Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | “DIKTATORË DHE AVENTURIERË” NJË LIBËR MJAFT INTRESANT

“DIKTATORË DHE AVENTURIERË” NJË LIBËR MJAFT INTRESANT

Font size: Decrease font Enlarge font
image SPIRO MËHILLI

 

SHPENDI TOPOLLAJ

 “DIKTATORË DHE AVENTURIERË” NJË LIBËR MJAFT INTRESANT       

 

 

Kushdo që e ka ndjekur nga afër krijimtarinë e gjërë letrare të Spiro Mëhillit, patjetër që ka konstatuar se ai është një shkrimtar jo vetëm mjaft prodhimtar, por edhe shumë i kulturuar, demokrat, i papajtueshëm me çdo lloj çdo diktature, analist, dhe njohës i mirë i zhvillimeve letrare, historike dhe politike të çdo kohe. Pas shëmbjes së komunizmit, janë të paktë ata shkrimtarë, gazetarë apo dhe politikanë që i kushtojnë vëmendjen e duhur demaskimit të atyre plagëve dhe të asaj të keqeje të madhe që solli ai sistem si në vendin tonë, ashtu dhe në botë. Dhe po të mendosh ndikimin që njerëzit e letrave dhe në përgjithësi të mediave kanë në popull, ky qëndrim shumë apatik ndaj asaj që ndodhi te ne është shumë i gabuar. Kurse Spirua, për asnjë çast nuk ka reshtur së analizuari dhe treguari dëmet që i erdhën popullit e vendit tonë nga përqafimi dhe zbatimi i verbër i ideologjisë më absurde që ka njohur njerëzimi, por edhe ngjashmërinë që ajo ka me despotizmat historike e sidomos me ato të shekullit të njëzetë, si fashizmi e nazizmi. Pavarësisht përrallave të dala boje, se historinë e bëjnë masat, kur është vërtetuar gjatë shekujve se masat s`janë tjetër, veçse mish për top në interes të tekave, megallomanisë, etjes për lavdi e deri çmendurisë së udhëheqësve narcistë të dehur nga pushteti dhe krijimi primitiv i besimit se ata janë gjysmë perëndi, Spirua me të drejtë e vë theksin tek ata individë që i çojnë popujt në krime e kasaphana të paimagjinueshme, ku sikurse pohojnë vetë, vrasja e milionave s`është tjetër, veçse statistikë. Në librin e botuar së fundi, titulluar “Diktatorë dhe aventurierë”, ky autor merret me jetët publike dhe private, shpesh dhe të panjohura, të tre figurave mjaft të njohura si Adolf Alois Hitler, Benito Aleksandër Musolini dhe Josif  Visarionoviç Xhugashvili. Janë tre figurat më të urryera, krejt të pangjashëm fizikisht, por tërësisht kopje e njeri - tjetrit në dëmet që i sollën njerëzimit. Të tre të ardhur nga hiçi përmes aventurave, deri dhe vjedhjeve e burgjeve të herë pas herëshme. Të tre mosmirënjohës, aq sa nuk i vriste ndërgjegja as kur pushkatonin shokët e tyre më të afërt, ata që u ishin gjendur në ditët më të vështira; Hitleri vriste shokun e ditve të para Remin e fituesin e shumë ndeshjeve Romelin, Musolini dhëndrrin e tij, kontin Çiano, kurse Stalini, edhe Lev Kamenievin që e kishte strehuar më 1904, kur ai përndiqej nga policia apo anëtarët e vjetër të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror që e kishin mbështetur në sa e sa beteja politike. Të tre e ngritën në institucion veprimtarinë topitëse të propagandës për krijimin e kulteve të tyre.  Të tre arritën, ku me mashtrime e ku me terror që masat e gjëra t`i ndiqnin pas me besim idolatrik. Të tre krijonin përshtypjen se po zhvillonin ekonominë dhe po synonin mirëqenien e popujve të tyre, pavarësisht sakrificave të panumërta. Të tre inskenuan pretekste për të përligjur pushtimet. Të tre udhëhoqën sulme të pabesa ndaj vendeve të tjera; Hitleri e nisi me Çekinë për sudetët, Poloninë dhe pastaj dihet, Musolini ju turr Abisinisë, Shqipërisë e Greqisë dhe Stalini Finlandës e republikave Priballtike etj. Të tre krijuan kampet e vdekjeve masive, pavarësisht emrave që i vunë; kampe Përqendrimi apo Gulak. Të tre deportuan miliona të pafajshëm, burra, gra e fëmijë, duke i çuar drejt vdekjes së sigurtë. Të tre vunë në veprim dhe u dhanë pushtet të pakufizuar shërbimeve të fshehta më të pashpirta. Të tre realizuan genocide, sidomos ndaj popullit hebre. Të tre ishin oratorë të padiskutueshëm. Të tre u mbështetën në lavdinë e së shkuarës për të frymëzuar masat. Të tre kërkonin të bindnin popujt e tyre se ishin racë superiore. Të tre synonin të përhapnin ideologjinë e tyre dhe ndikimin te popujt e gjithë botës. Të tre ishin të degjeneruar e të shthurur; predikonin moral dhe vetë ishin të paskrupuj. Të tre patën një fund të palavdishëm; i pari që Mann Golo e quan “një përbindësh”, vrau veten në bodrumet e kançelerisë së Rajhut, i dyti, të cilin autorët Bellusov dhe Petrushev e quanin “hamshor”, dha frymë me nëntë plumba në trup rrëzë murit të vilës Belmonte pranë liqenit të Komos, për t`u varur nga këmbët në shtyllë elektriku në Milano dhe i treti dha shpirt mbi urinën e tij, ndofta dhe i helmuar nga egërsira tjetër Lavrent Beria, me antikoagulantin varfarine, për t`u njollosur përfundimisht në kongresin e XX - të Partisë Komuniste të B.S. si sadisti më i madh i të gjitha kohrave dhe për të cilin ish shoku i tij i udhëheqjes së lartë Zinovjevi, para pushkatimit do të thërriste: “Që kur ka ekzistuar bota nuk ka pasur në tokë përbindësh më të tmerrshëm se Josif Xhugashvili.” Gratë e të treve gjithashtu patën të njëjtin fat; vdiqën nga plumbat. Filozofi Lao Tzu ka pas thënë se “Për të udhëhequr njerëzit - ec pas tyre”. Por këta monstra, me mëndjemadhësinë, prepotencën, pabesinë e arrivizmin e tyre, dhe gjithmonë me dëshirën për të mbetur në histori si perandorët e lashtë romake, i prinë masat gjatë mbretërimit të tyre si autokratë absolutë në rrugë të rrezikshme dhe me kosto të pallogaritshme. Nuk ka dyshim se ata ishin gjeni, por gjeni të së keqes. Dhe pikërisht këto të këqia i ka gjurmuar dhe evidentuar shkrimtari Spiro Mëhilli. Ai nuk ruan ndonjë kronologji në ecurinë politike dhe ushtarake të tyre. Këtë e kanë bërë të tjerë autorë. Kështu libri do dilte shumë shkollaresk. Nuk ka qenë ky qëllimi i tij. Ai ka dashur që përmes fakteve të pakundërshtueshme të na japë fytyrën kafshërore të këtyre udhëheqësve që me mizoritë e tyre do bëjnë të harrohet edhe emri i Neronit e Xhengis Khanit. Dhe ajo që lexuesit i mbetet në mendje është përkimi i zvetënimit moral me krimet e pashoqe. Ndaj, asaj paraleles mbi të Tre, i duhet shtuar; Të tre ua kaluan sulltanëve për gratë me të cilat shkuan; deri në fëlligështi apo me bashkëshortet e shokëve të tyre, duke lënë edhe fëmijë ilegalë. Nga ana e shkrimtarit, jo pa qëllim janë rreshtua prostitutat, femrat e zakonshme, ato të shoqërisë së lartë, balerinat e këngëtaret me të cilat ata kalonin deri në orgji e perversitete. Ai ka dashur të tregojë se sa paradoksalë e pushta ishin ata që popujt i ndiqnin nga pas me nënshtrim të turpshëm. Ai, sikur na kujton se duhet të bëjmë kujdes, se të tillë pushta e vagabondë ka edhe sot e kësaj dite. Ndaj asnjëherë nuk duhet të mbyllim sytë e t`i idealizojmë ata. Jemi në një kohë tjetër dhe s`kemi pse të besojmë dhe sillemi si kope e bindur ndaj kujtdo që në një formë a në një tjetër, kërkon të na bindë se ai, dhe vetëm ai, është mesia, pra shpëtimtari ynë. Duke lexuar këtë libër, gjithashtu të vete mendja te përbindëshi ynë Enver Hoxha, i cili duke u deklaruar stalinisti më i madh, pra duke e kopjuar fije për pe atë, u bë edhe krimineli më i madh i shqiptarve. Shihni faktet rrëqethëse që ka mbledhur shkrimtari atdhetar Spiro Mëhilli dhe do të kuptoni se ajo që ngjau në ish B. S. ku u vranë pa asnjë faj, intelektualët, shkencëtarët, artistët, shkrimtarët, gjeneralët, udhëheqësit e luftës dhe të punës, “kulakët” dhe miliona të tjerë dhe do kuptoni se ky ishte preludi i terrorit që ushtroi ndaj ne shqiptarëve diktatura komuniste, e cila duke mos e kujtuar, sikur po harrohet. Pikërisht kjo më detyron të sjell në vëmendje shprehjen e përsëritur të çekut me origjinë hebreje, Franc Kafkës se “Ata që nuk e mbajnë mend të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin.”   

 

Comments (2 posted):

Guri Naimit D(Dh Xhoga) on 31/01/2019 20:50:33
avatar
Dr-Poeti-Shkrimtar-Spiro Mehilli,
-I vecanti im..!?
Zgjodha kete titull komenti se e di i miri Spiro Mehilli,dikur bashkestudent,si u ndame si kolege ne fakultet e,na bashkoi e beri kolege,PENA nje jete.E pershendes.
Jo se eshte hera e pare qe bej kete po sot dhe artikullshkruesi per mua ka te vecanta; permes shkrimeve analitike qe shkruan i faleminderit deri Ky rroman qe do te doja ta lexoja,une 83 vjecari nje jete qe ai pershkruar jetuar.Do jete interesante te ballafaqohem me krijimin e tij.Qe sa shkruan milu im Spiro e falenderoj. Po nisenm ga tej oqeani Spiro,ma ruaj nje liber mua,Ti e dimerakun tim. Mireju gjeca;Diten e "Nenave dhe Mesuesve"e festofshim bashke

Mire ju gjeca.

Toronto31-01-2019 G.N.D.(Dh.Xhoga.
kadri tarelli on 03/02/2019 18:29:43
avatar
Shkrim i bukur dhe analizë e hollë e librit të Spiro Mëhillit, i cili ka bërë një studim të hollë, por të vështirë dhe të dobishëm për shoqërinë dhe sidomos për brezat e rij. Libër nga ku duhen nxjerrë mësime, sepse historia nuk të fal.
Urime Shpendi!
Urime dhe suksese Studjuesit Spiro!
Miqësisht!
Kadriu

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1