Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | ME MUZAT A ME SIRENAT

ME MUZAT A ME SIRENAT

Font size: Decrease font Enlarge font
image Dr Primo Shllaku

ME MUZAT A ME SIRENAT     

(Rreth romanit të Pirro Lolit “Dashnorja misterioze)                     

Dr Primo Shllaku

E çuditshme kjo letërsia e sotme shqiptare. E çuditshme dhe frikamane deri në mohim të vetvetes. Nji letërsi që ka ma shum shkrimtarë sesa lexues, a nuk na duket e çuditshme? Nji letërsi e harlisun si bari i ligatinave pa asnji lloj kritike, a nuk na duket frikacake deri në vetmohim. T’ia varim në gjoks pra ksaj letërsie medaljen e plumbët të vetmohimit dhe ta quejmë me admirim të thellë: vetmohuese. Isha atje dhe s’âsht aspak nevoja të pyes a të informohem prej dikujt tjetër lidhë me ardhjen e romanit të Pirro Lolit “Dashnorja misterioze” (2005).  Romani shkaktoi nji topitje, nji heshtje sikurse të kishte ra bomba në nji shesh plot me njerz. Mbas pak filloi nji murmurimë e gjanë e cila vërtetonte se autori nuk kishte vra, por vetëm sa kishte tronditë. A mund të quhet ky veprim si i përshtatshëm për artistin e artin e tij? Na mund të jemi edhe të bijtë e heshtjes, por vetëm atëherë kur verbi i lirë jeton në kushte kur s’mund ta shpërthejë barrierën e dhambëve. Heshja në liri (nëse e dimë se çka âsht liria dhe e besojmë atê) âsht krim i randë moral, ven në dyshim të plotë qytetarinë tonë fshatare ose qytetse dhe me zor na mban pa thanë se kush e thirri ketë, lirinë pra, se na nuk kishim nevojë për tê. Heshtja rreth librit të Lolit solli në plan të parë krizën e madhe të fjalës dhe triumfin mbytës të heshtjes dhe, mbas të gjitha ktyne, solli bujshëm për diskutim meritimin tonë të lirisë. 

E di se autori merret me krizën e madhe morale e, për pasojë, të identitetit të intelektualit shqiptar në diktaturë. E di prej vetë atij, por edhe prej romanit të vet që e klith ketë zezonë. E dimë të gjithë mollën e kuqe që na e ofroi gjarpni në kopshtin tonë të Edenit. Por dimë edhe prej fushave të pamata të letërsisë e të arteve se ç’epshe fisnike e të nalta njerzore na falin muzat kur “puthemi” me to. Dilema e artistit në diktaturë nuk mund të jetë a të puthet me muzat apo me sirenat. Dilema e madhe dhe burimi i ankthit gjigand âsht gjetja e rrugëve për të mbijetue shpirtnisht e intelektualisht, pa i dhanë kuçedrës luksin e kullufitjes së nji kafshate të çmueshme. Kjo formulë vetëm përkohësisht përkon me humbjen e vetes. Ajo e len të hapun, të paprekun e virgjën pragun e ardhmënisë. Kurse shkuemjen drejt martirit nuk ka askush të drejtë ta rekomandojë përveç kulturave fondamentaliste aziate. Individi shkon drejt martirit për arsye të mbrendshme, njena prej të cilave kishte me qenë ndoshta padurimi për ta sfidue mashtrimin dhe iluzionin.
Romani i Pirros na flet për nji shkrimtar që karrierën e tij e ka ndërtue tue e dorzue veten te nji entitet tjetër që ai as racionalisht, as intuitivisht nuk beson. Kjo punë kryhet për hir “të zgjuarsisë”, për hir të asaj “zgjuarsie “ që i siguron të tashmen, jetën toksore, luksin dhe komoditetin. Ky kishte me qenë kuptimi i parë i ksaj fjale që ka kaq tepër të bâjë me ne. Personazhi i romanit âsht i molepsun me idenë e ksaj “zgjuarsie”. Ky pehlivan ua ka lanë personazheve të vet shpirtin, dëshmorsinë dhe idealet. Ai nuk ka të bâjë me ta.

Ata le të vriten, ata le të vdesin, ky vetë duhet vetëm të jetojë. Dhe jo vetëm të jetojë, por të jetojë e të mbretnojë. Shum prej nesh u trembëm me romanin se ai dukej se sillte në objektivin tonë zmadhues nji shkrimtar të njoftun,bile të madh,bile të paprekshëm,bile të padiskutueshëm,bile tabu. Kjo âsht  e vërtetë vetëm sa frika jonë prej tabuve që lidhet me komoditetin tonë mbrenda miteve dhe përkuljes para autoriteteve dhe aspak ndaj të vërtetave të thella e eksitimeve prodhimtare estetike. Mbasi ka rrethue me kujdesin e vet narrativ nji personazh epoke, tw indjes Komuniste, nji dylber të epokës së shkatrrimit, mbasi e ka “lanë” të lirë të zgjedhë mes muzash e sirenash, mbasi ka guxue ai për vete t’ia çojë grykën nalt dhe t’i liberalizojë shinjestrat, ky personazh e ky roman mund të duket me të drejtë se aludon edhe për nji  autor konkret që s’po len me na vû dregëz plaga e jonë e mjerimit shpirtnor. Romani âsht fryt i nji maratone krijuese drobitëse. Asht fundi i nji epoke ashensionale(ngjitëse) gati vertikalisht përpjetë dhe finishi i nji përpjekje nga ma seriozet për kapërcimin e vetvetes dhe të mbeturinave kryeforta të nji epoke inerciale që ngul kambë sepse, ende, e pa ndëshkueme prej historisë. Për shkrimtarin Pirro Loli  Dashnorja asht guri miljar që e ndan më dysh krijimtarinë e tij e shënon fillimin e përmbylljen njiheri të nji stadi të lakmueshëm. Asht fundi i mëdyshjeve e zotnimi i guximit, sepse në liri duhet të guxosh shum e të rrezikosh shum. Jam i bindun se tash e tutje krijimtaria e këtij prozatori pjellor do të shqyrtohet kalendarikisht si para e mbas “Dashnores“ Artifici fort i sukseshëm i kamuflimit të problemit etik me anë të zbërthimit të perversitetit e deri mjerimit seksual të personazhit qendror të shokon, të rënqeth e të hjedh në tuç. Mbas ktij shoku veç e mbas ktij tuçi, ndihesh se ke ecë nji hap, se e ke lanë edhe pak mbas shpine nji epokë ndamja me të cilën âsht edhe shelbim, por edhe imperativ. Mbrenda kupolës së iluzionit madhor që i kishte shërbye si themel mjerimit tonë galopant, proza e masipërme e P.Lolit vjen si nji përpjekje e mundimshme për ta ça lvozhgën dhe për t’u arratisë prej asfiksisë së ambël të ktij iluzioni. Divorcin e vet me iluzionin Pirro Loli e këlthet edhe për të tjerët që naltsimi i tij të mos jetë i vogël e vetmia e tij të mos jetë kaq e madhe.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1