Navigate archive
first first August, 2019 first first
Su Mo Tu We Th Fr Sa
1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31
Newsletter
Email:
Home | ANALIZA | Farfuria e Faruk Myrtajt, tregimet e një çehoviani shqiptar

Farfuria e Faruk Myrtajt, tregimet e një çehoviani shqiptar

image Miho Gjini & Faruk Myrtaj

 

 

Arti i të shkruarit: Nga një “hiçmosgjë!”  njerëzore, qoftë edhe trill shkrimtari, jepet një si “drithërimë tërmeti’…kur shtjellimi artistik, bëhet i thjeshtë dhe i vërtetë, duke prekur” telat e shpirtit”, edhe kur fakti, ngjarja a ndodhia nuk janë kurrfarë gjëje

 

Miho Gjini, Mjeshtër i Madh

 

Pak ditë me pare shkrimtari Faruk Myrtaj hodhi në llogarinë e tij në Facebook një tregim për një vajzë të quajtur FARFURI, kur në shpirtin e të birit qe mbledhur një si “lëmsh thashethemnaje” për të kaluarën e të atit, duke vënë në dyshim moralin e tij të së kaluarës së panjohur! Trillimi letrar prekte thelbin e moralit njerëzor të një epoke të tejkaluar që lë gjurmë të pashlyera gjithsesi. Po, kur shtjellimi artistik, bëhet i thjeshtë dhe i vërtetë, duke prekur” telat e shpirtit”, edhe kur fakti, ngjarja a ndodhia nuk janë kurrfarë gjëje, një përcjellje Farfurie e aq… Atëherë “pena e shkrimtarit” i kapërcen përmasat e së përditshmes stereotipe dhe Facebooku i mijëra –njerëzve nisë të “ziejë” si një koshere  bletësh!

Ja kam lexuar me një fryme këtij shkrimtari edhe një libër me tregime për “Hijet e Virgjëreshave” dhe mbeta po në këtë konstatim estetik: Di të shkruaj bukur! Tregimi i tij për Farfurinë është shumë i këndshëm,  besohet e “të mbushë me frymë”. Nisë me një pyetje, zhvillohet me një evokim të së kaluarës dhe mbaron me një përcjellje të shoqes së rinisë përmes pyllit, krejt normalisht, po ka në brendësi kërshërinë dhe “pulsimin e brendshëm të gjakut”. Po, edhe në tregimet e këtij vëllimi tepër tërheqës, pavarësisht prej strukturës klasike të kompozicionit, të atij apo këtij stili bashkëkohës, në shtjellat reale apo irreale, të ndërthurjes së personazheve e të kontradiktave të kohës, është talenti që dominon përfundimisht. Të tregosh bukur e jo të “rrëfesh përralla” a muhabete të pafundme, ecë këtu e ecë atje, “pirdh këtu e pirdh atje”, duke i quajtur ato më pastaj tregime, novela e romane, është për të vënë duart në kokë! Le pastaj, kur menjëherë bëhet promovimi me një “grupim personash” dhe “pagëzohet si vepër e madhe” nga vet botuesi, pa e lexuar askush!

Në përditshmërinë e jetës hynte edhe Çehovi nëpër tregimet, novelat dhe dramat  e tij të famshme, mirëpo ai bëri një revolucion të tërë në letërsinë botërore me atë paradigmën e tij “E THJESHTA-E VËRTETA”, që i rrok të dyja, edhe të thjeshtën edhe të vërtetën, edhe dramatiken edhe komiken, edhe tragjiken, të cilat i “vërtiste” e i shprehte vetëm një talent i rrallë si Ai, pena e të cilit harmonizonte njeriun me natyrën dhe që i jep shpirt e jetë edhe njeriut edhe natyrës.

Tek tregimi “Bermuda”, Faruk Myrtaj, në trajtën më të zakonshme, përshkruan një vajzë te re qe i gëzohet fustanit të lehtë pranveror, që e ka shkurtuar dy-tri gjisht mbi gjurin e saj të bukur dhe që përshkon aksin kryesor të një qyteti të vogël provincial, duke tërhequr kështu vëmendjen e të gjithë banorëve! Si guxon kjo femër?! Nga një “hiçmosgjë!”  njerëzore, qoftë edhe trill shkrimtari, jepet një si “drithërimë tërmeti’ për njerëzit e provincës se djeshme, të cilët dalin që të gjithë në rrugët e sheshet e qytezës, për të parë sesi do të “shembet Bota”! I së njëjtës natyrë është tregimi “Shëtitje e Detyruar”, me ritualin e dikurshëm të shëtitjeve mbrëmësore të familjarëve, të çifteve e  të të rinjve, kur demonstrimi fals merr atë dukuri që nuk e ka realisht njeriu dhe kur mjerimi ka pushtuar krejt qytezën.  Shtirja si fenomen dhe injoranca merr trajtat e qesharakes..Ndërsa në mjediset e qendrave të varfra të punëtorëve a të fshatrave të dikurshme të kolektivizuara, ai pak “gezim” do të jetë vetëm një fizarmonikë në vatrën a shtëpinë e Kulturës, ku muzikantit amator Gazeli i mpihet krahu e gjishtrinjtë, duke u mëshuar fort tastierave (si në tregimin “Muzikë e Vjetër”)  e që përsëri i “ kënaq” ajo “pakogjë” që u fal mjerimi i tejskajshëm.Ngjan sikur ca kënde të qyteteve të vogla kishin më shume jetë, po për një tip shkrimtari të mëvetshëm e anakronik, si Kadri Luna i tregimit :”Në mungesë të  Mbretëreshës”, është i veshur me një satirizim të thekshëm e po aq të mjeruar, kur personazhet janë gjithmonë dy putana që i vijnë rrotull, një mësues i vetmuar që pret të lozë shah me këtë farë shkrimtari, i cili ka bërë vetëm një novelë me emrin “Kronikë për Femra të Munguara” e që vërtiten në të njëjtën vorbull të “hiçazgjësë!”. Po shkrimtari ynë, Faruk Myrtaj, di aq me virtuozitet ta satirizoj portretin  e nëpunësit të vogël te provincës, në këtë rast të një Vulëmbajtësi tipik, që gradualisht autrofizohet edhe vet në një vulë, si të ishte ai SHTETI vet! Apo të gdhend portretin e Romi-Ciganit, në çastin kur do të qajë të vdekurin e radhës, pa “gëk-mëk”, do ta ngrejë atë në heshtjen e mesnatës mbi kurriz e do ta varros diku në pyll a në një lëndinë të qetë, fshehtazi, fare pa njerëz të tjerë, që askush të mos e dijë varrin e tij, si një “sekret  qe e ruan shpirti e jo dheu”! Si të ishim nëpër tragjeditë e Shekspirit!

Nga këto hije, drama e humnera të “Botës së Vjetër” shkrimtari të shpie në ato realitete, në të cilat lexuesi e njeriu ynë i sotëm, nuk është fort i përgatitur. Kështu, ai do të ndalet te tregimi “Hijet e Virgjëreshave” në aktin e shkëputjes së vajzës malësore nga jeta e mëparshme kanunore, kur ajo “luante” antirolin e heroinës së “Burrneshës-Femer!”, për ta hedhur në ekstremin tjetër të BOTES, në Kontinentin e Ri. Dy realitete të kundërta e një imagjinatë irreale që i tejshkon ato. Herona e novelës “Albanien Vigne” sesi vjen deri këtu, po vjen ama, duke kërkuar shkrimtaren kanadeze me një mijë mundime e sakrifica, për ta harruar imazhin e dikurshëm të burrneshës e do të kthehet rishtazi, nga ku është nisur! Befasia ka ndodhur në absurdin e vet! Sepse “të vdekurit nëpër libra, që në gjalljen e tyre, marrin një hije tjetër-shprehet autori, bëhen edhe më mistikë se ç’i bën vdekja”

Rrallë kam lexuar libra të tillë ku ndjehet edhe zëri i brendshëm i personazhit, edhe zëri i brendshëm i autorit në një unitet artistik, duke hapur kështu “dritare” të një realiteti të trishtë që u ngjajnë ulërimave e përmbysjeve. Ajo vajza e bjeshkëve që kishte vendosur “të vdiste si burrneshë” pëson zhgënjimin më të thellë tragjik kur zbulon se ështe femër e plotë, që të kënaq veten dhe një burrë, apo kur do të bindet se nuk është më një personazh anakronik i shkrimtares së huaj , po një emigrante në “udhët e botës” e, si pasojë, do të kthehet pa dinjitet (po krenare) andej nga erdhi, sepse gjeti vetveten! Në të kundërtën, “Njeriu i vulave” që kërkon ta barazoj vulën me shtetin e të ngrihet kështu mbi “moçalin” e vendit të vet që ende është i mjeruar si shtet, me njerëz të tillë të autrofizuar, i takon anës groteske, që kulmon gjithashtu si një ulërimë. Apo kur autori jep të zhveshur portretin e një ministrori të dikurshëm të izoluar, të dëbuar a internuar, që “ka përmjerrë shtrembër!”, që prêt gjithë ditën e ditës autobusin nga Kryeqyteti , për t’u bindur akoma në ekziston edhe ai, në këtë cep të botës , ku i kanë besuar të pastroj një Hale Publike, nënë dhe, “ ku punojnë edhe minatorët e nderuar edhe ministrorët e dënuar”!..

Hapet kështu problema Çehovjane e një jete të mjerë njerëzore! Rrëqethëse! Si në varrimin e plakut të varfër, veteranit Hazir, në tregimin “Fjala”, kur do t’i ndërronin arkivolin sapo mësojnë që ne funeralin e të “këputurve” do të vinte Kreu i Shtetit për të mbajtur fjalën e rastit! Një tregim brilant, që pikon “humor të hidhur” si askund tjetër. Dhe asgjë nuk u ndje,-shkruan autori , “gjersa plaku (i vdekur!) s’bëri asnjë kundërshtim, teksa e ngritën nga arkivoli i mëparshëm, për ta vendosur në një tjetër, më të shtrenjtë e më të paraqitshëm, sjellë nga ata që njoftuan ardhjen e Njëshit”! Po si i bëhet hallit për të vdekurit  e gjallë, kur për ta nuk interesohet askush tjetër, veç asaj plakës së gjorë që rri zgjuar e ngryset tërë jetën me njeriun e vet dhe është mplakur me një palë “Rroba për Andej”. Është si një depërtim në hyrje-daljen nga misteret e jetës e të vdekjes, nga përgjumja e fundit, ajo që përgjohet në minutat e një jete të gjatë të mjeruar, deri në shtrirjen e të mos qenit! A ka dramë tragjike më të madhe për këta personazhe të Faruk Myrtës, për këta njerëz të mjerë  krejt të vërtetë, të gjallë e të vdekur të pakallur?!  A ka shtet  që t’i varros, t’i krrejë nga varri e t’i ngjallë?! Ka vetëm një “mirësi universale”, e cila ngjan si “shakaja më e zezë!” që mund t’i bëhet një fukarai, që ky Faruk Myrtaj e sajon enkasi, për të rrëfyer zhgënjimin që i ndodh njeriut kur duket sikur po shkrep një diell tjetër e po i buzëqesh jeta e vërtetë! E këtë e shtjellon në tregimin “Dritarja e Fundit”, ku fukarait që ka jetuar në një bunker i falin një pallat-vilë, me kusht që të mos ikte kurrë prej andej e riparimet t’i bënte vetëm dhuruesi-biznesmen! Po kur Dhuruesi  do t’i mbyllë dritaret njëra pas tjetrës, pas thyerjes së xhamave, kthimi te bunkeri do të bëhet krejt i pashmangshëm në këtë “përrallë moderne” për ta mbajtur njeriun të lidhur tek dhuruesi i asaj që askush se ka ëndërruar.

Mirëpo  ky autor nuk ta bënë  tregimin proliks, rrëfimtar e të mërzitshëm. Në “rrembat” e këtyre krijimeve “pulson gjaku i jetës”, ka frymëmarrje, të tërheq magjia e fjalës, e rrëfimit dhe skalitjja e portreteve, ka lirizëm, jetë e shpresë, si edhe një feminilitet të jashtëzakonshëm. Se, tek ajo FARFURIA e facebookut, që vuri në mundim shikuesit e lexuesit në ka dashuri aty brenda , apo nuk ka, ka që çke me të, ka një ndjesi të bukur që fshihet brenda njeriut, brenda shpirtit të të dyve, që as i afron e as i largon dot, në varësi të rrethanave të vendit e të karakterit të secilit. Është një botë komplekse njerëzore, që në ato kushte të vështira jete e rrethanash, “Robi i Zotit”, nuk mund të maskarepset, edhe pse në kushtet e vetmisë që nuk vjen më, kur zemra e secilit rreh e pulson, në “shkrepje” të ndërsjellë, nuk do të priste më, kur Farfuria do të turrej drejt shtëpisë në  mes të errësirës dhe ai, mashkulli shpëtimtar, burri i ndershëm, me karakter të mirë e moral të fort, do të sulej nëpër baltovinë për t’a arritur  “thëllëzën e pyllit”!  E bukur kjo, sensuale, poetike, njerëzore….Personazhet e Farukut nuk janë njerëz të thatë e as figura butaforike, si ato të teatrit. Ata, jo vetëm që janë të dyzuar, të thellë, të pasur në ndjenja e psikologji, po kanë edhe ekuilibrin qytetar, etikën e duhur të vetëpërmbajtjes, si tek tregimi i mrekullueshëm “Nata e Vajzave”,  ku poezia “kërcen” mbi prozën e Faikut e “Erosi i Vërtetë” mbi Sensualitetin e rëndomtë!.E ç’do të thoshim atëherë për “Një Europiane (që) bredh në Ballkan”,  kur autori u krijon personazheve të sekseve të kundërta rastësinë që të flenë në të njejtin krevat, gjatë një udhëtimi në malësinë e veriut? Gjithsesi jeta është jetë dhe shkrimtari është pjesë e kësaj jete! Apo, ca më në ekstremitet akoma, kur në një kullë malësori në bjeshkë ka bujtur një qytetar i panjohur e vajzës  së padalur kurrë nga kulla i zgjohen dëshirat fiziologjike e, përmes ëndërrimeve të saj, nga frika e një zhurme, për të mos u koritur, do të hidhej nga dritarja e kullës, si ne tregimin “Kulla e përgojuar”?! Ja se si  “ zëri i brendshëm i jetës” për të cilën folëm më sipër është gjithkund , si një thirrje e brendshme,  si ndjenjë dashurie e patrokitur, poezi e të gjitha poezive të kësaj bote të trazuar.

*  *  *

E mbyll faqen e fundit të këtij libri te shkruar me një art elitar letrar që në vitin 2006 dhe ndjen njëfarë ngërçi të pazakontë: qëndrimin ideo-emocional mospajtues me realitetin, sikundër e quanim njëherë e një kohe sensin kritikë, opozitar të shkrimtarit. Ndofta këtu ka ndikuar puna e dikurshme rraskapitëse nëntokësore e autorit, ndëshkimi i mëvonshëm politik, jeta e vështirë nën diktaturën e egër, po edhe veprimtaria e mprehtë që ka bërë  si gazetar Faruk Myrtaj në fillimet e para të rendit të ri demokratik, në të parën e të vetmen gazetë të lirisë e të shpresës te fillimeve të para, “Rilindja Demokratike”, kur firma e tij radhitej ndër më kryesoret, bashkë me Frrok  Çupin, Mitro Çelen, Preç Zogajn, Filip Çakullin, e të disa të tjerëve, shkrimet e të cilëve mezi i prisnim që t’i lexonim,,,Duke kaluar mandej në sferën letrare, sidomos në prozën e shkurtër, mbeti qëndrimi i ashpër, ironia e thellë, fryma e mospajtimit dhe e protestës individuale, tallja e grotesku në një realitet të egër dje, në tranzicionin e gjatë dhe të hallakatur të mëpastajm, i cili nuk ka të mbaruar!. Ndofta kjo ishte edhe arsyeja që shkrimtari i talentuar Myrtaj revgohet, bënë “fole” në një atdhe të dytë, ku shkruan 15 vepra letrare e publicistike, në të gjitha gjinitë, midis të cilave edhe romanin sinjifikativ “ATDHEU TJETËR”, ku unë do ta kërkoja e do ta takoja atë 30 vjet më pas, në Kanada, në një cep të Torontos, për t’a harruar vetveten në biseda të gjata letrare me të ..Po m’u desht të lexoja pikërisht këtë libër të mrekullueshëm që të më entuziazmonte arti letrar i të shkruarit, pasuria leksikore, meditacioni i shtruar, fraza poetike e shkrirë në një prozë elegante e një shpirt i rrallë njerëzor.

Aty do të gjesh heronj të zakonshëm e jo trillime personazhesh. Te prekë aty edhe një dhimbje që ai ndjenë për njeriun, për të bukurën që degradohet, për një shoqëri që është përsëri në rënie e s’po e merr veten akoma! Ka gjithkund , sikundër thotë vet “një kurth për më shumë fisnikëri” letërsia e tij,,,Se ndryshe nuk do të kishte kuptim që ajo vajza sfidante e Bermudës që mahniste qytezën me guximin e saj, nuk do të dukej më, e admiruar dhe e vrarë njëherësh nga reagimi i njerëzve; që një minator i rraskapitur nuk do t’i detyronte fëmijët e vet të bënin atë shëtitje rraskapitëse në  fasadën teatrore të qytezës, për të “ndrequr biografinë e familjes”; që romët e shkret ishin e mbetën si një “apendicit” i shoqërisë, në skajet e qyteteve tona;  që shkrimtarët e djeshëm degdiseshin kuturu për “të njohur realitetin!” me porosi e urdhra (!) dhe ishin e mbetën po aq të varfër, edhe pse gëzojnë sot lirinë e krijimit e të lëvizjes; që zyrtarët  do të korruptohen edhe kur kanë ndër duar një vulë, me të cilën mund të të “dredhin edhe zorrët”; që  femrat tona përsëri janë të rrezikuara nga opinion i sëmurë, nga prostitucioni, nga emigrimi, nga “dritaret që mbyllen” hera herës, apo nga vetëvrasjet që s’kanë të mbaruar! Ky qëndrim opozitar e sfidues i shkrimtarit shqiptaro-Kanadez Faruk Myrtaj hidhet në këtë libër për lexuesin, si një bashkëbisedim i sinqertë dhe i vërtetë, sa i këndshëm, aq edhe alarmonjës. Po ky është edhe misioni i një letërsie të vërtetë e jo të shpërndajmë “lulka” , “portokallada” e rrëfime të pafundme, brenda kopertinash rozë…

 

Comments (1 posted):

timo on 07/02/2019 20:44:23
avatar
...per prozen e Faruk Myrtaj shkruhet e flitet vetem si per nje dashuri...

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1