Newsletter
Email:
Poll: Letërsia
Cili është lloji juaj i preferuar i letërsisë?
Home | ANALIZA | NË KËRKIM TË POEZIVE TË HUMBURA

NË KËRKIM TË POEZIVE TË HUMBURA

Font size: Decrease font Enlarge font
image EDMOND AGOLLI

 

 

      EDMOND AGOLLI NË KËRKIM TË POEZIVE TË HUMBURA

 

Edhe pse Edmond Agolli ka nisur të shkruajë vonë poezi, përsëri nuk mund të themi se ai është një poet i vonuar. Brenda shpirtit të tij, në subkonshiencën e tij ose më saktë, në të gjithë qenien e tij, ai ka qenë përherë poet. Se ka edhe të tillë; poetë meditativë që krijojnë vargje e strofa me rima e ritme, me muzikalitet dhe mesazhe, por ato, ashtu siç lindin, ashtu edhe shuhen e humbasin. Krijuesi i tyre është rrethuar nga ato, por nuk e ka shkuar ndërmend se do bëhej ndonjë ditë poet i vërtetë. Ai është ndierë mirë në këtë atmosferë të këndshme tingujsh magjikë e frymëzues, dhe ka pasur bindjen se ato vlejnë vetëm për të dhe nuk i hyjnë në punë askujt tjetër. E kanë çlodhur, e kanë ripërtërirë, i kanë dhënë forca të reja, madje edhe qëndrime e sjellje më njerëzore, edhe pse ai nuk mban mend asnjë prej tyre. Dhe kjo ka zgjatur, gjersa një ditë, ai pas kësaj përvoje gati - gati fluide, pra pas mbetjes së një imazhi të bukur dhe asgjëje tjetër, por edhe pas leximeve të shumta, pas krahasimeve me krijimet e të tjerëve, arriti në atë që rëndom e quajmë pjekuri artistike. E kam fjalën për poezinë, pasi Mondi me kohë ka qenë artist. Ai ka studiuar për aktor, ka punuar si regjisor dhe ka shkruar e vënë në skenë edhe drama. Edhe tani që ka botuar disa libra me poezi, Mondin do e shohësh të ulur, shpesh edhe vetëm, në të njejtën tavolinë të Art - Kafesë, aty te Pallati i Kulturës “A. Moisiu”, ku për ca kohë ka qenë drejtor, duke shkruar, qoftë edhe nëpër copa letrash, huazuar nga kamerierët, poezitë që i vijnë sipas atij zakonit të vjetër. Tani që është i ngeshëm, kur poeti i thotë gruas mos m`u plak, se mund të shkruaj përsëri, mos po i kërkon edhe poezitë e dikurshme? Natyrisht, tani ato janë më të arrira, dhe ai nuk do që ato të humbasin si dikur. Dhe po ta shohësh me kujdes, ai si gjithmonë, çka duket edhe te libri i tij i porsa dalë nga shtypi, me titullin aq domethënës “Mos e shuaj hirin”, sepse të kujton diçka nga mrekullia, romantika dhe sinqeriteti i fshatit. Lakonik, që më së shumti gjithçka e përmbledh brenda një strofe, Mond Agolli synon të komunikojë thjeshtësisht me të thjeshtët. Ai do të jetë i kuptueshëm dhe i qartë për këdo, edhe kur guxon të hyjë në brengat e shqetësimet e tyre që janë ato të vetë shoqërisë, ashtu edhe kur kërkon të evidentojë ndjenjat dhe impresionet e veta. Jo për të hequr ndonjë paralele, por sikur të na kërkohej dikush për referim, do pohoja se e gjithë poezia e shkurtër, shpesh edhe satirike e Edmond Agollit, nga forma ka një ngjashmëri me poetin fshatarak skocez Robert Bërnsin. Po marr si shembull edhe diçka tjetër; ndikimin e nënës te formimi i atij poeti të shquar. Vetë Bërnsi jetëshkurtër, thosh për nënën e tij, një grua gojëmjaltë e përherë të qeshur se “… ruante në kujtesën e saj një koleksion të plotë këngësh dhe përrallash. Ajo e mbolli në shpirtin tonë farën e poezisë.” Sa herë, qoftë edhe te ky libër, i kthehet Mondi mallit e nderimit për nënën e tij, të cilën e quan “O shenjtorja ime” që me dritën e shpirtit të saj në errësirë, priste hënën, për ta mbajtur natën ndriçuar. Edhe Bërnsi, atje në fshatin e tij Alonej, nuk e kishte shkuar asnjëherë ndërmend se do të bëhej poet. Por sikurse deklaron: “U ndjeva poet kur rashë në dashuri. Atëherë ritmi dhe melodia u bënë zëri i zemrës time.” Ne nuk mund ta dimë me saktësi se kur dashuria i ra në kokë për herë të parë Mondit, atje në Progër. Ama kemi të drejtë të mendojmë se sido dhe kurdo që të ketë qenë ajo, pa tjetër që ka diçka të ngjashme me poezinë “Mesazh syrit”: Kur t`i nisa mesazh syrit, / Fët ma fshehe nën qepalla, / Në prushin që ngrohet buza, / Shpirtshkrumbuar mbeti fjala. Dhe a s`kemi të drejtë gjithashtu, të mendojmë se pikërisht në atë kohë, e gjithë qenia e tij u orientua ashtu si pa kuptuar, nga poezia? Por fundja ç`rëndësi ka kjo? Ja tek e kemi poetin. Dhe askush s`ka për t`ia ditur se kur u bë poet ai. Lexuesit të çdo kohe i intereson ajo që ai ka nxjerrë nga mendja, zemra dhe dora e tij. Dhe Edmond Agolli, nuk do të bëjë përjashtim, nga e gjithë ajo që aq drejtë e ka përkufizuar R. Tagora: “Jeta është me shumë fytyra, ka dhe lot, dhe gaz. / Takimi që bëjmë sot, nesër do të jetë ndarje. / Këngët e mia le ta lavdërojnë gëzimin dhe trishtimin. / Unë po iki, por jehonë e tyre mos u shoftë. Dhe është kjo arsyeja që në dhjetra poezitë e tij të kësaj përmbledhjeje, tematika është e gjerë. Ajo dallgëzon midis ëndrrave, Devollit, miqve, virtyteve, veseve, dashurisë, urrejtjes, natyrës, vetmisë, varfërisë, familjarëve, dëshmorëve, Dritëroit, grafomanëve, pleqërisë, lotit, mësuesve, Çamërisë, skraparllinjve, etj. etj. Dhe në të gjithë këtë laryshi temash, Mondi ka ditur që me shkurtësinë e poezive të tij, të mos bjerë në pleonazmë, në teprim, pra, në zgjedhje fjalësh të panevojshme. Shpesh ai përdor atë që në letërsi e quajmë preteritë, d.m.th. figurën retorike që nuk përmend atë që realisht do të thotë, si fjala vjen te “Pa titull”, “Në të ka qëlluar”, “S`di sa larg”, “Egoist”, “Dikur”, “Në ato varre”, “21 Janar…”, “Puthja”, “Në ngushëllim”, “Pas një debati në TV”, “Po i fejonin”, “Ajo dritare” etj. Ndofta nuk është shumë e nevojshme të komentojmë poezitë e Edmond Agollit. Pasi ato, duke qenë aq të ngjeshura, të thjeshta dhe lehtësisht të asimilueshme flasin vetë. Veç duhet vënë në dukje se në tërë shtrirjen e tyre mbajnë erë devolliu. Pasi ai që i krijoi ato, vuri shpirtin e pastër të banorëve të asaj zone, vlerat e rralla që ajo trevë i ruajti ndër shekuj dhe dëshirën e përhershme për ta jetuar dhe gëzuar jetën thjesht dhe me nder, cilësi që Edmond Agolli i ruajti të paprekura. Ashtu sikurse sot më shumë se kurrë, merr rëndësi ai amaneti i nënës: Brezat sa vjen sikur largohen. / Dashuria s`ka të matur. / Mos i lini rrënjët të thahen, / Mbajini portat hapur. Se ai vetë i ka thënë të gjitha kur tha se hiri në vatër s`duhet shuar kurrë!

Comments (1 posted):

kadri tarelli on 01/11/2018 22:13:03
avatar
Urime Shpendi! I kudo ndodhur për të gjetur poezinë e bukur e të mirë, për ta shijuar dhe publikuar. Mondi e meriton këtë shkrim me shumë sinqeritet dhe ndjenja dashamirëse. Poezia e tij ka shumë ndjenjë dhe mendim popullor.
Urime për ju dhe suksese poetit Mond Agolli.
Miqësisht!
Kadri Tarelli
Durrës

Post your comment comment

Please enter the code you see in the image:

  • email Email to a friend
  • print Print version
  • Plain text Plain text
Rate this article
0
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1
...
Powered by Vivvo CMS v4.1.5.1