomik dhe shpirtëror i vendit të tij. Dhe kjo patjetër që nënkupton se ai do shohë detyrimish edhe mbrapa. Dhe ajo që ka mbetur pas, nuk mund të harrohet kurrë. Se atë nuk e harruan intelektualë të shquar jo shqiptarë, si fjala vjen Kërlezha në prozë apo malazezi tjetër Radovan Zogoviq, të cilët demaskuan me forcë projektet famëkëqia të Andriqit, Çubrilloviqit e Qosiqit me shokë. Por, krenaria e rezistencës, përpjekjeve, sakrificave, luftës apo dhe heroizmit në të shkuarën, dhe lumturimi nga shporrja e shtypësit gjakatar, nuk është arsye që njeriu, dhe sidomos poeti të mbyllë sytë para të metave që shfaqen aty - këtu në shoqërinë e re demokratike që synohet të arrihet. Fitimtarët, shpesh dehen nga euforia e suksesit. Ata gabojnë, dhe bijen në trysninë e pushtetit. Duke jetuar me lavdinë e luftës, ata komprometojnë paqen. Pikërisht kjo është dhe arsyeja që vjen zhgënjimi i njerëzve të thjeshtë. Revolta e tyre, shpesh e heshtur, brenda së cilës fshihet pakënaqësia, kërkon të shfaqet, por s`di nga të dalë. E gënjejnë, duke i përsëritur se ai ka të drejtën e votës, dhe atje ta tregojë si simpatinë ashtu dhe antipatinë e tij. Por, e keqja është se atij i duhet të hedhë votën, po për ata. Si i tillë, ai mbetet përherë i pakënaqur. I pakënaqur dhe pa rrugëdalje, pra i dëshpëruar dhe i zhgënjyer. Dhe i zhgënjyer, në radhë të parë mbetet intelektuali dhe sidomos poeti me zemrën e tij aq të ndjeshme dhe me shpirtin e tij kundërshtues. Nobelisti egjiptian Naghip Mahfuz (Naguib Mahfouz), në fjalën e tij me rastin e marrjes së titullit është shprehur se “E vërteta është që e keqja është një korruptuese e fuqishme dhe e dhunshme dhe që Njeriu kujton më shumë atë që dhemb se sa atë që gëzon.” Duke e ditur këtë të vërtetë, edhe Muharremi në poezitë e tij, nuk e fsheh indinjatën. Kështu, tek ajo me titull “Epigram për lapidarian”, ai thotë se është e padrejtë që para lapidarit të atij që dha jetën për Atdhe, të renditen edhe luftëtari i lirisë, edhe servili i robërisë, edhe krimineli i paqes. Dhe duke mos e përmbajtur zemërimin, u drejtohet ish të burgosurve politikë, atyre që dikur me zërin e tyre kishin shpuar muret e trasha edhe pse ua kishin mbyllur gojën, dhe nga sytë që shpërndanin xixa zjarri, Kosova qe ndezur cep më cep, me fjalët: “Në tokën e çliruar që po rilindte / Liridashësit si lule në pranverë / Mori fund lufta…/ O idealist të çeliktë / Në duar të kujt e latë lirinë…” Me këtë dyshim ai sheh Gjakovën e tij, Kosovën, madje edhe Shqipërinë. Dhe ka të drejtë, pasi të njëjtat fenomene, si një mallkim i vetes, nuk u ndahen atyre. Ato ende vuajnë nga e njëjta ndarje, nga e njëjta joshje jo fort e ndershme e të huajve, nga klasa politike që më shumë mendon për xhepat e veta sesa për popullin, nga ata politikanë që kurrsesi nuk i lëshojnë karriget e tyre dhe nuk duan t`ja dinë për çmimin që atdheu paguan nga etja e tyre për pushtet. Dhe kjo sipas poetit e ka një shpjegim; gjersa ai vëren se sot ferrat e kanë mbuluar truallin e shtëpisë së Fishtës ku “harresa e kuqe kullot atdheun”, dhe “Indiferenca e zezë nxin / Shikimet e bardha të vizitorëve”. Ndaj, dhe kur i drejtohet të madhit Din Mehmeti, që dikur buzëqeshte nga kafazi, tërheq vëmendjen: “Mos o Zot të harrojmë vetveten / Në zgrip të historisë.” Dhe jemi me të vërtetë në zgrip të historisë, për të cilin Ismail Kadareja ka thënë se “Kur koha punon për një popull, jo të gjithë e kanë të lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta.” Të kuptuari e këtij momenti është shqetësimi i Muharrem Kurtit, i cili edhe tani që fizikisht na mungon, ka bindjen se bardi i madh nga Gjakova thërret: “Unë jam këtu te trualli i moçëm / Rojtar i atdheut dhe poezisë.” Sot, kur dinakërisht analet diplomatike i ftojnë kosovarët të shtrohen në bisedime me agresorin serb, ka një kuptim të veçantë artikulimi i përcaktimit “Troje të moçme”. Shfletoja librin “Greqia përpara grekëve” të docentit francez në Fakutetin e Letrave të Dizhonit Luis Benlow (Louis Benloew) dhe ndihesha krenar që ky shkencëtar i paanshëm, arrinte në përfundimin se “Shqiptarët (janë) kombi më i vjetër i kontinentit”. E pra, a duhet ta lejojmë ne që ende sot të luhet me kufijtë tanë? Është tjetër gjë të tregohesh fisnik dhe ta lësh - siç thotë ky autor - derën hapur për fajtorin e penduar. Është njerëzore të kërkosh një jetë pa urrejtje dhe t`i thuash atij që të dogji, të vrau e të preu: “Dil nga çerdhja e krimit / Unë dola nga plagët e mia”. Dhe është krejt tjetër gjë, kur të shantazhojnë e të bëjnë presion për lëshime deri territoriale (pa folur për dinjitetin), përkundrejt heqjes së vizave etj. Jo, nuk jemi ne që i kemi kujt ndonjë borxh. Përkundrazi, janë të tjerët, që si rezultat i pazareve të vjetra na detyrohen shumë e shumë ne shqiptarëve. Nuk jemi ne që meritojmë të ngrerë kokë emigrimi i detyruar për një jetesë më të mirë. Nuk janë nënat tona të urta ato që gjithë jetën duhet të presin duke u dridhur pranë oxhakut, djemtë e tyre. Fare mirë mund të jetohet si në Kosovë dhe në Shqipëri. Se me njerëzit ngjet ashtu si me gurët: “O gur pa emër e pa atdhe / U dëboi dheu i huaj / U mërdhin toka e huaj / Pa peshë keni mbet / Nga njeri cep në skajin tjetër / “Të huaj” në vendin tuaj / “I huaj” në dhe të huaj / O gur pa emër e pa atdhe…” Në vazhdim të kësaj teme që ky autor e trajton gjatë, dua të theksoj se dhimbja merr trajta dëshpërimi të thellë, kur lexon poezinë “Histori mërgimi”, ku poeti konstaton se edhe ata që ikin familjarisht po tjetërsohen, brezat po largohen nga malli për vendin e tyre, nga gjuha, nga zakonet e traditat, nga të afërmit, ku nipi nuk e merr më në telefon xhaxhanë. Ndaj ai shtron pyetjen e natyrshme, se kur dëgjojmë djemtë duke thënë Tanke dhe vajzat Aufiderzen “… nuk e din / kanë fituar apo humbur…” Para kësaj të vërtete rrëqethëse, poeti nuk mund të qëndrojë indiferent si shkëmbinjtë e bjeshkëve (shihni çfarë krahasimi tronditës). Se poetit i qan zemra edhe nga padrejtësitë që bëhen në Korenë e Veriut apo në Siri nga fanatikët e iSIS - it, ku viktima mbeten edhe fëmijët e pafajshëm të Alepos dhe Homsit. Zemra e tij nuk mund të heshtë para çdo gjëje jo njerëzore, kudo që të jetë ajo, pra atje ku nuk duan t`ja dinë se “Dielli nuk është / Lavdi Zotit / Pronë e njeriut / Atëherë pse disa diktatorë / Ua ndalojnë të burgosurve / Dritën e tij.” Ja pse ai shpërthen te poezia e tij plot patetizëm “Shqipërisë së ëndrrave dhe diktaturës”, ku sërish pyet: “Si mbijetoj atdhetari në zjarr / Të diktaturës pa u djeg?” E megjithatë edhe poeti kosovar Muharrem Kurti nuk mund t`i shpëtojë tundimit të dashurisë. Aty ai bëhet tjetër njeri. Oskar Wajlldi ka përcaktuar bukur se “Dashuri është shumë më e lartë se arti.” Prandaj, duke ditur se atë nuk e shteruan as gjigantët e artit poetik, nuk po zgjatem më tej, veçse po i mbyll këto shënime me bindjen e këtij poeti: “Fatkeqe e fatprerë / Dashuria pa liri.”

Comments (1 posted):

kadri tarelli on 23/05/2019 16:54:59
avatar
Urime Shpendi!
Një shkrim dhe analizë letrare dhe shkencore, lidhur me librin: "Shqetësim zhgënjimi" të autorit Gjakovar Muharem Kurti.
Është një kujtesë njerëzore e dobishme dhe e bukur, pasi poeti thërret dhe kwlthet, lidhur me ngjarjet që nuk shkojnë në mullirin e pasurimit dhe lartësimit të kombit. Citimet janë shumë të gjetura dhe të goditura, që i japi dritë dhe jetë shkrimit. I lumtur është kush i kupton dhe i përjeton!
Miqësisht!
Kadri tarelli
Durrës

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1