Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Realiteti i sotëm përmes metaforës

Realiteti i sotëm përmes metaforës

Font size: Decrease font Enlarge font
image Fran GJOKA

  

Realiteti i sotëm përmes metaforës 

Libri me epigrame “I zemëruari” i shkrimtarit Viron Kona një përvojë letrare origjinale 

     

Shkrimtari Viron Kona është emër i njohur në fushën e krijimtarisë dhe letrave, autor i rreth 45 librave të botuar për fëmijë dhe të rritur. Ka një jetë të tërë që ka kontribuar dhe kontribuon dukshëm në fushën e letërsisë, të arsimit dhe të edukimit, jo vetëm me korpusin e gjerë të librave të tij tashmë të afirmuar, por edhe me artikujt e letrarë e studimorë, që përmbajnë vlera ideore dhe pedagogjike, e që, përveçse skanojnë realitetin tonë, por edhe sjellin nga bota moderne përvoja me vlerë që ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të arteve dhe letërsisë. Siç thotë albanologu i njohur suedez Ullmar Qvick (Kvik) i cilësuar “Miku i Madh i Shqiptarëve”: “Viron Kona është tipi i njeriut që duhet të shohim më shpesh në kohën tonë kudo, në tërë botën shqiptare, kur njerëzit në shumë raste kanë rënë në kllapi pa kuptuar identitetin e tyre shqiptar dhe rrugën e tyre drejt së ardhmes. Viron Kona me fjalët e tij përhap vetëm dritë, dhe me këtë dritë sigurisht do të frymëzojë shumë nga bashkatdhetarët e tij...” (Ky fragment i Ullmar Qvick (Kvik) është shkëputur nga portali i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Suedi).

Pas librit të kohëve të fundit “Mësues, pse e ke hequr kollaren”, Viron Kona sapo ka dalë përpara lexuesit me një libër tjetër tepër të veçantë “I zemëruari”, ku autori shpreh përvojën e jetës së tij përmes llojit letrar të epigrameve. Nëpërmjet këtij libri, që nuk e shkëput dot nga dora pa e çuar gjer në faqen e fundit, shkrimtari ynë shpalos vlera intelektuale, dije dhe kulturë të koncentruar për jetën e përditshme, për dukuri e fenomene shoqërore dhe edukative, si dhe të karakterit, por edhe fokuson e portretizon mjeshtërisht tipa dhe karaktere të kohëve të sotme. Duke folur për këtë libër, dëshiroj t`i kujtoj lexuesit se lloji letrar i epigramit i përdorur gjerësisht dhe suksesshëm që në antikitet, vjen nga Viron Kona i shkruar me thjeshtësi e kulturë, me standard gjuhësor e letrar, e sidomos shquan për mendimin e ngjeshur, tërheqës por dhe kritikë, ndërkohë që janë të dukshme edhe vlerat pedagogjike. Gjithçka  e shprehur thjesht dhe shkurt, ashtu siç vijnë dijet nga përvoja dhe nga puna e njerëzve me mendime të thella. Dëshiroj t`i kujtoj lexuesit se termi Epigramë ka kuptimin: (gr. epigrama, epi-mbi; grama-shkrim). Në fillim në Greqinë e lashtë, quhej epigramë mbishkrimi i shkurtër në vargje në një tempull, në piedestalin e një statuje, në një enë. Më vonë, latinët epigramë  quajtën vjershën e  shkurtër satirike... E, në vijim të këtij mendimi, nisur nga thënia e Viktor Hygoit se “Poezia nuk qëndron te forma e mendimeve, por te vetë mendimet” autori ka vlerësuar t`ia paraqes këto krijime lexuesit me ndjenjën e modestisë, por dhe duke nënvizuar se, frymëzim për to kanë qenë përvojat dhe veprimtaria e tij jetësore dhe letrare. “Do të isha i lumtur, - shkruan autori në hyrjen e librit, - që, ndjenjat që kam përjetuar për këto krijime të shkurtra, t`i përcjellë me po atë emocion edhe te lexuesi. Pëlqimi apo mos pëlqimi, mendimet dhe vlerësimet, janë gjithnjë e drejtë e lexuesit dhe e kritikës ndaj të cilëve qëndroj kokulur”.

Libri nis me epigramin kushtuar atdheut, Shqipërisë, duke shprehur në pak reshta dashuri dhe krenari: Shqipëria - ëndrra dhe shpresa,/vendlindja  e bukurive të Dheut,/këtu ndihem i lirë si shqiponja,/këtu ndihem i fortë si Anteu.

Dhe menjëherë autori  zhytet në jetën sociale me epigramin katërvargësh  “Pamja të gënjen”:  “E shikon ajsbergun,/një pjesë të vetes tregon,/provo të zhytesh poshtë tij,/të fshehtën ia zbulon”.

Ndodh që herë për njërin dhe herë për tjetrin, jeta tregohet e ashpër dhe njeriu, në momente të veçanta, gjendet shpesh herë ngushtë dhe keq pasi ndeshet me burokracinë e kohës, me korrupsionin ashtu dhe me tipa dhe karaktere të vështirë dhe të keq njerëzorë. Tematika të tilla zënë vend të veçantë nën epigramet e shkrimtarit Kona, duke përcjellë te lexuesi vlera dhe vizione interesante. Kur flet për tipin e diktatorit, autori shkruan: “Ai e do popullin me një trup dhe një fytyrë,/mundësisht me një kokë dhe me një gojë,/ do që ta përdor si një makinë me kurdisje,/do që ta ndezë dhe ta fikë sa herë të dojë”. Kurse në një epigram tjetër, ai i zbërthen diktatorët shkurt dhe me dy vargje: “Vijnë me gjëmime,/ ikin me mallkime..”. Shkrimtari shigjeton ashpër ata që, duke shkelur me këmbë dinjitetin e tyre, zvarriten në jetë duke u shërbyer njerëzve negativë dhe pa principe, mjafton që të përfitojnë diçka: “Zagari që humbi të zotin,/gjeti një tjetër zotëri,/ai që në hundë i tundi një kockë,/u bë menjëherë zoti i tij i ri”. Këtë ide, tek epigrami “I ngjitur” autori e zbërthen kështu:  “Je bërë i “famshëm”,/duke iu ngjitur pas anijeve madhështore,/herë si midhje e zezë,/ herë si gaforre”.

Ka një shikim filozofik heshtja si një fjalë e rrallë dhe që shpesh herë është subjekt i krijimeve me vlerë, por edhe si një moment filozofik. Kësisoj Viron Kona bën një përkufizim origjinal për heshtjen kur shkruan: “Qëndrimi në heshtje,/ flet më shumë se çdo fjalim. /Në heshtje nderohet flamuri, /dëshmorët, himni i vendit tim”. Bukur autori përcjell te lexuesi konceptin e së drejtës: “Nëse  e meriton të drejtën,/ajo do të vijë, nuk do vonoj,/askush s`e pengon dot dritën,/errësirën tejpërtej të përshkojë!”

Si njeri i drejtë, Viron Kona me urtësi dhe përvojë të moshës përcjellë te lexuesi këshillën e urtë se: “Jeta njëherë na vjen n`tokë,/ta jetojmë e ta shijojmë,/boll me grindje e me lot,/këto që kemi t`i gëzojmë”. I ndjerë është epigrami i karakterit erotik:  “Vargjet, që  shkrova për ty” e ku autori shkruan: “Le të mbeten vargjet,/në bllokun tim të thjeshtë,/s`ta kam falur për tradhtinë,/por bllokun s`mund ta hedh./-Hidhe bllokun tej,/- më tha një ditë mendja./-Me mua, ç`do të bësh?/-më pyeti zemra”. Ndërkaq, është e dobishme dhe aktuale përmbajtja dhe mesazhi i epigramit: “Vrapo tek ai!” :  “Kur nevojë kishe ti,/ ai t`u gjend në çast,/ tani ka nevojë ai,/ çfarë pret?/Akoma je këtu?/ Halli i tij po të thërret...! Thjesht dhe bukur autori përcjell idenë dhe respektin ndaj punës, duke na kujtuar thënien e famshme të Zarathustrës: “Përparimi është një kështjellë ku gjithkush vë pakëz gëlqere. Fillo detyrën tënde!”.E, këtë ide ai e zhvillon me epigramin “Një kovë”: “Deti s`mbushet dot me kovë,/këtë e di çdo njeri,/por me kovë ujiten lulet,/këtë mund ta bësh dhe ti”. Me theks interesant vjen epigrami:  “Njeri, je, apo s`je?” ku autori shkruan:  “Hiqesh filozof,/hiqesh shkencëtar,/hiqesh udhëheqës,/hiqesh dijetar...!/Këto vlera të mëdha,/ta zëmë se i ke,/një gjë s`po na thua:/njeri, je, apo s`je?”. Kurse te epigrami “Nise nga vetja”, ai shkruan: “Ti flet e akuzon të tjerët përditë,/për disa gjëra mbase ke t`drejtë,/veçse, që të jesh i besueshëm,/fol dhe për “zullumet” që ke bërë vetë!”    

Kështu rrjedhin vargjet nga ndjesia shpirtërore e Viron Konës, vargje që shprehin ndjenja dhe mendime  që tronditin, duke kritikuar e shigjetuar plagë të së kaluarës dhe të tashmes, apo të atilla që shoqëria i gjeneron herë pas here. Duke pasur një përvojë jetësore dhe letrare, përmes këtij libri autori synon të tregojë të vërteta historike, por dhe të edukojë te brezi i ri virtyte  njerëzorë, duke ofruar ide dhe mendime të vyera, me peshë dhe emocion. Cilësi të moralit shoqërorë, poeti jep edhe bazuar në realitete, dhe sidomos duke kritikuar ata demagogë  që çirreshin për patriotizëm dhe nga ana tjetër fshiheshin për të shpëtuar kokën. Tek epigrami “Opingat” ai shprehet: “Premtove se do vishje opingat të luftoje,/Sapo të nisnin krismat e para të armëve,/Për opingat e mbajte fjalën, vërtetë i veshe,/Por për t’ia mbathur grykave dhe maleve”. Miti i Sizifit i sjellë ndërmend poetit vuajtjet njerëzore e sidomos të atyre njerëzve që edhe kur ndodhen përpara vështirësive nuk përkulen dhe nuk thyhen asnjëherë. “E po, ndodh dhe dështon,/i ka jeta, punë e madhe!/ Ngrihu, bëhu më i fortë,/ që t`ja dalësh asaj ane!/ Kështu ndodh, o njeri,/ biem, ngrihemi pa pushim,/ po pa vuajtjet e Sizifit,/ jeta s’do të kish kuptim”. Autori ynë me thjeshtësi dhe kreativitet kritikon përmes artit veset negative të shoqërisë njerëzore si mendjemadhësinë, servilizmin, të kënaqurit me pak, interesin vetjak, indiferentizmin, burokracinë, korrupsionin, madhështinë e rreme etj.  Për këtë arsye, kushdo që i manifeston këto dukuri dhe fenomene, e gjen veten tek epigram “Tullumbacja”: Mos u fry dhe mos u mburr,/se je bosh dhe pa mend,/je njëlloj si tullumbacja, që pëlcet nga një gjemb”. Ndërsa për njeriun dembel,i cili pret që të tjerët,t`ia mbarojnë punët, Viron Kona shkruan: “Mos prit më, por nise punën,/shtëpinë tënde bëje vetë,/ gurë mbi gurë e tullë mbi tullë,/ mund të bësh pallat për mbret./ Po prite ta bëjnë të tjerët,/ të flesh gjumë ditë e natë,/e sigurt që keq do mbetesh,/për shtëpi do presësh gjatë”. 

Kështu vijojnë dhjetëra epigrame të këtij libri plot tharm dhe bukuri artistike, me vargje të kursyer plot metafora, i shkruar me një stil të thjeshtë dhe tërheqës, që i vlen kujtdo dhe që lexohet me një frymë, teksa ndjen dëshirën t`i rikthehesh përsëri herë njërit epigramë dhe herë tjetrit. Ky është Viron Kona edhe në shumë e shumë libra të tjerë të tij, si për të rritur e fëmijë, ai përcjellë gjithnjë bukuri jete, mirësi e dashuri njerëzore, teksa nuk ngurron të përdorë ironi e sarkazëm si dhe të hedhë shigjeta kritike te njerëzit me vese dhe me karakter të dobët.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1