Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | ... poeti ka nisur udhën!

... poeti ka nisur udhën!

Font size: Decrease font Enlarge font
image Donart Rexhbogaj

 

Donart Rexhbogaj, ose poeti ka nisur udhën!

Dr Fatmir Terziu

 

Në poezinë e realizuar nga poeti i ri ndihet fjala e tij e përzgjedhur, e pikasur me një ndjenjë të qartë poetike. Kjo fjalë, e përzgjedhur, mjaft herë edhe pse duket “e lodhur” në misionin e saj poetik, përsëri synon dhe rreket për t’u dalluar, sigurisht, por edhe tenton të udhëhiqet nga parimet poetike, pasi ato synohen të zbatohen për gjuhën e përdorur në përgjithësi. Me këtë fjalë të pikasur, thuajse në mjaft prej poezive të tij, forma estetike duket përgjithësisht e vëmendshme dhe përbëhet nga shumëfishimi i mbivendosur i fjalëve të huaja, prandaj edhe shpeshherë ajo ngjan mjaft ciklike dhe gjeneruese, si produkt i vetë qëllimit të mesazhit poetik, kuptimit që hyn në shërbim të hierarkisë strukturore, ku bien në sy matjet e përdoruara të fjalës, të cilat përqëndrohen në disa plane të ndryshme strukturore të formës gjuhësore propozuese njëkohësisht, p.sh. disa masa fonologjike të poezive të këtij autori, karakterizohen në harmoni me trajtën morfosintaktike dhe leksikore. Poezia “Elegji” është një shembull didakt i këtij fenomeni:

 “Nji n’ket’ zeman

Sarajet

Shuajnë fenerët me flakë

Përvajshëm

Rrokullisen gurët majave,

Pushojnë shtatin

Nji n ‘at Zabel

Hije i bajnë

Drandofiles t’shkretë...”

Përtej trajtimit dhe përdorimit morfosintaktik dhe huazimit të fjalëve të huaja në këtë rast “zeman”, qasja tjetër është një përgatitje jo fort e lehtë për të dhënë një poezi me kuptim të thellë, ku diskursi natyrshëm formon një estetikë të pëlqyeshme.

Megjithatë, metri, në kuptimin e faktit themelor të organizimit poetik, nuk pushon në mënyrë specifike fonologjike, por ndjehet në një sinkron timbrik të matur. Në mjaft poezi të këtij autori çdo gjë tingëllon e qartë dhe e pastër me një formë gjuhësore që mund të shërbejë si bazë për strukturën poetike pragmatike të tij në vazhdim. Një formë e tillë natyrisht përcaktohet me respektimin e parimit metrik. Të dhënat këtu, për shembull, nga poezia “E padukshmja” ilustrojnë një strukturë poetike të tillë që hyn në referencën dhe predikazionin  e një bisede dyadike në zhvillim, reflektim, qartësim, plotësim:

“Sillet e derdhet mbi hijen tonë

e padukshmja...

Kasnec i orëve t’vona

tiktakun e kohës e vari në gushë.

Shtërngata që volli gazin e truem

thakët e dhimbjeve i dredh përhapshëm

si tojë për synin e keq.”

Për të ndjekur më tej realizimin poetik të këtij autori, që përgatitet me të gjithë forcat e tij të hyjë në rrjeshtin e pakët të poetëve në vendlindjen e tij (të shumtë janë ata që shkruajnë vjersha dhe vargje, por të pakët kanë mbetur ata që meritojnë të hyjnë në rrjeshtin e këputur të traditës shqiptare në lëminë e poezisë në Kosovë), natyrisht duhet të provojmë se poezia e Donart Rexhbogajt vjen në mjedisin e leximit dhe nalizës poetike mbi disa parime dhe koncepte që burojnë sa nga nga trashëgimia jonë e pasur, por aq edhe nga ana e funksionalizmit semiotik që është një proces mjaft i domosdoshëm në realizim e një libri me poezi. Së pari, nuk dua të them se kjo ndalesë ka qenë një detyrim, apo dhe ndonjë arsye tjetër, pasi njoh dhe kam lexuar poezitë e autorit, që më ranë dorë rastësisht, dhe nuk e njoh fare vetë autorin e këtyre poezive, madje nuk kam dhe ndonjë komunikim me të, por një detyrim vërtet moral i të gjithë atyre që duan të kontribojnë me dijet dhe njohuritë e tyre në shërbim të kulturës, traditës së shkrimit letrar shqiptar e më gjerë, me qëllim që talentë të tillë, të mos mbeten në mes të rrugës dhe pa përkrahje. Së dyti, natyrisht ajo vlen si gjithnjë më shumë, në natyrën e analizës sime, është më shumë ana shtytëse, inkurajuese, dhe aspak ajo që e ndrydh dhe e ndryshk vullnetin e autorit, e sidomos të të rrinjve që kanë mjaft rrugë për të bërë në krijimtari. Së treti, normat dhe rregullat, të cilat janë një bindje e plotë e kësaj rruge, natyrisht janë dhe një arsye më shumë për t’i bërë qasje dhe për autorin e lexuesin e tij.

Poezia “Në trarët e shtëpisë” vjen në syrin e lexuesit si një format me tërë modestinë  e formës strukturore zgjedhore dhe gramatike që qëndron e plotë brenda fushës së fjalisë, pa asnjë  arsyetim midisës, por me një përfundim të qartë, ku pretendimi i nënkuptuar për “dafinat që thahen sa për shije” të jep vertët një shije të lartë estetike, një realizim plot vullnet e maturi poetike. Kjo poezi e bën këtë autor të jetë një hapësirë më larg, ose më saktë pak metra larg rrugës ku duhet të jetë e të mbetet sot poezia rinore, ku duhet të jetë dhe të trokasë e ardhmja e shëndoshë poetike. Kjo poezi flet bukur, qartë dhe saktë:

“Në trarët e shtëpisë

Hidhnin valle

Gjethe Dafine

T'njomta, t'hirshme, t ‘hijezuara..

Kur kryqëzohej veri e jug..

Dafinat lulëzonin..

Kur zjarri shuhej,

Tymi ngrihej

Dafinat bëheshin kurorë..

Dikur,

Dafinat, nuk i harronin fytyrat,

Prandaj

Kopshtarët kur i këpusnin

Vinin maska me hije trumcaku..

Sot,

Në trarët e shtëpisë

Dafinat thahen sa për shije…”

Natyrshëm ndjemë enumeracionim, zvogëlimin dhe ndjejmë autonominë e fjalëve që në mesin e tyre vargor, në mesin e tyre mesazhier funksionojnë tërëisht jo thjesht si fjalë, vargje, por si fjali-gramatikore: “Kopshtarët kur i këpusnin/Vinin maska me hije trumcaku”.

Autori në mjaft poezi të tij përdor konceptin e paralelizmit, që përfshin arsyen dhe logjikën, e cila parë dhe nga një përsëritje e matur shërben si kornizë e maturuar për pozicionin e ndryshueshmërisë. Ky lloj shumë elementar i strukturës poetike zhvillohet në një mënyrë të thjeshtë, sekuenciale të modës së re dhe bashkëkohore poetike dhe kështu bashkon bukur nocionet e qasjes lokale me ato globale.

Poezia “Rrufetë e mëkatit” është e përkryer si një formë e zhvilluar përmes kontigjentit strategjik, që do të thotë i referohet temës dhe statusit të rehemit të gjuhës së përdorur  si njësi plotëse, diskursive. Këto mund të identifikohen në arsyetim e përqëndruar dhe hera-herës të formuluar, strukturuar dhe të ndryshuar me pjesë të ndryshueshme të fushëveprimit brenda strukturës poetike. Prandaj, këto poezi janë të afërta me strukturën sipërfaqësore të poezisë së bardhë, duke përfshirë fenomenet e nivelit të stresit, brenda shtrirjes së fjalisë dhe vetë diskursit:

“Përditshmëri...

Kotësi që sillet vërdallë

Inatin

E shtrydh e ndrydh

Si basmën e lagur n'djersë

E groposë në një zallinë

Me mure shelgjesh,

I zë hijen

E zbusë, e ftohë, e ngushëlloj

Kur terri vjen me gjuhën e joshjes

Rrjetëza kristalesh

Fërkohen si akuj

T'vegjël,

Gazi u fshihej ndër buzë..

E unë rrëfehesha

Për rrufetë e mëkatit...”

Donart Rexhbogaj ka ardhur mjaft i gatshëm në debutimin e tij poetik. Poezi të tilla, “Lotin ma vodhen ylberët”; “Fle kaq ëmbël shtrati im”; “Rrebeshet e mesnatës”; “Fijet e vetullave”; dhe rreth njëzetë a trridhjetë poezi të tjera, të paktën që kam lexuar unë nga ky autor, jo vetëm që flasin me një diskurs që në titullin e tyre, por na japin një premtim të madh se po vjen një poet i ri, me një të ardhme të sigurtë në këtë fushë krijuese sa të bukur dhe delikate. Poeti ka nisur udhën!

 

Comments (1 posted):

Vasil Klironomi on 31/01/2019 22:21:04
avatar
Donart Rexhbogaj një poet që shpërndan mendimin në kërkim të metaforës dhe kërkon që nëpërmjet saj, t’ i jap nur poezisë.
Është e lehtë të mos kuptohet. Imazhi duket se është metoqi i tij dhe atje mund të hynë vetëm ata lexues që kanë fantazi. Edhe pse poet i ri dhe pa përvojë, ka kthyer penën e tij në një rrëke figurash poetike.
Mendoj se në një të ardhme jo të largët, do të detyroj poetët të jenë më kërkues ndaj vetes.
Vasil Klironomi

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1