Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | NJË TRIPTIK ORIGJINAL ROMANOR

NJË TRIPTIK ORIGJINAL ROMANOR

Font size: Decrease font Enlarge font
image Shpëtim KODRA

 

NJË  TRIPTIK  ORIGJINAL  ROMANOR

Nga: Shpëtim  KODRA

  Një vepër që hap kasafortën e kujtesës, që trajton temën e jetës nën diktaturë. Fate e ngjarje dramatike, me pasojat e tyre morale e shpirtërore. Një shërbim i vyer ndaj së vërtetës, me përgjegjësi artistike, etike. Turgeniev:”Të vërtetat e mbuluara kthehen në helme”.Harresa e stimuluar nga ata që mbahen pas miteve të rreme e “idhujve pa krena” ka ndikuar në nivelin e ulët të demokracisë. Romani “Dritë në humbëtirë” i Vaso Papajt, edhe pjesa III (Gongël) ka vlera njohëse, edukuese, estetike, mesazhore. Vepra na nxit të reflektojmë ne, brezin e vjetër, që e përjetuam atë kohë të rëndë, mizore; por i shërben edhe brezit të ri për ta njohur të vërtetën, sepse vetëm e vërteta të bën të lirë. Pa transparencën e së kaluarës s’ka drejtësi e paqe sociale.

  Edhe pse pasqyron jetën monotone, mediokre e të vështirë, në qytet e në fshat, shkrimtari (poet e prozator) V.Papaj, sjell në vetën I, nisur nga përjetime personale, një rrëfim ekspresiv, tërheqës, ngjyrosur me një gjuhë figurative të pasur e lakonike, duke vizatuar portrete fizike e morale, karaktere të individualizuara e të tipizuara me mjeshtri. Mjedise, ambjente të përshkruara me detaje të hollësishme, me saktësi matematicieni dhe me një realizëm që arrin shpesh edhe në natyralizëm. Lirizmi i poezive që integrohen në roman, harmonizon natyrshëm mendimet e ndjenjat që shndërrohen në emocione.

  Në qendër është një nga familjet ish të përndjekura, të cilave regjimi komunist u mori mallin, floririn dhe shtëpitë e mira, për t’ua dhënë funksionarëve të vet. Jetesa 23-vjeçare në bodrumin ku u shfaqën kërcënueshëm  minjtë, na kujton tregimin simbolik  të Buxatit, ku njerëzit i lanë minjtë të ndyejnë e të majmen, derisa arritën të shqyenin  dy maçokë dhe të rrezikonin  jetën e  vetë njerëzve. Në vend të epilogut paraqitet një dokument i ish Sigurimit të Shtetit, përmes të cilit autori denoncon minjtë zagarë, apo zagarët  lehës që akuzojnë pa prova, në këtë demokraci pa rregulla, ku kriminelët mund të sulmojnë dhe viktimat të mbrohen, pasi drejtësia është e korruptuar dhe media nuk e njeh detyrimin ligjor për ndjesë apo për përgënjeshtrim. Kurani:”Shpifja është krim më i rëndë se vrasja”.V.Hygo:”Shpifësit gjakpirës gëzojnë një lumturi të zezë”. Dhe F.Konica:”At Shtjefën Gjeçovit i përkiste çdo mirësi, por nuk i mungoi asnjë çpifje”.

  Në “Shkretëtirën e tartarëve” ku mungonin strehimi e ushqimi, prisnim armikun  që s’donte të vinte dhe ndërtonim, në vend të pallateve të banimit, 700.000 bunkerë, një krim i përbindshëm ekonomik. Edhe në bodrum familja e kulturuar Leka i përballoi me dinjitet e kurajë sfidat e jetës. Në karakterin e Patrit ndërthuret shpirti realist me atë romantik, njeriu i ndjeshëm e i dobishëm për njerëzit e thjeshtë e të varfër, në humbëtirën-ferr, por edhe i arsyeshëm e i qëndrueshëm, besnik i parimeve dhe idealeve humane. Pas dy vitesh ushtar-mësues në Gramsh dhe më pas si normist në Vilë-Bashtovën e dëbimeve, internimeve, tashmë ndodhet në Gosën-më shumë se rebus, një gongël ,një nyje gordiane e lidhur fort, e vështirë për t’u zgjidhur-thuhet në libër. 

  Aty kishin jetuar Tas Myftiu e Mark Bala. Të dy i përmendnin si njerëz të mrekullueshëm dhe motorristë shumë të aftë në ofiçinën e Gosës. Vëllai i Tasit e babai i Markut, të dy të arratisur. Marku, një talent me zgjuarsi natyrale. E kisha njohur në rrethin letrar dhe atë të pianos, në shtëpinë e pionierëve, ku na komentonte romanin “Të mjerët” që e kish lexuar në italisht. Në gjimnaz prof. Matishi e vinte ta lexonte para klasës hartimin e tij, që ish më i miri. Ndërsa Marien, nënën e tij të përsosur e kam dëgjuar, kur tregonte në Rai 2 kalvarin tronditës të jetës së saj.

  Përmes digresionesh përshkruhet lindja e dashurisë për Vojsavën e bukur, si dhe miqësia e fati i përbashkët me Gjergjin. Mësues matematike të diplomuar, por të urdhëruar për të braktisur profesionin e për të shkuar ushtarë. Më pas Gjergji punëtor në Bonifikim, ndërsa Patri në punë të ndryshme në fshat e në qytet. Intelektualët gjendeshin para provash të vështira që dikush i ka kaluar, dikush do t’i kalojë e dikush s’do të mundet. Gjergjin e arrestojnë si të burgosur ordiner. Më pas e dërgojnë në psikiatri, një  goditje shumë e rëndë, për nënë Varvarën dhe për shokët

Një jetë mes dashurisë e urrejtjes, mes të vërtetës e gënjeshtrës. Shoqëria e ndarë: tanët dhe armiqtë e klasës. Përçarja, ndarja klasore u shërben diktatorëve për të kontrolluar e sunduar më lehtë popullin; u shërben edhe pushtuesve. Përfaqësuesit e sistemit i karakterizonte injoranca, egërsia, arroganca. Njeriu i ri-servil, hipokrit, spiun, i pashpirt. I tillë ish shefi i kuadrit, ish punonjës i Sigurimit. Operativi Lamja, kapadaiu i lig, me qëllime shtazarake ndaj Bardhës shpirtpastër si dëbora. Në libër shtrohet pyetja: njeriu apo sistemi ish fajtor për krimet mizore?  çërçill:”Komunizmi-filozofi e dështuar, kredo e injorancës”. Ishte sistemi i dhunës e i gjakut, i nxitur nga urrejtja klasore e që mohonte lirinë e fjalës, të votës, të besimit, të pronës, të lëvizjes së lirë. Dallimi i dy sistemeve shihet qartë mes Koresë së Veriut e asaj të Jugut.              Kim Jong Un udhëton me tren të blinduar e me dhjetra bodigardë, për t’u mbrojtur nga populli, nga armiqtë. Sistemi ishte i njejtë në të gjithë Lindjen komuniste, edhe skemat të ngjashme. Intelektualët pushkatoheshin si reaksionarë, tregtarët si borgjezë, fshatarët e pasur si kulakë, komunistët idealistë si tradhtarë. Historitë e “Arkipelagut Gulak” Patri i dëgjonte të radiodramatizuara nga Radio Uno. Irina Tuçinskaja ish lutur për vdekjen e Stalinit. U dënua me 25 vjet burg. Kur erdhën gjermanët, i hapën kishat; e liruan dhe Irinën. “Kë duhej të besonte ajo”-shkruan Solzhenicin. Ai tregon se Leonid Zakovski kish shkruar një manual për  52 lloj  torturash. Në libër përmendet “pranvera e Pragës” që u shkel nga tanket sovjetike më 1968. Por më parë në Shqipëri u shtypën me gjak kryengritjet antikomuniste më 1945-46, ndërsa në Budapest më 1956.   

 Edi Rama te “Refleksione” shkruan: ”Lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile, shkaktare e së cilës ishte P.K.SH, e drejtuar nga emisarët jugosllavë”. Ndërsa për Mid’hat Frashërin u shpreh:”M.Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e gjthçka mundi. U dënua jo nga një gjykatë, por nga një gjyq i pafundëm rraskapitës i historisë së shkruar nga fitimtarët, për të poshtëruar të mundurit”. Dallimin mes partizanëve që luftuan për liri dhe komunistëve që e sanksionuan pushtetin njëpartiak më 24 maj 1944, e bëri Kadri Hazbiu, kur u shpreh:”U ngjitëm në mal si patriotë, zbritëm nga mali si komunistë”.”Historia në komunizëm ndiqte një sinusoidë, me maksimume e minimume”-thotë autori.   Shkrimtarët dhe artistët duhej të ishin “ndihmës të partisë për edukimin komunist të masave”.                                                   Për shkak të poezisë simbolike “Kuajt”, Gjekë Marinaj, u ndoq nga Sigurimi  dhe u detyrua të arratisej. “Tërë jetën  vrapojmë,|Nuk qajmë,|Nuk qeshim,|Heshtim,|Dëgjojmë,|Hamë çka na japin,|Ecim nga na thonë”-shkroi poeti. Poezinë “Shkretëtira” shkroi Vilson Blloshmi që u pushkatua. Poezinë “Atdheu lakuriq” shkroi Trifon Xhagjika që mbeti pa varr. Utopizmi absurd pretendonte të shkonim në socializëm përmes luftës së përbindshme të  klasave dhe me unitet të çeliktë. Edhe demokracia është e aftë të kryejë krime, nëse abuzohet me të”-thotë Karl Popper. Thuhet e shkruhet se në Shqipëri, ku  janë ricikluar  personazhe e mendësi të komunizmit, sundojnë sot oligarkia, korrupsioni e krimi i organizuar, që vazhdojnë të na lenë larg Evropës.

  Në roman reflektohet dhe kultura e gjerë artistike dhe letrare e autorit, gjë që e ndihmon në përballimin e vështirësive të jetës, duke patur si yll polar dijen, humanizmin, miqësinë, mirësinë, mësimet e prindërve dhe dashurinë. Dashuria-kryetema e krijimtarisë së V.Papajt, në poezi e në prozë. Të dashurosh do të thotë të jetosh. Dashuria mban e lëviz jetën. Dashuria e bën kafshën njeri, kurse urrejtja e kthen njeriun në kafshë. Dashuria, paqja, mirëkuptimi-cilësi të qytetërimit. Urrejtja-cilësi e barbarisë, e diktaturës.  Dashuria, pjesë e humanizmit. Vargje të tilla romantike, si:”Jepmë një puthje, ashtu si dielli i jep detit, kur perëndon”,gjenden plot në libër. Autori shtron pyetjen: Dashuria a hyn te mirësia? Cila është bashkësia më e madhe?   

  Me tregimin muzikor “Euridiçe”, sipas mitit tragjik për dashurinë e Orfeut me Euridiçen, nisi më 1600 rrugën legjendare opera italiane. Lucio Dalla i këndoi me  pasion drithërues dhembjes e dashurisë për fëmijën e braktisur me këngën “4 marzo 1943”. Gianni Morandi më 1972 këndonte:”Vedrai che il mondo cambiera’|le sue ferite guarira’|ma l’amore no, non puo’ morire|sarebbe come dire|che questa e’ la fine”...Pikërisht më 1972 në Shqipëri dënoheshin, pas festivalit XI, kompozitorët, këngëtarët, por edhe dëgjuesit e rinj beratas të këngëve të tilla italiane. Muzika i bashkon, i forcon, i ndryshon, i përsos e i fisnikëron njerëzit. Me 9 gusht 1942, nga  altoparlantët, kumboi  simfonia VII e Shostakoviçit, që  u ekzekutua në Leningrad, në kushtet e bllokadës dhe urisë së tmerrshme, kur kishin vdekur 1 milion vetë. Gjermanët po kuptonin se e kishin të humbur luftën, në atë shkrirje të paimagjinueshme të stuhisë së luftës, me stuhinë muzikore ku trajtohej tema madhështore e atdheut, me rekuiemin patetik për nder të të rënëve. Muzika për Patrin shërbente si mjet për të lehtësuar peshën e problemeve të ditës, por dhe si një tablet gjumi. Ndërsa te simfonia IX  e Bethovenit, një monument muzikor, koralja përçonte tekstin e poemës "Ode gëzimit” të Shilerit të madh. Radioja e xhepit  De Lux ish miku i Patrit.

  Niçe:”Arti do të shpëtojë botën”. Sot te ne, kur politika, media e drejtësia na e nxijnë imazhin e vendit, janë arti e letërsia që na ngjallin optimizëm, që na e përmirësojnë imazhin dhe na kanë integruar në Evropë e në botë. Sopranoja Ermonela Jaho e tenori  Saimir Pirgu, pas koncerteve të suksesshme në skenat më të mëdha të botës, dhanë një koncert të përbashkët dhe në Argjentinë. Sukses të merituar pati në Gjermani dhe baritoni Gëzim Myshketa, me rolin e Ali Pashës në operan me një akt të Lodzing, pas koncerteve në vendet e tjera. Edhe mjeshtrat e violinës, Florian Vlashi kanë shkëlqyer në skena të ndryshme të botës. Durrësin e nderon edhe Mjeshtri i madh ndërkombëtar në sportin e mendjes, në shah Erald Dervishi.  

  Referenca të shumta letrare për kryevepra të letërsisë botërore gjen gjthashtu në romanin e V.Papajt. Libri është një universitet vetjak, një revolucion pa armë, zbulim e fisnikërim, shenjtërim. Letërsia është universale. Edhe Shekspiri, ashtu si Da Vinçi a Bethoveni u përkasin popujve, mbarë njerëzimit, me mesazhet humane e vlerat madhore etike dhe estetike që përçojnë. Edhe mjaft vepra të shkrimtarëve të sotëm shqiptarë janë përkthyer, botuar e kanë pasur sukses në Evropë e në botë. Ish presidenti francez është shprehur:”Kadareja është humanist i madh; profet i Shqipërisë, avokat i pavarësisë së Shqipërisë dhe Evropës”.    

 

Comments (2 posted):

vaso papaj on 21/05/2019 11:08:32
avatar
Te falenderoj Shpetim! Per fjalet e ngrohta qe me ke adresuar.Edhe per natyren voluminoze te trilogjise, vecanerisht vellimit te trete GONGEL, pak kane arritur ta lexojne te terin deri sot. Ndaj dhe une e shtyva momentin e prezantimit nga vjeshta.Do te takohemi nje dite dhe do t'i themi me hollesisht.Te falenderoj shume qe gjete kohen per kete refleksion.
faruk myrtaj on 21/05/2019 15:16:55
avatar
Ishte kenaqesi fare e vecante, i nderuar Shpetim Kodra, per ndermjetesimin plote kulture dhe shpirt, te nje proze po kaq njerezore, sic e sollet ju per lexuesin e lire te Fjales...
Rrefimi, i asaj qe ndodhi si thyerje ne linearitetin e progresit shqiptar si fragment natyrshem europian, ne sy te vemendjes e vetedijes qytetare, eshte mire te besohet se sapo ka nisur.
Ende jane hapat e para dhe autori qe keni respektuar ju, ne kete shqyrtim eseistik, eshte nder zerat e kultivuar prej kohesh si i tille.
Do duhet kohe, merret me mend, teksa per te arritur ketu u desh pothuaj nje cerek shekulli, pra gjysma e kohes se Lodhjes se Madhe Shpirterore e Fizike qe iu ushtrua nje populli te tere, pothuajse te Gjitheve, me perjashtim vetem te atyre qe ende nuk e verejne dot as edhe pas kesaj...
Por, ne deshire te mire, ne perkushtim te plote, do duhet edhe ca kohe me shume per te siguruar hapin normal ne perëndizimin e kesaj udhe per nga shkojme...
respekte juve, njeherazi si autorit, ne shenje falenderimi per kete "lexim publik" te kryer me merite.

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1