Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | NGA POZA E DERI TE ARTI I FJALËS

NGA POZA E DERI TE ARTI I FJALËS

Font size: Decrease font Enlarge font
image Nehas Sopaj

NGA POZA E DERI TE ARTI I FJALËS

(KRITIKA RRETH VEPRËS LETRARE TË B. MUSLIUT)

 

Kur njeriu merr t’i lexojë veprat letrare të Beqir Musliut, menjëherë befasohet me mënyrën e shkrimit të autorit. Të shkruara në gjini dhe zhanre të ndryshme, përshtypja e parë që fiton lexuesi, është se gjërat për të cilat flet autori, sikur i ka dëgjuar më parë, diç por që në vazhdë të leximit sikur e pengon diçka gjatë pranimit të tij mendor, ndaj ai kurrsesi të arrijë t’i receptojë ato tërësisht. Duket sikur po din diçka (gjithçka) për gjërat për të cilat bën fjalë shkrimtari, po kur nis t’i bluajë mirë, t’i lidhë dhe t’ua rikrijojë imazhin e plotë, shumë gjëra i mbeten mjegull, shumëçka i mbetet pezull dhe e paqartë. Për shkak të mënyrës së shkrimit, thurimës gjuhësore dhe diskursit të çuditshëm të shkrimtarit, shkrimin e tij kritika letrare në fillim e quajti “pozë” e më vonë shkrim hermetik, art abstrakt, shkrim “metafizik” dhe tani së fundit, edhe meta-shkrim, kurse parashtresat meta ose anti (p.sh. metapoezi-antipoezi, metaroman-antiroman, metadramë-antidra¬më etj.) mezi arrijnë t’i mbërthejnë të gjitha kodet letrare që kish krijuar autori dhe ato përfundimisht mbeten të parecep¬tueshme deri në fund. Kështu, duke filluar nga emërimi poet i “pozës” (H. Mekuli), e deri te poet i “metafizikës” (I. Rugova), Beqir Musliu është po ai krijues si i fillimit, dhe shkrimet e tij janë po të njëjtat, por me kalimin e kohës, gjatë jetës së tyre receptive, në mendjet e kritikëve të ndryshëm, u krijua horizonti i tyre i anticipimit që variron. Atëherë, ç’e shquan atë shkrim, ku është poenta e tij? 

Në fillim, shfaqja e B. Musliut e ka befasuar kritikën letrare për talentin e rrallë, për mënyrën e shprehjes së pa rëndomtë për kohën dhe pothuaj të gjithë si në kor e përshëndetën ardhjen e tij në radhët e letërsisë shqipe, sado që kritika eminente e kohës (H. Mekuli, R. Qosja, A. D. Jasiqi etj.), krahas fjalëve të miradije, në retorikën e saj, nuk fshihnin një lloj rezervimi ndaj këtij shkrimi deri në kriticizëm. Për shkak të “pjekurisë para kohe të poetit”, siç do të shprehet një prej tyre (H. Mekuli), kritika letrare i adreson shigjetat e vërejtjeve drejt abstraksionit letrar të shkrimtarit, duke e çmuar atë si ndikim nga serbokroa¬tishtja (lexo drejt si është: nga letërsia botërore, përmes serbokroa¬tishtes). Mendimi gati qortues shoqërohej me një varg këshillash që vinin “lart” nga Teoria, të cilën poeti e kishte shporrë që me lindje me anë të artit të tij poetik që krijonte, me anë të Intuitës Autoriale duke i dëbuar “nasihatet” që më parë. Kritika zyrtare e kohës, prej poetit kërkonte t’i respektonte rregullat e poezisë së angazhuar, diçka krejt ndryshe nga natyra e shkrimeve të autorit, Autonomisë së patu¬ndur tjetër fare prej tij. Prej poetit kërkohej që të ishte i hapur ndaj lexuesit, sepse ai konsiderohej një l’enfant terrible, një fëmijë i rritur para kohe që po u “shiste mend” kritikëve, gjë që ishte larg të vërtetës, autori abuzohej, që në librin e tij të parë, se në gjuhën dhe në shkrimin e tij, ishte improvizues, madje edhe imitues i poetëve të huaj, dhe sipas kësaj, në vend që të shkruante poezi realiste të cilën “e hante koha” aktuale, komuniste, po shkruante poezi të “errëta”, abstrakte, të pakuptueshme nga lexuesit, të pareceptueshme, madje edhe nga ai vetë, autori, gjë që, fare natyrshëm, vihej në dyshim perspektiva dhe receptiviteti i artit të tij. Poezia e tij, siç thamë, u quajt pozë, u quajt “tingull i lëmekur artificial”, fare ndryshe nga rrëfimi i sinqertë, i besueshëm dhe i dëshiruar. Fjala pozë e shqiptuar për herë të parë nga H. Mekuli për poezinë e autorit, në intervale të ndryshme kohore do të vihet në gojë të disponimeve të ndryshme të kritikëve dhe letrarëve, duke filluar që nga H. Mekuli, R. Qosja, A. D. Jasiqi, T. Dërvishi, A. Vinca etj., që nga njëra anë ofronin ngjyrim emocional nga përqafimi i plotë (T. Dervishi), e deri te refuzimi pothuaj urrejtës (A. Vinca), që në një farë mënyre e ka përcjellë përherë këtë poezi, këtë autor dhe këtë letërsi në përgjithësi nga fillimi, dhe me këtë opinioni lexues sikur ftohet për refuzim/diskreditim, moskomunikim dhe mosreceptim. Le t’i shkëpusim vetëm disa mendime të para që qenë thënë për librin e parë të poetit nga H. Mekuli: “... nuk janë të shqetësueme rimat (titulli i përmbledhjes së poetit – N. S.), më duket jo adekuat ... ma shumë duket pozë se sa kundrim, ma shumë tingull i lëmekun e artificial se sa rrëfim i sinqer¬të... mosha njëzet vjeçare. N’at moshë njeriu nuk mendon gjithaq për pleqninë... Musliu në mënyrë të pavetëdishme i ka imitue ‘poetët e dhimbjes’ e të pesimizmit... Musliu asht bukur i larguem prej traditës së vargut tonë, prej tingullit kryesisht optimist të poezisë sonë... asht mjaft i ndikuem dhe i orientuem nga krijimtaria e kësokohshme jugosllave, e hermetizueme, iracionale... nuk pretendon me i tejkalue suazat e mundësive të veta... gjuha e përmbledhjes Rimat e shqetë¬sueme s’na le mbresën se asht e pasun”   

Mendimi i këtillë i kritikës letrare për poezinë e B. Musliut, vazhdon të jetë në syrin kritikues, tani të R. Qosjes, kritikut eminent shqiptar. Në vështrimin e tij për librin Bukuria e zezë, edhe përpos mendimeve dukshëm më favorizuese dhe më afër vlerësimeve të pangjyrosura me “angazhim” e ideologji, madje edhe pas vlerësimeve të larta si p.sh. kjo është një “poezi antologjike”, “organizimi tematik dhe lidhjes së vjershave rreth një indi” etj.,  nga fjala e R. Qosjes, shkëpusim edhe këto vlerësime të tija: “Ambiciet e këtij poeti që të kapen ide të mëdha, nuk mund të thuhet se njëkohësisht janë të përcjella prej pamundësisë po ashtu adekuate të shprehjes së tyre... B. Musliu e dashuron këngën për shkak të këngës... Bukuria që në përmbledhjen e B. Musliut ka kuptimin e simbolit, konfrontohet me të zezën (kuptimi është i paqëlluar për shkak se antinomia e të bukurës, bukurisë, është shëmtia siç është e të mirës e keqja, e të keqes e zeza)... Ka gabime gjuhësore e formale...”  . Kulmi i këtij shkrimi të R. Qosjes që me dekada do të jetë peng moskuptim që do ta përcjellë krijuesin dhe lexuesin si mosmarrëveshje, është ky: “Është fare e sigurt se kështu në përmbledhjen e tretë të B. Musliut është shprehur më së shumti ndikesa e poezisë evropiane e cila nëpër dyer të hapura të internacionalizmit të kulturave nacionale, po depërton te ne. Mund të thuhet se në këtë mënyrë, me anë të ndërmjetësimit të poezisë serbe, i gjejmë të pranishme tani tek ne edhe Bodlerin, edhe Malarmenë, edhe Pol Valerinë, edhe Eliotin, edhe Rajne Maria Rilken...  ”. 

Marrë në përgjithësi mendimi kritik për poezinë e B. Musliut në fazën fillestare të tij nuk ndalet gjithaq tek ndikimet se sa te mënyra e shkrimit të poetit, stilit dhe gjuhës, kategorive kryesore me çka bëhet arti letrar. Ndryshe nga të gjithë shkrimtarët e sotëm shqiptarë, gjuha e këtij shkrimtari është kategoria më dalluese që e bën autorin të veçantë nga të tjerët, si në aspektin e rregullshmërisë fono – morfo – sintaktike të teksteve të tij, ashtu edhe në aspektin leksikor – semantik e deri te aspektet tjera më esenciale estetike, siç është gurra e mësimit të poetit tonë, substrati post modern i shkrimtarit. Ajo që aso kohe emërtohej si letërsi botërore (H. Mekuli), letërsi botërore përmes serbokroatishtes (R. Qosja), në fakt është nyja shumë më komplekse e fenomenit letrar të Beqir Musliut, ishte nyja më e madhe të cilën ata nuk e sqaronin ose s’donin ta kuptonin. Kjo është kultura e madhe letrare e shkrimtarit të pjekur para kohe, talenti i rrallë që më vonë do të ngrihet në nivel të fenomenit letrar, mimezisi dhe katarsisi i tij, erudicioni dhe ndërlidhja letrare e autorit me kohën, bindjet estetike dhe në përgjithësi mënyra e shkrimit dhe filozofia e tij që heret bëhej e njëjtë si në letërsinë e përbot-shme, shkrimin “noshalant” që në dukje s’po përfillte kategorinë e kohës dhe të hapësirës konkrete. 

Ndryshe nga H. Mekuli, A. D. Jasiqi, A. Vinca etj., vargu i kritikëve të tjerë, siç janë I. Rugova, A. Aliu, S. Hamiti, R. Musliu etj. si dhe vargu i kritikëve të rinj që do të merren me veprën letrare të autorit tonë, do të shprehin mendime, qëndrime dhe qasje fare tjetër për krijimtarinë e B. Musliut. Me veprën dhe artin e tij të veçantë, janë marrë kritikët letrarë, kryesisht të fazës së parë krijuese, edhe pse nuk janë të paktë edhe ata të cilët e kanë përcjellë krijimtarinë e tij letrare edhe më tutje. Ndër kritikët që janë marrë me veçantitë e krijuesit tonë, në ditët tona janë N. Islami, I. Stafa, B. Rexhaj etj. I. Rugova në studimin me titull Opusit poetik të B. Musliut, ndër të tjera do të thotë edhe këtë: “Beqir Musliu u shfaq në poezinë tonë në fillim të viteve ’60, si poet me pikëpamje dhe formë insistuese, që nuk ishin të rëndomta për atë kohë... Prandaj kritika e përcolli me interesim të veçantë dhe librin e tij të parë e mori si punë serioze, më shumë për konceptet e tij për artin dhe botën. Madje, nuk ngurroi që këtë seri¬ozitet ta quajë edhe pozë, duke u nisur nga teoria se serioziteti varet nga kuantumi empirik jetësor, e jo edhe nga afërsia e perceptimit dhe e sensibilizimit të botës, pa marrë parasysh moshën e re të autorit. Këto konstatime që ishin deri diku të arsyeshme për kontekstin dhe momentin e shfaqjes, Musliu do t’i demantojë më vonë me ngulmimin dhe realizimin e tij... Kjo kritikë sikur habitej me pikëpamjet letrare të tij, ndaj këtë e quante njëlloj “pesimizmi” të tepruar për moshën e re të autorit. Po vërtetë, do thënë nga pozita e sotme, se kështu duken shfaqjet e para më insistuese në letërsi” . 

Për shkak të esencialitetit të shkrimit të autorit tonë, herme¬tizmi i tij, mos receptimi dhe jo komunikimi do të jenë karakteristikat kryesore të veprës që do ta cilësojnë rritën krijuese të shkrimtarit, pikërisht në kohën e zgjerimit të opusit letrar të autorit, që, sa po shkonte koha, gjithnjë e më tepër po bëhej më abstrakt dhe më i palexueshëm, për çka edhe të paktë do të mbeten lexuesit e shkrim¬tarit, që këtu edhe më të pakët kritikët që do pasionohen pas shkrimeve të tij, gjuhës dhe veçantisë së tij letrare. Në vitet ’80 dhe ’90 kur autori boton krye¬veprat e tij siç janë Mbledhësit e purpurit, Rrakullima, Orfeiana, kritika eminente shqiptare, pas shfaqjes së autorit tonë si meteor, në kohën e rritës së autorit, nuk do të bëhet e gjallë fare ndaj kësaj vepre të tijën më të mirë. H. Mekuli, A. Aliu, R. Qosja etj. më s’do të merren me krijimet e autorit, edhe pse autori me veprat e tij të mëvonshme merr hovin e krijuesit të vërtetë, ndaj edhe shkrimet e tij vetëm më vonë fillojnë ta marrin fizionominë e veçantisë së tyre të vërtetë: poezia vjen duke u ngritur në një shkallë tjetër më të lartë të frekuentimit, proza duke u ngritur në një platformë të re epizmi dhe dramatizmi, duke u ngritur në fizionominë e një krijuesi me indivi¬dualitet të veçantë, më të veçantit nga të gjithë shkrimtarët e tjerë bashkëkohorë. Po heshtja e kritikës letrare aspak s’e trembte autorin në rrugëtimin e tij letrar, në hullinë e tij krijuese që shenjëzonte dhe verifikonte gjuha dhe në përgjithësi platforma e tij poetike. Në vitet ’70 dhe ’80, madje edhe deri në fund të opusit të tij të përgjithshëm letrar, B. Musliu nuk do të reagojë asnjëherë me asgjë rreth kritikës letrare, asgjë dhe asnjëherë rreth mendimit të tjerëve, qofshin ato lëvdata ose qortimet me heshtje që janë më të rëndat, asgjë dhe asnjë¬herë nuk u përgjigjej mendimeve të tjerëve, kështu që në objektivin letrar, arti i tij mbetet i paprekshëm në trasat, hullitë dhe godinat në të cilat pak kush ka arritur të depërtojë. Mendimi me tone qortimi i kritikëve për natyrën e poezisë së tij që s’po respektonte asnjë teori letrare nga libri i parë, dhe heshtja e dhunshme e vlerave të “pale-xuara” dhe të “pa komentuara” që do të mbeten deri në ditët tona, është një argument që flet për nevojën e një leximi tjetër, për një lexim të plotë, për më tepër, kur natyra e artit të tij është e hapur për interpretime të llojllojshme. 

Pas një heshtjeje të gjatë, mendimi kritik për veprën letrare të B. Musliut u ngjall tani në kohën tonë. Pas vdekjes së autorit, shumë miq të tij bënë një “retushim” evokimesh nga më të mirat për autorin dhe veprën e tij letrare. Botimi i kompletit të veprave nga ShB Faik Konica e Prishtinës ishte rast që në parathëniet e veprave të caktuara të këtij kompleti, disa pena dhe kritikë letrarë edhe një herë të shprehen rreth autorit. Ndër shkrimet më impresive dhe më me kompetencë të shkruar për autorin në atë botim, duhet dalluar R. Musliun dhe S. Hamitin. Në parathënien e romanit Amullia me titull Perceptimi grotesk i botës, R. Musliu pas një analize të thuktë që i bën këtij romani, për të cilin them se është romani më i mirë shqiptar për tre konfesionalitetin harmonik shqiptar të shkruar ndonjëherë, mes tjerash thotë edhe këtë: “Kjo na lejon të konstatojmë me guxim se e gjithë vepra letrare e B. Musliut lindi në kohën e krizës së rrëfimit, si një model kontrapunktues me traditën. Duke qenë në meskohën e thyer¬jeve të modeleve letrare dhe ndër shembujt e parë të modernitetit, ai mbetet i pakuptueshëm dhe i paperceptueshëm sa duhet, madje edhe jo shumë i lexueshëm... kjo ndodh përherë me autorë dhe vepra që i tejkalojnë modelet e kohës së tyre dhe hapin horizonte të reja estetike”   S. Hamiti në shkrimin e tij të shkurtër përmbledhës në formë parathënieje, ndër të tjera thotë: “ B. Musliu e ka nisur krijimtarinë si poet, tepër i ri dhe ka mbetur përgjithmonë poet. Kalimi i tij në forma të tjera letrare: tregim, tregime të shkurtra, romane, radiodramë apo dramë, i takon punës letrare që kërkon forma të ndërlidhshme të strukturimit, por edhe atje Beqiri mbetet poet gjithnjë. Poezia është esenca e artit të tij... B. Musliu është një ndër poetët më të mëdhenj të modernitetit shqiptar... Gjilani u bë një topikë (vend) letrar i paharrueshëm, diçka si Makondo e G. G. Markezit... Unë kujtoj auto¬rin që letërsinë e kishte jo mjet komunikimi, por ekzistencë, mënyrë e të jetuarit”.   

Dhe, çudia më e madhe ndodhi kur për krijimtarinë e shkri¬mtarit tonë në vend të kritikës së poezisë dhe të prozës, interes ngjallin kritikët e dramës dhe ata shprehin mendime më kompetente se sa kritika tjetër. Jo vetëm B. Rexhaj i cili është i pari që flet për shkrimin automatik surrealist të B. Musliut, por edhe kritikët e tjerë të sotëm më eminentë shqiptarë, siç janë N. Islami, J. Papagjoni, I. Stafaj etj., në shkrimet e tyre përimtuese, në mënyrë analitike flasin për fenomenin e autorit tonë, ndër të cilët për herë të parë merren dhe e trajtojnë dramaturgjinë e autorit jo parcialisht, por në tërësi, duke bërë vlerësi¬me shumë të hollësishme. Duke folur për aspektet më thelbësore të dramaturgjisë së B. Musliut, N. Islami ndër të tjera thekson: “Mbi¬ndërtimi strukturor ngërthen idetë avangarde në kërkim të mjeteve dhe të mënyrës për shprehjen e formave të ekzistencës. Alkimia simbolike zhvillohet me antinomitë dhe dikotomitë ndërmjet idesë dhe materies të fazave karakteristike; në formë të koagulacionit dhe formësimit material, tretjes deri në të padukshmen, së bashku me evolucionin dhe involucionin që përfshijnë zhvillimin, ngritjen dhe qëndrimin në gje¬ndje të frymëmarrjes e gjallërimit...”   I. Stafa në shkrimin e tij Dramatika e B. Mysliut ose miti, tjetërsimi, ironia, ndër të tjera thotë: “Personazhi i B. Musliut kërkon të jetë ‘unë‘, por mbetet ‘shumë‘ i përthyer në trajta unesh gjithfarëshe, pa u njëjtësuar a përcaktuar kurrënjëherë“  , e në tjetër vend: “Pra, është një qenie duke u bërë syresh, është shpirti i autorit që shkrihet, derdhet e përndahet ngado. Ky shpirt universal, po aq shqiptar që mbledh ‘purpurin’ e shenjtë të jetës...”   

Në fjalët e veçanta për personalitetin dhe veprën letrare të B. Musliut, le të citojmë shkrimtarin T. Dërvishi: “Poeti, romansieri, dramaturgu, eseisti dhe publicisti Beqir Musliu është përfaqësuesi i parë i post modernitetit në letrat shqipe. Lirika e tij sublime që u paraqit në vitet e gjashtëdhjeta në letërsinë shqiptare shquhet me veçorinë e saj, me origjinalitetin. Bashkë me Jusuf Gërvallën, Beqir Musliu është poeti më lirik në letërsinë shqipe jo vetëm të kohës së tij krijuese, por edhe më larg. I takon grupit të vogël të atyre krijuesve shqiptarë që asnjëherë nuk lejuan të instrumentalizoheshin politikisht, duke i ndenjur besnik vokacionit krijues të artistit. Kështu arti i Beqir Musliut mbeti një opus kombëtar si një vijë në lidhjen e kontinutetit të rilindësve shqiptarë... I çliruar nga ngarkesat ideologjike, ai pati një ideal krijues: ta bëjë të flasë kumbueshëm shpirti i gjuhës shqipe... Si i tillë, si vepër madhështore, arti i Beqir Musliut letërsisë shqipe i dëshmoi dy dhunti që janë më karakteristiket: ai ishte mësues i brezave të rinj krijues, poeti që pati më së shumti ndikim në brezat dhe gjeneratat e reja dhe dy, vepra e tij dëshmon se në artin shqiptar megjithatë ka pasur si ai dhe të tjerë krijues që nuk u janë nënshtruar diktateve dhe hartimeve ideologjike për t`i shitur si art, krijues të formatit të madh si Beqir Musliu, i cili ia fali tërë qenien e vet krijuese artit dhe që u pajtua të jetë skllav i artit të vet, të vetmes gjini të bukur të jetës së tij. Beqir Musliu ishte krijuesi më i madh i kohës së tij dhe si i tillë do të mbetet bashkë me më të mëdhenjtë që ka letërsia shqiptare”.   

Për veprën letrare të B. Musliut s’rreshtin së shkruari qasje dhe vështrime të ndryshme në forma të shkurtra dhe të gjata, ndër të cilët Sh. Beqiri, Xh. Ahmeti, M. Rexhepi, N. Ramadani etj. Shkrimi pasionant me ovacione të një lexuesi të shkolluar mirëfilli, është trajtesa me titull Arqitekturë e papushtuar e autorit Mehmetali Rexhepi rreth fenomenit letrar të B. Musliut dhe veprës së tij që është shkrimi i parë që e përmbledh në tërësi veprën letrare të autorit. Më pak se sa shkrim pasionant për autorin dhe veprën, ky shkrim është një ese i shkurtër shumë mirë i mbathur rreth fenomenit letrar të autorit.

Nga vlerësimet më të rëndësishme për veprën letrare të autorit të kohës sonë, duhet përmbyllur me fjalët e Shaip Beqirit, poetit dhe mikut më të ngushtë të B. Musliut, në shkrimin e tij me rastin e vdekjes së poetit: “Beqir Musliu është një nga fenomenet e rralla të letrave shqipe të këtij gjysmëshekulli. Janë të paktë shkrimtarët që kaq shpejt e kanë krijuar universin e tyre artistik si Beqir Musliu, por edhe më të paktë janë ata që i janë përmbajtur atij universi me kaq këmbëngulësi si Beqir Musliu. Në raste të tilla, kur përkujtohet një shkrimtar brenda një kohe sa ende nuk i ka rënë dheu fytyrës, siç thuhet, është e vështirë të flasësh duke mbajtur drejtpeshimin e fjalëve dhe të japësh gjykimin e pjekur për personalitetin që pas një pune vigane i ka vënë pikën veprës së madhe. Kjo është tepër e vështirë të bëhet, sidomos kur është fjala për njeriun dhe krijuesin me të cilin të lidhin pazgjidhshëm aq shumë kujtime pothuaj gjithë jetës. Ideja e parë që më erdhi bashkë me lajmin e vdekjes së Beqir Musliut qe ajo e vdekjes së re të poetit, të cilën e kishte krijuar shumë herët pikërisht Beqir Musliu. Ishte thelbi i kësaj ideje poetike që e përcolli në udhën e vështirë të krijimit deri në çastin e fundit të jetës. Në të vërtetë ai është pothuaj i vetmi, për të mos e tepruar po them më i veçuari nga të gjithë ne, që kuptimin e jetës e kishte ngjizur më së ngushti me artin që krijoi. Letërsia qe i vetmi tempull i tij, vetëm aty qe rob i gjallë, për të kthyer sot emrin e vet në një zotërues të përhershëm të vlerave që krijoi”.  

Siç e thamë më lart, vepra letrare e Beqir Musliut vështirë mund të studiohet e shkëputur, e ndarë nëpër faza krijuese sikundër zakonisht bëhen për krijuesit, për shkak të lidhjes së brendshme shumë organike që ka ajo nga libri i parë e gjer te i fundit; ajo më vete ruan një organizim të pashkëputshëm në formë të një orkestrimi zërash të ndryshëm, thuaja polifo¬nikë e të brendshëm, që e befason lexuesin me saktësinë logjike në çdo lexim të saj. Një pyll me figura, një mal me metafora dhe simbole, një det formulash gjuhësore që shpesh nuk kanë kuptime drejtpër¬drejta, por që lihen të kuptohen së prapthi, si metafora abstrakte. Kjo është vepra letrare e autorit tonë, ironia dhe parabolat që alternohen dhe shndë¬rrohen në rebuse që e bëjnë lexuesin të hutohet nga kuptimet e shumta që u ka dhënë shkrimtari (mëkuesi i tyre) - fjalëve, frazave dhe ligjërimeve poetike që i “rrëfen” poeti, prozatori dhe dramaturgu, mënyrën se si i mate¬rializon (lëngëzon) ato, duke ua ruajtur logjikën e fillimit e cila s’e harron rrugën nga është nisur dhe ku përfundon. 

Një krijues metafizik, ëndërrues dhe vegullues në të esëlluar, B. Musliu është poet, prozator dhe dramaturg nga fillet e tij letrare dhe i këtillë ka mbetur deri në fund të tij dhe këtë kritika letrare e ka cilësuar si një krijues të papërsëritshëm. Një fjali e cituar e R. Qosjes më lart, thotë: “Beqir Musliu e dashuron këngën për shkak të këngës ”, mbase është esenca e teorisë së shkrimit të autorit tonë, fundamenti i përcaktimit të tij letrar që na kthen kah zanafilla e modernizmit botëror kah arti i pastër, kah koncepti i artit për art që është synimi i autorit tonë, të kuptuar aso kohe si dukuri negative letrare për artin, por të vërtetuar tani si majë, qëllim i synuar pse autori kishte shkruar vetëm në atë mënyrë, në fund të fundit pse ekziston shkrimi letrar si i këtillë. Që në titullin e librit Rimat e shqetsueme (për të cilën H. Mekuli thotë se është i paqëlluar), pra duke filluar nga libri i parë e deri te i fundit, shihet qartë qëndrimi i autorit që nga gjuha, mjeti i vetëm i artit letrar, nga fjala substanca e parë, të kërkojë të lidhet fort pas ekstraktit “pastër”. Ky është një parim krijues që e kanë ndjekur shkrimtarët më të mëdhenj botërorë nëpër epoka të ndryshme kohore, duke filluar nga modernistët e parë kulmorë, siç janë E. A. Poe dhe Ch. Baudelaire e gjer te shkrimtarët e tjerë, përfaqësues të lëvizjeve letrare të fundit të sh. XIX dhe fillimit të XX, siç janë ekspresionizmi, impresionizmi, larpurlartizmi, parnasizmi, surrealizmi, poezia absolute, poezia e pastër, parim të cilin ata e kanë ndjekur, e kanë gjurmuar dhe ndërtuar duke i lënë eksperimentimet në laboratorët e tyre punues ku arrijnë “mushtin” e synuar, me çka janë të veçantë, janë zëdhënës të kohës së tyre. 

Ky synim dhe tendencë e autorit është vërtetuar, këtë e vërte¬ton vepra e tij që vërehet që në titujt e veprave letrare, në gjuhën e veçantë që krijon, e cila është kategoria e parë dalluese që ia përcakton identitetin, estetikën edhe semantikën, gjuha e cila është krejt tjetër nga gjuha e veprave të autorëve tanë të tjerë. Nëpër titujt e veprave të autorit, lexuesi ndesh kuptime jo të plota, “gjymtime” kuptimore të qëllimshme, fshehje të atyre kuptimeve, diçka që mund t’i pagëzojmë parabola (një libër i autorit madje merr atë titull, parabola), kuptime të dyta, të tërthorta, jo të drejtpërdrejta; nganjëherë titujt e autorit janë fjalë të vëna pranë e pranë fjalëve simotra, si sinonime (shih për këtë p.sh. amullia-vegullia), fjalë formulash që “dalin” nga caqet e norma¬ve standarde dhe ato u qesin mund estetëve që të ndajnë mendime fare divergjente për të njëjtën gjë (shih për këtë: R. Qosja, I. Rugova rreth metaforës bukuria e zezë), ide estetike që nxisin debate, sepse gjuha e poetit fsheh labirinte dhe lakonizëm në rrëfimin e saj. Gjuha (lexo: stili), është labirinti brenda të cilin qëndron vetë shkrimtari, mënyra e tij e komunikimit letrar artistik, magjia e fjalës dhe e gjuhës, brenda së cilës qëndron një sakrilegj i cili u takon të gjithëve, ky është arti poetik i poetit, kjo është aristokracia e fjalëve të veçanta që përdor ai të cilat komunikojnë më ndryshe nga normalja, lart dhe larg, diçka që ajo magji e quajtur art poetik beqirian disa njerëz i përja¬shton, thënë ndryshe me kuptimin e ngushtë të fjalës.

Beqir Musliu nuk do të ishte i veçantë po t’u përmbahej rregu-llave dhe koncepteve që kanë në bindjet e tyre kritikët dhe studiuesit e ndryshëm për mënyrën e shkrimit të tij. Autori ynë, përkundër bindjeve dhe teorive të tyre, ka krijuar kodet e tij të shkrimit, ndër më të veçantat në letërsinë tonë bashkëkohore. Gjuha, fundamenti i shkrimit esencial, në teorinë letrare që krijon vepra e autorit, ia ka për borxh talentin dhe dhuntinë e gjeniut krijues të B. Musliut, derdhjen mjeshtërore të fjalës në përdorimin e saj më cilësor dhe më mjeshtëror, edhe kur ajo mund të na duket “e ngushtë“ (s’dua ta përsëris këtu mendimin e M. Kutelit për poezinë e L. Poradecit për kuptimin “e ngushtë“, për fjalën “e zgjedhur” - e qëlluar, e zhdërvjelltë, lakonike etj.), ajo, vepra letrare e B. Musliut, nuk është fare e ngushtë dhe për këtë mund të bindet çdokush që e ka lexuar atë. Çmoj se në ndonjë nga “ekspertizat“ gjuhësore që dikush në të ardhmen do mund t’ia bënte gjuhës së autorit, do të bindet me larushinë dhe shumësinë e fjalëve, idiomave dhe termave të shumta gjuhësore të përdorura nga ai, madje edhe për të njëjtin kuptim, por të përdorura qëllimisht ashtu nga autori në mënyrën e tij të përdorimit, diçka që e vërteton edhe vetë fjalori ekskluziv “i pastër” poetik aspak i ngushtë, një fjalor fjalësh të ngjyrosura që vetëm me një vëmendje të hollë mund të shihet nga lexuesit, të cilët gjithsesi magjepsen me kuptimet e ndryshme të fjalëve, lojën e tyre në të përdorur, të lakuara në situata të ndryshme si në poezi, ashtu edhe në zhanret e tjera të shkrimit.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1