Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | Ata, Alizotët E Mirë të Gjirokastrës...

Ata, Alizotët E Mirë të Gjirokastrës...

Font size: Decrease font Enlarge font
image Farum Myrtaj

 

 

 

Ata, Alizotët E Mirë të Gjirokastrës...

 

faruk myrtaj

 

 

 

Kur të duhet të rrëfesh për prindin, kenaria e nderimi për të, t’i mban ulur kryet...

 

Ndaj e kanë merak teprimin në nderimin e Babait të tyre, Emirët e sotëm të Gjirokastrës. Në tërë rrëfimet, prezantimet e njohjet me njerëz që e kishin takuar Alizot Emirin, ata ndjehen nxënës të drojtur të Atit të Tyre dhe të Librave që rrethuan jetën e tij...

 

Mbase do ishte mirë ta dinin tërë shqiptarët, pse jo, emrin dhe jetën e Alizot Emirit, librarit të Gjirokastrës…Kjo është ndjesia që të vjen natyrshëm, pasi mbyll faqen e fundit të këtij botim.

 

Një varg emra/mbiemrash të njohur, kryesisht të fushës së letrave, por jo veç ata, kanë lënë për fëmijët e tij, tashmë edhe për ne të tjerët, mbresat nga takimet dhe “historitë” me të. Edhe kur për ndokënd prej përkujtuesve të AliZot Emirit mund ta kesh ndonjë rezervë, tufa e luleve në Memorialin e Kujtimet për Të shndërrohen në kujtesë se, tek e fundja, “të gjithë e bëjnë ndonjë punë të bukur”!

 

Në krye të librit, është parafjala e Pëllumb Kullës…

 

 

 

I njohur si librari i qytetit (më të veçantë në vend), duket se “aftësia e parë”, që bëhet edhe mburoja shpëtuese e Alizot Emirit është Humori i Tij. Njeriu që lexon, librat dhe Njeriun, vetdijshëm se rron mes atyre që u joshën prej tij të blinin për të lexuar, pa kursyer për librin!

 

Libri lexohet edhe si një Leksion i Këndshëm, mbajtur nga një Burrë që, për shkak të Dijes së Vetes dhe të asaj që shpërndante, mbeti i rrezikuar nga koha e Anti-librit, që përbënte shumicën e atyre rafteve...

 

Janë të mrekullueshme dhe të shumta fragmentet që e kësaj Biografie Njeriu mes shpirtrave-njerëzorë deri në fund - nën devocionin e heshtur të Bashkëshortes së tij, Nënës së autorëve, modeli i një Vatre që shndërrohet në simbol të rezistencës dinjitare.

 

Nga të kemi, çfarë arsimi ke, ku punon, ç’ke lexuar para këtij libri, ç’të ka pëlqyer më tepër…?

 

Kështu pyeste Zotia (kështu e thërrisnin fëmijët, në emër) dhe arrinte të ndërtonte një “portret” të përafërt të lexuesit të panjohur, që sapo kishte hyrë në librari, të cilin do duhej ta kandiste të kthehej përsëri aty. “Unë rrija si mbi gjëmba, rrëfen njeri nga bijtë, për këto momente. Më dukej sikur Zotia e bezdiste njeriun kot. Lere, - thoshja me vete - ç’i rrokanis kokën kot, sikur je me ne të shtëpisë, që duam s’duam, do të të dëgjojmë! Të kërkoi librin, jepja! Pun’e tij, o vlla! Opo ky ore!”

 

AliZoti "ishte pjesëtar i atij brezi që trashëgonte vlerat e asaj tradite përpjekjesh të panumerta për dijen, gdhendur në çdo gur në Gjirokastër. Ai nuk pretendonte gjë , ndaj përsëriste shpesh: -Unë shes mënden e botës!". Megjithatë, mungesa e ndonjë emri që mund të pres lexuesi, në këtë Qytet, gjëmon…Mbase ngaqë, veç mendjes, hyrja në histori të kërkon edhe tjetër gjë.

 

Me tej, leksioni shfaq tjetërpamje: Zotja ngrihet si Prindi i fëmijëve që hyjnë si lexues në librarinë e tij

 

“I kisha lekët në dorë. Libri ishte edhe në vitrinë dhe tek rafti, por Ai nuk po ma jepte. Më dukej se po më bënit një padrejtësi. Unë librin do të ta jap, por me një kusht. Shko në shtëpi të veshësh këpucët me taka të mamit dhe eja të të jap librin….”!

 

Këtë histori e rrëfen një gocë që më vonë është bërë nënë dhe që më në fund e kuptonte merakun e Alizotit si prind dhe librar! “Unë u zëmërova edhe më shumë me mamin,shton ajo. Nga njera anë na porositnin të lexonim sa më shumë, nga ana tjetër. Çudi!”...

 

A ka ndonjë gjë për mua?!, pyeste dikush tjetër, madje që te dera, pa hyrë në librari.

 

Jo, ende s’ka ardhur libri yt.

 

Jo, ky libër nuk është për ty, i thoshte një tjetri. Është mirë të lexosh ca libra të tjerë më parë se…

 

Duket shkoqur se humori i Zotes, Atit, ka qenë ngjitës: ka depërtuar edhe tek fëmijët, si trashëgim.

 

“...Mos i bini në qafë kot! Shkolla është tamam si një furrë dhe pjek atë që fut. Po fute birek, nxjerr birek të pjekur, po fute shapkat, nxjerr shapkat të pjekur. S’ka bënë vaki gjer më sot, që të futësh kungull në furrë e të ta nxjerrë mish të pjekur!...Shkolla të jep miellin, thesin duhet ta kesh vetë! “

 

Veprat e Njëshit të Shtetit të Kohës, dihej, botoheshin me lidhje të mirë, por si kudo shitja e këtyre librave edhe te Alizoti calonte. Mendja e zgjuar e tij e gjeti mënyrën dhe shkoi në Komitet. Sekretari e priti shumë mirë: Madje, pas kësaj trokitje të Aliztoit, në një mbledhje Pleniumi sekretari u hoqi vërejtje gjithë komunistëve që nuk lexonin, edhe sektorit të propagandës. Dhe t’i shihje, plasën në librari të gjithë! E bukura qe se, pasi blenin një libër me kapakë të kuq, dilnin xhiro me të në dorë, që t’i shikonte dynjaja e të shkonte të raportonte se...!

 

“U kënaqa, u ngosa [ngopa] të thom! Më kërkoi veprën “ANTI DYRING„, të Engelsit njeri nga kjo kategori, që vazhdonte Shkollën e Partisë. Ia dhashë dhe pasi doli nga libraria, u thashë atyre që qenë brënda: Ta marrësh “ANTI DYRINGUN”, ta ziesh mirë në një enë me ujë të përvëluar, dhe trutë e këtij t’i ziesh në një enë tjetër, t’i bashkosh të dy lëngjet në një enë të tretë, t’i përziesh mirë e mirë dhe t’i lësh sa të ftohen, kur ç’të shohësh, lëngjet do ndahen nga njeri tjetri...!

 

Zotia, një herë tjetër, mori një fotografi me ngjyra të Karl Marksit dhe ja ekspozoi në dritë një plake: Është shenjtor! – i tha asaj. Të pëlqen? Plaka bëri menjëherë kryqin, u fal para Marksit, sikur po merrte teseren e partisë. Zotia i shërbeu me solemnitet në këtë mikro ceremoni fetare. Si u çlirua plaka, Zotia ia bëri rulon dhe e porositi se mos e zhubroste rrugës “Shenjtorin”. Plaka e pa me inat shitësin, që guxoi ta këshillonte, se si duhej të mbante “Shenjtorin”...

 

Në ndonjë rast, Zotia, qëllimisht, u jepte gazetë me të njëjtën datë, por të një viti, apo disa viteve më parë. Të nesërmen blerësit e privilegjuar vinin në librari duke qeshur. - Ç’qe ajo që më bëre dje, mo Zote? E di kur e kuptova? Kur vajta në faqen e katërt, (katër faqe kishin gjithsej gazetat e asaj kohe), kur po lexoja … - dhe vazhdonin gjithë qejf të tregonin, se si kishin dyshuar gjatë leximit të gazetës, se diçka nuk shkonte. Zotia i dëgjonte duke qeshur dhe “i vlerësonte”, që kishin arritur të kuptonin trukun. - Ka plot që e lexojnë gazetën e parvjetshme për të sotme

 

Humori (ashtu duket sot, humor, por ta kaloje atë së gjalli, s’ishte aq e kollajtë!) kalon nga një shkresë në tjetrën, sa herë që kërkohej “autobiografia” përgjohej frikshëm nga vigjilenca e “biografisë”!

 

“Familja e Alizot Emirit gjatë kohës së luftës, ka strehuar gjermanë në shtëpi! O Zot i madh! Ku kish bërë vaki, që ushtarët gjermanë të strehoheshin në shtëpi të banorëve në Gjirokastër?! Po pse mo,  refugjatë kanë qenë ushtarët gjermanë në Gjirokastër?”

 

Teksa ndahesh si lexues me shënimet e bijve të Alizotit, kujtohesh edhe një herë se kombet ngrihen e madhohen, vetëm pasi e lënë të shkruar udhën e brezave të tyre.

Comments (0 posted):

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
5.00
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1