Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | SHPENDI TOPOLLAJ, SHKRIMTARI, KRITIKU DHE POETI I LINDUR NË DITËN E TË DASHURUARVE

SHPENDI TOPOLLAJ, SHKRIMTARI, KRITIKU DHE POETI I LINDUR NË DITËN E TË DASHURUARVE

Font size: Decrease font Enlarge font
image LUAN JAUPI

 

LUAN JAUPI

 

 SHPENDI TOPOLLAJ, SHKRIMTARI, KRITIKU DHE POETI I LINDUR NË  

                               DITËN E TË DASHURUARVE

Për shkrimtarin Shpendi Topollaj, që Ditën e San Valentinos mbush 72 vjeç, nuk do të gjeja përcaktim më të merituar se sa atë që ai mbetet poet edhe në prozën e tij të shumtë edhe në kritikën letrare. Kjo vihet re menjëherë edhe te libri i porsa botuar “Flas për ju”, për të cilin shkurtimisht do jap konsideratat e mia.

Pa dashur aspak t`i quaj nostalgjikë të gjithë ata që të mësuar me funksionimin e organizuar, për të mos thënë të centralizuar, të kritikës letrare në Shqipërinë e viteve të zhdanovizmit komunist, mendojnë se kjo gjini sot thuajse është inekzistente, më duhet të theksoj qysh në fillim, se si shumë gjërave të tjera edhe asaj i ka kaluar koha, për të mos u kthyer kurrë. Në Shqipërinë që aspiron të përfshihet në familjen evropiane, pra edhe në kulturën e saj perëndimore, as që ndihet më nevoja për vasalitetin e saj, jo vetëm se askush nuk ka më nevojë për dogmat, demagogjinë e stereotipet e slloganeve të saj partiake, por edhe se niveli kulturor i njerëzve është rritur ndjeshëm, si falë arsimimit të tyre, ashtu edhe mundësisë së leximit nga larmia e botimeve, si nga autorët vendas, ashtu dhe nga ata të huaj. Pastaj, edhe sikur të ekzistonte një institucion i tillë, sado i madh të qe në numër, do ta kishte të pamundur të ndiqte nga afër morinë e pafund të librave që dalin nga shtypi. Lexuesi ynë i këtij shekulli kërkon një tjetër lloj kritike, ai gjithashtu është vetë në gjendje të zgjedhë dhe vlerësojë një libër a një autor. Problemi qëndron gjetkë: në këtë zhvillim të paimagjinueshëm të teknologjisë, njerëzit sikur po i largohen librit. Ndaj e rëndësishme është kthimi i vëmendjes, sidomos i të rinjve, tek ai. Dhe këtë e bëjnë individualisht ata që kanë talentin, kulturën, forcën analizuese dhe sidomos dëshirën që t`u çelin atyre horizonte dhe t`u zgjojnë dashurinë për lexime. E vërteta është se edhe mediat, shpesh nuk e luajnë rolin e tyre edukativ, duke i kushtuar fare pak, ose aspak vend krijimtarisë letrare dhe veçanërisht kritikës, me përjashtim të gazetës “Telegraf”, “Mapo”, “Dita”, “Gazeta shqiptare” e ndonjë tjetre. Por megjithë këtë, ka plot të tillë që nisur nga mirësia dhe mundësia intelektuale, nuk mënojnë të merren me gjininë e vështirë dhe të bukur të kritikës. Dhe njeri nga këta, ndofta ai më përfaqësuesi është poeti, tregimtari, novelisti, romancieri dhe publicisti Shpendi Topollaj. Për këtë flet qartë edhe ky libër i cili vetëm me kritika letrare është i njëzetenjëti. Personalisht më ka ndodhur të jem me të në shumë e shumë veprimtari letrare, jo vetëm në Durrës, por në disa qytete të vendit, apo jashtë Shqipërisë. Ka ligjëruar ai në auditore Universitetesh, në Akademinë e Shkencave, Muzeun Historik, Ministrinë e Kulturës, në atë të Mbrojtjes, në Teatrin e Operas dhe Baletit, në Hotelin Rogner e Tirana Internacional, etj. etj. dhe me forcën e fjalës së tij i ka mbajtur pjesëmarrësit të ngërthyer e të mrekulluar nga thellësia e gjykimit, bukuria e fjalës dhe erudicioni i pashoq. Gjithmonë mes njerëzve, shokëve dhe miqve të shumtë, asnjëherë nuk e mësova se ku e gjen kohën ky familjar shembullor, për të lexuar dhe për të shkruar. Autor i mbi pesëdhjetë librave, ky fitues i çmimit “Pushkin”, çmim që e gëzoi edhe vetë nobelistin Ivan Bunin kur e mori atë në vitin 1903, ai asnjëherë nuk promovoi ndonjë nga librat e tij. Gjithmonë i papërtuar për këdo; i ri a i moshuar, me emër a i panjohur, sapo mëson se ka botuar një libër të ri, me të njëjtin seriozitet trajton krijimtarinë e çdo poeti a shkrimtari dhe jo vetëm i jep tonin gjithë veprimtarisë, por dhe derdh pafund dashamirësi dhe inkurajim. Atje ku është Shpendi, është gëzimi dhe hareja intelektuale, është përzemërsia e dialogut dhe sinqeriteti i miqësisë. Janë me fat ata shkrimtarë që ky autor analizon. Te libri i tij “Flas për ju” do ndeshni vlerat e emrave që i bëjnë nder kulturës dhe letërsisë tonë si Ismail Kadare, Bashkim Hoxha, Mustafa Greblleshi, Spiro Mhilli, Bardhyl Agasi, Lluka Heqimi, Meçan Hoxha, Qerim Vrioni, Bashkim Kadiu, Edmond Agolli, Fadil Hasa, Ramazan Njala, Hydbi Tarelli, Ramiz Reka, Flamur Tartari, Pjetër Cara etj. Por do shihni gjithashtu se me çfarë dashurie e respekti, flet ky autor për veprën e tyre në shërbim të atdheut. Pa rënë asnjëherë në prozaizëm, Shpendi duket se vallzon në shkrimet e tij analitike, duke zbrazur përherë nektar dashurie për gjithçka të mirë të tjerët bëjnë sipas parimit të Skyderit se “Nëqoftëse bëjmë atë që mundim, do të thotë se kemi bërë atë që duhet.” Vetë Shpendi ka bërë dhe bën atë që mundet, dhe atë që duhet. Ndaj tani, krahas urimit për këtë libër mjaft tërheqës, s`më mbetet veçse ta uroj mikun tonë të shquar me fjalët e një të dituri se “Po të jetë që të plakesh, duhet të plakesh sa më shumë të mundesh”, sido që e di mire se poetët, dhe sidomos ata që kanë lindur Ditën e të Dashuruarve, nuk njohin kurrë plakje.     

 

Comments (1 posted):

kadri tarelli on 12/02/2019 18:19:00
avatar
urome Luan artisti, për këtë shkrim të bukur dhe me vlera analitike, kur bëhet fjalë për Shpendin "Pendë" artë.
Miqësisht!
Kadri Tarelli
Durrës

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1