Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Fabulistika interesante e poetit Iliaz Bobaj dhe disa probleme të zhanrit

Fabulistika interesante e poetit Iliaz Bobaj dhe disa probleme të zhanrit

Font size: Decrease font Enlarge font
image Vangjush Saro

 

E kam parë gjithnjë me nderim dhe respekt krijimtarinë e Iljaz Bobajt; edhe figurën e tij si intelektual fjalëpak e punëshumë. Poet, fabulist, autor i spikatur epigramesh, përkthyes, mësues, një njeri-orkestër nëse mund të shprehem kështu, ai ka zënë tashmë vend të merituar në letrat shqip. Poeti dhe studjuesi Xhahid Bushati, në një shënim të tij për autorin, shkruan: “Nuk e di saktë sesa është hapësira e lexuesve në tokën e tij amë dhe në tokën helene. Pavarësisht kësaj, në studimet e mia, ai është një krijues që e nderon letërsinë shqipe.” 

Shkrimtari Iliaz Bobaj sapo ka botuar librat: “Antologjia e tregimit satirik botëror”, “Nuk rroj dot pa grindje” dhe “Antologji: Kavafis, Seferis, Elitis, Ricos” (përkthime), si dhe librin me fabula “Shkolla e Diplomacisë”. Një krijimtari për të cilën nuk mund të mos shprehësh admirim dhe të cilën nuk mund ta shfletosh pa medituar. Nga larg, përcolla me nderim gjithë veprimtarinë përuruese të këtyre botimeve, pasqyruar gjerësisht edhe në shtyp.

Krijimtaria letrare e Iliaz Bobajt është e shumanshme. Në të pasqyrohet një përvojë e gjatë jetësore, frymëmerr një shpirt i pasur, flet një zemër e hapur. Fabula është një nga treguesit e klasit në krijimtarinë e këtij autori. Përpara se të sjell përkitazi disa vlera e veçori të saj, po bëj një parantezë. Duke qenë edhe vetë një prej lëvruesve të këtij zhanri, në disa nga intervistat e dhëna në TV dhe mediat e tjera të Tiranës, por edhe në shënime të veçanta, jam përpjekur të ‘vizatoj’ vizionin tim për fabulën. Unë respektoj krijimtarinë e të gjithë kolegëve, pavarësisht konceptimit të krijimit si i tillë dhe nivelit e mundësive shprehëse, që janë të ndryshme dhe që përbëjnë një temë më vete. Por kam konstatuar se shumëkush ngatërron fabulën me vjershën satirike apo shënimin publicistik; dhe kështu, ndonjëherë, vetë fabula kërkon në ujëra ku e zënë tështimat… Zelli për politikë dhe për të rendur me doemos pas ‘temës së ditës’, një zakon i kohëve të shkuara, si dhe mosnjohja e parimeve-bazë të zhanrit, i bën disa krijues ta shkruajnë fabulën si të ishte një pamflet apo një replikë politike (!) Në këtë mes, flitet ndonjëherë për ndryshime, modernizime, por në fakt ka vetëm kakofoni; sepse parimet, bie fjala parimi i analogjisë, alegoria, kërkimi i shumëkuptueshmërisë së fjalës, etj., këto nuk ndryshojnë. “Kujdes nga dituria e rreme, na mësonXh. B. Shou. Është më e rrezikshme se injoranca.” Sigurisht, mund të ketë dhe ka qasje të veçanta, në përsosje të zhanrit, ka kombinime të elementeve dhe termave të estetikës, sa edhe të stilistikës, por kjo ndodh kur autorët janë në gjendje ta përballojnë modelimin artistikisht.

 Fabula ka nevojë për gjuhën e vet alegorike, për simbolet, për metaforën. Nëse ti shkruan, bie fjala: “Sapo u bë Dhelpra drejtoreshë/ bëri tender të rregullonte banjon…” apo ku di ç’tjetër, flet për ministra, kryeministra, deputetë, etj., duke mos dalë dot nga kuadri i një vjershe satirike, nga politika e ditës, unë mendoj se arti është ende atje tej… (Ca më keq kur plasin rimat foljore ose ato të sajuarat me emrat e personazheve, çka flet për fjalor të varfër dhe ndjesi artistike të mjerë.) Në këso vargëzimesh butaforike, kur grafomania është sheshit dhe autori, siç thotë diku Xh. Xhojs,këndon fjalët që s’duhen...”nuk ke pse cilëson personazhin Dhelpra apo Ujku, kur mund të thuash thjesht: Marika mori në punë të kunatën, Trifoni ndërroi veturën, etj. dhe këtu nuk ka vend për asnjëlloj meditimi apo vramendjeje nga ana e lexuesit. Ai e merr menjëherë mesazhin (pamfletik) dhe thërret: Sa mirë i ke rënë kokës! Po kujt? Vetes dhe fabulës. Sepse kjo krijesë mediokre mund të jetë gjithçka, siç thashë, pamflet, skicë, fletë-rrufe, por vetëm fabul nuk është. 

Po rikthehem te protagonist i këtyre radhëve. Fabula e Iliaz Bobaj nuk është karnavaleske, nuk është lojë fjalësh apo kalambur, siç mund të lexojmë rëndom tek-tuk. Fabula e Bobajt ndjek traditën më të mirë të këtij zhanri të lashtë dhe modern, të vështirë dhe sfidant. Ajo ngjizet me humor, ndjenjë dhe mendim. Po, ndër tiparet kryesore të fabulës së poetit Iliaz Bobaj, ashtu si edhe në epigramet e tij e, çka i konturon atij portretin artistik, është mënçuria; dhe kjo cilësi vjen në harmoni me modelin e fabulës si instrument i veçantë, si krijesë delikate e një zhanri ‘nazeli’, ku shpesh, siç u përpoqa të shpjegoj më lart, ka orvatje për trajtime denigruese. Te ky zhanër, siç thotë me kompetencë profesionale edhe Xhahid Bushati, autori (Iliaz Bobaj) “vjen me një materie të re; ai i qaset me mjeshtëri realitetit bashkëkohor. Filizat dhe sythat që sjell brenda dialogut të personazheve, flasin për përfytyrime, vrojtime e vizione të reja.”

Në fabulën “Buzët dhe syri”, pikërisht në një dialog midis buzëve dhe syrit - dialog plot vrojtime e vizione realiste - autori qesëndis gjithë lezet egoizmin. Vargjet e fundit e lartojnë këtë pamje këso: “Të bukura jeni, iu tha syri,/ vetëm se kur flisni,/ shpesh ju shëmton fjala.” Ja një tjetër fabul, “Dhimbjet”, në të cilën subjekti gjithashtu përcillet përmes dialogut, ku ka informacion dhe ndjeshmëri: “Rënkonte ai që priste pemën/ dhe pema që pritej, rënkonte mjerisht./ - Rënkoj, - tha njeriu, - se ndjej dhimbje në duar./ - Kurse unë, - tha pema - se ndjej dhimbje në shpirt.”

 Në raste të tjera, fabula e Bobajt ndërtohet si një rrëfim i shkurtër, i cili mbyllet me një ‘gjykim’ që, ndërkaq, ka rrjedhur a është formuluar vetiu. (“Njeriu dhe qeni”) Fabula rrëfen për përkëdheljet e llastimet e kësaj kafshe, por mbyllet me këto vargje: “Thotë i zoti: -Kot po kruhesh, unë të dua, se më duhesh…” Këtu, nga ledhet, kalohet menjëherë në një gjendje konkrete, në një raport interesi; filmi mbaroi. Në fabulën “Pleshti”, autori gjithashtu operon pikërisht me mjetet e zhanrit. “Një plesht iu ngjit luanit në trup,/ nga gjaku i tij piu sa deshi./ Pastaj deklaroi: -Ta dijë gjithkush,/ në dejet e mia rrjedh gjak mbreti.” Pasi autori ka vënë pikën e fundit në krijim, të lind menjëherë e drejta të meditosh, të interpretosh; ajo çka është dashur të thuhet nuk jepet e qërruar e gati në pjatë. Pa këto detyrime, nuk mund të ketë art.

Një personazhi F. Dostojevskit na kujton diçka të ngjashme me atë që kërkojmë ne:“Thonë që zogu fluturon vetë për te gjahtari.” Personazhet gjithaq shkojnë te autori i fabulës, sikur një grackë e durueshme i ka ‘mirëpritur’.Tani, ato duhet t’i hyjnë rolit; s’ka tjetër. Ja se si ‘shkojnë’ personazhet te fabula “Lulja dhe Guri”.“Thosh një lule:-Përmbi mua,ulen fluturat,më të bukurat e dheut.-Po,-tha guri,-por veç tyre,/ulen dhe brumbujt e plehut.”Dhe kurora e gjithë kësaj, mbetet fjala e bukur. Atë që thotë poeti dhe kritiku letrar Fatmir Terziu për epigramet e Bobajt (“Unë, megjithatë, kam përshtypjen se ky autor është tepër i fjalëpërfjalshëm, me horizont të gjerë në zbatimin e konditave të saj historike me një dëshmi të qartë për interpretimin e epigramës.”) mund ta sjellim pa droje edhe në fushë të fabulës. Dhe kështu, kemi riformuluar thjesht një vlerësim të merituar.

Duke iu referuar gjithnjë krijimtarisë më të mirë të autorit në këtë zhanër, në fabulën “Këshilltarja” ai luan kaq bukur me fjalën dhe subjektin intrigues, duke qëndruar në zhanër me pjekuri artistike: “Dhelpra e pranoi detyrën,/ të bëhej këshilltare e Luanit mbret… / dhe i përveshi krahët punës,” etj. Pra, personazhi është brenda natyrës së vet. Në vazhdim të fabulës, kur vihet në dyshim kjo ‘zotësi’, ‘heroina’ e përrallave dhe fabulave, e gjen prapë gjuhën e duhur:  “Përkundrazi - tha Dhelpra/ me një buzëqeshje intime, - do veprojë dhe Mbreti me mendjen time…” 

I vë në dukje këto qasje, artistikisht bindëse, për të parë më qartë bukurinë dhe tingëllimin aktual, por edhe për më tej, në fabulat më të mira të Iliaz Bobajt. Nuk u ‘cfilitën’ etërit e fabulës të flisnin për politikën e ditës, për ministra, shefa e drejtorë, për Parlament a Qeveri, emra dhe instrumente që kanë një destinacion të shkurtër, shumë shpejt harrohen. Ata folën me simbole. Treguan histori e përvoja që do të mbeteshin në shekuj: U fry Bretkosa sa një ka, derisa plasi… S’i arriti dot Dhelpra rrushtë dhe tha se ishin të pabërë… Gjeli i Krillovit gjeti inxhinë, por do të kishte qenë i lumtur vetëm me një kokërr elb... Etj. Duke ardhur këtej, edhe te ne, Miza e S. Çomorës, kur flitej për ekranin me ‘miza’ të TV, tha: Dale se çoç qenkemi edhe ne... Kali i D. Agollit i shfyu të zotit: Ç’më kërkon hesap mua, kur ke vënë përpara Gomarin? Etj. Në shekuj, parimet kryesore të këtij zhanri, ai i alegorisë dhe veshjes artistike, i rrëfimit përmes simboleve, formalisht jashtë natyrës njerëzore, por të destinuara për të, këto mund të evoluojnë, të lejojnë veçanësitë dhe krijimin e profilit artistik të atij që mundet, por jo të degradohen. (Kështu janë punët, pa kollaj për lavdi e për tituj madhështie, pa u qasur atje hiç...)  

Fabula e Iliaz Bobajt, përgjithësisht, i ndjek këto linja delikate e profesionale e këtë veçanësi të qendrueshme, që rrjedh vetiu prej zhanrit. Them përgjithësisht sepse përsosja është ajo që duam dhe që jo përherë e kemi arritur; fundja ç’mbetet nëse po? Më tej, asnjëherë nuk i shpëtojnë dot subjektivizmit edhe krijuesit më të përkushtuar. Leximi është një tërësi ndijesish. Mund të lexosh duke paragjykuar dhe bie në gabime gjatë përcjelljes së opinionit; mund të lexosh pa qenë në humor dhe e kalon ftohtë tekstin; mund të lexosh me njëlloj predispozite dhe e mbindjen atë. Poezia e Iliaz Bobaj, pra edhe fabula e tij, është e qetë, e shtruar, paqësore; e lexon atë duke kuvenduar qetësisht me një njeri të mirë e të kulturuar, me të cilin gjithnjë ke ndjesinë se jeni në një shëtitje të shëndetshme, krah për krah, ku ndjen dihatjen e tjetrit, sa edhe zërat e tjerë të jetës e të natyrës...

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1